U shemb si shkëmb prej karrige.
Gjoksi i shkoi lart – poshtë dhe
lëshoi një ofshamë të thellë. Pas
tij gota u përplas në dysheme duke u bërë copë e grimë. Kapela i fluturoi tutje
te këmbët e tavolinës. Sahati dhe një si
kulet e vjetër i dolën nga xhepi i poshtëm i jelekut. Mejhanexhiu nxitimthi u
afrua për ta ndihmuar bashkë me dy mysafirë të rastit. E shtrinë për toke, ia shpërthekuan këmishën,
e lagën me ujë...
-“Kush është ky njeri” – pyeti mysafiri me këmishë
mëngë përveshur, tej mase i shqetësuar.
-“Nuk e njoh” -
gënjeu kafexhiu dhe vetëtimthi i kujtoi një për një fjalët, që ia kishte
thënë të shtunën e kaluar:
-“Në këtë moshë
s’munda ta duroj dot burgun, represionin e komunistëve, prandaj u arratisa nga vendi im. Si kalova kufirin, jugosllavët së pari na strehuan në Serbi,
pastaj na transferuan këtu në Kosovë. Këtu e kam paksa më mirë. Flas e merrem
vesh me njerëz shqip. Ja, vendi im, prej këtu e shoh, tani po të më lejohet do
nisëm në këmbë. Është krejt afër. Me siguri një ditë kam për t’u kthyer. Ky
regjim, me drapër e çekan, s’duhet ta ketë jetën e gjatë. Po ndodhi ndryshe,
mjerë shqiptarët. Djali im, ai i dyti, iku... mirë bëri, i lumtë.. u kthye në
vendin e vet. Kam marrë vesh se e kanë fut në burg. Medet!
Burg e lot këtu, burg e mjerim
atje... ”
Dyqanxhiu e kujtoi rrëfimin e njeriut që tani ishte
i shtrirë përtokë gjerë e gjatë para tij, me mustaqe të thinjura, hundë të drejtë, me vrima paksa të
theksuara, gjoks gjerë e leshator, mollëzat e faqeve të fryra, buzët e
mavijosura. U kërrus mbi trupin pa jetë, ia hoqi shallin bojë kafe të
zgafulluar rreth qafe dhe ia mbuloi
fytyrën.
- “Të shtunave, i tha klientit të tij me çizme
llastiku, gjithnjë vinte në mejhane rreth orës nëntë, sikur edhe sot, porosiste
një byrek dhe gati në të njëjtën tavolinë ulej, ishte pika e burrit, fjalëpakë,
dinjitoz, sa herë ngrihej për të shkuar e shikonte orën e xhepit.”
Burri me këmishë mëngë të përvjel dhe Ai tjetri me
çizme llastiku morën gjësendet e
shkapërderdhura dhe fët e fët hapën
kuletën e saftjanit, gjetën dy bankënota letre të vogla dhe tri monedha
metalike, kurse në shaminë e xhepit një flamur të kuq me shqiponjë dy krenare
pa yllin pesëcepësh dhe një hartë të trojeve etnike shqiptare. Të frikësuare,
shikuan përnjëherë drejt dritarezës së kuzhinës. Flamurin e hartën mezi
i palosën duke u dridhur se mos i vërejti Ruzha, kuzhiniere, e cila
sipas rastit prezantohej edhe me emrin Rufa.
Ndërkohë zhurmshëm erdhën me një xhip të vjetër: një polic, një mjek dhe
hetuesi. Mjeku, pasi shikoi pulsin, bebëzat e syrit, i tha hetuesit:
“Shoku Zumer, si duket ka pësuar infarkt në zemër, sulmi ka qenë i fortë, prandaj goditjen nuk e ka përballuar dot”.
Hetuesi me policin bënë fotografimin, morën
deklaratat e të pranishmëve, mblodhën me
kujdes plaçkat, gjësendet, që mund të shërbenin
si prova dhe u larguan. Sapo e ngarkuan arkivolin në qerre, në derë u
duk inspektori i sigurimit shtetëror,
truphollë, sylarashë e thinjak.
-“Hë, ti je dyqanxhiu?”- pyeti ai me përçmim duke u
shtirë se nuk e njihte.
-“Po, unë jam”. -
u përgjigj pronari.
-“Ka ardh shpesh në dyqan... ke pas far lidhje ti
me të?”
- “Jo, shoku
Aziz, pasha Zotin... ”
- “Mbylle! Ku ka Zot!? - e ndërpreu larashi, ktheu
shpinën, dhe, pa trokit fare në derë, u
fut brenda në kuzhinë. Pëshpësh bisedoi diç me Ruzhën, dhëmbëzhveshur u nda nga ajo dhe me një ecje arrogante doli.
Grumbulli i njerëzve kureshtar, të mbledhur para dyqanit, me përulësi ia hapën
rrugën.
Inspektori thinjak, posa mbërrini në zyre, hapi
dosjen e të ndjerit dhe me kujdes lexoi
të dhënat: “A. L. Emigrant nga RPSH, i ardhur më 1949, antikomunist i
përbetuar, njohës i mirë i zonës kufitare, me gjendje të mirë shëndetësore,
parapëlqen ecjen në këmbë, shumë i
rrezikshëm, i kemi ofruar privilegje nëse vihet në shërbim të organeve
tona, por nuk ka pranuar. Të mbahet nën kontroll... “ Sa mbaroi së lexuari, i ra me laps të kuq dy herë tejpërtej dosjes
dhe e sistemojë në një raft tjetër.
Sabit Abdyli
No comments:
Post a Comment