Shkruan Antonina Kodheli:
Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore.
Krijuesi Sabit Abdyli në skenën e krijimtarisë letrare është i pranuar dhe afirmuar nga një armatë e madhe lexuesish për librat e tij historike dhe të jetuara nga vetë ai, për rrëfimet e tij, anekdotat, aforizmat, për humorin, për artikujt e shumtë të botuar si në shtypin e vendlindjes së tij, gjithashtu edhe në shtypin e vendit ku jeton sot, në Zelandë të Re. Është shkrimtar vullkan në veprim. Kështu e njohim në shkrimet e tij, si një njeri qe nuk llogarit moshë, që me krijimet e tij bëhet një me moshën e lexuesit i çfarëdo moshe qoftë ai, si njeri që edhe me një aforizëm, jep një mësim jetësor, aktual, prandaj pak ja dinë emrin dhe e thërrasin, PROFESOR. Ndryshe nga shkrimet e para historike dhe shoqërore, gjithnjë të jetuara, të cilat mbeten dokumente historike në duart e lexuesit, ketë here profesori ynë e le të lirë penën e tij dhe na paraqitet me një vëllim në vargje, po aq aktual dhe njerëzor, sa edhe veprat e tjera të tij. Ashtu siç është, si një patriot i flaktë, si një luftëtar i penës dhe i jetës, hedh mbi supet e tij pelerinën e rëndë të mallit, merr me vete një copë qiell Kosove në zemër dhe nis rrugët për të gjetur at që atij i mungon në jetë, që siç e thotë edhe në vargun e tij, kërkon...FJALËN FJALË DHE NJERIUN NJERI. Edhe në zjarr të ferrit do të shkelë, vazhdon poeti, për të gjetur at që kërkon. Pena e tij është e butë dhe mallëngjyese kur shkruan për mallin. Në poezitë e mallit për Atdhe çdo shqiptar, por më shumë mërgimtari, do të gjejë të shprehura në vargje veten e tij, dëshirat dhe mallin e tij, hallet dhe ëndrrën për tu gjendur aty ku do të ngryset dhe të gdhihet edhe poeti ynë, në Atdhe. Dëshira e madhe e mërgimtarit për të folur, për të qeshur, për të kënduar dhe për të qarë vetëm shqiptarisht, shprehet thellë në poezitë e Profesor Sabit Abdylit. Shumë herë lotoi nga malli, por edhe kaq shume here të tjera qau prej inatit për fatin që pati ky vend legjendaresh. Si njohës i mire i rrjedhës së ngjarjeve në vendin e tij, i pashkëputur asnjëherë nga realiteti, poeti godet zhgënjimin dhe intrigën e kaprciozëve politikanë që luajnë me ëndrra dhe fate njerëzish. I revoltuar poeti ketë e shpreh në shumë poezi të tij.... DO TE DOJA TË JESH QIELL PA HILE....ose, FLASIM NE GJUHËN E NËNËS DHE QAJMË PA FAJ. Në ketë vëllim Profesori vjen të kujtojë lexuesin ku i kemi rrënjët dhe me penën e tij mbledh PORTRETE NJERËZISH TË MUNGUAR, siç shprehet në një varg të tij, na sjell pranë portrete dhe emra kreshnikesh të pushkës dhe të penës që shkruan historinë e këtij vendi, ATA QË E DESHEN DARDANINË ZONJË,... thotë në një poezi. Bashkon në poezi zëra heronjsh, zëra të njëjtë, të periudhave të ndryshme, por të të njëjtit ideal. Na sjell Kastriotin dhe Adem Jasharin, dy legjendarë të pushkës së kësaj toke mëmë, të njëjtën gjë bën edhe me Fishtën dhe Podrimën dy poetë të penës që ngritën peshë secili në periudhën e tij masa të mëdha njerëzish me idetë e tyre patriotike. Si njohës i mirë i realitetit, forcës së fjalës dhe të penës, profesori vendos të na dhurojë një libër në vargje. Ky vëllim ka katër cikle të lira: MALL, IMAZH, KAPRICIOZE dhe QIELLIT TË SAJ.
Duke mbajtur mbi supe kaq mall, vargu jep imazhe për vendin dhe balten ku u rrit poeti, përshkruan me mjeshtëri çdo cak te shtëpisë dhe të rrugëve ku shkeli dhe hapë në sytë e lexuesit një parajsë të vërtetë, male të larta dhe krenare, fusha të jeshiluara, ajër të pastër dhe burime të kulluara dhe diku këtu pena e tij ngrin, thyhet, zhgënjehet. Nuk po e njeh me ketë vend poeti, i duket si një vend tjetër, sikur nuk jetoi kurrë këtu dhe shkruan në një varg rrëqethës... QË KUR ZOGJTË MORËN UDHEN, DIELLI I PRANVERËS NUK NGROH MË, ËSHTË AKULL I FTOHTË. Shikon me keqardhje NË KULLËN QË LINDI TRIMA GOSTITEN HORRAT DHE JU VENË PLISA TE BARDHË. Gjendjen e sotme ne vendlindjen e tij poeti e godet me forcë dhe hapur në shumë nga poezitë e tij dhe shpreh keqardhjen që nuk mund të bëjë dot asgjë për ketë vend që e do kaq shumë. QIELLIN E KOSOVËS E ZUNË RETË QË JA MARRIN FRYMEN, QULLASHËT ME INTERESA KLANESH, dolën në skenë të ndrydhin lirinë që u sakrifikua kaq shumë, që u derdh kaq shumë gjak. Pena shkruan dhe vargu psherëtin për të pazotët që erdhën të lozin me fatin dhe ëndrrat e njerëzve qe luftuan, që erdhën të bëhen pengesë në të ardhmen e fëmijëve të tyre të pafajshëm. Vargu loton dhe kërkon nëpër botë te mbledhë THERMIJAT E NJË KULAÇI TË PJEKUR NË ZJARR DHE NË HI, siç thotë në një varg poeti, por me kot lodhet. Bijtë e kësaj toke u shpërndanë si zogjtë e korbit nëpër bote duke mësuar pa dashur as ata vetë anë të reja horizontesh të pashkelura. Kur u ngritën një mëngjes panë që dielli nuk lindi atje ku e prisnin, por ju kishte kthyer shpinën ashtu si vetë fati i tyre dhe vatrat e tyre. Kur folën me fëmijët ne telefon u përshëndeten si dreqër, njeri mirë mëngjes dhe tjetri mirë mbrëma....Me psherëtima dhe me lot ne sy pa dashur as vetë, profesori gjendeshe në anën tjetër të globit, në breg të një oqeani të pafund. e vetmja shoqëri dhe ngushëllim e tij ishin valët e oqeanit. Me to bisedonte dhe nxirrte mallin, sepse ishte i bindur qe ujërat në rruzullin tokësor takohen diku dhe njerëzit në kontinentin tjetër do ta merrnin mesazhin e dhimbjes. Varka të përplasura në det po të ishin poete do të shkruanin të njëjtat vargje si të poetit tonë...VALË MOJ HILEQERE, FRESKOMË EDHE MUA, SE JAM MERGIMTAR, shkruan poeti me dhimbje në një poezi të tij .Ky vëllim poetik që do të marrë lexuesi në dorë, ka vlera të mëdha edukative dhe është ngritur bukur dhe me kujdes në art. Realiteti i dy periudhave të jetës që jetoi poeti shpaloset fuqishëm si një mësim jete për të gjithë ne vargun e tij të qëlluar lirik. Në një poezi profesori shkruan; QË TË JESH NJERI DUHET TE SHIKOSH NE SY TE ARDHMEN DHE TË KALUAREN. Ketë do të rrënjose si poet dhe profesor, si prind dhe si njeri i rrallë. Kjo ide dhe punë e kujdesshme e shprehur në ketë varg të lirë, e bën ketë vëllim të dashur për lexuesin dhe të veçantë. Faleminderit profesor ynë për ketë dhurate që na bëre!
Korrrik, 2014
No comments:
Post a Comment