Provinciali thirret në krejt gjeografinë e historinë e bashkëkombësve të tij, por me shpirt e dije është në nivel të mëhallës e provincës prej nga vjen, i ngushtë dhe i kufizuar për gjithçka.
Sa të trasha i kem maskat tregon proverbi: Me njohtë mirë tjetrin duhesh së pari ta kesh hangër nji thes krypë me te. Ta njohësh mirë shqiptarin s'ka nevojë ta hash një thes kripë me te, jepi pushtet dhe e sheh kush është.
Krijuesi mediokër kur flet për kolegët e tij krijues, për të mbetur vetë i madh, lavdëron e përmend vetëm ata që janë më poshtë se ai.
Njerëzit me ambicie të sëmurë për të qenë i madh (i parë) edhe kur mbërrijnë të bëhen të kamur, në shpirt mbetën të varfër, xheloz, arrogant e agresiv sidomos me miqtë që ja kalojnë me dije e autoritet, kurse me njerëz prej të cilëve i varet ekonomia (biznesi) vazhdojnë t'ju vardisen e bëjnë temena.
Parullat edhe kur thuhen e shkruhen haptas kujdes nga to se prapa tyre fshihen pisllëqet nga më të poshtrat.
Brenda një cikli me poezi mjafton dy-tri prej tyre të jenë pak më shumë se të mira dhe cikli është i mirë, ashtu siç është e mirë poezia që brenda saj, ka qoftë edhe një fjalë (varg) të qëlluar.
Historinë po nuk e shkrove vetë, të tjerët ta dredhojnë sipas qejfit e interesit të tyre. Duke shkruar historitë e vogla (familjes, mëhallës, fshatit, qytetit etj.), kuptohet me dëshmi e fakte, shkruajmë (kompletojmë) historinë tonë të madhe.
PA ARSYE
Në tel. i them djalit pse nuk je paraqit, u bam merak, ku mbete? I rritur jam, o babë, nuk humbi ...dhe për dy -tri ditë që nuk paraqitem s'keni pse të baheni merak ashtu pa arsye! Hee, kështu jemi ne prindërit, i thash, bahemi merak edhe pa arsye.
Në pushtet zakonisht vijnë njerëz, që dinë të dredhin e zhdredhin, manipulojnë, shtyhen me bërryla, njerëz teneqe, pojo, jopo.
As shekujt, as okupatorët nuk patën sukses në zhbërjen e qenies shqiptare, tamam kur mendonin ata se mbaruam, ndodhte ringjallja. Në gjene tona kemi një gjen mbrojtës si asnjë popull tjetër.
Lidhja më e qëndrueshme mes njerëzve është interesi.
Prodhim kohe: Kanë tituj, po s'kanë vepra!
Gjetja shkak e gabime për ta ndëshkuar tjetrin (zgjatur veshin fëmijëve), ne shqiptarët i kemi edhe te lojërat e fëmijëve. Ju kujtohet ajo pyetja provokuese e të rriturve për fëmijët: "Çfarë uji i ke dhanë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë?
Pa hy shtigjeve të panjohura nuk mund t'i njohësh ato.
Po shkrove për ndonjë vepër të vogël (vepra të mëdha nuk kanë) të rastësishme të mirë të njerëzve me mentalitet mediokër duhesh ta rritësh e bësh më strateg se Skënderbeun, më të përkushtuar për të drejtat e njeriut se Nelson Mandela, më humane se Gonxhe Bojaxhiun etj, po e le më të vogël se të përmendurit, nuk i pëlqen atij.
S'ka nder më të madh për mërgimtarin sa ta dëgjosh kur flet për politikën, historinë, bëmat e tij patriotike, sportin, artin, religjionin, mjekësinë, me një fjalë për të gjitha. Të flet me kompetencë, bindjen më të madhe se e ka mirë, se i di të gjitha. Sabri (durimi) jonë për ta dëgjuar është më shumë se terapi e ushqim shpirti e mendjeje për njeriun, i cili s'ka me kënd ta çel gojën në shtëpi ose ka po nuk e dëgjon kush.
Shumica e njerëzve tanë janë me prirje që për një të rënë krahëve, për një pozitë, qoftë ajo edhe për të duk në podium afër liderit, nënshtrohen, përulën e shiten
PËRSOSMËRIA
Një piktor sa herë shkonte në vizitë te miqtë, të cilëve u kish dhuruar apo shitur piktura, brushën dhe ngjyrat i merrte me veti se gjithmonë kish për të shtuar ose hequr diçka në to.
SHOKU I MIRË
Baba më ka pas thanë, shokun e njeh kur ta ndan mollën. Nëse pjesën e madhe e merr për veti: Hiqu prej tij. Ende po pres me gjet një shok (mik) që pjesën e madhe të mollës ma ndan mue!
Këto ditë një shoku im i mirë, në kërkesat e tepruara të njerëzve të pafytyrë u përgjigj me thënien e popullit: “Ha bukë e le vend për ujë”!
Vetë lavdërimet për tu shitur sikur je i madh, hapë sytë e tjerëve të të shohin ashtu siç je: i vogël, i ulët, hiç dhe mendjemadh.
Në profilin tim kam në miqësi një kategori miqsh që lexojnë (shohin) çdo postim timin, por nuk thonë keq edhe kur ju duket keq, as nuk thonë mirë edhe kur ju duket mirë: keq, ju vjen keq, mirë, s’ju vjen mirë. Kryesorja më lexojnë, jam nën vëzhgimin e tyre, kjo ka rëndësi.
E keqja është se dobësitë mikut e shokut ia themi pas shpinës, bile edhe të fryra, lavdet (të shumtën e herëve) false në sy. Do të duhej të jetë e kundërta.
Martesa është zinxhirë në qafë, varet prej të martuarave sa do të jetë i rëndë ose i lehtë. (s.a)
Kur kish pas vdek i pari Shkodrës, këtyne herësh, shkodranët paskan kënduar:: Mori Shkoder të mori gjoli, mbete n'dorë të Hasan Kokolit.
-Në modë sot janë, si asnjëherë tjetër: çervish antologjitë, mbrëmjet poetike – kanagjegji , akraballëk ndarje çmimesh, këngë cullako tallava dhe selfie inato -intereso politika. (s.a)
-Nuk gabojnë asnjëherë ata që nisen nga vetja! (s.a)
-Rrallë ose fare nuk flas për sukseset e veprat e mia, më tha këto ditë një mik , thjesht nuk dua t’i shoh tek ju zihet fryma e mbetën pagojë xhelozët rreth meje. (s.a)
-Shteti tamam shtet edhe mediet i ka tamam. Kam dëgjuar se qeveritë në Angli financojnë gazetën e vetë për ta kundërshtuar qeverinë për lëshimet, parregullsitë, gabimet etj., por gjithmonë me realizëm. Te ne mediet janë ose pro ose kundër. Ato pro me kokë në thes thurin vetëm lavde, kurse ato kundër më shumë shajnë e shpifin se tregojnë dobësitë e njëmendta të kundërshtarit. (s.a)
-Dëgjove Mush, i hëngër fjalët Kryemadhi! E kam dit që i ha dhe i luan, se, gjithmonë më fol për fytyrë e ndershmëri. (s.a)
-Foto selfie, dashuri selfie, politikë selfie, gazetë selfie, zbulime selfie, krejt selfie .... tatari na raft në fije! Lëmsh e bëmë gjuhën! (s.a)
-Të ardhurit në pushtet (të cilitdo krah, ngjyrë qofshin ata) me dredhi, shpifje, sharje për kundërshtarin, premtime në hava, pa programe pune të sinqerta, lëmsh e bëjnë shtetin. (s.a)
-Asnjëherë budallallëku nuk u vlerësua si tash. (s.a)
-Shqiptari, xhelozinë e smirën i ka vetëm për të vetin. (s.a)
-Shumicës së njerëzve u mungon sensi i masës , janë patetik e fals, sidomos për lëvdata në hava, vetëm ashtu "hajt sa me ta bë qejfin” , qoftë edhe kur krejt ndryshe mendojnë! (s.a)
-Thonë se kur bëhen bashkë dy e më shumë njerëz edhe mund të xhelozojnë e grinden mes tyre, dy e më shumë kabashë, kur bëhen bashkë, kënaqen me humor e llafe. (s.a)
-Japonezi, punën që bën tjetri, thotë; pse nuk e bëj edhe unë, punën që nuk e bënë askush, thotë; pse nuk e provoj ta bëj unë. Ne shqiptaret, e bëjmë të kundërtën. Punën që e bënë gjithkush, themi; pse ta bëj edhe unë, punën që nuk e bën askush, themi; s’kam si ta bej unë. (s. a)
-Në Ballkan dimër përherë është për popujt, pranverë e verë e kanë vetëm mashtruesit, rrencat, analfabetët ... (s.a)
-Me rrush e çika të reja, gjithkush të ban konak! (s.a)
-Baba jem, thoshte, kur ta bajsh nji punë, bane ashtu mirë, që puna me u dridh prej teje, jo ti prej punës. (s.a)
-Në bazë të një individi nuk vlerësohet populli, kombi, grupi, rajoni që i përket atij, por në bazë të popullit, kombit, grupit, rajonit të cilit i përket mund të vlerësohet individi. (s.a)
-Kohë e qullët, asgjë më nuk mbet drejt në këmbë! (s.a)
-Dy mënyra përmes të cilave hapen rrugët e suksesit; t’i thuash të bardhës e zezë, dhe të zezës e bardhë. (s.a)
-Ta vlerësosh tjetrin krejt zi, i zi je edhe vetë. (s.a)
-Në politikë fitojnë njerëzit, që lëpihen. (s.a)
-Lideri politik (tamam lider) për ta udhëhequr shtetin duhet të jetë i votuar përtej mëhallës, përtej katundit, qytetit, partisë e rajonit të cilit i përket. (s.a)
-Faqet e internetit, FACBOOK etj. janë privatësi aq sa është edhe kafazi i artë (shtëpitë) në lojën BIG BROTHER. Dhe mirë që është kështu, çdo gjë transparente. (s.a)
-Kur ke shtetin (ama tamam shtetin) ke te gjitha: ke lirinë, punën, kombin, fenë, shkollën, shëndetin, të tashmen, të ardhmen, rregullin e qetësinë. (s.a)
-Të folurit (shkruarit) qetë e me kulturë, vetëm teveqeli e merr (lexon) si frikë. (s.a)
-Hapa albumin e fotove dhe po shikoja. Sa mirë më dukej veta në fotot e rinisë dhe për të mos u demoralizuar më këto fotot e fundit i lash t’i shoh mbas disa vjetësh. (s.a)
-Mos më kërkoni në gjeti, në shkrimet e mia më gjeni, aty jam, krejt qysh jam. (s.a)
-Kur ishim të varfër ushqimin më të shëndosh e kishim, ndonjëherë edhe i pamjaftueshëm, por kurrë nuk hëngrëm mish, pemë e perime të rritura, pjekura e ruajtura dhunshëm me preparate kimike . (s.a)
-Kam dëgjuar se Luksemburgu nuk kish universitet, po ekspert, kuadro profesionistë me udhëheq shtetin si është më se miri i ka me bollëk. Kosova në secilën mëhallë ka hap fakultete po kuadro e ekspert pak ose hiç. Veça dynjas jemi dhe pikë. (s.a)
-I bardhë si bora në maje mali me qenë, i ligu të zi të sheh! (s.a)
-Mediokreti është ose servil ose arrogant dhe kurrë vetvetja. (s.a)
-Gjithsecili ka një mall, mërgimtari ka plus edhe vendlindjen. (s.a)
-Në demokracitë e brishta populli me votën e vetë të lirë zgjedh “shërbëtorët” e tij mbretër. (s.a)
-Në emër të kulturës, kohës e emancipimit ose vetëm se mundet, ta torturoj e ul poshtë gruaja burrin, burri gruan nuk është kulturë e përparim, por është primitivizëm e mjerim. (s.a)
-Në tokat shqiptare kush vjen në pushtet me te fillon rilindja, shteti, historia, përparimi, demokracia ... dhe kështu gjithmonë jem në fillim të bërjes shtet. (s.a)
-Shqiptarët më shumë janë proletarë e internacionalistë se shqiptarë. (s.a)
-Punë inatesh; elektoratin e partive shqiptare më shumë e gëzon humbja e partisë kundërshtare se fitorja e partisë së tyre. (s.a)
-Ata, që nuk nguten, mund edhe të mos fitojnë, por nuk humbasin kurrë (s.a)
-Kryefjala dhe fjala kyçe e programeve të partive shqiptare janë: premtimet n’hava, sharjet, shpifjet e trillimet për të përlyer e njollosur sa më shumë kundërshtarin e krahut tjetër. (s.a)
-Keq që njerëzit e kulturës mësuan nga politika hipokrizinë dhe krejt njëjtë udhëheqin kulturën, si politikanët politikën. (s.a)
-Pothuaj çdo herë i pa njohuri pritet si është i veshur, por përherë përcillet sa është i ditur! (s.a)
-Analistët (shumica) janë plafa të paguar për të mbajtur nxehtë e mbuluar rrenat politikës! (s.a)
-Shtëpia dikur ish e Zotit dhe e mysafirit, sot janë shndërruar në muze dhe shfrytëzohen vetëm me fjet në to. Ndejat, dasmat etj. në restorant. (s.a)
-Po t’u larguan miqtë, reflekto për gabimet tua, qofshin ato edhe pa dashje! (s.a)
-Gjithsecili po ta mbronte tjetrin nga vetja të gjithë do të ishin të mbrojtur! (s.a)
-Po vërejtët ndonjë mik timin të jetë larguar nga unë, ju bëj me dije se faji nuk është i imi.(s.a)
-Nga unë të ruaj unë. (s.a)
-Politikanët në të kaluarën nxjerrshin (gënjenin, avancoheshin), duke u mbështetur te shoku Enver, shoku Tito , “idealet” e partisë në pushtet, tani kur të përmendurit nuk janë më, mbështetjen e gjejnë në folklor patriotizëm, blerja me para e titujve, korrupsioni, inkuadrimi në Bashkësinë Evropiane, “demokracia “, shpifjet për kundërshtarin, arroganca etj. dhe rrallë ose hiç, te puna, ndershmëria , profesionalizmi e dija . (s.a)
-Kur të bëhesh për vitra edhe të keqit i dhimbesh! (s.a)
-Atdheu është si buka; mjerë ata që nuk e kanë, e mjerë ata që e kanë e nuk e duan! (s.a)
-Ai, që hyn në politikë me u pasunue, nuk është politikan, po matrapaz.! (s.a)
-Mjerë populli i shtetit ku Kryetari është shteti e shteti Kryetari! (s.a)
-Sorrën kurrkush nuk e mban n’kafaz! (s.a)
-Dielli i ngroh edhe të pafytyrët. (s.a)
-Ja si e ndan prenë i forti: N’dash unë kaprollin e ti lepurin. N’dash ti lepurin e unë kaprollin, zgjidh! (s.a)
-Ora si ajo prej plastike, metali, ari e diamanti kohen e mat! (s.a)
-Me t’keqin mos ngul kuja! (s.a)
-Shqiptari kundër cilësdo fe brenda shqiptare që flet, flet kundër vëllezërve të vet! (s.a)
-Jo gjithsecili mashkull është burrë, jo gjithsecila femër është grua! (s.a)
-Servilët si në diktaturë, si në demokraci temena u bëjnë të mëdhenjve! (s.a)
-Shkrimtari i madh Çehov, ka thënë: çelësi i suksesit është shkurtësia e mendimit. Këtij mendimi i përmbahem kur flas e kur shkruaj, kuptohet për sa di. (s.a)
-I mjerë është ai që i duhet ta fsheh të djeshmen për shkak të së sotmes (s.a).
-Në mungesë të armikut të përbashkët (në kohë paqeje), njerëzit nisin luftën edhe më të ashpër kundër njëri–tjetrit. (s.a)
-Krejt punët, punë donë. (s.a)
-Kam pa shumë më shumë qytetarë në katund se qytetarë në qytet.(s.a)
-Sulltanëve, carëve, t’kuqëve të pabesë u qëndruem në besë dhe ...! (s.a)
-Mos beso nëse flet vetëm keq politikani për politikanin, në pyetje është karriera, nëse flet vetëm keq poeti për poetin, kleriku për klerikun, mjeku për mjekun, sportisti për sportistin mos beso, në pyetje është smira. (s.a)
-I ligu është rob i të madhit, tiran i të voglit.(s.a)
-Vetëm ne shqiptarët, budallës ia lëshojmë udhën! (s.a)
-Për të fituar shteti e populli duhet të jenë të mirë edhe pozita edhe opozita. Neve shqiptarëve gjithmonë na mungon njëra ose të dyja. (s.a
-Njerëzit nuk janë ashtu siç i vlerësojnë miqtë, as ashtu siç i vlerësojnë armiqtë. (s.a)
-Liderët opozitarë të etur për ta marrë pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish e bëjnë edhe më të etur pozitën për ta mbrojtur me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish pushtetin.(s.a)
-Shyqyr Zotit me rastin e urimeve për festat u hoqën fjalët: "Festën tjetër e festofshim në shtetin e lirë të Kosovës.". (s.a)
-Me u ba zengjin me punë të ndershme krahu, hamalli ish ba ma zengjini prej krejt zengjinëve. (s.a)
-Keq, që njerëzit e ditur, të përgjegjshëm e të mirë nuk kanë gjë në dorë. (s.a)
-Pa u ba keq, nuk bahet mirë. (s.a)
-Kujdes, ata, që ta bajnë rrafsh, të dalin kodër! (s.a)
-Rrezik është me dit shumë. (s.a)
-Gjithsecili i thotë vetës se është dikush, po dikush thotë ma shumë se sa është dikush, këtu qëndron e keqja. (s.a)
-Racës sonë kurrë nuk i kanë munguar burrat. Sigurisht që kem me bollëk edhe bura, që u ka ra njëra "r", duke vrapuar pas lavdit e interesit personal.(s.a)