Thursday, 10 July 2014

KËNGA E LUFTËS (Prozë e përkthyer)

Dino Buzzati 1906-1972 

Mbreti e ngriti kokën nga tavolina e madhe  e punës e ndërtuar prej çeliku e diamanti.
-Çfarë, dreqi, këndojnë këta ushtarët e mi? – pyeti.
-Jashtë janë, në sheshin Kurora, vërtetë kësajde kanë kaluar regjimente e regjimente duke marshuar dhe kënduar drejt luftës. Lehtë e patën, derisa armiku ishte në ikje fushave të largëta, atyre s’ju mbetej tjetër përveç lavdi gjatë kthimit. Për këtë mbreti e dinte vetën të sigurt. Bota po përgatitej për nënshtrim.
-Kjo është kënga e tyre, lartmadhëri, - u përgjigj këshilltari i parë mbretit të blinduar në hekur, kështu e kërkonte gjendja e luftës. Mbreti vazhdoi:
-Athua nuk kanë diçka më gazmore? Ka himne të mrekullueshme të shkruara për ushtrinë time. Edhe unë i kam dëgjuar. Ato janë bash këngë ushtarake.
-Çka të bëjmë, lartmadhëri – tha këshilltari plak i kërrusur prej armëve të ngarkuara – ushtarët si fëmija, i kanë pasionet e tyre.
-Po kjo nuk është këngë e luftës – tha mbreti. Më parë mund të thuhet se me këtë këngë shprehet një pikëllim. Por më duket se s’kanë arsye  për këtë.
-Sigurisht, - pohoi këshilltari me një buzëqeshje përulëse. – Mund të them se kemi të bëjmë thjesht me një këngë erotike, dhe me siguri nuk  mund të jetë ndryshe.
-Si është teksti i këngës - ndërhyri mbreti.
Ta them të drejtën, për tekstin s’kam informata, - u përgjigj konti Gustav.- Do të pyes.
Regjimentet arritën te vija e zjarrit, e shtypën armikun duke ndjekur, lavdia e fitores u përhap nëpër botë. Ata iknin drejt fushave gjithnjë e më larg oborrit mbretëror. Por, prej llogoreve, të thurura me tela, jehonte gjithmonë e njëjta këngë. Këngë e zymtë, dëshpëruese, e shlyer prej asaj frymës luftarake dhe me plotë hidhërim. Ushtarët ishin mirë të ushqyer, të veshur, të mbathur me çizme lëkure, ndërsa kuajt prej betejës në betejë bëheshin më të qëndrueshëm, më vështirë e kishin ata që i bartshin në shpinë flamujt e armikut. Ndërkaq gjeneralët pyesnin:
-Çfarë, kënge të tërbuar këndojnë ushtarët? Athua nuk kanë tjera më gazmore?
-Të tillë janë ata, Ekselencë, - përgjigjeshin me maturi ata të shtabit kryesor. - Ushtarët janë të mirë, por kanë edhe të meta.
-Kjo s’është aspak virtuoze – flisnin me keqardhje gjeneralët. Në dreq të mallkuar, kjo po duket sikur janë duke vajtuar. Çfarë dëshire kanë tjetër të paplotësuar? Kjo më duket sikur ata janë të pakënaqur.
Përkundrazi gati të gjithë ushtarët e regjimenteve, që kishin triumfuar ishin të kënaqur. Çka dëshirojnë tjetër ata? Fitore pas fitores, plaçka të begatshme, kthimi i tyre triumfal. Fshirja e armikut nga faqja e  Atdheut, të shëndosh dhe të pashëm.
-Si vazhdojnë fjalët e këngës? – pyeti gjenerali me kureshtje.
_Fjalët! Nga pak budallaqe – përgjigjeshin ata të shtabit kryesor, gjithnjë të matur ashtu siç e kishin shprehi.
_Budallaqe, por çka thonë?
-Nuk e di domethënien tamam, Ekselencë - tha njëri.
-Dihelem, e di ti?
-Fjalët e këngës? Jo. Këtu është kapiteni Marrem, ndoshta ai e di.
-Nuk jam aq i mençur sa ta kuptoj këngën, zoti kolonel. – u përgjigj kapiteni.
-Mund ta pyes rreshterin Peteres, nëse më lejoni ....
-Ah, leni këto pallavra, vë bast se si ... – gjenerali vërejti se më mirë është mos ta përfundoj fjalinë.
- I trazuar, rreshteri u përgjigj në pyetjen e parashtruar:
-Strofa e parë, shkëlqesi, thotë kështu:
Fushave e maleve
Daullja jehon
Dhe koha kalon
Rrugën e kthimit
Rrugën e kthimit
Nuk e di askush
Të gjithë përpara ecin
Dhe shumë vjet kalojnë
Atje ku të lash
Atje ku të lash
Një kryq u ngrit.
Pastaj strofa e tretë e cila gati kurrë nuk këndohet ...
-Mjaft, mjaft! Thirri gjenerali, kurse rreshteri e përshëndeti ushtarakisht.
-Kjo nuk po më tingëllon si këngë gazmore – vërejti gjenerali, pasi shkoi rreshteri.
-Thënë shkurt, kjo këngë s’është për ushtarët.
-Me të vërtet nuk është - thanë kolonelët e shtabit kryesor duke përshëndetur gjatë.
Në mbrëmje, gjithmonë, pas betejës derisa treni ende tymosej kasnecët vraponin duke shpërnda lajme të mira. Qytetet stoliseshin me flamuj, njerëzit përqafoheshin nëpër rrugë, kambanat e kishave binin me të madhe. Ata që kalonin nëpër rrugët e qytetit të mjerë, dëgjonin si këndonin që të gjithë  atë këngën e vjetër të thurur kush e di se kur.
Vashat bionde gjysmë të zgjuara këndonin të mbështetura mbi dërrasat e dritareve.
Sikur të ktheheshim me shekuj të tërë prapa, kurrë në historinë e botës nuk janë mbajt në mend fitore të këtilla, kurrë nuk pat regjimente aq të suksesshme, kurrë nuk pat aq kolonelë të lavdishëm, kurrë nuk pat aq përparime të shpejta, kurrë nuk pat aq vende të okupuara, kurrë nuk pat aq begati e plaçka për ndarje.  Edhe ushtari i fundit bëhej zotëri i pasur. Me një fjalë pasuria nuk kishte fund. Në qytet shpërthente hareja, në mbrëmje derdhej vëra si përrua, lypësit  vallëzonin. Vende-vende mblidheshin miqtë e vjetër dhe këndonin at këngën “Fushave e maleve” duke përfshi edhe strofën e tretë.  Ndërsa batalionet kalonin nëpër sheshin Kurora duke shkuar në luftë, mbreti duke dëgjuar këngën e ngrite kokën duke mos kuptuar pse ajo këngë ishte ndjellakeqe për të.
Prej vitit në vit, regjimentet  përparonin duke mos pasur mundësi të ktheheshin prapa. Beteja fitore, fitore beteja. Ushtria marshonte çuditërisht  në anët më të skajshme, në anët me emra të cilët nuk mund të shqiptoheshin.
Kështu prej fitores në fitore  derisa erdhi dita kur sheshi Kurora mbeti shkretë, dritaret e pallatit mbretëror të mbyllura, ndërsa në hyrje të qytetit ushtria e huaj afrohej zhurmshëm.  Regjimentet e pathyeshme u shndërruan në fusha e male të largëta, në male monotone të kryqeve të cilët humbeshin në horizont dhe asgjë tjetër. Por, as në shpatat, as në vijat e zjarrit, fati i tyre nuk mbeti i ngujuar, përveç në këngën, e cila për mbretin dhe bashkëpunëtorët e tij ishte me të drejt e kobshme.  Me vite të tëra ushtarët , me kokëfortësi me anën a atyre tingujve të asaj kënge fatkeqe, flisnin për ardhmërinë duke ua treguar njerëzve atë që ishte e pritur. Por, as oborri mbretëror, as ministrat e urtë (memec si guri) nuk e kishin kuptuar fatin e kobshëm përveç ushtarëve të padjallëzuar, të cilët kishin qindra fitore, kur udhëtonin mbrëmjeve të lodhur drejt vdekjes duke kënduar.
Sabit Abdyli

Kabash, 1988

Monday, 7 July 2014

VETËM TI

Shkup, 1978
Tema më e shpesh për hartim në kohën kur isha nxënës i shkollës fillore (1953-1961), ishte: “Dëshirat e mia”. Shumica e nxënësve shprehnin dëshirë për tu bë mësues ose mjek. Nxënësit mësues përligjeshin dëshirën e tyre se i mësojnë fëmijët, kurse nxënësit mjek arsyetoheshin se i shërojnë të sëmurit. Nuk kishim shumë dëshira, ashtu siç nuk kishte shumë profesione.  Unë gjatë pushimeve shkoja te motra në Shkup, atje kisha parë shumëçka dhe për gjitha ato të mirat   kisha shfaqur dëshirë t’i kishim edhe ne në Kosovë dhe kisha pyetur pse ne nuk i kemi: rrugët me trotuare, parqet e rregulluara, stadiumin, pishinat, sallat sportive, libraritë me libra shqip, kioske me gazeta e revista shqip etj. Mësuesi në orën tjetër e kishte nda hartimin tim dhe më pyeti: Vetëm ti ke shfaqur dëshira tjera dhe sikur ke protestuar duke pyetur: pse, pse, mos ndoshta të kanë mësuar për ketë dikush tjetër, trego kush është ai, dhe vazhdoi, pse edhe ti nuk ke dëshirë të bëhesh mësues si shumica e shokëve të klasës? U ngrita në këmbë dhe doja t’i thosha: Edhe sikur të bëhem mësues, nuk do të isha si ti çehrengrysur, i vrazhdë, përbuzës, i njëanshëm dhe, pse po të pengojnë aq shumë dëshirat e psetë e mia,  po nuk guxova. Ai ndëshkonte rëndë secilin prej neve me thupër, nëse kundërshtonim fjalën e tij, qoftë edhe kur kishim të drejt.
Sabit Abdyli

Monday, 30 June 2014

Nënë Lumja (proze)



“Më dhemb e ther trupi gjithkah. Do të prishet moti!  Ngutu bijë e nanës, se mos po vonohemi...”  –  i tha së mbesës Nënë Lumja, duke ia shpushpurish balluket e ballit, para se të niseshin për në shkollë. Nënëmadhja me të mbesën sa dolën në rrugë, takuan  një plakushë me një qenush për dore të veshur me copë stofi  ngjyrë portokalli dhe kordele  të lidhur në qafë, kurse pak përtej me vrap po vinin dy femra goxha në moshë të mbytura në djersë.  Grat, kur u afruan, hapën buzët sikur po buzëqeshnin dhe vazhduan vrapin me të nijetin ritëm. “Nënoke, gjithë gjallëri i cicëroi nënë Lumes, e mbesa - kjo zonjë llafos me qenushin e saj, si me njerëz. Vetë e kam dëgjuar. Veç me qenushin jeton“. Po bijë e nanës, qenushi i kësaj plakushe e banë jetën e plakushës, plakusha të qenushit. I japin e i marrin njani tjetrit. Që të dytë kanë heq dorë nga raca e vet, ndërsa grat, që po vrapojnë, duen të hollohen. Vetëm këtë hall kanë!” Iu përgjigj së mbesës, Nënë Lumja, duke fshehur shqetësimin e saj që,  prapë gjatë natës, gjumin nuk e kish bë të rehatshëm, prapë iu kishin shfaqur ëndrra të çuditshme, herë-herë të llahtarshme dhe, si gjithmonë, me përmbajtje të çoroditura: Pështjellim, njerëz të shfytyruar, që i nxjerrnin sytë njëri tjetrit... “O Zot, hajër ishalla!” –  ish lut Nëna. Zgjohet e trembur nga ëndrrat dhe më nuk kish shti gjumë në sy, kish numëruar ditët, kush e di sa herë, kur ka për t’u kthyer në Kosovë. Kish menduar gjatë se mos, o Zot, Dreni po mbetet veç me një fëmijë,  po i hyn në gjak paraja, po e harron vetën, të vetët, po i përshtatet jetës së këtij rrethi dhe do të mbetet në ketë vend të huaj, midis këtyre njerëzve akull të ftohtë. Mandej, mendja i kishte shkuar te djemtë e vajzat e djalit tjetër në Kosovë. Kish bë hop  për të dalë në sallon, ta ndez cigaren,  por nga droja se po ua  prishte gjumin djalit e nuses, kish heq dorë. Kish ndjer dhembje në shpirt për ta, që me dritën e parë të mëngjesit  niseshin për në punë dhe ktheheshin në shtëpi vonë në darkë. Pastaj para syve të hapur na, iu kishin shfaqur: demonstratat e vitit 1981, thirrjet e demonstrueseve, pankartat, ndërhyrjet e policisë.  Arrestimi i Drenit në orët e para të mëngjesit...  Shkuarjet në burgun e  Nishit në vizitë djalit. Dalja e tij nga burgu pas 5 vjetëve. Bllaca e vitit 1999. Dreni, ushtar i lirisë në malet e Koshares. Dhe vendosja e Drenit në ketë qytezë dreqi me shkëlqim të rremë. Në mëngjes, Dreni e kish vërejt pagjumësinë,  mërzinë  e nënës...  Me dhembje e kish shikuar gjatë. Iu kujtua kur ajo ishte e fortë, plot gjallëri e jetë, kur nuk dorëzohej, bile edhe atëherë kur aksidentalisht vdiq babai, ajo nuk u dha, nuk u ligështua, i rriti, shkolloi me shumë sakrifica, saqë nuk i mbeste as një sekondë kohë të merrej me vetveten. “Nanë, i tha, derisa po nisej me të shoqen në punë, po mërzitesh... në shtëpinë tande je, çlirohu, çka nuk po bahesh rahat, shyqyr zotit tanat t’mirat i kemi!” “Jo, jo, mirë jam, u kënaqa me juve. Mos u ban merak, se kështu unë jam e marume, nuk mundem me prit dritën e sabahit në shtrat”. – i kish thënë, Drinit.
Majtas e djathtas drunj, në mes rruga, me trotuare të gjera e të pastra, rreth e rrotull shtëpi të bukura e të heshtura, mbi çatitë e të cilave re me forma të çuditshme përdridheshin drejt qiellit që po mrrolej. Te dyert e shkollës,  e dorëzoi të mbesën. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo brenda mureve të oborrit e përshëndeti me dorë. Përshëndetja e saj e mrekulloi, ia gufoi zemrën. O Zot, u lut, rrite!
U kthye trotuarit të gjerë pa njerëz, duke  menduar sesi ka për ta plakur ditën fill kalli vetëm,  pa pasur me kënd me çel gojën.

Në pasqyrë, përball derës, brenda korridorit të shtëpisë, shikoj flokët që ia kishte  spërkatur  aq shumë bryma e bardhë,  faqet, që  po i humbnin pak nga pak. Ndezi televizorin sa për ta thyer qetësinë. Jashtë, një shi i prajshëm e i ngrohtë nisi të bie. Rregulloi  me kujdes divanin, ndenjëset në sallon, sistemoi lodrat e së mbesës në dhomën e saj dhe e çliruar paksa nga dhembjet reumatike, u ul pranë dritares dhe, derisa po shikonte përtej xhamave të mjergulluar, një dremitje e ëmbël e çoi në Kosovë, e çoi te qershia në oborr,  te aroma dehëse e luleve të egra ndanë ograjës, mbi të cilat një flutur e bardhë si tamli fluturoi.

Sabit Abdyli

  Kanë thënë për tregimin:

Antonina Kodheli:  PROFESOR, PRAPE BALLE PER BALLE TE DY. MEGJITHESE KEMI TE NJEJTEN MOSHE UNE JAM NXENESJA JOTE.MESOJ NGA TY CDO DITE.DI TE RESPEKTOJ. POR TY MEGJITHESE NUK TE NJOH DO TE TE FLAS SI SHOK,SI MIK,SI PROFESOR.ME LE ME GOJE HAPUR.PER MUA E KE SHKRUAR? PO E KAM JETUAR PROFESOR.TAMAM SI NE SHKRIMIN TEND. E KAM JETUAR ME GJYSHEN TIME TE MIRE. SA ME MUNGONIN KETO CASTE.PROFESOR,ME KTHEVE NJE GJYSEM SHEKULLI PRAPA. TE FLM QE DHE MUNDESINE TE BEHEM FEMIJE NE KETE MOSHE PROFESORI YNE I MIRE.KJO DO TE THOTE TE JESH SHKRIMTAR I AFIRMUAR.TE SHKRUASH DHE SHKRIMI TE JETE I KUPTUESHEM NGA TE GJITHA MOSHAT. SA ME KENAQE O MIK I RRALLE. PO CFARE KA KJO PENA JOTE O PROFESOR QE NA TERHEQ KA SHUME? SA I BUKUR KY SHKRIM. PROFESOR TE FLM PER GJITHCKA NA KE DHURUAR. ZOTI TE DHENTE SHENDET DHE QETESI. TU RRITTE NDERI O MIKU YNE I MIRE!.

Evah Haliti El: Vehen perballe dy botera te kunderta ,gjyshja me vajzen dhe plaka me qenin.Jetojne ne te njejten kohe,ne te njejtin vend, por me "misione e interesa"te kunderta.Derisa, gjyshja ben jeten e gjyshes,me plote shqetesime per femijet,per familjen e ndare(ca ne atdhe e ca ne mergim) dhe te ardhmen e tyre,tjetra, plakushja kujdeset per qenin, me shume se per veten("kan nderruar rolet-jeten").Derisa djali e nusja shkojne ne pune qe me nate,rruges enden do krijesa te botes se "modernizueme"qe per qellim kane vec hollimin e vet(largimin e teprise se mishrave...)Qellimi i gjyshes shprehet aq natyrshem dhe prioritar permes lutjes qe i drejtohet te plotefuqishmit per mbesen "oh zot rrite". 

Miradie Zymberi-Avdullahi: Jeni mjeshter i madh i tregimeve te ketij zhanri i nderuar mik! Ju uroj qe te keni gjithehere keto frymezime per te sjellur gjithehere tregime dhe storie te tilla si freski para lexuesve! Suksese i nderuar!

Besim M. Zymberi: Nje shperfaqje, letrarisht e arrire dhe emocionalisht shume e ndjeshme, e nje fitoreje me plot dhimbje e dhembje...Nga endrra-ne enderr...Apo, nje tronditje nga tjetersimi-shperfytyrimi identitar si kanosje, por me nje rikthim te endrres, e cila vecse eshte prekur... Tregim i bukur!

Miki Tahiri: Profesor i nderuar edhe nje tregim i Juaji prekes, nje sfide e rende ku Nena shqiptare si gjithnje fale forces dhe krenarise shpirterore, mbijeton/i cdo kohe te pakohe.... eshte e pamundur njeriu ta lexoje kete shkrim vetem nje here...shume te fala e falenderime qe na sjellni gjithnje freski kudo qe ndodhemi neper bote...me respekt te vecant....

Alketa Qejvani: Prekese! Nenat, keto heroinat e heshtura qe shpirti u coptohet e nuk e japin veten.  Shume e bukur, Profesor. Me lot ne sy lexohet. 

Tuesday, 24 June 2014

QIELLIT TË SAJ (Nga libri me poezi “Kaq mall”)  


QIELLIT TË SAJ
Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish.
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë,
për plis e për fis.
Bubullimë në damarë dimrash
dhe njerëzish që lëpihen.
Lajmëtar ogurbardhë.
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.
                   Auckland, 18 Shtator 2013

PRISHTINA '81
Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje  korzosë së  ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy...
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji
                          Auckland, mars 2011

FLAMURI
U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.
               Auckland, 2010
 
NËNTORI I TRETË
Mjegullnajë e stepave të ngrira
dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot,
Na ruaj nga moti keq,
nga hijet e zeza,
mjegullnaja e ligë!
Auckland, 2007

EJA
Eja pranverë,
eja!
Shtruar ta kem
udhën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
Auckland, 2007

RREZON SHTET KOSOVA
Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon

Jehonë e valës detit
Oshtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
                                       
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth  Kosovë!

Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!

Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
                                       
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova  ime e bardhë !
                               
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
             Auckland, shkurt  2008

LUTJE E KOHËS
Nga pushtetarë mujsharë injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv e radikalë
runa  Zot!
Auckland, gusht, 2012

NJË HERË PËRKULET BURRI
Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi ...
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12

KOSOVË
Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr...
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën...
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit...
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
 Auckland, 2006
                                                                                                        Ka (në) thënë:
Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore.
Antonina Kodheli, 31 tetor 2013



E NATYRSHMJA NË ARTISTIKEN


Abdyl Abdyli, një piktor në unikalitetin e vet, emër që nderon të tashmen ashtu si të kaluarën, i lidhur ngushtë me rrënjët e veta, paçka i veshur me rrobën e modernitetit evropian! Veprimtaria artistike e tij është një gërshetim-mishërim i këndshëm i elementeve të reales me abstrakten. Tek ngjyrat bie në sy një dominim i të kuqes me të gjelbrën, e kaltra e mbylltë dhe një si vijë ndarëse sa dhe bashkuese e zeza. Figuracioni dhe portreti, një larushi pamjesh dhe karakteresh, qasje interesante në vetë perceptimin e objektit-subjektit. Dominon sidomos epika dhe lidhjet me rrënjët, kjo në një kombinim të bukur duke ia shtuar shpirtin modern. Pikërisht këtu vërehet ndikimi i shkollës së artistëve me nam që nga Pikaso e tëhu. Turmat dhe komunitetet njerëzore zënë vend real në kompozicionin artistik. Bota artistike është botë e njëmijenjë ndodhive, fytyrave, karaktereve. Interesantja e kulmimit, i nxjerrë personazhet të zhveshura nga rroba e përditshmërisë, një nudizëm karakteristik i abstrakt(lu)izmit. Te vizatimi i portretit kemi një kthim kah realizmi me përshkrim tiparesh dhe hollësish përmes lakimit të ndjeshëm të lapsit-brushë! Pikturat e tij janë shumë komunikuese në gjithë atë vorbull kërkimi, shprehin një shpirtërizim jete në kombinim ngjyrë-dritë-hije-pozicionim! Piktura e Abdylit ta pushton shpirtin, nuk ke si të mos e duash dhe të komunikosh me te, të bën për vete sapo të hysh në brendinë e saj. Piktorët janë poetë të dyfishtë dhe unikal, ata shkruajnë me brushë vargun në heshtje dhe pa shkronja në mënyrën më të bukur të mundshme!
Mentor Thaqi









Abdyl Abdyli ne atelie
Portret i babes 
Vizatimet e Abdylit me bukuritë e tyre, harmonin e ngjyrave, gjallërinë e lëvizjeve dhe përmbajtjen frymëzuese të bëjnë për veti. Nga brendia e vizatimeve, e figurave, portreteve dhe peizazheve rrezaton shpirti i shqetësuar dhe karakteri herë-herë i rrëmbyer i piktorit. Punimet e tij kanë frymë impresioniste. 
.


Njerëzit me maska ndërrojnë identitetet si të tjerët këmishët për të kaluar kohen në vendin e huaj: ëndërrojnë jetë më të bukur, më të mirë, janë veshur me ngjyra ma të bukura dhe bë gati për në vendlindje. (Vlerë Abdyli)





Abdyl R. Abdyli u lind në Kosovë. Studioi së pari në Akademinë e artit  figurativ në Shkup, pastaj  vazhdoi studimet në Akademinë e arteve të bukura në Prishtinë, diplomoi në klasën e Prof. Akdemik  Muslim Mulliqit, tash jeton në Gjermani.

Monday, 23 June 2014

Nga libri ditar “Ankthi i Pranverës ‘99”, Prishtinë, 2004, S. Abdyli - Fshati Smirë


Më 5 prill, rreth orës 9.00, me forca të mëdha ushtarake e paraushtarake u sulmua fshati Smirë. Që në orët e para të mëngjesit  fshati ishte rrethuar  nga makineria e rëndë luftarake serbe. Fshati ishte stërngarkuar edhe me popullsi të fshatrave tjera.  Sipas skenarit, tani më të njohur serbë, u bë granatimi  i fshatit. Njësitë speciale serbe  pastaj u futën në fshat,  duke shti me armë të rënda zjarri për të krijuar panik te popullsia. Popullsia e fshatit, e frikësuar nga banditët e maskuar, të armatosur edhe me armë të ftohta, sëpata e thika (shumica prej tyre ishin  serbë lokalë), morën  arratinë. Në dalje të fshatit, në anën jugore, forca tjera ushtarake serbe u dalin të përndjekurve në pritë. Popullsia civile, tani më ishte në mes tytave të ushtarakëve (nga ana jugore)  dhe thikave të paramilitarëve serbë (nga ana veriore). U krijua një tollovi e paparë. Nga të gjitha anët dëgjoheshin krisma automatikësh. Pati tentime për rezistencë, por një gjë e tillë në rrethanat e krijuara, nuk ishte e mundur. Serbët e shfrytëzuan braktisjen e shtëpive dhe në mënyrë të rrufeshme hynë në to, plaçkitën gjitha çka me vlerë. Të njëjtën ditë, popullsinë e zhvendosur e kthejnë me dhunë në fshat. Gjatë ditës u vranë : Ylvi Kemajl Demiri 25 vjeç, Mirali Ymri Sejdiu 26 vjeç, Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç dhe Skënder Saqip Salihu, kurse Ramadan Kadri Berati 40 vjeç u rrah  për vdekje nga paramilitarët, me 15 prill kur u zhvendosën smirasit për herë të dytë. Edhe me datën 15 prill, por edhe më parë në radhët e forcave serbe smirasit kanë njohur serbët lokalë (fqinjët e tyre): Zhivko Jokiqin (nga Goshica), Nenadin (polic nga Kllokoti), Bozhidar Stojanoviq (nga Vitia), Predrag Vukashinoviq (nga Kabashi),  Agim Ajet (romë-cigan nga Vitia) etj.  Zylfi Sadri Agushi,  është vrarë më 12 prill. Kufoma e tij është gjetur pas një viti, 2 kilometra larg Kabashit Smirasit, përkundër dhunës së ushtruar dhe stacionimit të ushtrisë në fshat, pjesa më e madhe e tyre, qëndruan në shtëpitë e tyre. Ushtria serbe u soll brutalisht me ta. Forcat serbe hynin nëpër shtëpia dhe i maltretonin, me një sadizëm të paparë, duke ju hedhur edhe ujë të valë grave dhe fëmijëve. Për plaçkitje, të mos flasim.. Pas nënshkrimit  të kapitullimit (9 qershor ’99) serbët, duke u tërhequr nga fshati, keqtrajtuan, rrahën, demoluan, plaçkitën, shtinë me armë  duke shpreh mllefin edhe për një luftë të humbur. Smirasit dolën nga lufta  me gjashtë bashkëvendës të vrarë, me shumë  të rrahur, dhe të dëmtuar materialisht me miliona DM.
PS..
*Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Nexhmedin  Etemi.

Aksioni në zyrën e Komandës partizane në Viti, dhjetor 1944

Hasan Kabashi 1901-1945


Jahi Selmani 1896-1968
Hasan Kabashi (1901-1945) me Jahi Selmanin (1896-1968) e kabashë të tjerë, në dhjetor të vitit 1944, zbret nga malet dhe natën për dritë të hënës hynë në Viti, i afrohen ndërtesës ku ishte selia e Komandës, e çarmatosin rojën, ngjitën shkallëve në katin e dytë,  me shqelma e hapin derën dhe me armët ngrehur futën rrufeshëm në zyrën e Komandës serbe.  Aksioni ishte menduar për t’i kërcënuar, paralajmëruar çetniko-prtizanët të heqin dorë nga dhuna që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare. Ja si e përshkruan ngjarjen Jahi Selamni, pjesëmarrës i aksionit: ”Kur hymë brenda, komandanti partizan dhe bashkëpunëtorët e tij, të zanun në befasi, vikaten (bërtitën): “Lele majko! (Kuku nanë...)! I çuen duert nalt dhe i ranë te kamt Hasanit: “Aman Hasan aga, në dorën tande e të Zotit!” – “Nalni kukamat! –  u vikati Hasani - Nuk kam ardh me ju vra, po kam ardh me ju thanë: Boll keni  vra shqiptarë,  prej sodit, po bani vaki me vra veç nji shqiptar, kemi me ju kall me krejt çka kini”.  “Po të betohem Hasan aga, në kryq e fëmijë, në krejt çka kam se, nuk ka me pas ma vrasje, krejt kemi me kanë të barabartë, si shqiptari, si serbi.”- foli komandanti serb tue u dridh prej tutës. Hasani nuk e zgjati muhabetin ma shumë. Në dalje, poshtë shkallëve, e zgidhëm (liruam) rojën serbe dhe u kthyem në pozicionet tona në mal”. (Marrë nga libri “Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi”)

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...