Monday, 9 June 2014

28 nëntor 2005, Flamuri shqiptar në valëzim të plotë mbi Harbour Bridge.



Auckland (Zelande e Re), 28 nëntor 2005. Flamuri shqiptar në valëzim të plotë mbi Harbour Bridge

Me rastin e festes sonë te madhe, falë iniciativës se Astrit Bashës, Flamuri Shqiptar i ardhur enkas për këtë ditë tonën të madhe, me 28 nëntor 2005 që nga ora 6:00 e mëngjesit për 12 orë do të valëvitet me krenari në qiellin e shtetit të rregullit dhe qetësisë në Zelandë të Re, pikërisht mbi urën gjigante Harbour Bridge që lidh dy brigjet e qytetit të Auclandit veri-jug, të ndara nga ujët e Oqeanit paqësor. “I shihja flamujt sa here e kaloja urën, thotë Astrit Basha, i ardhur këtu me familje nga Tirana para 4 vjetëve, dhe gjithmonë kujtoja sa bukur do të ishte sikur të valëvitej edhe flamuri ynë lart në qiell përball atij zelandez. Rashë në kontakt me personat zyrtar të qytetit dhe m’u dha leja që edhe flamuri ynë dy ngjyrësh mund të ngrihet lart mbi urë. Pa humbur kohë porosita flamurin enkas për festen e 28 Nëntorit dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit shqiptar në Kinë flamuri erdhi. Ja sot, siç po shihni, sa bukur po valëvitet” - përfundoi i gëzuar, Astrit Basha. Gjatë tërë kohës sa valëvitej flamuri mbi urë shqiptarët vizituan urën, urën që u dukej e praruar, bën me qindra fotografi duke zgjuar te ta ndjenja të forta krenarie dhe mallëngjimi. Ketë e përjetoi edhe autori këtij shkrimi.
Sabit Abdyli

Friday, 6 June 2014

Vala hileqare


Pas 50 vjetësh e putha tokën nënë...

       
Auckland, 2011. Me Masar Krasniqin
 ne banesen time
Mazhar Krasniqi pas okupimit të Kosovës /1945/ duke mos u pajtuar me regjimin e instaluar komunist dhe për shkak veprimtarisë së tij antikomuniste ishte azhdimisht në lëvizje për të gjetur një shteg për në shtetet perëndimore. Ky rrugëtim zgjati me vite të tëra deri sa në vitin 1950 me anijen “Vis” nga porti i Rjekës /Kroaci/ arrin në Izmir të Turqisë.  “S’kisha si të jetoj në shtetin ku vriteshin, torturoheshin e persekutoheshin bashkëkombësit e mi dhe hapësira për fushëveprim kombëtar ishte ngushtuar për së tepërmi.
Torturat, maltretimet e egra i përjetova edhe unë nga UDB-a dhe Sigurimi  shqiptar, falë fatit tim të madh dhe moshës sime të re i shpëtova më të keqes. Në Turqi - vazhdoi - z. Krasniqi, u takova me shqiptarë që, po ashtu, kishin ikur për t’i shpëtuar burgut e torturave të regjimeve komuniste në Jugosllavi e Shqipëri, kishin ikur për të jetuar të lirë. Në Stamboll bashkë me 100 shqiptarë të tjerë me lejen e Komisionit për Refugjatë të OKB-së në fund të muajit mars të vitit 1951 u nisëm me anije  “Ankora” deri në Piereus, pastaj me anijen norvegjeze “Gova” vazhduam rrugën nën flamurin e OKB-së dhe për 33 ditë zbritëm në Zelandë të Re.
Mazhar Krasniqi,  që kur u vendos në Zelandë /1951/  s’pushoi së punuari në  demaskimin e shkeljeve të drejtave të njeriut, që bëhej nga regjimi komunist në Jugosllavi, Shqipëri e gjetiu në Ballkan. Mori pjesë në Konferencën e Parë Islamike Botërore, të mbajtur në Mekë, 1965. Në Konferencën për të Drejtat Humanitare në Kuala Lumpur të Malezisë. Në dëshmitë Publike për Kosovën para Kongresit Amerikan dhe në shumë tubime tjera ndërkombëtare kur shqyrtoheshin të drejtat e njeriut dhe çështja e Kosovës.
Vazhdimisht mbajti lidhje me personalitetet e shquara në diasporë dhe trojet etnike, me Mërgatat Shqiptare të Amerikës, Australisë etj. për t’i dhënë krah çështjes për çlirimin kombëtar. Formoi Shoqatën “New Zealand Free Albanian Association”, Lidhjen Qytetare të Shqiptarëve në Zelandën e Re,  ishte i pari kryetar i Federatës Islamike në Zelandë. Falë zhdërvjelltësisë, punës, angazhimit, për pak kohë arriti të bëhet biznesmen i suksesshëm. Mirëqenia ekonomike i hapi rrugë për ta intensifikuar aktivitetin e vet: udhëtoi  në SHBA, Australi, Arabinë Saudite, Jordani, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Maqedoni duke mos kursyer pasurinë në mbrojtjen e kauzës për çlirimin kombëtar. Në Amerikë bashkë me kongresmenet Diogard, Lantosh, Engel, Dol, Gillman e të tjerë, kontribuoi në miratimin e rezolutave për Kosovën në Kongresin amerikan, në forcimin e lëvizjes demokratike shqiptare, menaxhimin e takimeve të politikanëve shqiptarë me personalitetet e shquara të Capitol Hill-it, etj. Për të vazhduar më pastaj në mbështetjen e luftës për çlirimin e Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë Mazhar Krasniqi me mençuri ndikoi në ndërgjegjësimin e opinionit zelandez për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë. Më 1999  ndërhyri  te  organet e qeverisë zelandeze për lejimin e ardhjes së refugjatëve shqiptarë në Zelandë. Me ardhjen e refugjatëve u angazhua në sistemimin, informimin, pajisjen e tyre me gjërat elementare për jetë normale. Kurdoherë i thjeshtë, i kthjellët në mbajtje mend të ngjarjeve deri në detale, gojë ëmbël, por edhe  energjik e këmbëngulës në qëndrime, kundërshtar i devotshëm i komunizmit, përkrahës i ruajtjes së identitetit kombëtar, i shkollimit të brezit të ri, i drejtë e demokrat, i afër me të gjitha grup moshat, i gatshëm për t’i ofruar ndihmë bashkëkombëseve, i pa kompromis në luftë për liri e barazi të të gjithë njerëzve pa marrë parasysh racën, ngjyrën, religjionin. Për të gjitha këto virtyte, Krasniqi gëzon respekt e simpati, jo vetëm te komuniteti shqiptar, por edhe te ai boshnjak, kroat e zelandez. Me rastin e shkuarjes, përcjelljes  së Familjes Krasniqi për në Australi, u mblodhën me qindra njerëz të të dy gjinive, të grup moshave të ndryshme, bashkëkombës të tij, shokë e miq  zelandez, kroat, boshnjak etj. 
      Auckland, 2001. Në festën e Flamurit, Masar Krasniqi në mes me syza e plis të bardhë
Dua të përmend këtu  rastin kur për të parën herë u takova me z. Krasniqi. Me të arritur në aeroportin e Aucklandit, 29 tetor 1999,   grupi i parafundit i refugjatëve nga Kosova, me të cilët isha edhe unë,  kryetari Krasniqi na befasoi këndshëm me fjalimin e tij të shkurtër, përmbajtjesor e të rrjedhshëm në gjuhë shqipe: “Ju keni pasur fat... Zelanda e Re ju garanton të gjitha të drejtat. Këtu sundon ligji... këtu s’ka të diskriminuar. Ju keni përgjegjësi të dyfishtë, si shqiptarë dhe qytetarë të Zelandës. Këtu do të jeni të respektuar e të mirëpritur...së bashku do t’i përballojmë  të gjitha vështërsitë....”  Gjatë vendosjes /nëntor 1999, Auckland/ në shtëpinë, që e kisha marr me qira, në oborrin e saj, një burrë i moshuar, me të kuptuar se jam shqiptar më afrohet dhe  më thotë: “Hej, edhe unë jam albanezo, nga Zadar, /Zara/ quhem Stanko Vukiq, e njoh presidentin e juaj, Mazharin, e kam shumë mik, osht njeri i mrekullueshëm”.
Ky luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare, kurrë nuk e humbi shpresën se një ditë kjo do të arrihet. Jam shumë i lumtur se Kosova më në fund me ndihmën e SHBA, Bashkimit Evropian,  luftës  heroike të djemve dhe bijave tona, që ranë në altarin e lirisë dhe diasporës sonë  u çlirua nga regjimi gjakatar i Beogradit.  Dhe tani rrugën për në atdhe e kemi të hapur. Pas 50 vjetësh munda ta vizitoj tokën nënë, Kosovën”- na tha i mallëngjyer e krenar me rastin e Ditës së Flamurit  /Auckland, 28 nëntor 2001/.
Në gusht të vitit 2004 takohem me z. Krasniqi në shtëpinë time në Kabash /Kosovë/. “E shef – më thotë z. Krasniqi, bota e vogël për shqiptarët. Jemi shpërnda gjithandej, po shyqyr Zotit tani kemi ku të vijmë...   Kam pasur shumë takime me njerëz të shquar në fushën e drejtave të njeriut, politikan, kongresist, intelektual, ushtarak, gazetarë, biznesmen, artist,  por mbresa të thella më ka lënë takimi me laureatët e Çmimit Nobel për paqe, Dalaj Lama dhe sidomos takimi me Nënën Terze në vitin 1972 në Zelandë të Re... “
Laureati i dekoratës Queen’s Service Medal për vitin 2002,  të cilën  mbretëresha Elizabeth nderon veprimtarë me merita të veçanta në Zelandë të Re, z. Mazhar Krasniqi me të shoqen dhe dy djemtë e tij, Etnikun e Flamurin tani  jeton në Australi.
Sabit Abdyli, Zelandë e Re
(Artikulli u botua së pari në gazetën “Illyria” nr.1471, 16-18 gusht, 2005 dhe në librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha”, Auckalnd, 2010, S. Abdyli)



Thursday, 5 June 2014

Inkuizicioni


Dielli kishte kohë që ishte ngritur lart, por ende nuk po e çante dot krejtësisht shtresën e hollë të mjegullës së vrugët të atij mëngjesi, kur Shendi kaloi lumin, i cili tanimë gati ish shndërruar në një kanal për bartjen e ujërave të zeza.  Shikoi mbrapa dhe vërejti se është nën vëzhgimin e një veture të ndalur policie. Ptu, pështyu: katër vjet robëri, provokime, tortura, katër vjet shkolla shqipe e ndaluar.  E shtrëngoi fortë fletoren e punës nën sqetull dhe vazhdoi ecjen pa prish ritmin e hapit, i zhytur në planifikimin e temës, që e kishte caktuar për hartim, rrugës për herë të parë nuk vërejti si herëve tjera fluturimin zogjve poshtë drurëve të akacieve në oborrin e xhamisë së fshatit, nuk vërejti grumbujt e frikshëm të mbeturinave përgjatë përroit dhe nuk dëgjoi korin e bretkosave në pusin, që ndodhej në anën e majtë të rrugës. Të therurat e forta, në pjesën mbi gju të këmbës së djathtë, e paralajmëronin se do të ketë shi. Një dredhë ere çoi pezull bashkë me pluhurin qese najloni e gjethe të thara. Nxënësit ecnin grupe-grupe të shqetësuar me kokë të kthyer mbrapa. Shendi mundi t’i kap lëvizjet  e nevrikosura të nxënësve, kthimin nxitimthi të dy alamet burrave brenda oborrit të shtëpisë, duke mbyllur pas derën me rrapëllimë,  por nuk u dha. I patundur, i mësuar për të pritur të mirën dhe të keqën me qetësinë më të madhe, kaloi Lëndinën e vogël, kur sakaq makina nervoze e policisë gati sa nuk e gllabëroi. E parakaloi  furishëm te kryqi i rrugës. Nuk vonoi, me një zhurmë të mbytur, makina u ndalë në hyrje të shkollës. Nga makina rrufeshëm dolën dy policë dhe, një civil. Zunë pusi dhe po bëheshin gati për provokimin e radhës. Shendi, me fletoren e punës mundohej ta zhdavariste  shtëllungën  e pluhurit të posa krijuar. Në ecjen e sipër, rastësisht hodhi shikimin mbi çatinë e mullirit të vjetër dhe me admirim shikoi harabela të panumërt,  që me një vetorganizim të përkryer u çuan  lartë, dhe  krejt lirshëm luanin  lojën sipas qejfit të tyre.
Sa  u afrua Shendi, polici hundç,  trupmadh e arrogant, e shtyu me tytën e armës drejt veturës, duke i thënë: “Kjo shkollë dreqi, ilegale e juaja, po vjell vrer e helm kundër shtetit më demokratik në botë. Ti, dhe të tjerët si ti, e keni vendin në burg. Ka ligje Serbia... Ec përpara!”  Derisa po e fusnin  në makinë, Shendi me dhembshuri shikoi  grumbullin e revoltuar të nxënësve me faqet e paqme, të skuqura e të përlotura nga veprimet e egra të inkuizitorëve.  Përkundër hekurave në duar,  prushit të nxehtë  që e përvëlonte   përbrenda, Shendi arriti ta ruaj qetësinë, bile-bile  kur kujtoi fjalët e hundçit “shteti më demokratik në botë” gati sa nuk qeshi me zë.
Rrugës, me të parë makinën me targa  të policisë, njerëzit  largoheshin me vrap.
Kabash, 17 maj 1994

 

Wednesday, 4 June 2014

Në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari

Në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari

Islam Kulla në vitin 1948 u arratis nga Shqipëria

Qe nga dita kur u arratiset Islami prindërit, motrat, farefisi humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth pa ditur është apo nuk është gjallë Islami.
Në fund të vitit 1975, kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Islami, apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur a pati kush ta varrosë, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij...?
Gjatë qëndrimit në Tiranë mësova pse isha me “karakter ndryshe” nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri mësova se në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari dhe për ketë jam krenar. Ja shihe, më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në veturë kish varur  flamurin shqiptar.
Derisa po bisedoja për ardhjet e para të shqiptareve në Zelandë të Re dhe në mesin e ardhësve sa përmenda emrin e Islam Kullës, bashkëbiseduesi Enis Baçova i ardhur nga Tirana, me shtetësi neozelandeze, student i magjistraturës në Shkollën e Ligjit pranë Universitetit te Aucklandit, më thotë:
“E di historinë e këtij personi që e përmende?”
Po -  i them – ishte nga Korça, në moshën 16-vjeçare arratiset së pari në Greqi, 1948 dhe pastaj me grupin e emigrantëve shqiptarë vjen më 1 maj 1951 këtu në Zelandë, tashmë i ndjerë.
Për ketë jam i informuar nga Petrit Alliu, /1930/  person i cili edhe vetë është arratisur nga Shqipëria, së pari në Stamboll dhe pastaj ka udhëtuar me të njëjtin  vapor me Islam Kullën dhe emigrantët e tjerë. Duhet pranuar se secili prej këtyre emigrantëve, si pasojë e përndjekjeve të egra të regjimit komunist u detyruan të merrnin në sy çdo  rrezik dhe u arratisën kush si mundën. Fundja kush nuk ka dëgjuar, lexuar rrëfimet e tyre rrëqethëse e të dhimbshme.
 “Ka gati një vit që po merrem me historinë e Islamit, ndërhyri Enisi. Historia e tij është tepër e dhimbshme. Që nga dita kur u arratiset Islami  prindërit, motrat, farefisi humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth pa ditur është apo nuk është gjallë Islami, kurse në anën tjetër, regjimi komunist i burgosi e i persekutoj pamëshirshëm. Motrën e madhe të Islamit e mbajnë, e torturojnë për 8 muaj rresht në hetuesi. Tri ditë pasi e lirojnë si të pafajshme, vdes. Familjarët e saj nuk u lejuan të marrin pjesë në varrimin, lamtumirën e fundit të së ndjerës. Kullajt u goditën në mënyrë më barbare nga vorbulla e luftës së klasave duke i  trajtuar si armiq e kundërshtarë të shtetit për 50 vjet me radhë. Në fund të vitit 1975 kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit, motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Isalmi apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur a pati kush ta varroste, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij...? Me hapjen e Shqipërisë, mbesa e Islamit vendoset në Belgjikë. Nga Belgjika vajza e mbesës Erisa, nis gjurmimet për të mësuar të vërtetën ne lidhje me Islam Kullën. Me të marrë vesh për këtë iniciativë të Erisës dhe i prekur shpirtërisht me ketë dramë të dhimbshme iu përvesha punës për ta ndihmuar motrën Diture, gjyshen e Erisës.
Në foto autori i artikullit Sabit Abdyli, në mes Richard Kulla dhe Petrit Alliu 




E kërkoja trashëgimtarin e Islamit me emrin Arben e gjeta me emrin Richard
Pas shumë peripecive, hulumtimeve gati njëvjeçare në zyrat e gjendjes civile, në Arkivat e Departamentit të Punëve te Brendshme, në... pata sukses dhe gjeta të dhënat se: Islami është martuar me Patrica Walton në vitin 1966. Po atë vit ata janë bërë me një djalë, i cili është regjistruar me emrin Richard Xhemali Kulla, pra jo Arben siç mendohej. Ne vitin 1974 Isalmi e Patrica janë ndarë. Në vitin 1975 Islami është ndarë nga kjo jetë. Pas ndarjes Patricia  ia ka ndryshuar të birit prej Richard Xhemali Kulla ne: Richard Thomas Mulvena. Ky ndryshim më nxori shume telashe gjatë kërkimit, por sidoqoftë me 29.3.2006, enigma u zbardh, arrita ta kisha në dorë adresën, numrin e telefonit të Richardit, trashëgimtarit të Isalm Kulles. E thërras në telefon Richardin. U befasua. Mbeti pa fjalë. Megjithatë e mori veten shpejt... kujtoj që tha – një sekondë Enis, sa ta marr një karrige. U gëzua jashtë mase. Ndër të tjera më tha se qysh si fëmijë ka dashur të gjejë rrënjët, trungun, gjakun, fisin e vet, por nuk ka mundur. Me nuanca të paqëndrueshme të zërit  përfundoi – ky lajm është dhuratë më e ëmbël, më e mirë, me e shtrenjtë për ditëlindjen time të 40-të, që po përgatitem ta festoj më 2 prill. Ja pra, edhe një arsye më shumë për Richardin që më 2 prill të jetë dyfish i lumtur – mendova dhe, i trazuar mezi e mbaja receptorin e telefonit në dorë. Sidoqoftë, tashmë Richardi është në lidhje me hallën Diturie, kushërirën Erisa, me ... dhe po bëhet gati që sa me shpejt të jetë e mundur te niset për te halla, kushërinjtë, te njerëzit e gjakut të tij në Shqipëri, të cilët gjashtë dekada  po presin një lajm prej Ishullit të largët dhe, mirësia e Zotit deshi që ky lajm të jete i gëzuar për ta.” – përfundoi Enisi. Richard Thomas Mulvena këto ditë u kthye nga vizita në Shqipëri, atje Richardi ka takuar njerëzit e babait, hallën, kushërinjtë dhe i ngazëllyer me pritjen flet me admirim, entuziazëm për gjithë ato që i ka përjetuar, parë në Tiranë. “Gjithmonë nëna, shokët me thoshin prej nga ti me këtë karakter ndryshe nga të tjerët, i rrëmbyer, i dhembshur, inatçi, dorëlirë, i afërt me njerëz, i gatshëm për t’i dalë në ndihmë të ligshtit, të pambrojturit, asnjëherë nuk dija si t’u thosha, si t’u përgjigjesha. Gjatë qëndrimit në Tiranë mësova pse isha me “karakter ndryshe” nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri mësova se në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari dhe për këtë jam krenar. Ja shihe, - më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në veturë kishte varur flamurin shqiptar. Do të kthehem në Tiranë, atje do të jem për Vitin e Ri, gjaku ujë nuk bëhet. Gëzohem që tashmë nuk jam fill i vetëm, por kam shumë njerëz të fisit tim, mburrem me historinë aq të bujshme të babait, gjyshit tim, kënaqesha kur më thoshin “pinjolli i Isalm Kullës”. Sa e sa herë, vazhdoi Richardi, më kujtohet  momenti kur takova babin për herë të fundit. 
               Tiranë, korrik 2006. Në foto  Richardi me hallën Diturie dhe kushërirën Erisa
Ngrohtësinë e atij takimi kurrë nuk e harroj. Më qafoi e ledhatoi, më foli ëmbël-ëmbël sa nuk  mund ta imagjinoni, prandaj këto ditë do ta nis procedurën për kthimin e mbiemrit Kulla dhe do ta mbaj me nder për jetë të jetës. Do ta mësoj edhe gjuhën shqipe. Këto ia kam borxh babait.... Të ju them edhe këtë, pas vizitës në Tiranë për mua ka filluar një jetë më dinamike, më e vrullshme dhe shumë interesante – më tha në fund  të bisedës Richardi.
Sabit Abdyli


(Artikulli u botua me nje tjeter titull edhe ne gazeten "Dielli" NY)

TRI VJET RRUGË DERI NË ZELANDË TË RE



Petrit Alliu
Petrit Alliu hynë në radhën e mërgimtarëve të parë shqiptarë, të ardhur në Zelandën e Re, që në vitin 1951. Njohës i shumë gjuhëve të huaja: anglisht, turqisht, italisht, intelektual e  sportist, me shumë sukses ka luajt volejboll për ekipin e parë të Tiranës /1947-1948, më vonë edhe  për shkollën amerikane “Robert College” 1948-1951/, kurse në qytetin e Aucklandit top këmbe /1952-1954/. Ka të kryer gjimnazin në Tiranë, shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll. Sot edhe pse i shtyrë në moshë, gëzon shëndet të mirë. Është i martuar. Ka një djalë e dy vajza:  djali, Kerimi, infermier, jeton në Sydney /Australi/, vajza Jasmina, arkitekte, jeton në Adelaide /Australi/ dhe Shpresa, kontabiliste, jeton në Zelandë. Djali, Kerimi  për ta plotësuar zbrazëtirën,  boshllëkun që e ndjente për Shqipërinë,  me emër e mbiemër të falsifikuar, anëtarësohet në parti majtiste, në Londër. Në vitin 1985 shkon në Shqipëri, por i njëjti nuk ka mund t’i vizitojë xhaxhallarët, nënëloken, shtëpinë, në Tiranë, për të cilët i kish folur i ati me aq mall, sa e sa herë.
“Unë, në prill të vitit 1992, me të zbritur nga avioni, në aeroportin e Rinasit, pas 44 vjetëve, e putha tokën nënë, u çmalla, u kënaqa me familjarët, miqtë, shokët, por edhe u mërzita kur pashë Shqipërinë më keq se që e kisha lënë në vitin 1948” – na tha Petrit Alliu,  me një shqipe të rrjedhshme, derisa po pinim kafe në shtëpinë e Zenel Tahirit. 
“Në shtator 1948, vazhdoi z. Alliu, e kreva liceun në Tiranë. Mua dhe shokëve të gjeneratës po atë vit na ndan bursa për të vazhduar shkollimin jashtë shtetit. Mua bursa m’u nda pak më vonë se të tjerëve. Pushteti  nuk na shihte me sy të mirë neve që ishim me prejardhje nga familjet me mirëqenie të mirë ekonomike. Po atë vit, na nisin me vaporin rumun “Transilvanija” për në Stamboll, për të dalë pastaj në Detin e Zi përmes grykës së Bosforit.  Duhej të shkonim rrotull nga se marrëdhëniet me Jugosllavin qenë prishur. Në vapor ishim 400 të rinj, që shkonim për të vazhduar shkollimin në shtetet e kampit socialist, si:  Çekosllovaki, Rumani, Poloni, Rusi, Hungari. Lundronim  natën.
Me të arritur në Stamboll u hodhëm nga pjesa e prapme e vaporit në det,  bashkë me një shokun tim nga Tirana, Skënder Muka e quanin, kështu ishim marrë vesh fshehtas në kuvertën e vaporit. Natën, dritat e qytetit reflektoheshin në sipërfaqen e ujit dhe kishim bindjen se jemi krejt afër, bile me dukej se dritat mund  t,i prekja me dorë. “Drejt dritave... Jepi!” – më tha Skënderi, që ishte më i fuqishëm, më notar i mirë se unë.  Në terrin e asaj nate, u ndamë me Skënderin...  Medet! Kurrë më, nuk e pashë. Duke notuar e vëreja se dritat ishin tepër larg, kurse unë gjithnjë e më shumë  ndjeja lodhje. U ktheva në shpinë dhe me lëvizje të ngadalta të këmbëve e duarve arrija të qëndroja në sipërfaqen e ujit. Me shpresa të humbura, fillova të bërtisja me atë pak zë që më kish mbetur për ndihmë, shqip e italisht. Dhe mrekullia ndodhi. Dy peshkatarë turq me barkë, më kapën  për krahësh...
Auckalnd, 31.05. 2010. Në foto: Petrit Alliu e Bajram Murati. Fotografoi Sabit Abdyli
Pas hetimeve të policisë turke se kush jam, prej nga vij, m’u pranua statusi i refugjatit. Me ndihmën e Organizatës për refugjat u regjistrova në shkollën e njohur amerikane “Robert College” në  Stamboll. Kolegjin e kreva më 1951. Aty mësova gjuhën angleze dhe turke. Po atë vit  /1951/ u njoha me Mazhar Krasniqin. Me Mazharin vendosëm  që edhe ne t’i bashkangjitemi refugjatëve, në mesin e të cilëve përveç  shqiptarëve kishte edhe  bullgarë, grek, rumun e të tjerë që bëheshin gati  për në Zelandë të Re. Me vaporin “Goja” pas 35   ditësh lundrimi, më 1 maj 1951, mbërrimë në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re. Prej aty me tren  na çuan në kampin “Pahiatua”.  Në kamp për 6 javë punova si mësimdhënës. Refugjatëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe turqëve, bullgarëve, rumunëve etj. ua mësoja gjuhën angleze. Në pjesën e dytë të muajit qershor na shpërndajnë gjithandej Zelandës jugore. Pas një viti, unë, Mazhar Krasniqi, Shaban Kryeziu, Shaqir Seferi, Fadil Kasteli etj. u vendosëm në Auckland. Më duhet t’ju them se ne shqiptarët fituam shumë shpejt simpatinë e vendasve, si njerëz punëtor, të përgjegjshëm e sportista të mirë. Unë me Fadilin kemi luajt futboll /1952 – 1954/ me shumë sukses në  ekipin “Grey Lynn Comrades”  ligën e parë. Jetonim me mall e me shpresë se një ditë do të kthehemi. Me punë që të gjithë kishim krijuar kushte për jetë normale. Ne, për shqiptarët e kam fjalën, nuk kalonte java pa u takuar. Kështu arritëm ta mbajmë gjallë frymën shqiptare. Formuam Lidhjen e Qytetarëve Shqiptarë në Zelandë dhe kurdoherë kryetari i Lidhjes, Mazhar Krasniqi e kishte mbështetjen tonë. Diku pas vitit 1970, këtu në Zelandë u mbajt një tubim i të kuqve /partive marksiste-leniniste/. Erdhën përfaqësues të partive komuniste nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë, përfaqësues të PPSH. Me iniciativën e  Komuniteti shqiptar, kryetarit të saj, z. Krasniqi u organizua një demonstratë kundër tubimit të të kuqve. Protesta bëri jehonë të madhe. Media e këtushme: si ato elektronike ashtu edhe ato të shkruara /gazetat/ i dhanë publicitet të madh.
Kur erdhëm /1951/ në këtë Ishull të largët, gjetëm një femër shqiptare, e  ardhura para nesh në Zelandë. Dikush prej nesh ka kontaktuar me të. Dimë se ishte e  ardhura nga Egjipti dhe e fliste mirë gjuhën shqipe. Ku gjendet, çka u bë me të, nuk kam informata.
Auckland, 6 shkurt 2014. Në vizitë te Petrit Alliu, njëri prej mërgimtarëve më të vjetër shqiptar, i ardhur në Zelandë të Re më 1 maj të vitit 1951 me më shumë se 60 shqiptarë tjerë. Ky grup të ardhurish të gjithë ishin meshkuj dhe me moshë të re, të cilët ishin arratisur nga represioni i regjimit komunist (1945) në Shqipëri e Jugosllavi, së pari në Greqi, Turqi etj. dhe prej aty erdhen me vapor ne Zelande te Re.
Në foto: Zenel Tahiri, Sabit Abdyli (autori i artikullit) dhe Petrit Alliu.
Malli i atdheut është  i madh. Këtë mall edhe ju tani po e ndjeni, por sot e kemi më lehtë. Komunikojmë me telefon sa herë të na teket, informohemi rregullisht, rrugën drejt Shqipërisë e kemi të hapur. Atëherë,  kur shkruaja letër,  nuk shkruaja gjë, e dija se letrat lexoheshin prej njerëzve të sigurimit, po shkrove më shumë se “jam mirë...” ajo nuk arrinte kurrë për ku e ke adresuar.
Desha t’ju them edhe këtë, kur u kthye djali, Kerimi nga Shqipëria, më solli shumë fotografi, incizime, bile  edhe kompletin e veprave të Enver Hoxhës,  /qesh me zë/ të cilat  ende nuk i kam lexuar.
(Artikull i botuar ne revistën “Ura” nr. 7 korrik 2003 dhe në gazetën Illyria 3-6 qershor, 2005)

Sabit Abdyli

Sunday, 1 June 2014

Poezi të shkëputura nga libri “KAQ MALL”

KAQ MALL
Po mësoj e nuk mësoj
pse kaq mall për kullat
Auckland, janar 2006 
në ketë vend
pa ëndrra me diell
juga e veriu ndryshe fryn
lejlekët dallëndyshet
në kohë tjetër shkojnë e vijnë
në ketë vend
kaq mall e dallgë
       Janar, 2014

ÇAST
Grurë i valëvitur në qershor
Reflekton vezullim drite në mua
Erë e bukës mbrume në shtatë fqinjë
ndezur ma mbajnë etjen
dhe nuk ngopëm
me shikimin tënd
kohën
mallin eshk
zjarr që asnjë çast nuk shuhet
Janar 2014

KËNGË KURBETI
Gurit i bie vala
guri kryeneç,
s’lëkundet dot nga vendi,
i fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir, vala nuk e njeh,
kurdo e fut në thellësi,
kurdo e përplasë në breg.
Shkurt, 2014

STINËT
Pranvera e lodhur
vjeshta e verdhë
As dimri dimër
as vera verë
Larg teje Kosovë
Stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë
Auckland, dhjetor 2002

VALA HILEQARE
Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë
Flladit bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh
Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar
     Auckland, 17 tetor 2009

DITË E PËRDITË
Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem femërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë
               Mars, 2013

DYREVE TË BOTËS
Jeta dyerve të botës
e hidhur pelin
kafes dyerve të botës
kot sheqer i hedh
bukë e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin
         Mars, 2014

EC E EC
Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!
           Auckland, tetor 2013

LULE UJISTE
Zhgjëndërr i shihja;
zogjtë në degë ftoi u lëshuan!
Hap dritaren, u hedh thërrmije,
zbresin e çohen gëzuar!
Këtu ku bren miza hekur,
paskan ardhur!
Nëna me kove nxirrte ujë.
Në ballkon ujiste:
lule vathet, sheqeret, shelgjet
Fliste me to.
Saktë e dinte kur çelin e ç’ngjyrë kanë!
                       Auckland, janar 2014

KUJTIME E MALL

Shtëpia ime këngë
jashtë e brenda xham
fjala gur stralli
mbuluar gjelbërim
pemë frutore mollë kumbulla qershi
zëra e qeshje fëmijësh
kohë tjera erdhën
të rrethuan me ndërtesa betoni
të ftohta të babëzitura
metamorfozë kohe e ligë
njerëz urë e vig
pragu i saj
ndezur mallin mban
           Janar, 2014

GËZIM O MALL
Mbaruam fjalët.
Heshtja nuk shkon.
Oqeani qetëson valët,
shkëmbin e pushon.
Hesht kur flas,
flas kur hesht,
ç’më bren përbrenda,
qoftë gëzim o mall!
              Mars, 2014

ZJARR
Fletët e kalendarit përherë,
si fletë dushku në vjeshtë.
Jeta mes zjarresh.
Shkruaj e fshi fjalë,
shpresa më prenë e mban.
Mot i përthyer mes rreshtash
merr flakë,
me akull shuaj zjarr!
                     Maj 2014

KËNGË TONA
Jam bukë gruri,
arave valë-valë.
Jam mik dhembjesh
në shi e acar.
Jam gur këngësh tona,
sy shqiponje sogjetar;
brigjesh malesh fushash
këtej e matanë!
               Maj, 2014

IKE
Shkove si ditë e javës!
Zhurmshëm llafet,
hapat pa zë.
Acar i pakohë fshin gjurmët
barit të njomë.
Rrugë me vargje hap
këngën nuk e ndal,
në secilin varg timin një zog
thur një baladë.
Maj, 2014

KËNGË TRISHTILI
Përtej shtatë fushave e maleve,
ta njoh buzëqeshjen hidhërimin,
kot më mbështjellë fjalë.
Librit faqet shfletoj, 
prapa s’kthehem dot,
luftën e ndezur ftoh.
Në pemën e tij ndan ledhit në arë
këngës trishtili ja thotë pa u ndal.
                        dt. 6 maj 2014

SHTEGTIM
Vjeshtë e vonë ishte
valixhet në dorë
kalorës rrugëve të panjohura
mbi re qumësht të bardha
zog në shtegtim
nuk dija ngjyrë tjetër as fjalë tjera
përveç kuq e zi
përditë në mbrëmje përshëndesja
mirë mëngjes shqip
dhe kthehesha për të mësuar
gjeografinë, horizontet, kohen
kur lind e perëndon Dielli
këtu dhe në vendin tim
           maj, 2014

KËNGË HERAKE
Në trap të ograjës
lules këpusnim petalet
një për një
lules më do s’më do
s’dinë gjë petalet thoshim
kur dilte “s’më do”
këpusnim pa u lodhur
herë-herë dy herë përsërisnim
për të përfunduar si donim
“më do”
në fund të vitit shkollor
punët pisk në ditar
pambarim këpusnim petale
kaloj s’kaloj zhurmonim
si gjinkallat në vapë
               Qershor, 2014







 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...