Foto nga interneti |
Për Njeriun me ombrellë
e dija se ish vendosur në këtë shtëpi para shumë vjetësh. I ardhur nga
“Bregu i mjellmave”, lagje e qytetit e njohur për qetësi, rregull dhe njerëz të
pasur. Me profesion ishte projektues, bile disa prej pallateve të kësaj lagjeje
i kishte projektuar vetë. Në rrethana që nuk dihen, ishte ndarë nga
bashkëshortja dhe ishte vendosur në shtëpizën që i ngjante një barake
fermerësh, ku liheshin mjetet e punës dhe, në raste të veçanta, edhe mund ta
kalonin natën aty. E shihja tek dilte e kthehej me ombrellë në dorë. Gjithmonë
në kohë të caktuar, gjithmonë ombrellën me vete. Përherë i saktë. Fillikat
vetëm në shtëpizën e vogël, krejt të vogël, ngrysej e zgjohej. Të hënën lante,
pastronte tërë ditën e lume. Të mërkurën shkonte në bankë për ta parë gjendjen
e llogarisë bankare. Të martën e bënte pazarin, të enjten, të premten e kalonte
në bibliotekë, të shtunën, të dielën shkonte gjithandej qytetit. Përditë
në orën e caktuar e hapte kutinë e postës. Për moshën që kishte, mbahej mirë.
Nuk afrohej me njerëz dhe të linte përshtypjen se është egoist. Një të shtunë,
kur po shkonte për të paguar tiketën e lotos, më tha: “Qëndrimi im në këtë
mëhallë është i përkohshëm, nuk është për mua ky qymez (aludonte në shtëpizën
ku banonte). Shpresoj se frik kam për t’iu kthyer jetës që e kam pasur
dikur. Nuk dorëzohem. Mbahem fort në këmbët e mia. Depozitimet e parave të mia
në bankë kanë shkuar mbi 1 milion dhe unë jam gjithnjë e më afër kthimit
në lagjen “Bregu i mjellmave”. Sapo të kthehem do t’i thërras në një
darkë të përbashkët njerëzit e mi: gruan, vajzën... ata që ma
përlanë pasurinë, që më detyruan ta shisja pallatin dhe pjesën që e morën po e
bëjnë rrush e kumbulla. Do t’u them: Hej, gjallë jam, gjallë!
Rregulloi kapelën e
madhe në kokë, nxori nga xhepi tiketën e lotos dhe përfundoi:
Shiko, po dëgjove se
janë tërhequr numrat si këta, dije se unë kam fituar. Janë këta numra që i luaj
me vite të tëra. Ja, këtu është fati im!” – dhe u largua me një ecje të
krekosur, duke shtrënguar tiketën në dorë.
Pas këtij muhabeti
gjithnjë e më shumë më interesonte Njeriu me ombrellë. E vështroja nga xhamat e
dritares sime: sa më shumë kalonte koha, hapi i tij bëhej gjithnjë e më i
ngadalshëm, krahët e gjatë, që i vareshin në të dy anët e trupit gjithnjë e më
të plogësht, dukej i dërrmuar, i rraskapitur, si një ushtarak i shpartalluar, i
plaçkitur pas betejës së humbur. Hyrje-daljet i rralloi. Hoqi dorë prej shumë
aktiviteteve të përditshme. Nuk e ngiste makinën, nuk largohej shumë nga
shtëpia, kutinë e letrave nuk e hapte me ditë të tëra, ecjet gjatë mbrëmjeve i
ndërpreu, vetëm të mërkurën gjente forcë për të shkuar në bankë. Gati për çdo
mbrëmje kthehej te ai një njeri me zë të ngjirur, i cili nuk merrej gjatë me
të.
Të shtunën në mbrëmje po
shikoja tërheqjen e numrave të javës së fundit të lotos në TV. Një për një
u tërhoqën numrat e Njeriut me ombrellë. “Këtë po priste ai - mendova. I lumi,
i paska buzëqeshur fati”. Sapo bëhesha gati për ta parë gëzimin e Njeriut me
ombrellë, sakaq u dëgjua sirena e ndihmës së shpejtë, që u fut me ngut në
oborrin e shtëpisë me dërrasa dhe me ngut doli jashtë saj. “I shkreti, e
paska hëngër! Nuk ka mundur ta përballojë lajmin e gëzuar për shumën aq
të madhe të parave të fituara.”
Nga dera gjysmë e hapur
e oborrit prej nga me uturimë doli autoambulanca, arrita të dëgjoja
Zëngjirurin, që po i fliste një burri trupshkurtër: “Gjatë gjithë jetës ka qenë
skajshmërisht i drejtë, kurnac e lakmitar për para e fitime, për rregull,
për disiplinë... Jetën e bënte duke kursyer për çdo gjë; nuk
pranonte ftesa nga askush, që të mos ishte i detyruar t’i kthente, gjërat i blinte
me çmime të ulura. Kur i mbushej mendja për diçka, ishte shumë i
vendosur. Kish bindjen se një ditë kishte për t’i buzëqeshur fati. Nuk e
pranonte ndihmën e askujt. Me çdo kusht donte të ishte vetvetja. Ishte i pasur,
por jetën e bënte si është më keq. E shoqja ishte ndarë, duke ia marrë edhe të
bijën, ngase nuk kishte si t’u rrinte në këmbë manive të tij. Unë shpesh
kthehesha te ai, më dhimbej se e kam të gjakut tim, afrohesha deri te dera dhe
kthehesha prapë. Tiketa e lotos, e papaguar, iu gjet në tryezën e bukës.
Fatpreri, sapo kishte dëgjuar në TV se ishin tërhequr numrat e tij,
mezi kishte arritur ta thërriste ndihmën e shpejtë dhe ishte rrëzuar pa ndjenja
në dalje të derës së shtëpisë.”
Sabit Abdyli
No comments:
Post a Comment