Antonina Kodheli |
Jam gjenerata që ka fshirë moshën reale dhe ka marrë moshën e internetit. Duke shfletuar FB një mëngjes gjeta një shkrim-letër ndryshe nga të tjerat, një letër që desha të vazhdonte dhe të merresha me te me orë, me ditë e me javë. Përmbajtja e letrës me rrëmbeu, më mori më vete dhe më shpuri në Kosovë. Letra e shkruar me plotë humor, thjeshtë, bukur me një stil përmbledhës më bëri të jetoj me personazhet e portretizuara në mënyrë virtuoze dhe vërtetësi nga autori, më bëri të jetoj me rrethin shoqëror, dhembjet dhe dëshirat e djalit, i cili i shkruan babit (Babuqit) të tij punëtor krahu në Gjermani pa lënë asgjënë më të vogël për jetën e përditshme, të familjes, farefisit, bashkëfshatarëve dhe për gjendjen politike në Kosovë dhe tokat shqiptare në përgjithësi. I shkruan djali me hollësi Babuqit të tij se si ka hyrë kultura evropiane në vendlindjen e tij. Vendin e kafesë e ka zënë, makiato, kapucino e pijet e forta, në jetë ka hyrë një botëkuptim i huaj, por më i përparuar se i pari, me i bukur, por vetëm në dukje. Të gjithë përdorin internet dhe chat dhe tashti njerëzit e kanë më të lehtë për të komunikuar. I tregon Babuqit se si njerëzit pa punuar jetojnë si mbretër, ngrihen në pozita të rëndësishme njerëz si Ramadushi, që nuk ka ide nga politika dhe nuk di të lidh dy fjalë bashkë, tregon sa të lehtë e ka një politikan si ky në Kosovë t’i punësojë, shkollojë fëmijët e tij, brenda një nate t’i nxjerr edhe me fakultet të kryer. Në një aspekt tjetër na paraqet personazhi me emrin Ifuz, hajn dhe i poshtër, i cili bënë jetë të shfrenuar, të pakuptueshme për rrethin e tij shoqëror. Autori i librit, përmes djalit të babuqit flet me një humor të hollë e therës për gjendjen politike në Kosove dhe jashtë saj. Ai ka dijeni të plotë edhe për prapaskenat shteteve fqinje të cilat nuk lënë gurë pa lëvizur për të penguar shtetin e Kosovës. Nga letrat mësojmë në sa mënyrë të gabuar dhe sa keq u përdor evropianizimi në ketë vend, sa lehtë mund ta blejë një karrige politikani dhe të vishet me pushtet një njeri i paaftë, sa lehtë mund të zënë vende të punës dhe të pasurohen brenda natës familjarët e pushtetarëve pa derdhur as një pikë djerse.
Shkrimtari Sabit Abdyli e jetoi rëndë luftën dhe regjimin Serb në Kosovë dhe ka dijeni të plotë për të gjitha aspektet e jetës si mësues dhe studiues i madh, ka mendim të qartë dhe të prerë për situatën shoqëroro - politike në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.
Libri është i pasuruar edhe me aforizma, anekdota e mahi të bukura të nxjerra nga jeta e tij e vështirë. Të gjitha janë të bukura dhe domethënëse, të gjitha! Autori i këtij libri nuk është nga ata njerëz që shtyhen me bërryla për të zënë një karrige, as rrahagjoks, por njeri që eci përpara me mendjen e tij të mprehtë dhe të ndritur. Veprën e tij e karakterizon thjeshtësia e të shprehurit, thellësia e mendimit dhe mesazhi i kuptueshëm për lexuesin.
Unë këtë shkrimtar e njoha në krijimet e tija dhe që kur lexova shkrimin e tij të parë e ndjek me fanatizëm. Nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, por në shkrimet e tij kam njohur si njeri modest dhe i fisëm, i cili me mjeshtëri të rrallë fërshëllen e kamxhikon paradokset e kohës.
Duke lexuar librin “Letra, anekdota e aforizma” të shkrimtarit Sabit Abdyli lexuesi merr informacion, mëson një realitet të padëshiruar, diku do mërzitet, në pjesë të tjera do qan nga keqardhja apo nga inati, në disa pjesë do qesh me të madhe. Shkrimtari te anekdotat ka krijuar një personazh të tijin, të lezetshëm, Mushin, dhe i vesh atij si një Aristofan i vërtetë ato që do të tregojë (satirizojë) jetën tonë të përditshme. Tipa të tillë si Mushi i kemi mes nesh dhe shpesh here ulen edhe në sofrën tonë të jetës, prandaj e duam. Mushi me bëmat e tij, prapësitë është mbresëlënës e i dashur për lexuesin. Shkrimtari i këtij libri është një lis i vjetër Kosove me rrënjë të thella në tokën e vuajtjeve, të vështirësive, qëndresës edhe të së vërtetës, duke e lexuar shkrimtarin, lexuesi ndihet si një degë e këtij lisi të dijes, të realitetit dhe i palëkundur kurrë nga stuhitë e moteve.
Antonina Kodheli
No comments:
Post a Comment