Kopertina e librit |
Parathënie
E gjeta të arsyeshme të dal para lexuesit edhe me
një libër tjetër për kabashët e Kabashit të Anamoravës. Kësaj here duke u
ndalur ekskluzivisht në trashëgiminë gojore të
kabashëve. Për humorin therës
e të shëndoshë, përmbajtjen e thellë dhe karakterin zbavitës të një niveli të
lartë, krijimet gojore të kabashëve të bëjnë për vete. Shpesh mendoja nga e
kishte burimin kjo mprehtësi e të shfaqurit të mendimeve me gjuhën e Ezopit, e
gjykimit të drejtë. Këta njerëz nuk dinin shkrim-lexim, nuk kishin udhëtuar e
parë botën, me përjashtim të një numri shumë, shumë të vogël, por
zhdërvjelltësia për t’u gjetur, për të gjykuar drejt, qoftë edhe në situata të
vështira, nuk u mungonte. Anekdotat, thëniet,
mahitë e tyre i karakterizon
mprehtësia thumbuese, kreativiteti, porosia dhe domethënia e thellë. Nga
trashëgimia e mbledhur mësojmë për karakterin, mentalitetin, qëndresën,
dëshirat dhe virtytet e tyre. Ymer Kabashi, Halit Kabashi etj., në thëniet e
tyre kishin porosi të qarta dhe herë-herë me aluzione të fshehta brenda. Ja si
duhet të luftohet armiku, kur nuk ke mundësi të tjera, porosit Halit Kabashi:
Anmikit theja gardhin, kullotja livadhin, zija udhën, mos e le rahat as n’shpi
as jashtë shpije. Po përmend këtu edhe një mendim me kuptim domethënës të Ymer
Kabashit: “Sa herë m’ka ardh keq, m’ka ra keq”. Në vitin 1913, pas asaj
dhembjes së madhe, plojës, masakrimit të mbi 60 burrave në Kabash, oda,
institucioni ku mësohej dhe ruhej historia, trashëgimia shpirtërore dhe arti i
të jetuarit, qëndresës, u shthur dhe, me shthurjen e saj u tret edhe një pjesë
e trashëgimisë shpirtërore, e historisë, e bëmave të kabashëve në shekujt XVIII
- XIX. Atyre pak burrave kabashë, të cilët i shpëtuan plojës, iu desh kohë për
t’i shëruar plagët. Dhe, oda kurrë më nuk arriti të ngrihej si dikur. Që
trashëgimia e mbetur, e ruajtur për aq sa ka mundur të ruhet, në rrethanat që i
përmenda, të mos tretej, i hyra punës dhe me kujdes i shkrova ato që i kisha
incizuar në memorie në shkallën më të lartë të vëmendjes, drejtpërdrejt prej
rrëfimtarëve: Ruhan Abdylit, Saqip Misinit, Jahi Selmanit, Miftar Osmanit,
Haxhi Isuf Mustafës, Hamëz Rexhepit, Haxhë Azemit, Rexhep Zekës, Rexhep
Sadikut, Jakup Osmanit, Ilmi Sallahut,
Haxhi Brahim Sallahut, Idriz Sallahut dhe të tjerëve, të cilëve u jam shumë mirënjohës.
Sabit Abdyli |
Jam i vetëdijshëm
se për kabashët, pema gjenealogjike e të cilëve mbahet
mend deri në 9 breza, për trashëgiminë gojore ka mbetur edhe shumë pa u vjelë. Mbetem me shpresë se ky libër do të jetë
një nxitje për vjeljen e trashëgimisë gojore edhe në vendbanimet e tjera. Mirëpres të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet
qëllimmira nga lexuesi. Adresa ime elektronike: sabitabdyli@hotmail.com
No comments:
Post a Comment