Dino Buzzati 1906-1972 |
Mbreti e ngriti kokën
nga tavolina e madhe e punës e ndërtuar
prej çeliku e diamanti.
-Çfarë, dreqi, këndojnë
këta ushtarët e mi? – pyeti.
-Jashtë janë, në sheshin
Kurora, vërtetë kësajde kanë kaluar regjimente e regjimente duke marshuar dhe
kënduar drejt luftës. Lehtë e patën, derisa armiku ishte në ikje fushave të
largëta, atyre s’ju mbetej tjetër përveç lavdi gjatë kthimit. Për këtë mbreti e
dinte vetën të sigurt. Bota po përgatitej për nënshtrim.
-Kjo është kënga e tyre,
lartmadhëri, - u përgjigj këshilltari i parë mbretit të blinduar në hekur,
kështu e kërkonte gjendja e luftës. Mbreti vazhdoi:
-Athua nuk kanë diçka më
gazmore? Ka himne të mrekullueshme të shkruara për ushtrinë time. Edhe unë i
kam dëgjuar. Ato janë bash këngë ushtarake.
-Çka të bëjmë,
lartmadhëri – tha këshilltari plak i kërrusur prej armëve të ngarkuara –
ushtarët si fëmija, i kanë pasionet e tyre.
-Po kjo nuk është këngë
e luftës – tha mbreti. Më parë mund të thuhet se me këtë këngë shprehet një
pikëllim. Por më duket se s’kanë arsye
për këtë.
-Sigurisht, - pohoi
këshilltari me një buzëqeshje përulëse. – Mund të them se kemi të bëjmë thjesht
me një këngë erotike, dhe me siguri nuk
mund të jetë ndryshe.
-Si është teksti i
këngës - ndërhyri mbreti.
Ta them të drejtën, për
tekstin s’kam informata, - u përgjigj konti Gustav.- Do të pyes.
Regjimentet arritën te
vija e zjarrit, e shtypën armikun duke ndjekur, lavdia e fitores u përhap nëpër
botë. Ata iknin drejt fushave gjithnjë e më larg oborrit mbretëror. Por, prej
llogoreve, të thurura me tela, jehonte gjithmonë e njëjta këngë. Këngë e zymtë,
dëshpëruese, e shlyer prej asaj frymës luftarake dhe me plotë hidhërim.
Ushtarët ishin mirë të ushqyer, të veshur, të mbathur me çizme lëkure, ndërsa
kuajt prej betejës në betejë bëheshin më të qëndrueshëm, më vështirë e kishin
ata që i bartshin në shpinë flamujt e armikut. Ndërkaq gjeneralët pyesnin:
-Çfarë, kënge të tërbuar
këndojnë ushtarët? Athua nuk kanë tjera më gazmore?
-Të tillë janë ata,
Ekselencë, - përgjigjeshin me maturi ata të shtabit kryesor. - Ushtarët janë të
mirë, por kanë edhe të meta.
-Kjo s’është aspak
virtuoze – flisnin me keqardhje gjeneralët. Në dreq të mallkuar, kjo po duket
sikur janë duke vajtuar. Çfarë dëshire kanë tjetër të paplotësuar? Kjo më duket
sikur ata janë të pakënaqur.
Përkundrazi gati të
gjithë ushtarët e regjimenteve, që kishin triumfuar ishin të kënaqur. Çka
dëshirojnë tjetër ata? Fitore pas fitores, plaçka të begatshme, kthimi i tyre
triumfal. Fshirja e armikut nga faqja e
Atdheut, të shëndosh dhe të pashëm.
-Si vazhdojnë fjalët e
këngës? – pyeti gjenerali me kureshtje.
_Fjalët! Nga pak
budallaqe – përgjigjeshin ata të shtabit kryesor, gjithnjë të matur ashtu siç e
kishin shprehi.
_Budallaqe, por çka
thonë?
-Nuk e di domethënien
tamam, Ekselencë - tha njëri.
-Dihelem, e di ti?
-Fjalët e këngës? Jo.
Këtu është kapiteni Marrem, ndoshta ai e di.
-Nuk jam aq i mençur sa
ta kuptoj këngën, zoti kolonel. – u përgjigj kapiteni.
-Mund ta pyes rreshterin
Peteres, nëse më lejoni ....
-Ah, leni këto pallavra,
vë bast se si ... – gjenerali vërejti se më mirë është mos ta përfundoj
fjalinë.
- I trazuar, rreshteri u
përgjigj në pyetjen e parashtruar:
-Strofa e parë,
shkëlqesi, thotë kështu:
Fushave e maleve
Daullja jehon
Dhe koha kalon
Rrugën e kthimit
Rrugën e kthimit
Nuk e di askush
Të gjithë përpara ecin
Dhe shumë vjet kalojnë
Atje ku të lash
Atje ku të lash
Një kryq u ngrit.
Pastaj strofa e tretë e
cila gati kurrë nuk këndohet ...
-Mjaft, mjaft! Thirri
gjenerali, kurse rreshteri e përshëndeti ushtarakisht.
-Kjo nuk po më tingëllon
si këngë gazmore – vërejti gjenerali, pasi shkoi rreshteri.
-Thënë shkurt, kjo këngë
s’është për ushtarët.
-Me të vërtet nuk është - thanë kolonelët e shtabit kryesor duke
përshëndetur gjatë.
Në mbrëmje, gjithmonë, pas betejës derisa treni ende tymosej kasnecët
vraponin duke shpërnda lajme të mira. Qytetet stoliseshin me flamuj, njerëzit
përqafoheshin nëpër rrugë, kambanat e kishave binin me të madhe. Ata që kalonin
nëpër rrugët e qytetit të mjerë, dëgjonin si këndonin që të gjithë atë këngën e vjetër të thurur kush e di se kur.
Vashat bionde gjysmë të
zgjuara këndonin të mbështetura mbi dërrasat e dritareve.
Sikur të ktheheshim me
shekuj të tërë prapa, kurrë në historinë e botës nuk janë mbajt në mend fitore
të këtilla, kurrë nuk pat regjimente aq të suksesshme, kurrë nuk pat aq
kolonelë të lavdishëm, kurrë nuk pat aq përparime të shpejta, kurrë nuk pat aq
vende të okupuara, kurrë nuk pat aq begati e plaçka për ndarje. Edhe ushtari i fundit bëhej zotëri i pasur.
Me një fjalë pasuria nuk kishte fund. Në qytet shpërthente hareja, në mbrëmje
derdhej vëra si përrua, lypësit
vallëzonin. Vende-vende mblidheshin miqtë e vjetër dhe këndonin at
këngën “Fushave e maleve” duke përfshi edhe strofën e tretë. Ndërsa batalionet kalonin nëpër sheshin
Kurora duke shkuar në luftë, mbreti duke dëgjuar këngën e ngrite kokën duke mos
kuptuar pse ajo këngë ishte ndjellakeqe për të.
Prej vitit në vit,
regjimentet përparonin duke mos pasur
mundësi të ktheheshin prapa. Beteja fitore, fitore beteja. Ushtria marshonte
çuditërisht në anët më të skajshme, në
anët me emra të cilët nuk mund të shqiptoheshin.
Kështu prej fitores në
fitore derisa erdhi dita kur sheshi
Kurora mbeti shkretë, dritaret e pallatit mbretëror të mbyllura, ndërsa në
hyrje të qytetit ushtria e huaj afrohej zhurmshëm. Regjimentet e pathyeshme u shndërruan në
fusha e male të largëta, në male monotone të kryqeve të cilët humbeshin në
horizont dhe asgjë tjetër. Por, as në shpatat, as në vijat e zjarrit, fati i
tyre nuk mbeti i ngujuar, përveç në këngën, e cila për mbretin dhe
bashkëpunëtorët e tij ishte me të drejt e kobshme. Me vite të tëra ushtarët , me kokëfortësi me
anën a atyre tingujve të asaj kënge fatkeqe, flisnin për ardhmërinë duke ua
treguar njerëzve atë që ishte e pritur. Por, as oborri mbretëror, as ministrat
e urtë (memec si guri) nuk e kishin kuptuar fatin e kobshëm përveç ushtarëve të
padjallëzuar, të cilët kishin qindra fitore, kur udhëtonin mbrëmjeve të lodhur
drejt vdekjes duke kënduar.
Sabit Abdyli
Kabash, 1988
No comments:
Post a Comment