Saturday, 9 August 2014

Hasan Bislim Ahmeti – Lubishta, ushtar i devotshëm i Shqipërisë Etnike

Shkruan: Sabit Abdyli


Hasan Ahmeti
Hasan Ahmeti u lind në vitin 1922 në fshatin Lubishtë komuna e Vitisë. U rrit dhe u edukua në familjen Ahmetaj, e cila  shquhej për ruajtjen e traditave kombëtare. Që në rini të hershme u dallua për zgjuarsi e trimëri. Nga të parët kish  mësuar se si duhet të mbrohet nderi e atdheu. Në moshën 22 vjeçare /1944/ e mobilizojnë me dhunë, në aradhet partizane. Hasani duke parë tmerret, torturat, padrejtësitë që bëheshin nga  serbët, që tani në shapkat e kralit kishin vu yllin pesëcepësh, kundër shqiptarëve dezerton nga aradhe partizane e stacionuar në kishën e Deçanit dhe kthehet në shtëpi për t’ju bashkangjitur forcave balliste që luftonin në malet e Anamoravës. “Në këtë lojë të ndytë antishqiptare, për fatin tonë të keq, në aradhet partizano-çetnike kishte edhe shqiptarë të shitur, të mashtruar nga propaganda sllavokomuniste. Ata, për serbët e kishte fjalën, ishin të njëjtit që më 1913 masakruan e vranë 90 lubishtas, në mesin e tyre 8 të familjes sonë duke i gropos, disa prej tyre edhe  për së gjalli në Livadhet e Podgorcit, ishin të njëjtit që në vitin 1918 na dogjën shtëpinë, na konfiskuan 5 hektarë tokë pjellore rreth lumit Gërqarica, ishin të njëjtit që e vranë kushëririn Rexhepin, ishin dhe mbetën, ata  që ishin edhe më vonë; masakruan, rrahën për vdekje shqiptarë të pafajshëm gjatë aksionit për mbledhjen e armëve në vitin 1956, burgosën, persekutuan e vranë edhe në vitin 1968, 1981, 1989, të njëjtit me dhunën e policisë e të ushtrisë në vitin 1990 e shuan parlamentin, qeverinë e Kosovës. Elaboratet, skenarët për asgjësimin e shqiptarëve dhe popujve tjerë jo serb, serbët i kanë që nga koha e Millosh Obrenoviqit, bacoo...!  -  më pat thënë xha Hasani, kur isha në vizitë te ai në Australi, në vitin 1991,  rrëfen nipi i tij Nexhmedin Ahmeti.


                                 Hasan Ahmeti ishte antar aktiv i Lëvizjes së Legalitetit

Hasan Ahmeti merr pjesë me pushkë në dorë në të gjitha betejat e zhvilluara në malet e Kopilaçës (1944 – 1945) kundër forcave çetniko-partizane.
Për shkak rrethanave të krijuara në nëntor të vitit 1945, Hasan Ahmeti bashkë me ushtarët tjerë të lirisë pas një udhëtimi 14 ditësh në këmbë dalin në Greqi. Në një takim të organizuar, në Delemount të Zvicrës në vitin 1986 me komandantin e forcave balliste të Karadakut z. Hysen Tërpeza, i cila sa mori vesh se kush jam, më tha: “Hasani ishte i përgjegjshëm,  serioz në kryerjen e detyrave,  ushtar i devotshëm i Shqipërisë Etnike, njohës i shkëlqyeshëm i ternit ku vepronim, i shkathët, i zhdërvjellët në aksione,  i zoti i pushkës, patriot i flakët...  Në vitin 1980 u takova me Hasanin në Turqi...  Ai, edhe në Australi  po punon në dobi të shqiptarizmit.  Në malet e Lubishtës (1944 -1945) na kanë ndihmuar edhe vëllai i Hasanit, Destani dhe xhaxhai i tij Ruhani duke na furnizuar me ushqim e gjëra tjera të nevojshme nga dyqani i Lencit në Letnicë.”  (Sipas Nexhmedin Ahmetit, gasterbajter në Zvicër, i lindur 1955). Në Greqi nga forcat anglo-amerikane përgatiten për ta rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri. Pas desantit në Shqipëri kusheriri i Hasanit Sejdi Ahmeti dhe nipi Muharrem Toplana bien në duar të sigurimit shqiptar, kurse Hasani falë gjindshmërisë, fatit, greqishtes që e fliste mirë arrin disi ta braktisë Shqipërinë bashkë me Muharrem Bajraktarin dhe përkrahësit e tij. Në Serafin afër Athinës punon shërbëtor në një familjeje greke. Gjatë kësaj kohe e kidnapojnë njerëz të panjohur dhe e detyrojnë për të kryer punën e qymyrxhiut në vapor pa pagesë. Me ndërhyrjen e Muharrem Bajraktarit policia greke pas 6 muajve e gjejnë dhe arrijnë ta lirojnë Hasanin. Hasan Ahmeti i demoralizuar për dështimin e aksioneve  kundër regjimit komunist në Shqipëri, pas atij dekonspirimi të kryer nga agjenti i dyfishtë Kim Fillb, pas 11 vjetëve qëndrimi në Greqi, më 24 korrik 1956 vendoset në Australi. Në Australinë e largët Hasani  nuk e pushoi veprimtarinë e vet për bashkimin e gjitha trojeve shqiptare.   “Në shtëpinë tonë - tregon e bija e vetme e Hasanit, tani e martuar me banim në Victoria, Australi - babai kishte  një dhomë të veçantë për shokët e të njëjtit ideal: Adem Gllavicën, Isuf Ukën, Azem Bytyqin...  me gjasë aty erdhi edhe kreu i Legalitetit Abaz Kupi, të cilët i priste dhe i përcjellke si e ka zakon shqiptari”. Për shkak kësaj veprimtarie patriotike të tij, anëtarët tjerë të familjes Ahmetaj, të mbetur në Lubishtë  persekutoheshin pareshtur. Destanin, vëllain e Hasanit e kishin urdhëruar që vazhdimisht të paraqitej në zyrën e sigurimit shtetëror në Gjilan ku maltertohej fizikisht derisa më 24 korrik 1998  kriminelë të porositur nga UDB-eja, dy polic serbë dhe një femër po ashtu serbe futën në shtëpinë e Destan Ahmetit, në Ferizaj, pasi i marrin të gjitha gjërat me vlerë; parat, arin e gjësendet tjera, Destanin e vrasin mizorisht. 
Së bashku me shokët e luftës, fotografuar pas arratisjes në Greqi
                     Faqja e parë e ditarit, 7 shtator 1944
  
Hasani vdiq më 1995 e u varros në Victoria, Australi. Në varrim morën pjesë shumë shqiptarë të ardhur nga të katër anët e Australisë dhe nga Kosova. Për jetën, veprimtarin e të ndjerit folën, veteranët e Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar; Kadri Muka e Kapllan Mala. Hasani la pas vetës,  në Australi, vajzën, tre nipa dhe një ditar prej 32 faqesh fletoreje të shkruar me dorë, ku paraqet opinionin e vet për luftën në vitin 1944, propagandën sllavokomuniste duke përmend edhe emra konkret te shqiptarëve, të cilët siç thotë Hasan Ahmeti: “... kishin tradhtuar interesat kombëtare dhe ishin vu në shërbim të komunizmit...”  

Sunday, 20 July 2014

AFORIZMA (Nga libri "Letra, Anekdota, Aforizma ..", Gjilan, 2013, Sabit Abdyli)



Provinciali thirret në krejt gjeografinë e historinë e bashkëkombësve të tij, por me shpirt e dije është në nivel të mëhallës e provincës prej nga vjen, i ngushtë dhe i kufizuar për gjithçka.

Sa të trasha i kem maskat tregon proverbi: Me njohtë mirë tjetrin duhesh së pari ta kesh hangër nji thes krypë me te. Ta njohësh mirë shqiptarin s'ka nevojë ta hash një thes kripë me te, jepi pushtet dhe e sheh kush është.

Krijuesi mediokër kur flet për kolegët e tij krijues, për të mbetur vetë i madh, lavdëron e përmend vetëm ata që janë më poshtë se ai.

 Njerëzit me ambicie të sëmurë për të qenë i madh (i parë) edhe kur mbërrijnë të bëhen të kamur, në shpirt mbetën të varfër, xheloz, arrogant e agresiv sidomos me miqtë që ja kalojnë me dije e autoritet, kurse me njerëz prej të cilëve i varet ekonomia (biznesi) vazhdojnë t'ju vardisen e bëjnë temena.  

Parullat edhe kur thuhen e shkruhen haptas kujdes nga to se prapa tyre fshihen pisllëqet nga më të poshtrat.

Brenda një cikli me poezi mjafton dy-tri prej tyre të jenë pak më shumë se të mira dhe cikli është i mirë, ashtu siç është e mirë poezia që brenda saj, ka qoftë edhe një fjalë (varg) të qëlluar.

 Historinë po nuk e shkrove vetë, të tjerët  ta dredhojnë sipas qejfit e interesit të tyre. Duke shkruar historitë e vogla (familjes, mëhallës, fshatit, qytetit etj.), kuptohet  me dëshmi e fakte, shkruajmë (kompletojmë) historinë tonë të madhe.

PA ARSYE
Në tel. i them djalit pse nuk je paraqit, u bam merak, ku mbete?  I rritur jam, o babë, nuk humbi ...dhe   për dy -tri ditë që nuk paraqitem s'keni pse të baheni merak ashtu pa arsye!  Hee, kështu jemi ne prindërit, i thash, bahemi merak edhe pa arsye.

Në pushtet zakonisht vijnë njerëz, që dinë të dredhin e zhdredhin, manipulojnë, shtyhen me bërryla,  njerëz teneqe, pojo, jopo.  

As shekujt, as okupatorët nuk patën sukses në zhbërjen e qenies shqiptare, tamam kur mendonin ata se mbaruam, ndodhte ringjallja. Në gjene tona kemi një gjen mbrojtës si asnjë popull tjetër.
Lidhja më e qëndrueshme mes njerëzve është interesi.

Prodhim kohe: Kanë tituj, po s'kanë vepra!

Gjetja shkak e gabime për ta ndëshkuar tjetrin (zgjatur veshin fëmijëve),  ne shqiptarët i kemi edhe te lojërat e fëmijëve. Ju kujtohet ajo pyetja provokuese e të rriturve për fëmijët:   "Çfarë uji  i ke dhanë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë?

  Pa hy shtigjeve të panjohura nuk mund t'i njohësh ato.

Po shkrove për ndonjë vepër të vogël (vepra të mëdha nuk kanë) të rastësishme të mirë të njerëzve me mentalitet mediokër duhesh ta rritësh e bësh më strateg se Skënderbeun, më të përkushtuar për të drejtat e njeriut se Nelson Mandela, më humane se Gonxhe Bojaxhiun etj, po e le më të vogël se të përmendurit, nuk i pëlqen atij.

S'ka nder më të madh për mërgimtarin sa ta dëgjosh kur flet për politikën, historinë, bëmat e tij patriotike, sportin, artin, religjionin, mjekësinë, me një fjalë për të gjitha. Të flet me kompetencë, bindjen më të madhe se e ka mirë, se i di të gjitha. Sabri (durimi) jonë për ta dëgjuar është më shumë se terapi e ushqim shpirti e mendjeje për njeriun, i cili  s'ka me kënd ta çel gojën në shtëpi ose ka po nuk e dëgjon kush.

Shumica e njerëzve tanë janë me prirje që për një të rënë krahëve, për një pozitë, qoftë ajo edhe për të duk në podium afër liderit, nënshtrohen, përulën e shiten

PËRSOSMËRIA
Një piktor sa herë shkonte në vizitë te miqtë, të cilëve u kish dhuruar apo shitur piktura, brushën dhe ngjyrat i merrte  me veti se gjithmonë kish për të shtuar ose hequr diçka në to.

SHOKU I MIRË
Baba më ka pas thanë, shokun e njeh kur ta ndan mollën. Nëse pjesën e madhe e merr për veti: Hiqu prej tij. Ende po pres me gjet një shok (mik) që pjesën e madhe të mollës ma ndan mue!
Këto ditë një shoku im i mirë, në kërkesat e tepruara të njerëzve të pafytyrë u përgjigj me  thënien e popullit: “Ha bukë e le vend për ujë”!

Vetë lavdërimet  për tu shitur sikur je i madh, hapë sytë  e tjerëve të të shohin ashtu siç je: i vogël, i ulët, hiç dhe mendjemadh.

Në profilin tim kam në miqësi një kategori miqsh që lexojnë (shohin) çdo postim timin, por nuk thonë keq edhe kur ju duket keq, as nuk thonë mirë edhe kur ju duket mirë: keq, ju vjen keq, mirë, s’ju vjen mirë.   Kryesorja më lexojnë, jam nën vëzhgimin e tyre, kjo ka rëndësi.

E keqja është se dobësitë mikut e shokut ia themi pas shpinës, bile edhe të fryra, lavdet (të shumtën e herëve) false në sy. Do të duhej të jetë e kundërta.

Martesa është zinxhirë në qafë, varet prej të martuarave sa do të jetë i rëndë ose i lehtë. (s.a)
Kur kish pas vdek i pari Shkodrës, këtyne herësh, shkodranët paskan kënduar:: Mori Shkoder të mori gjoli, mbete n'dorë  të Hasan Kokolit.

-Në modë sot janë, si asnjëherë tjetër:  çervish antologjitë, mbrëmjet  poetike – kanagjegji , akraballëk ndarje çmimesh, këngë cullako tallava dhe selfie inato -intereso politika. (s.a)
-Nuk gabojnë asnjëherë ata që nisen nga vetja! (s.a)

-Rrallë ose fare nuk  flas për sukseset e veprat e mia, më tha këto ditë një mik , thjesht nuk dua  t’i shoh tek ju zihet fryma e mbetën pagojë xhelozët rreth meje. (s.a)

-Shteti tamam shtet edhe mediet i ka tamam.  Kam dëgjuar se qeveritë në Angli financojnë gazetën e vetë për ta kundërshtuar qeverinë për lëshimet, parregullsitë, gabimet etj., por gjithmonë me realizëm. Te ne mediet janë ose pro ose kundër. Ato pro me kokë në thes  thurin vetëm lavde, kurse ato kundër më shumë shajnë e shpifin se tregojnë dobësitë e njëmendta të kundërshtarit.  (s.a)


-Dëgjove Mush, i hëngër fjalët Kryemadhi! E kam dit që i ha dhe i luan, se, gjithmonë më fol për fytyrë e ndershmëri. (s.a)

-Foto selfie, dashuri selfie, politikë selfie, gazetë selfie, zbulime selfie, krejt selfie .... tatari na raft në fije! Lëmsh e bëmë gjuhën! (s.a)

-Të ardhurit në pushtet (të cilitdo krah, ngjyrë  qofshin  ata) me dredhi, shpifje, sharje për kundërshtarin, premtime në hava, pa programe pune të sinqerta, lëmsh e bëjnë shtetin. (s.a)

-Asnjëherë budallallëku nuk u vlerësua si tash. (s.a)

-Shqiptari,  xhelozinë e smirën i ka vetëm për të vetin. (s.a)

-Shumicës së njerëzve u mungon sensi i masës , janë patetik e fals, sidomos për lëvdata në hava, vetëm ashtu "hajt sa me ta bë qejfin” , qoftë edhe kur krejt ndryshe mendojnë! (s.a)

-Thonë se kur bëhen bashkë dy e më shumë njerëz edhe mund të xhelozojnë e grinden mes tyre, dy e më shumë kabashë, kur bëhen bashkë, kënaqen me humor e llafe.  (s.a)

-Japonezi, punën që bën tjetri, thotë; pse nuk e bëj edhe unë, punën që nuk e bënë askush, thotë; pse nuk e provoj ta bëj unë. Ne shqiptaret, e bëjmë të kundërtën. Punën që e bënë gjithkush, themi; pse ta bëj edhe unë, punën që nuk e bën askush, themi; s’kam si ta bej unë. (s. a)

-Në Ballkan dimër përherë është për popujt, pranverë e verë e kanë vetëm mashtruesit, rrencat, analfabetët ... (s.a)

-Me rrush e çika të reja, gjithkush të ban konak! (s.a)

-Baba jem, thoshte, kur ta bajsh nji punë, bane ashtu mirë, që puna me u dridh prej teje, jo ti prej punës. (s.a)

-Në bazë të një individi nuk vlerësohet populli, kombi, grupi, rajoni që i përket atij, por në bazë të popullit, kombit, grupit, rajonit të cilit i përket mund të vlerësohet individi. (s.a)

-Kohë e qullët, asgjë më nuk mbet drejt në këmbë! (s.a)

-Dy mënyra përmes të cilave hapen rrugët e suksesit; t’i thuash të bardhës e zezë, dhe të zezës e bardhë. (s.a)

-Ta vlerësosh tjetrin krejt zi,  i zi je edhe vetë. (s.a)

-Në politikë  fitojnë njerëzit, që lëpihen.  (s.a)

-Lideri politik (tamam lider) për ta udhëhequr shtetin duhet të jetë i votuar përtej mëhallës, përtej katundit, qytetit, partisë e rajonit të cilit i përket. (s.a)

-Faqet e internetit, FACBOOK  etj. janë privatësi  aq sa është edhe kafazi i artë (shtëpitë) në lojën BIG BROTHER. Dhe mirë që është kështu, çdo gjë transparente. (s.a)

-Kur ke shtetin (ama tamam shtetin) ke te gjitha: ke lirinë, punën, kombin, fenë, shkollën, shëndetin, të tashmen, të ardhmen, rregullin e qetësinë.  (s.a)

-Të folurit (shkruarit) qetë e me kulturë,  vetëm teveqeli  e merr (lexon) si  frikë. (s.a)

-Hapa albumin e fotove dhe po shikoja. Sa mirë më dukej veta në fotot e rinisë dhe për të mos u demoralizuar më këto fotot e fundit i lash t’i shoh mbas disa vjetësh. (s.a)

-Mos më kërkoni në gjeti, në shkrimet e mia më gjeni, aty jam, krejt qysh jam. (s.a)


-Kur ishim të varfër ushqimin më të shëndosh e kishim, ndonjëherë edhe i pamjaftueshëm, por  kurrë nuk hëngrëm mish, pemë e perime të rritura, pjekura e ruajtura dhunshëm me preparate   kimike . (s.a)

-Kam dëgjuar se Luksemburgu nuk kish universitet, po ekspert, kuadro profesionistë me udhëheq shtetin si është më se miri i ka me bollëk. Kosova në secilën mëhallë  ka hap fakultete po kuadro e ekspert pak ose hiç. Veça dynjas jemi dhe pikë. (s.a)

-I bardhë si bora në maje mali me qenë, i ligu të zi të sheh! (s.a)

-Mediokreti  është ose servil ose arrogant dhe kurrë vetvetja. (s.a)

-Gjithsecili ka një mall, mërgimtari ka plus edhe vendlindjen. (s.a)

-Në demokracitë e brishta populli me votën e vetë të lirë zgjedh “shërbëtorët” e tij mbretër. (s.a)

-Në emër të kulturës, kohës e emancipimit ose vetëm  se mundet,  ta torturoj e ul poshtë gruaja burrin,  burri gruan  nuk është kulturë e përparim, por është primitivizëm e mjerim. (s.a)

-Në tokat shqiptare kush vjen në pushtet me te fillon rilindja, shteti, historia, përparimi, demokracia ... dhe kështu gjithmonë jem në fillim të bërjes shtet. (s.a)

-Shqiptarët më shumë janë proletarë e internacionalistë se shqiptarë. (s.a)

-Punë inatesh; elektoratin e partive shqiptare më shumë e gëzon humbja e partisë kundërshtare se fitorja e  partisë së tyre. (s.a)

-Ata, që nuk nguten, mund edhe të mos fitojnë, por nuk humbasin kurrë (s.a)

-Kryefjala dhe fjala kyçe e programeve të partive shqiptare janë: premtimet n’hava, sharjet, shpifjet e trillimet për të përlyer e njollosur sa më shumë kundërshtarin e krahut tjetër. (s.a)

-Keq që njerëzit e kulturës mësuan nga politika hipokrizinë dhe krejt njëjtë udhëheqin kulturën, si politikanët politikën. (s.a)

-Pothuaj çdo herë i  pa njohuri pritet si është i veshur, por përherë përcillet sa është i ditur! (s.a)

-Analistët (shumica) janë plafa të paguar për të mbajtur nxehtë e mbuluar rrenat politikës!  (s.a)

-Shtëpia dikur ish e Zotit dhe e mysafirit, sot janë shndërruar në muze dhe shfrytëzohen vetëm me fjet në to. Ndejat,  dasmat etj.  në restorant. (s.a)

-Po t’u larguan miqtë, reflekto për gabimet tua, qofshin ato edhe pa dashje! (s.a)

-Gjithsecili po ta mbronte tjetrin nga vetja të gjithë do të ishin të mbrojtur! (s.a)

-Po vërejtët ndonjë mik timin të jetë larguar nga unë, ju bëj me dije se faji nuk është i imi.(s.a)

-Nga unë të ruaj unë.  (s.a)

-Politikanët në të kaluarën nxjerrshin (gënjenin, avancoheshin), duke u mbështetur te shoku Enver, shoku Tito , “idealet” e partisë në pushtet, tani kur të përmendurit nuk janë më, mbështetjen e gjejnë në folklor patriotizëm, blerja me para e titujve, korrupsioni, inkuadrimi në Bashkësinë Evropiane, “demokracia “,  shpifjet për kundërshtarin,  arroganca  etj.  dhe rrallë ose hiç,  te puna, ndershmëria , profesionalizmi e dija . (s.a)

-Kur të bëhesh për vitra edhe të keqit i dhimbesh! (s.a)

-Atdheu është si buka; mjerë ata që nuk e kanë, e mjerë ata që e kanë e nuk e duan! (s.a)

-Ai, që hyn në politikë me u pasunue, nuk është politikan, po matrapaz.! (s.a)

-Mjerë populli i shtetit ku Kryetari është shteti e shteti Kryetari! (s.a)

-Sorrën kurrkush nuk e mban n’kafaz!  (s.a)

-Dielli i ngroh edhe të pafytyrët.  (s.a)

-Ja si e ndan prenë  i forti:  N’dash  unë kaprollin e ti lepurin. N’dash ti lepurin e unë kaprollin, zgjidh! (s.a)

-Ora si ajo prej plastike, metali,  ari e diamanti  kohen e mat! (s.a)

-Me t’keqin mos ngul kuja! (s.a)

-Shqiptari kundër cilësdo fe brenda shqiptare që flet, flet kundër vëllezërve të vet! (s.a)

-Jo gjithsecili mashkull është burrë, jo gjithsecila femër është grua! (s.a)

-Servilët si në diktaturë, si në demokraci temena u bëjnë të mëdhenjve! (s.a)

-Shkrimtari i madh Çehov, ka thënë: çelësi i suksesit është shkurtësia e mendimit. Këtij mendimi i përmbahem kur flas e kur shkruaj, kuptohet për sa di. (s.a)

-I mjerë është ai që i duhet ta fsheh të djeshmen për shkak të së sotmes (s.a).

-Në mungesë të armikut të përbashkët (në kohë paqeje), njerëzit nisin luftën edhe më të ashpër kundër njëri–tjetrit. (s.a)

-Krejt punët, punë donë. (s.a)

-Kam pa shumë më shumë qytetarë në katund se qytetarë në qytet.(s.a)

-Sulltanëve, carëve, t’kuqëve të pabesë u qëndruem në besë dhe ...! (s.a)

-Mos beso nëse flet vetëm keq politikani për politikanin, në pyetje është karriera, nëse flet vetëm keq poeti për poetin, kleriku për klerikun, mjeku për mjekun, sportisti për sportistin mos beso, në pyetje është smira. (s.a)

-I ligu është rob i të madhit, tiran i të voglit.(s.a)

-Vetëm ne shqiptarët, budallës ia lëshojmë udhën! (s.a)

-Për të fituar shteti e populli duhet të jenë të mirë edhe pozita edhe opozita. Neve shqiptarëve gjithmonë na mungon njëra ose të dyja. (s.a

-Njerëzit nuk janë ashtu siç i vlerësojnë miqtë, as ashtu siç i vlerësojnë armiqtë. (s.a)

-Liderët opozitarë të etur për ta marrë pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish e bëjnë edhe më të etur pozitën për ta mbrojtur me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish pushtetin.(s.a)

-Shyqyr Zotit me rastin e urimeve për festat u hoqën fjalët: "Festën tjetër e festofshim në shtetin e lirë të Kosovës.". (s.a)

-Me u ba zengjin me punë të ndershme krahu, hamalli ish ba ma zengjini prej krejt zengjinëve. (s.a)

-Keq, që njerëzit e ditur, të përgjegjshëm e të mirë nuk kanë gjë në dorë. (s.a)

-Pa u ba keq, nuk bahet mirë. (s.a)

-Kujdes, ata, që ta bajnë rrafsh, të dalin kodër!  (s.a)

-Rrezik është me dit shumë. (s.a)

-Gjithsecili i thotë vetës se është dikush, po dikush  thotë ma shumë se sa është dikush, këtu qëndron e keqja. (s.a)

-Racës sonë kurrë nuk i kanë munguar burrat. Sigurisht që kem me  bollëk edhe bura, që u ka ra njëra "r", duke vrapuar pas lavdit e interesit personal.(s.a)

Saturday, 12 July 2014

Fërshëllen e kamxhikon paradokset e kohës (recension)

Antonina Kodheli
Jam gjenerata që ka fshirë moshën reale dhe ka marrë moshën e internetit. Duke shfletuar FB një mëngjes gjeta një shkrim-letër ndryshe nga të tjerat, një letër që  desha të vazhdonte dhe të merresha me te me orë, me ditë e me javë. Përmbajtja e letrës me rrëmbeu, më mori më vete dhe më shpuri në Kosovë. Letra e shkruar me plotë humor, thjeshtë, bukur me një stil përmbledhës më bëri të jetoj me personazhet e portretizuara në mënyrë virtuoze dhe vërtetësi   nga autori,  më bëri të jetoj me rrethin shoqëror, dhembjet dhe dëshirat e djalit, i cili i shkruan babit (Babuqit) të tij punëtor krahu në Gjermani pa lënë asgjënë më të vogël për jetën e  përditshme, të familjes, farefisit, bashkëfshatarëve dhe për gjendjen politike në Kosovë dhe tokat shqiptare në përgjithësi. I shkruan djali me hollësi Babuqit të tij se si ka hyrë kultura evropiane në vendlindjen e tij. Vendin e kafesë e ka zënë, makiato, kapucino e pijet e forta, në jetë ka hyrë një botëkuptim i huaj, por më i përparuar se i pari, me i bukur, por vetëm në dukje. Të gjithë përdorin internet dhe chat dhe tashti njerëzit e kanë më të lehtë për të komunikuar. I tregon Babuqit se si njerëzit pa punuar jetojnë si mbretër, ngrihen në pozita të  rëndësishme njerëz si Ramadushi, që nuk ka ide nga politika dhe nuk di të lidh dy fjalë bashkë, tregon sa të lehtë e ka një politikan si ky në Kosovë t’i punësojë, shkollojë fëmijët e tij, brenda një nate t’i nxjerr edhe me fakultet të kryer. Në një aspekt tjetër na paraqet personazhi me emrin Ifuz, hajn dhe i poshtër, i cili bënë  jetë të shfrenuar, të pakuptueshme për rrethin e tij shoqëror. Autori i librit, përmes djalit të babuqit flet me një humor të hollë e therës për gjendjen politike në Kosove dhe jashtë saj. Ai ka dijeni të plotë edhe për prapaskenat shteteve fqinje të cilat nuk lënë gurë pa lëvizur për të penguar shtetin e  Kosovës. Nga letrat mësojmë në sa mënyrë të gabuar dhe sa keq u përdor evropianizimi në  ketë vend, sa lehtë mund ta blejë një karrige politikani dhe të vishet me pushtet një njeri i paaftë, sa lehtë mund të zënë vende të punës dhe të pasurohen brenda natës familjarët e pushtetarëve pa derdhur as një pikë djerse.
Shkrimtari Sabit Abdyli e jetoi rëndë luftën dhe regjimin Serb në Kosovë dhe ka dijeni të plotë për të gjitha aspektet e jetës si mësues dhe studiues i madh, ka mendim të qartë dhe të prerë për  situatën shoqëroro - politike në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.
Libri është i pasuruar edhe me aforizma, anekdota e mahi të bukura të nxjerra nga jeta e tij e vështirë. Të gjitha janë të bukura dhe domethënëse, të gjitha!  Autori i këtij libri nuk është nga ata njerëz që shtyhen me bërryla për të zënë një karrige, as rrahagjoks, por njeri që eci përpara me mendjen e tij të mprehtë dhe të ndritur. Veprën e tij e karakterizon thjeshtësia e të shprehurit, thellësia e mendimit dhe mesazhi i kuptueshëm për lexuesin.
Unë këtë shkrimtar e njoha në krijimet e tija dhe që kur lexova shkrimin e tij të parë e ndjek me fanatizëm. Nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, por në shkrimet e tij kam njohur si njeri modest dhe i fisëm, i cili me mjeshtëri të rrallë fërshëllen e kamxhikon paradokset e kohës. 
Duke lexuar librin “Letra, anekdota e aforizma” të shkrimtarit Sabit Abdyli  lexuesi merr informacion, mëson një realitet të padëshiruar, diku do mërzitet, në pjesë të tjera do qan nga keqardhja apo nga inati, në disa pjesë do qesh me të madhe. Shkrimtari te anekdotat ka krijuar një personazh të tijin, të lezetshëm, Mushin,  dhe i vesh atij si një Aristofan i vërtetë ato që do të tregojë (satirizojë)  jetën tonë të përditshme. Tipa të tillë si Mushi i kemi mes nesh dhe shpesh here ulen edhe në sofrën tonë të jetës, prandaj e duam. Mushi me bëmat e tij, prapësitë   është mbresëlënës e i dashur për lexuesin. Shkrimtari i këtij libri është një lis i vjetër Kosove me rrënjë të thella në tokën e vuajtjeve, të vështirësive, qëndresës edhe të së vërtetës, duke e lexuar shkrimtarin, lexuesi ndihet si një degë e këtij lisi të dijes, të realitetit dhe i palëkundur kurrë nga stuhitë e moteve. 
Antonina Kodheli 



Thursday, 10 July 2014

KËNGA E LUFTËS (Prozë e përkthyer)

Dino Buzzati 1906-1972 

Mbreti e ngriti kokën nga tavolina e madhe  e punës e ndërtuar prej çeliku e diamanti.
-Çfarë, dreqi, këndojnë këta ushtarët e mi? – pyeti.
-Jashtë janë, në sheshin Kurora, vërtetë kësajde kanë kaluar regjimente e regjimente duke marshuar dhe kënduar drejt luftës. Lehtë e patën, derisa armiku ishte në ikje fushave të largëta, atyre s’ju mbetej tjetër përveç lavdi gjatë kthimit. Për këtë mbreti e dinte vetën të sigurt. Bota po përgatitej për nënshtrim.
-Kjo është kënga e tyre, lartmadhëri, - u përgjigj këshilltari i parë mbretit të blinduar në hekur, kështu e kërkonte gjendja e luftës. Mbreti vazhdoi:
-Athua nuk kanë diçka më gazmore? Ka himne të mrekullueshme të shkruara për ushtrinë time. Edhe unë i kam dëgjuar. Ato janë bash këngë ushtarake.
-Çka të bëjmë, lartmadhëri – tha këshilltari plak i kërrusur prej armëve të ngarkuara – ushtarët si fëmija, i kanë pasionet e tyre.
-Po kjo nuk është këngë e luftës – tha mbreti. Më parë mund të thuhet se me këtë këngë shprehet një pikëllim. Por më duket se s’kanë arsye  për këtë.
-Sigurisht, - pohoi këshilltari me një buzëqeshje përulëse. – Mund të them se kemi të bëjmë thjesht me një këngë erotike, dhe me siguri nuk  mund të jetë ndryshe.
-Si është teksti i këngës - ndërhyri mbreti.
Ta them të drejtën, për tekstin s’kam informata, - u përgjigj konti Gustav.- Do të pyes.
Regjimentet arritën te vija e zjarrit, e shtypën armikun duke ndjekur, lavdia e fitores u përhap nëpër botë. Ata iknin drejt fushave gjithnjë e më larg oborrit mbretëror. Por, prej llogoreve, të thurura me tela, jehonte gjithmonë e njëjta këngë. Këngë e zymtë, dëshpëruese, e shlyer prej asaj frymës luftarake dhe me plotë hidhërim. Ushtarët ishin mirë të ushqyer, të veshur, të mbathur me çizme lëkure, ndërsa kuajt prej betejës në betejë bëheshin më të qëndrueshëm, më vështirë e kishin ata që i bartshin në shpinë flamujt e armikut. Ndërkaq gjeneralët pyesnin:
-Çfarë, kënge të tërbuar këndojnë ushtarët? Athua nuk kanë tjera më gazmore?
-Të tillë janë ata, Ekselencë, - përgjigjeshin me maturi ata të shtabit kryesor. - Ushtarët janë të mirë, por kanë edhe të meta.
-Kjo s’është aspak virtuoze – flisnin me keqardhje gjeneralët. Në dreq të mallkuar, kjo po duket sikur janë duke vajtuar. Çfarë dëshire kanë tjetër të paplotësuar? Kjo më duket sikur ata janë të pakënaqur.
Përkundrazi gati të gjithë ushtarët e regjimenteve, që kishin triumfuar ishin të kënaqur. Çka dëshirojnë tjetër ata? Fitore pas fitores, plaçka të begatshme, kthimi i tyre triumfal. Fshirja e armikut nga faqja e  Atdheut, të shëndosh dhe të pashëm.
-Si vazhdojnë fjalët e këngës? – pyeti gjenerali me kureshtje.
_Fjalët! Nga pak budallaqe – përgjigjeshin ata të shtabit kryesor, gjithnjë të matur ashtu siç e kishin shprehi.
_Budallaqe, por çka thonë?
-Nuk e di domethënien tamam, Ekselencë - tha njëri.
-Dihelem, e di ti?
-Fjalët e këngës? Jo. Këtu është kapiteni Marrem, ndoshta ai e di.
-Nuk jam aq i mençur sa ta kuptoj këngën, zoti kolonel. – u përgjigj kapiteni.
-Mund ta pyes rreshterin Peteres, nëse më lejoni ....
-Ah, leni këto pallavra, vë bast se si ... – gjenerali vërejti se më mirë është mos ta përfundoj fjalinë.
- I trazuar, rreshteri u përgjigj në pyetjen e parashtruar:
-Strofa e parë, shkëlqesi, thotë kështu:
Fushave e maleve
Daullja jehon
Dhe koha kalon
Rrugën e kthimit
Rrugën e kthimit
Nuk e di askush
Të gjithë përpara ecin
Dhe shumë vjet kalojnë
Atje ku të lash
Atje ku të lash
Një kryq u ngrit.
Pastaj strofa e tretë e cila gati kurrë nuk këndohet ...
-Mjaft, mjaft! Thirri gjenerali, kurse rreshteri e përshëndeti ushtarakisht.
-Kjo nuk po më tingëllon si këngë gazmore – vërejti gjenerali, pasi shkoi rreshteri.
-Thënë shkurt, kjo këngë s’është për ushtarët.
-Me të vërtet nuk është - thanë kolonelët e shtabit kryesor duke përshëndetur gjatë.
Në mbrëmje, gjithmonë, pas betejës derisa treni ende tymosej kasnecët vraponin duke shpërnda lajme të mira. Qytetet stoliseshin me flamuj, njerëzit përqafoheshin nëpër rrugë, kambanat e kishave binin me të madhe. Ata që kalonin nëpër rrugët e qytetit të mjerë, dëgjonin si këndonin që të gjithë  atë këngën e vjetër të thurur kush e di se kur.
Vashat bionde gjysmë të zgjuara këndonin të mbështetura mbi dërrasat e dritareve.
Sikur të ktheheshim me shekuj të tërë prapa, kurrë në historinë e botës nuk janë mbajt në mend fitore të këtilla, kurrë nuk pat regjimente aq të suksesshme, kurrë nuk pat aq kolonelë të lavdishëm, kurrë nuk pat aq përparime të shpejta, kurrë nuk pat aq vende të okupuara, kurrë nuk pat aq begati e plaçka për ndarje.  Edhe ushtari i fundit bëhej zotëri i pasur. Me një fjalë pasuria nuk kishte fund. Në qytet shpërthente hareja, në mbrëmje derdhej vëra si përrua, lypësit  vallëzonin. Vende-vende mblidheshin miqtë e vjetër dhe këndonin at këngën “Fushave e maleve” duke përfshi edhe strofën e tretë.  Ndërsa batalionet kalonin nëpër sheshin Kurora duke shkuar në luftë, mbreti duke dëgjuar këngën e ngrite kokën duke mos kuptuar pse ajo këngë ishte ndjellakeqe për të.
Prej vitit në vit, regjimentet  përparonin duke mos pasur mundësi të ktheheshin prapa. Beteja fitore, fitore beteja. Ushtria marshonte çuditërisht  në anët më të skajshme, në anët me emra të cilët nuk mund të shqiptoheshin.
Kështu prej fitores në fitore  derisa erdhi dita kur sheshi Kurora mbeti shkretë, dritaret e pallatit mbretëror të mbyllura, ndërsa në hyrje të qytetit ushtria e huaj afrohej zhurmshëm.  Regjimentet e pathyeshme u shndërruan në fusha e male të largëta, në male monotone të kryqeve të cilët humbeshin në horizont dhe asgjë tjetër. Por, as në shpatat, as në vijat e zjarrit, fati i tyre nuk mbeti i ngujuar, përveç në këngën, e cila për mbretin dhe bashkëpunëtorët e tij ishte me të drejt e kobshme.  Me vite të tëra ushtarët , me kokëfortësi me anën a atyre tingujve të asaj kënge fatkeqe, flisnin për ardhmërinë duke ua treguar njerëzve atë që ishte e pritur. Por, as oborri mbretëror, as ministrat e urtë (memec si guri) nuk e kishin kuptuar fatin e kobshëm përveç ushtarëve të padjallëzuar, të cilët kishin qindra fitore, kur udhëtonin mbrëmjeve të lodhur drejt vdekjes duke kënduar.
Sabit Abdyli

Kabash, 1988

Monday, 7 July 2014

VETËM TI

Shkup, 1978
Tema më e shpesh për hartim në kohën kur isha nxënës i shkollës fillore (1953-1961), ishte: “Dëshirat e mia”. Shumica e nxënësve shprehnin dëshirë për tu bë mësues ose mjek. Nxënësit mësues përligjeshin dëshirën e tyre se i mësojnë fëmijët, kurse nxënësit mjek arsyetoheshin se i shërojnë të sëmurit. Nuk kishim shumë dëshira, ashtu siç nuk kishte shumë profesione.  Unë gjatë pushimeve shkoja te motra në Shkup, atje kisha parë shumëçka dhe për gjitha ato të mirat   kisha shfaqur dëshirë t’i kishim edhe ne në Kosovë dhe kisha pyetur pse ne nuk i kemi: rrugët me trotuare, parqet e rregulluara, stadiumin, pishinat, sallat sportive, libraritë me libra shqip, kioske me gazeta e revista shqip etj. Mësuesi në orën tjetër e kishte nda hartimin tim dhe më pyeti: Vetëm ti ke shfaqur dëshira tjera dhe sikur ke protestuar duke pyetur: pse, pse, mos ndoshta të kanë mësuar për ketë dikush tjetër, trego kush është ai, dhe vazhdoi, pse edhe ti nuk ke dëshirë të bëhesh mësues si shumica e shokëve të klasës? U ngrita në këmbë dhe doja t’i thosha: Edhe sikur të bëhem mësues, nuk do të isha si ti çehrengrysur, i vrazhdë, përbuzës, i njëanshëm dhe, pse po të pengojnë aq shumë dëshirat e psetë e mia,  po nuk guxova. Ai ndëshkonte rëndë secilin prej neve me thupër, nëse kundërshtonim fjalën e tij, qoftë edhe kur kishim të drejt.
Sabit Abdyli

Monday, 30 June 2014

Nënë Lumja (proze)



“Më dhemb e ther trupi gjithkah. Do të prishet moti!  Ngutu bijë e nanës, se mos po vonohemi...”  –  i tha së mbesës Nënë Lumja, duke ia shpushpurish balluket e ballit, para se të niseshin për në shkollë. Nënëmadhja me të mbesën sa dolën në rrugë, takuan  një plakushë me një qenush për dore të veshur me copë stofi  ngjyrë portokalli dhe kordele  të lidhur në qafë, kurse pak përtej me vrap po vinin dy femra goxha në moshë të mbytura në djersë.  Grat, kur u afruan, hapën buzët sikur po buzëqeshnin dhe vazhduan vrapin me të nijetin ritëm. “Nënoke, gjithë gjallëri i cicëroi nënë Lumes, e mbesa - kjo zonjë llafos me qenushin e saj, si me njerëz. Vetë e kam dëgjuar. Veç me qenushin jeton“. Po bijë e nanës, qenushi i kësaj plakushe e banë jetën e plakushës, plakusha të qenushit. I japin e i marrin njani tjetrit. Që të dytë kanë heq dorë nga raca e vet, ndërsa grat, që po vrapojnë, duen të hollohen. Vetëm këtë hall kanë!” Iu përgjigj së mbesës, Nënë Lumja, duke fshehur shqetësimin e saj që,  prapë gjatë natës, gjumin nuk e kish bë të rehatshëm, prapë iu kishin shfaqur ëndrra të çuditshme, herë-herë të llahtarshme dhe, si gjithmonë, me përmbajtje të çoroditura: Pështjellim, njerëz të shfytyruar, që i nxjerrnin sytë njëri tjetrit... “O Zot, hajër ishalla!” –  ish lut Nëna. Zgjohet e trembur nga ëndrrat dhe më nuk kish shti gjumë në sy, kish numëruar ditët, kush e di sa herë, kur ka për t’u kthyer në Kosovë. Kish menduar gjatë se mos, o Zot, Dreni po mbetet veç me një fëmijë,  po i hyn në gjak paraja, po e harron vetën, të vetët, po i përshtatet jetës së këtij rrethi dhe do të mbetet në ketë vend të huaj, midis këtyre njerëzve akull të ftohtë. Mandej, mendja i kishte shkuar te djemtë e vajzat e djalit tjetër në Kosovë. Kish bë hop  për të dalë në sallon, ta ndez cigaren,  por nga droja se po ua  prishte gjumin djalit e nuses, kish heq dorë. Kish ndjer dhembje në shpirt për ta, që me dritën e parë të mëngjesit  niseshin për në punë dhe ktheheshin në shtëpi vonë në darkë. Pastaj para syve të hapur na, iu kishin shfaqur: demonstratat e vitit 1981, thirrjet e demonstrueseve, pankartat, ndërhyrjet e policisë.  Arrestimi i Drenit në orët e para të mëngjesit...  Shkuarjet në burgun e  Nishit në vizitë djalit. Dalja e tij nga burgu pas 5 vjetëve. Bllaca e vitit 1999. Dreni, ushtar i lirisë në malet e Koshares. Dhe vendosja e Drenit në ketë qytezë dreqi me shkëlqim të rremë. Në mëngjes, Dreni e kish vërejt pagjumësinë,  mërzinë  e nënës...  Me dhembje e kish shikuar gjatë. Iu kujtua kur ajo ishte e fortë, plot gjallëri e jetë, kur nuk dorëzohej, bile edhe atëherë kur aksidentalisht vdiq babai, ajo nuk u dha, nuk u ligështua, i rriti, shkolloi me shumë sakrifica, saqë nuk i mbeste as një sekondë kohë të merrej me vetveten. “Nanë, i tha, derisa po nisej me të shoqen në punë, po mërzitesh... në shtëpinë tande je, çlirohu, çka nuk po bahesh rahat, shyqyr zotit tanat t’mirat i kemi!” “Jo, jo, mirë jam, u kënaqa me juve. Mos u ban merak, se kështu unë jam e marume, nuk mundem me prit dritën e sabahit në shtrat”. – i kish thënë, Drinit.
Majtas e djathtas drunj, në mes rruga, me trotuare të gjera e të pastra, rreth e rrotull shtëpi të bukura e të heshtura, mbi çatitë e të cilave re me forma të çuditshme përdridheshin drejt qiellit që po mrrolej. Te dyert e shkollës,  e dorëzoi të mbesën. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo brenda mureve të oborrit e përshëndeti me dorë. Përshëndetja e saj e mrekulloi, ia gufoi zemrën. O Zot, u lut, rrite!
U kthye trotuarit të gjerë pa njerëz, duke  menduar sesi ka për ta plakur ditën fill kalli vetëm,  pa pasur me kënd me çel gojën.

Në pasqyrë, përball derës, brenda korridorit të shtëpisë, shikoj flokët që ia kishte  spërkatur  aq shumë bryma e bardhë,  faqet, që  po i humbnin pak nga pak. Ndezi televizorin sa për ta thyer qetësinë. Jashtë, një shi i prajshëm e i ngrohtë nisi të bie. Rregulloi  me kujdes divanin, ndenjëset në sallon, sistemoi lodrat e së mbesës në dhomën e saj dhe e çliruar paksa nga dhembjet reumatike, u ul pranë dritares dhe, derisa po shikonte përtej xhamave të mjergulluar, një dremitje e ëmbël e çoi në Kosovë, e çoi te qershia në oborr,  te aroma dehëse e luleve të egra ndanë ograjës, mbi të cilat një flutur e bardhë si tamli fluturoi.

Sabit Abdyli

  Kanë thënë për tregimin:

Antonina Kodheli:  PROFESOR, PRAPE BALLE PER BALLE TE DY. MEGJITHESE KEMI TE NJEJTEN MOSHE UNE JAM NXENESJA JOTE.MESOJ NGA TY CDO DITE.DI TE RESPEKTOJ. POR TY MEGJITHESE NUK TE NJOH DO TE TE FLAS SI SHOK,SI MIK,SI PROFESOR.ME LE ME GOJE HAPUR.PER MUA E KE SHKRUAR? PO E KAM JETUAR PROFESOR.TAMAM SI NE SHKRIMIN TEND. E KAM JETUAR ME GJYSHEN TIME TE MIRE. SA ME MUNGONIN KETO CASTE.PROFESOR,ME KTHEVE NJE GJYSEM SHEKULLI PRAPA. TE FLM QE DHE MUNDESINE TE BEHEM FEMIJE NE KETE MOSHE PROFESORI YNE I MIRE.KJO DO TE THOTE TE JESH SHKRIMTAR I AFIRMUAR.TE SHKRUASH DHE SHKRIMI TE JETE I KUPTUESHEM NGA TE GJITHA MOSHAT. SA ME KENAQE O MIK I RRALLE. PO CFARE KA KJO PENA JOTE O PROFESOR QE NA TERHEQ KA SHUME? SA I BUKUR KY SHKRIM. PROFESOR TE FLM PER GJITHCKA NA KE DHURUAR. ZOTI TE DHENTE SHENDET DHE QETESI. TU RRITTE NDERI O MIKU YNE I MIRE!.

Evah Haliti El: Vehen perballe dy botera te kunderta ,gjyshja me vajzen dhe plaka me qenin.Jetojne ne te njejten kohe,ne te njejtin vend, por me "misione e interesa"te kunderta.Derisa, gjyshja ben jeten e gjyshes,me plote shqetesime per femijet,per familjen e ndare(ca ne atdhe e ca ne mergim) dhe te ardhmen e tyre,tjetra, plakushja kujdeset per qenin, me shume se per veten("kan nderruar rolet-jeten").Derisa djali e nusja shkojne ne pune qe me nate,rruges enden do krijesa te botes se "modernizueme"qe per qellim kane vec hollimin e vet(largimin e teprise se mishrave...)Qellimi i gjyshes shprehet aq natyrshem dhe prioritar permes lutjes qe i drejtohet te plotefuqishmit per mbesen "oh zot rrite". 

Miradie Zymberi-Avdullahi: Jeni mjeshter i madh i tregimeve te ketij zhanri i nderuar mik! Ju uroj qe te keni gjithehere keto frymezime per te sjellur gjithehere tregime dhe storie te tilla si freski para lexuesve! Suksese i nderuar!

Besim M. Zymberi: Nje shperfaqje, letrarisht e arrire dhe emocionalisht shume e ndjeshme, e nje fitoreje me plot dhimbje e dhembje...Nga endrra-ne enderr...Apo, nje tronditje nga tjetersimi-shperfytyrimi identitar si kanosje, por me nje rikthim te endrres, e cila vecse eshte prekur... Tregim i bukur!

Miki Tahiri: Profesor i nderuar edhe nje tregim i Juaji prekes, nje sfide e rende ku Nena shqiptare si gjithnje fale forces dhe krenarise shpirterore, mbijeton/i cdo kohe te pakohe.... eshte e pamundur njeriu ta lexoje kete shkrim vetem nje here...shume te fala e falenderime qe na sjellni gjithnje freski kudo qe ndodhemi neper bote...me respekt te vecant....

Alketa Qejvani: Prekese! Nenat, keto heroinat e heshtura qe shpirti u coptohet e nuk e japin veten.  Shume e bukur, Profesor. Me lot ne sy lexohet. 

Tuesday, 24 June 2014

QIELLIT TË SAJ (Nga libri me poezi “Kaq mall”)  


QIELLIT TË SAJ
Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish.
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë,
për plis e për fis.
Bubullimë në damarë dimrash
dhe njerëzish që lëpihen.
Lajmëtar ogurbardhë.
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.
                   Auckland, 18 Shtator 2013

PRISHTINA '81
Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje  korzosë së  ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy...
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji
                          Auckland, mars 2011

FLAMURI
U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.
               Auckland, 2010

NËNTORI I TRETË
Mjegullnajë e stepave të ngrira
dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot,
Na ruaj nga moti keq,
nga hijet e zeza,
mjegullnaja e ligë!
Auckland, 2007

EJA
Eja pranverë,
eja!
Shtruar ta kem
udhën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
Auckland, 2007

RREZON SHTET KOSOVA
Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon

Jehonë e valës detit
Oshtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
                                       
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth  Kosovë!

Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!

Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
                                       
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova  ime e bardhë !
                               
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
             Auckland, shkurt  2008

LUTJE E KOHËS
Nga pushtetarë mujsharë injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv e radikalë
runa  Zot!
Auckland, gusht, 2012

NJË HERË PËRKULET BURRI
Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi ...
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12

KOSOVË
Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr...
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën...
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit...
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
 Auckland, 2006
                                                                                                        Ka (në) thënë:
Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore.
Antonina Kodheli, 31 tetor 2013



 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...