Tema më e shpesh për hartim në kohën kur isha nxënës i shkollës fillore (1953-1961), ishte: “Dëshirat e mia”. Shumica e nxënësve shprehnin dëshirë për tu bë mësues ose mjek. Nxënësit mësues përligjeshin dëshirën e tyre se i mësojnë fëmijët, kurse nxënësit mjek arsyetoheshin se i shërojnë të sëmurit. Nuk kishim shumë dëshira, ashtu siç nuk kishte shumë profesione. Unë gjatë pushimeve shkoja te motra në Shkup, atje kisha parë shumëçka dhe për gjitha ato të mirat kisha shfaqur dëshirë t’i kishim edhe ne në Kosovë dhe kisha pyetur pse ne nuk i kemi: rrugët me trotuare, parqet e rregulluara, stadiumin, pishinat, sallat sportive, libraritë me libra shqip, kioske me gazeta e revista shqip etj. Mësuesi në orën tjetër e kishte nda hartimin tim dhe më pyeti: Vetëm ti ke shfaqur dëshira tjera dhe sikur ke protestuar duke pyetur: pse, pse, mos ndoshta të kanë mësuar për ketë dikush tjetër, trego kush është ai, dhe vazhdoi, pse edhe ti nuk ke dëshirë të bëhesh mësues si shumica e shokëve të klasës? U ngrita në këmbë dhe doja t’i thosha: Edhe sikur të bëhem mësues, nuk do të isha si ti çehrengrysur, i vrazhdë, përbuzës, i njëanshëm dhe, pse po të pengojnë aq shumë dëshirat e psetë e mia, po nuk guxova. Ai ndëshkonte rëndë secilin prej neve me thupër, nëse kundërshtonim fjalën e tij, qoftë edhe kur kishim të drejt.
Sabit Abdyli
Sabit Abdyli
No comments:
Post a Comment