Pakuranga, 2003 |
ME BA ME ARDH NAJ MYSAFIR
Se mysafiri ndër shqiptarët ishte kult e përtej mësova nga nana ime, dritë past! Sa here çohej sofra e bukës në drekë kontrollonte se a ka mbetur mjaft bukë edhe për darkë duke planifikuar edhe për ndonjë mysafir të vonë. Më ka ra ta dëgjoj shumë herë nënën : “po çona me shti (gatue) bukë se me ba me ardh naj mysafir e me na gjet pa bukë, nuk ban”. Pas ndarjes nga kjo botë e nënës vazhdova të dëgjoj nga gruaja të njëjtin refren: “po çona me shti bukë se ..” , refren që sot nuk dëgjohet më. Jemi në kohën kur kjo puna e dhënies bukë dhe pritjes së mysafirit “ka marrë frymë”, (lexo, ka marrë fund, është luhatur, rrëzuar) siç thoshte baba im për diçka që e përpinte koha.
PËR NJË LAKNUER
Vlerësim të njëanshëm i veprimtarit, politikanit, intelektualit, artistit etj. duke ia hedhur poshtë veprat e mira, punën e sakrificat e tij në dekada pse është i krahut tjetër, nuk është i rajonit tënd ose nuk mendon si ti e bossi yt është vlerësim i njerëzve shpirtvegjël , inatçi e me komplekse si puna me bacen Adem tash dhe dikur me Ibrahim Rugovën. “Për nji laknuer me t’i humb 100 pite”, nuk është e drejtë.
BILE EDHE VEGETË JU KAM QITË
Mbledhësi i njohur i anekdotave Salih Zogiani në vitin 2015 më kërkoi disa prej anekdotave të mia për librin e tij që po përgatiste për botim. Përzgjodha disa dhe e bëra me dije se po t’i nis me postë elektronike shkrimet. Dërgomi, më tha, sa t’i kem në dorë do i kavardisi edhe pak e bëj gati për botim. I kam kaverdisë vetë, bile edhe vegetë ju kam qitë, janë krijime të mia dhe dua të mbetën ashtu siç i kam shkruar. Dhe “kaverdisja” na prishi punë, nuk u morëm vesh për përfshirjen e anekdotave të mia në librin që po botonte, por vazhdojmë të jemi miq.
EVROPIANE E PËRTEJ
Forcën elitare të kombit na përpinë të huajt. Kështu ishte që nga lashtësia; gjeneral, ushtarë, njerëz të dijes, artit, politikës, sportit etj. të racës sonë bënë dritë gjithandej shteteve tjera dhe po bëjnë edhe sot. Ikjet fatkeqësisht po vazhdojnë. Shqiptarët vetëm në epokën e Skënderbeut qenë bashkë dhe u bënë faktorë në Gadishullin Ilirik, Evropë e botë. Merrni me mend sikur tokat shqiptare të ishin bashkë dhe në krye të saj të kishte një Skënderbe, mirëqenia, stabiliteti në Ballkan do ishte evropiane e përtej në të gjitha aspektet.
Për kombëtaren e Kroacisë
Nuk jam fans i flakët të tipave që me ditë e javë vuajnë ose gëzohen pse ju humb ose fiton ekipi për të cilin bëjnë tifo. Gjithçka do të duhej me masë dhe arsyeshëm. Edhe vetë kur kam luajtur futboll për katundin tim (më larg nuk mbërrina ) me krejt qenien time angazhohesha për të fituar, por gjithmonë pas ndeshjes edhe kur kam humbur e kam uruar kundërshtarin. Më ka ra të shoh fansa tek dridhen e vuajnë për humbjet e ekipeve të tyre. Njerëz, mos e humbni arsyen dhe mos anoni me inate e shpirtin në fyt. Në ketë Botërorin “Rusia 2018” kombëtaret me emra e tituj humbën se në fushën e mejdanit ku fitohet loja nuk fituan dhe tash ne u dashka të vuajmë e merakosemi për humbjet e tyre të merituara. Në finalen mes kombëtareve Francë - Kroaci do të doja të triumfojë kombëtarja e Kroacisë për shkak lojës së tyre me zemër, për shkak përbërjes së kombëtares me lojtarë të racës së tij, për shkak se asnjëherë nuk ka qenë kampione, për shkak se do të doja edhe kombet (shtetet) tjera ta shijojnë gëzimin, jetojnë emocionet e suksesit e të jenë krenarë me fitoren dhe për shkak se suksesi i Kroacisë do të ishte shembull i mirë për Shqipërinë e Kosovën si duhet krijuar kushte që talentet tanë, që aq shumë e të mirë i kemi të djersitin fanellën me simbolin e shtetit të tyre.
Korrik, 2018
MADHËSHTIA E NOLIT
Këto ditë dëgjova një video incizim me zërin e Fan Nolit live të postuar në FB dhe më fascinoi për atë që thoshte eruditi. Heu, mendova sa i madh ishte ai karshi intelektualëve tanë të sotëm xheloz, inatçi e shpirtvegjël, që zi e terr flasin e shpifin për njëri - tjetrin. U kënaqa për gjithë kohën sa fliste për vetën, Shoqatën “Vatra” në Amerikë, çështjen shqiptare e mendjendriturin Faik Konica me aq saktësi, realizëm, ëmbël e humor. Me Faik Konicën pati mospajtime rreth punëve të Shqipërisë dhe i përmendi “kusuret” e tij që i kishte pa i veshur edhe të tjera dhe vazhdoi me simpati për kontributin e madh të Konicës në fushën e publicistikës, letërsisë e kulturës shqiptare. Një intervistë me një poet tonin të njohur para sa vitesh në pyetjen e gazetares se cili nga shkrimtarët shqiptarë meriton të kandidohet (propozohet) për çmimin NOBEL më ka ra ta shoh tek ngulfatej e i merrej goja atij nga shpirtvogëlsia pamundur të përmend një emër nga shkrimtarët shqiptarë, duke sjellë rrotull e rrotull përgjigjen deshi të thoshte sikur vetëm ai e meritonte këtë se të tjerë ne shqiptarët nuk kemi.
Korrik, 2018
Kuzhinë shqiptare:
LAKROR ME MIELL MISRI (RRENJEKUQE, FLETA PRESHI E QEPE)
Rranjëkuqe quhet kjo bimë (mund të ketë edhe emër tjetër) si më poshtë, ka shije pak të thartë, në Kosovë kanë gatuar (gatuajnë) lakrorë me miell misri. Krejt rastësisht edhe këtu në Zelandën e Re e gjetëm me një livadh me gruan. Mblodhëm disa fletë dhe për darkë hëngrëm laknuer t'kallamojt sa u kënaqem. Fletët e rranjekuqes coptohen, ju shtohen edhe fleta preshi e qepe, ndrydhen pasi t’ju hedhet kripa , ju shtohet një ve ose dy, gjizë, vaj përzihet dhe harxhi i shtrihet në petë si te lakrorët tjerë
PUNA NË ARSIM 1990-1999
Puna nën okupim (1990-1999) më zbardhi flokun, dërrmoi e lodhi fizikisht e shpirtërisht. Kush e di sa e sa herë kam parë veten tek me shkonte tym nga maja e kresë. Në objektin e shkollës fillore në Kabash punonim dy shkolla fillore dhe 4 paralele të shkollës së mesme në tri ndërrime. Krijohej tollovi, zhurmë e shtyrje në hyrje të shkollës, korridor e klasa. Nxënës shumë, hapësirë pak. Për thyerjet e zënkat që bëheshin fajësoheshin gjimnazistët (herë herë edhe pa të drejt) dhe përgjegjësi Sabit Abdyli. Klasat me mungesë bankash e karrigesh, shkumësash etj. Ndodhte të mos vinin në punë arsimtarët dhe kjo e rëndonte edhe më shumë mirëvajtjen e mësimit. Ata arsyetoheshin sikur nuk kanë guxuar nga policia ose s'kanë pasur me se të vijnë etj. Në oborrin e shkollës mblidheshin lloj-lloj hamadreqi, bile kishte edhe të çekuilibruar nga mendja. Më duhej të kërkoja nga nxënësit dëshmi se prindërit e tyre kanë paguar 3%. Kishte prind të papërgjegjshëm, që nuk paguanin dhe mua më duhej t'i largoja nga klasa nxënësit e prindërve në fjalë. Në mesin e tyre nxënës të mirë, të sjellshëm që nuk kisha zemër t'i nxjerr nga klasa. Kjo më torturonte pamëshirshëm. Më erdhi një prind që interesohej për djalin. E pyes në cilën klasë, drejtim... E gjej ditarin dhe lexoj emrat, po nuk e shoh emrin e tij. Më vjen keq po në ketë klasë jap mësim edhe unë po nuk më ka ra ta kem parë djalin tënd, i thash. Qysh, ndërhyri prindi, unë paguaj rregullisht për arsim, përditë e nisi në shkollë djalin dhe ju s'keni evidencë. Haram i keni edhe këto pak para që po ju japim. Mora ditarin dhe eja, i them gjithë nerv prindit, shkojmë në klasë dhe pyesim nxënësit. Si është puna e N.? Ngrihet njëri nga shokët e tij e na tha: N. N. vjen me neve deri te shkolla, po kurrë në klasë nuk hyn. Qy pisi, foli ai sa për ta arsyetuar arrogancën e tij, sa të shkoj në shtëpi ka me pa ai." Shko në dreq të mallkuem, ndërhyra unë, gjithë ketë idhnim ma nxore për fajin e djalit tand" Ditarët e punës i mbanim fshehur, dokumentacionin në shtëpi. Në shkollë shkonim e dilnim prej saj të vetëdijshëm se mund të arrestoheshim nga policia e shtetit që kish ndaluar shkollën shqipe. Më nervozonin sa nuk bëhej kërkesat e tipave (donin të shfrytëzonin situatën) për lëshimin e vërtetimeve e dëftesave për fëmijët pa ardhur në shkollë fare me arsyetimin "larg shkolla, nuk kam mujt me çue, a po e sheh çfarë kohe, po tutna po ma arrestojnë milicija, shkruja qatu hajt se, nuk bahet nami." I mllefosur me këta tipa më ka ndodh të kem reaguar me fjalët: "shkruaje vetë, qaty hajt, mbasi s'po u bëka nami!" Në këto 10 vjet pune (lufte) vetmja gjë që më mbante të qëndroj ishte ndjenja se po bëja diçka të vlefshme, po mbroja shkollën shqipe, ruaja frymën kombëtare të saj dhe po kryej detyrën për të cilin isha shkolluar e thënë vetës kur e mora për herë të parë ditarin në dorë (shtator, 1968) se do të angazhohem e bëj më të mirën për brezat. Hallall të gjitha!
LULET E BIJAJVE
Në kohën e fëminisë time (mbarim viteve të 50-ta) në pjesën e dytë të muajit prill ose fillimin e muajit maj vjet për vjet shkoja me nënën te daja. Tri orë rrugë bënim në këmbë, mos më shumë. Nëna e merrte një shkop, jo se i duhej të mbahej, “veç ta kem me veti”, thoshte. Krejt rrugën e bëja me qejf dhe pa u lodhur. Në kilometrat e fundit para se të mbërrijmë anësh rrugës, rogave të dushkajës, lule të sapoçelura ngjyrë vjollce si tulipan po të shkurtra dhe pa gjethe, sikur na thoshin; “mirë se erdhët”! Më bënin përshtypje se më dukej na prisnin buzëqeshur mua me nënën kur vinim. Dhe ashtu vërtet ishte. I këpusja dhe i mbaja në dorë, por nuk qëndronin gjatë se ishin të brishta dhe kalamendshin pas një copë rruge. “Këto lule quhen; LULE TË BIJAVE, më tregonte nëna, se dalin në kohën kur vijnë bijat. E sheh, vazhdonte ajo, si gëzohen e çelin sa here vijmë te daja”.
Kuzhinë shqiptare:
LAKROR ME MIELL MISRI (RRENJEKUQE, FLETA PRESHI E QEPE)
Rranjëkuqe quhet kjo bimë (mund të ketë edhe emër tjetër) si më poshtë, ka shije pak të thartë, në Kosovë kanë gatuar (gatuajnë) lakrorë me miell misri. Krejt rastësisht edhe këtu në Zelandën e Re e gjetëm me një livadh me gruan. Mblodhëm disa fletë dhe për darkë hëngrëm laknuer t'kallamojt sa u kënaqem. Fletët e rranjekuqes coptohen, ju shtohen edhe fleta preshi e qepe, ndrydhen pasi t’ju hedhet kripa , ju shtohet një ve ose dy, gjizë, vaj përzihet dhe harxhi i shtrihet në petë si te lakrorët tjerë
Zyrën e ndaja me një serb. - tregonte një punëtor administrate në Fushë Kosovë. Me ardhjen e Millosheviqit në pushtet ai e mbushi zyrën me foto të Millosheviqit, Shën Savës, Vuk Karaxhiqit, Kral Nikollës, Pashiqit etj. dhe gjithë ditën e lume dëgjonte këngën “Kush thotë, kush gënjen se Serbia është e vogël”. Një ditë derisa ai po dilte nga zyra, e pyeta: Ku po shkon? Pse po pyet, thjesht po dal, u përgjigj. Mirë, mirë, i thash me ironi, po të drejtën ta them vetë në zyre po tutem prej gjithë këtyre fotografive që i ke radhitur tej e përtej murit. Të nesërmen, drejtori i dhunshëm mblodhi Këshillin e punëtorëve dhe me procedurë të shpejtuar më larguan nga puna se kam bë presion ndaj serbëve.
Tregoi: Hysen Zeqiri
Shënoi: Sabit Abdyli
KUJDES!
Kujdes nga ata që ta bëjnë rrafsh, nga ata që hekurosin rrudhat me photoshop, nga ata që profilin në FB e hapin me identitet (emër) të rrejshëm: me emër të burrit (gruas), fëmijëve, nga ata që të bëjnë mik vetëm për të mbajtur nën vëzhgim, nga ata që postojnë thënie të njerëzve të mëdhenj dhe vetë janë të vegjël, nga donzhuanët e vonuar, nga gjysmë artistët, gjysmë poetët ... që pretendojnë të jenë më shumë se ç’janë, nga ata që bëjnë komente ashtu “hajt” sa për të thënë
NË POLITIKË
Në politikë gjithçka është e lejuar nëse është në interes të shtetit e popullit. Serbët në Beograd edhe devetë për hir të Gadafit (lexo naftës e interesit) i lëmonin e mbanin në Kalamegdan, ish kryeministri Berluskoni gjatë vizitës së Gadafit në Itali i dërgonte çika të reja Gadafit, Tito Naserit etj. ua shtronte rrugën me sixhade, serbi Nikoliq tash së fundi kur ish në Izrael tha; edhe ne jemi çifut si ju, edhe ne kemi vuajtur shumë edhe ne e kem Jerusalemin si ju (aludonte në Kosovën). Ish ministri i jashtëm serb Jeremiq nacionalist e serbomadh kur e kërkonte nevoja deklarohej mysliman.ME MERAKUN
Në shtator të vitit 1966 vendosa të regjistrohem në Fakultetin e agronomisë në Shkup. Për të kursyer para dola në këmbë deri në Stagovë. Rrugën nuk e dija. Baba Ruhan shkoqi një letër të thesit të çimentos dhe ma vizatoi rrugën Kabash-Stagovë. Kur ta kalosh katundin Simirë, mbi Goshicë kthehesh në të majtë, kur ta kalosh rrafsh naltën poshtë saj shihet Stagova. Po ju përmbajte kësaj që të thash me sy mshel mbërrin në Stagovë, përfundoi baba. Dokumentet në gji dhe ... Vërtet kur kalova rrafshnaltën (Mani bardhë) poshtë saj krejt pak pa mbërri pashë trenin që më iku për në Shkup. I mërzitur për vonesën time, mbërrina në stacion dhe po shikoj orarin e udhëtimeve. Treni tjetër për Shkup ishte pas orës 20:00. Në stacion asnjë njeri. Orë për ta ditur kohën nuk kisha. Pas disa orësh lëvizjesh fill kalli vetë trapit të lumit aty afër, dëgjova fishkëllimën e trenit, i cili vinte nga Shkupi. Hipa në tren dhe shkova në Ferizaj. Në Ferizaj e kisha më lehtë për ta kaluar kohën. I rashë qendrës së qytetit disa herë. Te furra (me siguri furra e Mikelit) bleva një simit. U ktheva në stacion ku kishte udhëtarë tjerë dhe krejt pritjen e bëra me merakun që harxhova më shumë seç kisha planifikuar.
PËRSHTYPJET E PARA
Pas qëndrimit një javë ditë në kampin e refugjatëve në Mengere u vendosa (6 nëntor 1999) te Xhevat Murati në Pakuranga. Në mjedisin e ri gjithçka më dukej ndryshe dhe me droje po prisja ditët në vazhdim. Në kamp kisha marr informacion për rregullin, njerëzit e jetën në Zelandë të Re, po doja këto t'i shihja në vepër. Deshi fati që menjëherë të has në dy shembuj konkret që më bënë përshtypje të mirë. Shembulli i parë: Një zonjë një shtëpi përtej shtëpisë së Xhevatit nga e majta të nesërmen erdhi me një buçet lule për të na uruar ardhjen. Njëkohësisht zonja shprehu edhe dhembjen për vuajtjet tona gjatë luftës. Shembulli i dytë: Një mëngjes dola në kopshtin aty për bri shtëpisë dhe në mungesë të veglave të punës me dorë hiqja barishtet për të përgatitur vendin për të mbjellë domate. Fqinja e Xhevatit, një zonjë mbi 70 vjeçe, më vërejti dhe mbi rrethojën ma zgjati shatin, belin, tërfurkun dhe dorëza pune. Merri, më tha, dhe më përgëzoi për punën që kisha filluar.
REKRUTET
Në vitet e fëminisë time kur niseshin rekrutët e rinj në ushtri mblidheshin krejt mëhalla për tu përshëndetur me ta. Sipas një besëtytnie ata kur dilnin në oborr nga bunari nxirrej ujë me kove i epej rekrutit dhe uji që mbetej i hidhej mbrapa. Besohej se ujët e kthen në shtëpi. Gjithë fshati dilte në përcjelljen e tyre. Rekrutet ndaheshin të përlotur nga familjarët, shokët dhe vazhdonin në këmbë ose ndonjë qerre kuajsh deri në stacionin e trenit në Ferizaj.
ÇFARË UJI
Gjetja shkak e gabime për ta ndëshkuar tjetrin (zgjatur veshin fëmijëve), ne shqiptarët i kemi edhe te lojërat. Ju kujtohet ajo pyetja provokuese e të rriturve për fëmijët: "Çfarë uji i ke dhanë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë?
KULTI I MYSAFIRIT TE SHQIPTARËT
Më ka ra të shoh në vepër sa shumë respektohet mysafiri te ne shqiptarët. I zoti i shtëpisë nuk çohej nga sofra para mysafirit edhe kur ngopej (shuante urinë) ai vazhdonte të bëhej sikur po hanë ende.
FJALË PAS FJALE
Para vitit 1968 punëtorëve në arsim në vjeshtë ju ndaheshin për familje nga dy metra dru për nxehje falas. Burrë e grua mësues me një fshat në komunën e Vitisë për të marr plus dy metra dru hapin fjalën sikur janë nda dhe fitojnë të drejtën të marri plus dy metra. Organet e pushtetit shkojnë në orët e para të mëngjesit për të vërtetuar ndarjen. Trokasin në derë dhe i gjejnë bashkë. Hë, ju thonë: keni thënë se jeni nda dhe ...! E zënë ngushtë, ndërhyn e shoqja, po, po jemi nda pasha fjalën e nderit, po mbrëmë erdha t'i falënderohem Vases që mi preu drutë dhe fjalë pas fjale na paska zanë gjumi bashkë.
URIME
Derisa shkruaja urimin për 8 Marsin mendja më shkoi te nëna e ime, që me aq mund e dashuri rriti 5 djem e dy vajza, te motrat e mia të dashura, të dhembshura e të gatshme për sakrifica, te nënat të cilat përmes plumbave për ta shpëtuar fëmijët nga diktatura në terrin e natës në këmbë mësynë kufirin, te nënat në gomone detit të trazuar në ikje, te nënat në kolonat e të përndjekurve gjatë luftës nga shteti kriminal serb, te nënat në ferrin e quajtur Bllacë, te nënat, motrat e gratë që lufta ua mori të dashurit e tyre. Te të gjitha nënat e nënëmadhet e dhembshura, sot e nesër, të mira, të shtrenjta, në duart e të cilave loti zhduket, brenga arratiset dhe trishtimi tretët! URIME
MË NË FUND
Më në fund Evropa lejoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve brenda saj. Lejoi ata që do të duhej të liroheshin të parët. Lejoi popullin që para Evropës ishte Evropë, popullin që asnjëherë në historinë e tij nuk bëri elaborate për zhdukjen e popujve tjerë, as bëri luftë pushtuese. Luftoi vetëm kur ju deshtë të mbrohej.
5 maj 2016
AKSIONI PËR GRUMBULLIMIN E ARMËVE
Shkolla e vjetër ndodhej në mes të fshatit, pak më poshtë, ku është sot shkolla e re. Shkolla kishte dy hyrje në veri dhe në jug. Në jug hyrja për nxënësit serb (kolonistë), kurse në veri për ne shqiptarët. Në vitin shkollor 1955/56 tamam në kohën kur filluam gjysmë vjetorin e dytë (mbarim janari dhe fillim shkurti 1956 u bë aksioni famëkeq për grumbullimin e armëve. Ishte një mot i ftohët dhe me ngrica. Oborri i shkollës i mbuluar vende vende me një shtresë të hollë bore. Kah mesi i ditës një shtresë e baltës zinte të shkrinte dhe pas një ore prapë balta nga acari ngurtësohej. Zyrën e mësuesve policët (inspektorët) serbë e morën në shfrytëzim si lokal hetuesie. Më ka ra të shohë burrat e fshatit tek vinin të veshur hollë, të frikësuar dhe tek dilnin nga ato lokale kokulur pa guxuar të shihnin anash e mbrapa. Mbaj mend xha Nazmiun me një sënduk druri (plot me fishek, thoshin) të hedhur mbi krah në këmishë basme të bardhë me jakë të shkurtër, një si setër të arnuar, tirqi ngjyrë kafe me opinga lëkure, mustaqet veshur në kranez tek u fut brenda lokalit ku e prisnin udbashët: Novica Gjokiq, Vesko Veselenoviq etj. Sharje dhe kërcënimet; "priznaj ... shiptarsku majku.. " në gjuhën serbe, ofshama: "oh nanë" në gjuhë shqipe dëgjonim edhe ne fëmijët. Kur mbaronim orët edhe ne si burrat iknim nga frika dhe acari me vrap drejt shtëpisë. Rrugët gjithmonë të zbrazta. Vetëm kohë pas kohe gazika e policisë shkonte e vinte rrugëve të fshatit. Me tu kthyer në shtëpi tregonim për gjitha ato që i shihnim. Baba, mbaj mend nuk dilte nga shtëpia dhe ishte i frikësuar.
Kabash, 1956
KEM MI SHKRI
Me 18 qershor 1999 e takova Mustafë Sallahun (tashmë i ndjerë) rrugës në Kabash, i cili gjatë gjithë luftës ishte peng në vendin e tij të punës në mullirin elektrik në Kabash nga serbet. Sa më pa: shpëtuem, më tha. E thyen qafën, shkuen prej nga paten ardh! E ke pas zor, i them. Ma zor s'ka ku shkon dhe vazhdoi, veç m'bajshin me kesh ata (serbet) që vishin me blu', kur m'thojshin: Kojshi edhe pak kanë me na ardh armë nga Rusia dhe aeroplanët e NATO-s kem mi shkri n'hava.
A PO TË DHIMBEN PARET E SHKOLLËS A
Në vitet e 70-ta në shkollën ku punoja shkonin në pension dy punëtorë ndihmës. Sindikata e shkollës atyre që dilnin në pensioni ju dhuronte orë dore. Drejtoria e shkollës më lëshoi një çek parash për t'i blerë orët në Shkup. Me një koleg që kishte veturë të vetën shkuam në Shkup. U kthyem në restorant për të drekuar në qendër të qytetit. Kolegu e mbushi takëmin me ushqime, ëmbëlsira, pije sa edhe punëtorja te kasa u habit. Pse kaq shumë, e pyeta, a mundesh këto që more t'i hash?! Po more qysh jo, a po të dhimben paret e shkollës a?! Jo, jo po... dhe u ulëm po hamë. Ha, i them, ha! Hëngri e hëngri, por nuk mundi krejt ato që i kishte përpara. Rrugës pak pa mbërri në Kaçanik e kapi tuga për hunde e për goje, siç thuhet. E sheh, i them, të doli hajnia për hundësh pa u vonuar as dy orë. Po valla se shumë hangra. Sa mirë do të ishte sikur t'ju dilte hajnia edhe të tjerëve si ty kështu, i thash duke qeshur
.
ZI E TERR
Kisha shkruar (në vitet e 70-ta) me emër e mbiemër për një mjek maqedon në ambulancën e qytezës së Vitisë, (ambulanca e vjetër) i cili dy orë rresht në kohën e punës e pritën pacientët në korridor deri sa ai pinte kafe e bënte muhabet me një funksionar të komunës. Në mesin e pacientëve isha edhe unë, që isha me temperaturë. Pritje e ankthshme sidomos për fëmijët dhe njerëzve me temperaturë e kollitje si puna ime. Pas llafeve e muhabetit doli doktori ngadalë deri te hyrja ambulancës e përcolli gjithë qejf funksionarin. Nuk munda të pres më, bleva aspirin në barnatore dhe u ktheva në shtëpi. Ashtu i nervozuar shkrova një artikull për gazetën "Rilindja". Në artikull përshkrova pritjen e tendosur, mllefin, vajin e cijatjet e fëmijëve, emrin e doktorit, funksionarit, kohën dhe ditën e ngjarjes. Në mëngjes derisa po blija si gjithmonë gazetën "Rilindja" te Ilmia (Ilmi quhej shitësi) në qendër të qytezës te dera e vërejta funksionarin me gazetën në dorë, të cilin katër-pesë ditë përpara e kisha pa në ambulancë. Pas përshëndetjes, më tha, po pres doktorin se paska shkrue dikush zi e terr për te dhe mue dhe desha me të pyet a mundesh me na qëndisë një reagim ti. Reagim ban, po nëse shkrimi asht i sajuem dhe jo real. Jo valla njimend isha unë te doktori për një punë zyrtare dhe u vanova pak me te, po ai e kish ba kjamet ketë punë. Qysh me reague? Me thanë, ka rrejt, kurgja nuk asht e vërtetë, ndërhyri ai. D.m.th me unë me rrejt! Jo, jo me rrejt po .. me nreq disi. Rrudha krahët dhe po bëhesha gati ti them "nuk mundem", kur matanë rrugës i fishkëlleu doktori prej veturës dhe ky me vrap me gazetën në dorë u nis drejt tij.
PRIT, PRIT
Po vjen koha e zgjedhjeve në Shqipëri dhe debatet kush për cilën parti është janë intensifikuar. Me një ndej njëri këmbënguli ta dinte mendimin tim se me kënd jam. Jam, i them, për partinë dhe liderët që kanë programe të punës, kanë vizion, mendojnë e punojnë për shtetin, konsolidimin e demokracisë , forcimin e shteti ligjor etj. Prit, prit më ndërpreu bashkëfolësi. Më thuaj a je për Salën a për Edin, se për ata që fole nuk kem ne shqiptarët.
PROKURORI MAURIZIP SALUSTRO
Kur është në pyetje interesi i shtetit nuk duhet besuar askujt (bile as shqiptarëve pa e verifikuar me rrënjë e me fis). Dihet, të huajt, punojnë për ata që paguajnë më shumë. Deri tash ky Salustro i ka rrah krahëve shqiptarët spiun, ka zhvat Kosovën, ka marrë informacione, ka përçarë shqiptarët, partitë politike dhe tash informacionet ja shet Serbisë, kurse për përçarjet e shantazhet për të keqen e shqiptarëve që në fillim kur ka ardhur në Kosovë e ka shpërblyer me para te majme Serbia.
PS: Lexova sot (6 prill 2016) se ish Prokurori Maurizio së bashku me zëvendësprokurorin për krime lufte në Beograd, Bruno Vekariq janë duke i montuar aktakuzat për Gjykatën Speciale në Kosovë.
ÇKA PO TË DUHET
Në fshatin Kabash të viteve të 30-ta të shekullit të kaluar, shtëpitë ishin dy katshe me dy e gjysmë qerpiç murin trash, poshtë në katin e parë ahurin dhe shpinë (shpi i thuhej vendit ku ishte oxhaku, magjja ku gatuhej etj. ndodhte të kishte edhe shtrat druri, shkama (shkëmba) trekëmbësh madhësive të ndryshëm. Plafoni (trarët) zi si futa nga tymi. Mes shpisë e ahurit një korridor dhe shkallët që çonin në katin e dytë. Natën shkallët mbylleshin me kapak druri. Korridori lart përpara kah hyrja kishte një çardak me dy dritare dhe në anën e kundër dy dhoma të fjetjes përball njëra tjetrës. Poshtë dera e hyrjes mbyllej me një llos të trashë lëvizës që futej thellë në muri në të dy anët e derës. Dritaret ishin me kangjele (shufrua hekuri). Pas viteve të 60-ta ahuri u shndërrua në dhomë të ndejës, kurse në vend të oxhakut u vunë shporta me dru. Doja ta kem një foto të këtyre shtëpive që sot nuk janë më dhe i them një bashkëvendësit tim mos ndoshta ke një foto të shtëpisë së vjetër që ato ditë e kish prish dhe po ndërtonte një të re. Qy, le pashë Zotim, më tha si me inat, unë shyqyr që e prisha, ti ... çka po të duhet, jo kurrgja, u tërhoqa unë, veç pyeta.
Kabash, 1995
MEDIET
Kam dëgjuar se qeveritë në Angli financojnë gazetën e vetë për ta kundërshtuar qeverinë për lëshimet, parregullsitë, gabimet etj., por gjithmonë me realizëm. Te ne mediet janë ose pro ose kundër. Ato pro me kokë në thes thurin vetëm lavde, kurse ato kundër më shumë shajnë e shpifin se tregojnë dobësitë e njëmendta të kundërshtarit.
ALO, ALO!
Në vitin 2011 po prisja në Kllokot autobusin, kur para këmbëve e ndali makinën xixë të re një person, që nuk e njoha. A je për në Viti, më pyeti. Po, i përgjigjem. Eja, të njoh, vazhdoi ai, më ke dhënë mësim. E shikova, po nuk më kujtohej. Nuk desha t'i them se "nuk po të njoh", por e pyeta si më mban mend. Të mbaj mend, më tha, ke qenë i ashpër, na bërtisje, bile edhe na rrihje. Më paske ngatërruar me dikë tjetër, ndërhyra unë. Jo, jo s'të kam ngatërrua dhe ndërroi temën. Kam një biznes, po konkurrencë e madhe dhe e egër prej disa që po shiten patriot gjithë ditën, kurse natën po bajnë kontrabandë me shkijet. Deri sa po zbrisja te Shtëpia e Kulturës në Viti i ra zili në celularin NOKIA të cilin e kish të varur në qafë. Alo, alo! Allo, ja sam Nesho, dali me qujesh!? (Unë jam Nesho, a po më dëgjon) - dëgjova zërin matanë. Me telefonin në vesh ma hapi e mbylli derën dhe nuk priti as t'i falënderohem.
Viti, 2011
NORMAL E HUMAN
Shqiptaria ka shqiptarë me vizion, ide, të ditur, të përgjegjshëm, të mirë, njëmijë herë më shumë se këta që po qeverisin sot. Po e keqja është se të mirët nuk shtyhen me bërryla, nuk shpifin, nuk mashtrojnë, nuk rrejnë, nuk godasin pas shpine, nuk lëpihen, nuk lariten, nuk janë të dhunshëm, nuk janë verior, jugor, kosovar, Ilirid, preshevar, ulqinak, fetar, ateist, karrierist e primitiv. po shqiptarë normal.
QËDRESA
Qëndresën e sakrificën e familjes së Jasharëve për çlirim kombëtar nuk mund as për së afërmi ta gjejmë edhe një shembull të vetëm, jo vetëm brenda historisë sonë, por edhe asaj botërore. Ka pas masakrime me përmasa edhe më të mëdha, por qëndresa dhe rënia e një familje të tërë në pozicione lufte dhe armë në dorë si kjo e Jasharëve nuk besoj të ketë pasur.
KRYET NALT
Të njoh, më thotë ish nxënësi im I., që kur fillove (shtator 1968) të punosh në shkollën tonë. Ishe pjesëmarrës i të gjitha aktiviteteve kulturore e sportive në Viti. I ri, punëtor dhe energjik. Ishe model për ne nxënësit, dhe jo vetëm për nxënësit. Na fascinonte puna, mirësjellja në shkollë e jashtë saj dhe sidomos ajo që nuk e mbaje kryet nalt, si disa tjerë me gjysmë shkolle të cilët s'prekeshin me dorë. Pak ja çove llambës fitilin nalt, po nejse, i thash duke qeshur dhe vazhdova; puna me përkushtim, sjellja me korrektësi dhe mos mbajtja "kryet nalt" atëherë, siç po thua, më bëjnë sot, ta mbaj "kryet nalt" para jush e kohës.
Kabash, 1997
PËR VETEN
Një të burgosur politik që kish vuajt nëpër burgjet serbe e përgëzova për qëndresën e sakrificat. S'ka mbet më të lëvdohemi me ato që bëmë, më tha, pas dëmshpërblimeve me euro që morëm dhe gjithë kësaj që po ndodhën në Kosovë. Atëherë vramë e u vramë, u torturuam e u burgosëm për kombin, lirinë, Pavarësinë e Republikën së Kosovës dhe jo për interesat tona të ngushta, po tash doli se luftuam për veten, për privilegjet e për të sunduar.
FJALË KOHE
Fjala KUSH (E) në vend të fjalës KUSHËRI (KUSHËRIRË) gjithnjë e më e shumë në përdorim. E kam KUSH të mirë. KUSHA im. O KUSHE! KUSHAT tanë nuk erdhën! Edhe fjala KUSHE si fjala TUNG në vend të fjalës TUNGJATJETA është mall Kosove si duket. Në Shqipëri nuk më ka ra ta dëgjoj as njërën as tjetrën. Sot lexova edhe fjalë tjera si këto më lart, po mall Shqipërie GEZ në vend të fjalës GËZUAR, MJESI në vend të fjalës MIRËMËNGJESI.
Përshëndetja (fjala) “TUNG” më shumë më tingëllon si kinezisht se shqip (ani kur përsëritet "tung, tung.." krejt kinezisht duket).
BUKËDHËNIEA
Për traditën e bukëdhënies aq të njohur te shqiptarët, përveç tjerave flet edhe rregulli-ligj që u përmbaheshin familjet tona me rastin e dërgimit të bukës argatëve në punët e fushës etj. me plus një lugë më shumë se numri real i argatëve me qëllim që t'i jepej ndonjë udhëtari të rastit që do të kalonte atypari ose do të gjendet aty. TU PA SHEQER
Gjatë kohës kur na larguan nga puna neve shqiptarëve 1990-1999, tregon Dr. Bujar Ukmata, punoja gjithandej katundeve, bile u shkoja edhe në shtëpi njerëzve në nevojë falas. Shkova me një rast me një familje për një të sëmutë. Pasi e vërejta gjendjen e mirë ekonomike të asaj familje pranova që të më qesin kafe. Ban, i thash zojës së shtëpisë, nji kafe, po unë kafen e pi pa sheqer. Pas pak ma pruni kafen po e kish pas mbush sheqer. Të thash pa sheqer, fola unë. Më the, po të drejtën me të thanë, o doktor m'u dhimte, me pi kafen ashtu të ithët pa sheqer, tu pas sheqer.
Tregoi: Dr. Bujar Ukmata
Shënoi: Sabit Abdyli
GAZETAT
Burim kryesor informacioni për gazetat në gjuhën shqipe u bë FB. Nuk kanë më gazetat korrespodent nga terreni, institucionet politike, ekonomike, kulturore, sportive etj. Brenda zyrave hakerët e redaksive hapin kompjuterët, futen në internet dhe nëpër FB, youtube e portale të dyshimta marrin informacion, foto e gjithçka tjetër. Titujt i imagjinojnë dhe i bëjnë sa më bombastik për like (pëlqime) brendia e shkrimit bosh, gjuhësisht me gabime, propagandë e ulët e faqja zezë.
NË POLITIKË
Në politikë gjithçka është e lejuar nëse është në interes të shtetit e popullit tënd. Serbët në Beograd edhe devetë për hir të Gadafit (lexo naftës e interesit) ja lëmonin e mbanin në Kalamegdan, ish kryeministri Berluskoni gjatë vizitës së Gadafit në Itali i dërgonte çika të reja, Tito Naserit etj. ua shtronte rrugën me sixhade, serbi Nikoliq kur ish në Izrael rrejti; edhe ne jemi çifut si ju, edhe ne kemi vuajtur shumë edhe ne e kem Jerusalemin si ju (aludonte në Kosovën). Ish ministri i jashtëm serb Jeremiq nacionalist e serbomadh kur e kërkonte nevoja deklarohej mysliman. Kryeparlamentarja serbe Gjokovic gjatë vizitës në Iran u mbulua si myslimane për interesa ë Serbisë (ani se i urren myslimanët) Kryeministri Vuçiq i lëpihet Evropës se me Rusinë është. Nikoliq, kryetari i Serbisë evropianëve u thotë se Kosova myslimane është rrezik për civilizimin, këtej me shtetet arabe është i lidhur si thoi me mishtë. Në politikë gjithçka ...ME ÇEHRE TË NGRYSUR
Në vitin 1994 kisha nevojë ta mbush një dhëmballë. Pasi ambulanca, spitalet e shtetit ishte mbyllur për punëtorinë shqiptare, shkova te dentisti shqiptar, që ato ditë kish hapë ordinancë private. I tregova për hallin tim dhe e pyeta sa më kushton mbushja e dhëmballës. Dhjetë DM. (dojq marka) më tha. U ula në karrigen stomatologjike dhe filloi mbushjen dentisti. Gjatë mbushjes më thotë se duhej edhe ilaçe shtesë dhe material shtesë që kushtojnë. Vazhdo, i them, kryesorja le të bëhet mbushja si duhet. Në fund kur po paguaja doli se mbushja më kishte kushtuar 20 DM. E pagova po me çehre të ngrysur. Kur me pa ashtu çehrengrysur, me tha, tregomë, ku punon dhe si e ke hallin (gjendjen ekonomike). Si ti edhe unë punoj, si ti edhe unë e kam të kryer fakultetin, vetëm unë nuk mund si ti t'ju kërkoj pare "pacientëve" të mi dhe dola. Doli pas meje, koleg, më thirri, kthehu, po unë dola në rrugë.
DARDHA RAFIZIT
Në Sumullore poshtë në jugperëndim të shtëpisë së Musa Hasanit, afër Prronit t'Binçës, pak mbi vendin e quajtur Shkitza, në arën e Rafiz Azizit ndodhe një dardhë ujëse shumë e vjetër. Vendi dikur ishte mal i dendur, në dekadën e dyte te shekullit XX u shndërrua në tokë pune. Sigurisht një dorë fisnike, dardhën e egër e ka shortuar dhe ka më shumë se 80 vjet që njerëzit kënaqen me frytet e saja të shëndosh e të shijshëm. Vendit ku është pema quhet "Te dardha Rafizit" . Dardha është shumë e lartë dhe jep fryte çdo të dytin vjet. Kurora e saj kap një hapësirë më shumë se një ari vend. Dardhat e saja kur piqen të shkrihen n'gojë.
GATI TË GJITHË
Në brigjet e Detit të zi të Bullgarisë në vitet e 80-ta i kalonim pushimet shumica e shqiptarëve. Kishte nga ta funksionar politiko-shoqëro, administrator, drejtor, titullar, punëtor në arsim etj. në vendet prej nga vinin. Gati të gjithë të martuarit deklaroheshin se janë beqarë edhe pse kishin gratë me fëmijë në shtëpi. Silleshin revan bregut detit pa zënë vend kund. Të gjithëve u binin në sy. Me një rast derisa po hanim mëngjes në restorantin e punëtorëve, u tha Dani. Me këto sjellje tuja nuk ju ka hije. Në Kosovë keni funksione me përgjegjësi dhe duheni të përmbaheni. Atje njerëzve u shitni moral këtu ... Qy, ndërhyri njëri nga ta, këtu nuk po na sheh kush. Po, po nuk ju sheh kush, fola unë, atje keni moral të rrejshëm, këtu jeni ata qysh vërtet jeni.
SI PËR INAT
Në vitin e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike - gjuhë e letërsi shqiptare në Shkup (viti shkollor 1966/67) gjithsej student të rregullt ishim 36, mos gabofsha. Vitin e dytë mbërrimë ta regjistrojmë vetëm 9 veta. Mes veti ishim të pandarë në ligjërata dhe aktivitete tjera. Dikush prej nesh kish organizuar të shkojmë për të parë një film francez në kino "Vardar". Hajde më thonë shokët, çka po mendohesh!? Nuk kisha hëngër drekë dhe nuk kisha as një metelik për të blerë qoftë edhe një petull. Nuk u tregova shokëve për ketë dhe së bashku shkuam. Në film si për inat timin një skenë masive me gra e burra ulur në tryezën e bukës përplot me ushqime, fruta e pije, nën tingujt e muzikës hanin e pinin gjithë qejf. Unë i uritur! Inskenova sikur kam dhembje koke dhe mes filmit dola për të shkuar te motra që më priste si gjithmonë për drekë, dhe jo vetëm për drekë.
DETYRË
BISEDA INFORMATIVE
Njëri pasi e kishin marrë në bisedë informative inspektorët serbë në vitin 1994, shkuam ta vizitojmë. Të gjitha ja përplasa në fytyrë inspektorit serb, tha. Kosova është Republikë. Na kemi plan-programet tona dhe nuk heqim dorë prej tyre. Objektet shkollore janë tona dhe një orë e më parë duhet të hapen etj ... Mua që më kishte arrestuar policia serbe brenda lokaleve të shkollës dhe më kishin mbajtur gati gjithë ditën në bisedë informative e dija si bëhej ajo bisedë-torturë dhe duke qeshur me shpoti, i thash: ti e ke marrë në pyetje inspektorin, apo ai ty!? Qy, u përgjigj ai, ti edhe me këto punë serioze ban hajgare.
VENDLINDJA
Derisa po shëtisnim bregut detit, na ra në sy një shtëpi e bukur me pamje nga deti. Hej, na pyeti Hyseni, kishit pranuar me ju fal ketë shtëpi me një kusht që mos me pas të drejt të kthehesh (shkosh) në Kosovë? Me thanë "jo", shtëpia me vlerë miliona dollarësh si të thuash "jo"!? Të thuash "po" si t'ja mbyllësh rrugën vetës të mos shkosh në vendin e lindjes, si!?. Pas shumë hamendjesh të gjithë sa ishim u pajtuan me mua se edhe për dy, dhjetë e njëqind shtëpi si kjo nuk ja mbylli derën vetës drejt vendlindjes.
BESËTYTNI APO E VËRTETË
Në familjet shqiptare që nga lashtësia mendohet se nëse je duke drekuar dhe harron në sofër kafshatën e bukës kjo shpjegohej sikur dikush prej të dashurve tu është i uritur. Kur i ndodhte kjo nanës time, ajo merakosej tepër për djalin ose vajzën që nuk e kishte në sofër (shtëpi), ndalej, humbiste oreksin dhe me dhembshuri thoshte: Mjera nana, Jupi ja Naxhija janë untë (të uritur)!
SHTETE KANË RRËZUE
Kabash, 1989/90
Te ara në Barica, tregonte Shabi Sallahu, shkova me heq barishtet, ferrat, kërpnajat etj. prej arës. Të gjitha këto i mblodha në nji ven dhe ja shtina flakën. Tymi e flaka e barishteve të thata u panë larg. Dikur ato pak gaca që mbetën i shkyma tuj u ra me rrema dushku dhe kambë. Kur u sigurova se nuk kishte ma rrezik, Baricës teposhtë dhe shkova në shpi. Të nesërmen më thanë ke djeg pronat serbe. Jo more u thash, djega barishtet e arës teme dhe asnji arë tjetër nuk asht prek nga zjarrmi. Thauj çka të duesh më thanë në katund, gazeta e Beligradit ka shkrue me germa të mëdhaja: “Mbi fshatin Kabash nacionalistët shqiptarë banë shkrum e hi pronat serbe.” Me këta (për serbët e kishte fjalën), bacoo nuk ka lojë, shtete kanë rrëzue tuj ba davë (inskenime, ankesa) rrejshëm.
KËSHTU FILLOVA
Shkrimet e para i shkruaja me dorë në fleta fletoresh. I mbaja nëpër xhepa dhe kur doja t’i dërgoja ndonjë reviste apo gazete ashtu siç i shkruaja nuk betoheshin se përmbanin ironi fishkëllyese për kohën. Kur i censuroja vetë ato nuk vlenin gjë prej gjëje dhe i hidhja. Me një rast i them Danit (Ramadan Musliut, poet, gazetar e studiues) kështu e kështu më ndodh me shkrimet e mia. Mos i hedh, më tha, lej me një vend se nuk të lypin me hangër, mund të vijë koha edhe i boton. Kah mesi viteve të 80-ta nipi Etemi nga Zvicra ma pruri një makinë shkrimi dhe kështu fillova ...
DY LIBRAT
Punën për ta shkruar historinë e fshatit e kam nis në vitin 1988. Duke vërejtur se me shkuarjen e brezave të vjetër po zbehej e kaluara dhe duke ditur që ajo që nuk shkruhet harrohet, i hyra punës pa pasur përvojë të duhur. Pas mbledhjes së dëshmive, të dhënave dhe gjithë asaj që e kisha incizuar në memorie në shkallën më të lartë të vëmendjes, drejtpërdrejt prej rrëfimtarëve në vitin 1997 e botova monografinë e parë të fshatit Kabash me titull “Kabashi i Anamoravës”. Dëshira për ta kompletuar monografinë asnjëherë nuk më është hequr nga mendja dhe asnjëherë nuk pushova së hulumtuari dhe mbledhjes së trashëgimisë gojore me përkushtim e dashuri dhe në shtator të vitit 2013 botova librin e dytë “Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi” për bashkëkombësit e mi bujar e atdhetarë të mirë.
ME KËTO HUQE
Rilindësit e bënë Shqipërinë, krijuan identitetin kombëtar shqiptar, filluan me shkrimin e gjuhës shqipe, përpiluan abc-ën, nxorën abetaren e parë, gazetat, hapën shkolla, iu kundërvunë asimilimit të dhunshëm që synonin fqinjët tanë. Bashkëpunuan ngushtë edhe pse ishin të shpërndarë gjithandej botës, pa tituj, pa lekë e pozita, por kishin ideale dhe me të gjitha forcat i shërbenin kauzës të bërjes së shtetit shqiptarë. Ka ndodh edhe të kenë mospajtime mes veti, po kurrë mospajtime për çështjen kombëtare. Sot shumica e intelektualëve tanë kanë të gjitha; tituj e lekë, pozita e institucione, por janë të ndarë si është më keq: kush nga egoizmi, kush nga dëshira për të qenë më i madhi, kush nga provincializmi, kush i shitur te politika, kush (shumica) për shkam (karrige) etj.. Me këto huqe, intelektualët nuk ndihmojnë , por përçajnë e bëjnë lëmsh kulturën, shoqërinë e shtetin.
ZOR TË JETOHET
Në shtetin kur nuk mund t’i besosh, pushtetarit që në pushtet vjen me vota të blera, të vjedhura, me shtyrje bërrylash, premtime n’hava, administratorit të punësuar me lidhje e ryshfet, shitësit që vezët e fermës t’i shet si të katundit, gjykatësit që t’i këqyr duart çka po i jep me ta krye punën, profesorit me diplomë të falsifikuar dhe pa etikë, doktorit që dëgjueset t’i mban në kulet, policit partiak dhe pa edukatë, deputetit që çdo katër vjet kur të sheh të merr ngryk, të pyet për hallet, ofiqarit që pa diçka nën sqetull t’i humb dy-tri ditë, qoftë edhe për një certifikatë të lindjes, zor të jetohet.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Këto shkrimet poshtë janë të përfshira në libër "Thërrmije jete"
KY FLAMUR
Mësuesja e gjuhës angleze, rreth 30 vjeçe, e bardh si tambli, flokët e lëshuara prapa shpine, e këndshme dhe punëtore. Pasdreke kishim gjithsecili prej kursistëve të gjuhës angleze të prezantojë diçka nga vendi i origjinës. Sa më erdhi radha mua dola para shokëve të klasës që ishin nga të gjitha anët e botës. Paraprakisht kisha marr me veti flamurin kombëtar dhe një foto të Nënës Terezë. E shpalosa flamurin dhe ju thash. Ky flamur dy ngjyrësh me shqiponjën dykrenore është ndër më të vjetrit në botë. S'pari u valëvitë në bedenat e kështjellës së Krujës në vitin 1444 dhe me te në dorë për një çerek shekulli shqiptarët i bën ballë sulmeve të njëpasnjëshme të Perandorisë Osmane. Pesë shekuj ishte i robëruar, por kurrë i harruar. Pastaj nxora foton e Nënës. Si e panë, e njohën, u përkulen para fotos. Emri i Nënës, vazhdova, është Gonxhe, që në gjuhën shqipe dmth lule. Gonxhja është bijë shqiptare me të cilën krenohemi. "Krenoheni, jo vetëm ju, por gjithë bota. - ndërhyri mësuesja Rosemary.
Auckland, 2006
ME MERAKUN
Në shtator të vitit 1966 vendosa të regjistrohem në Fakultetin e agronomisë në Shkup. Për të kursyer para dola në këmbë deri në Stagovë. Rrugën nuk e dija. Baba Ruhan shkoqi një letër të thesit të çimentos dhe ma vizatoi rrugën Kabash-Stagovë. Kur ta kalosh fshatin Simirë, mbi fshatin Goshicë kthehesh në të majtë, kur ta kalosh rrafshnaltën poshtë saj shihet fshati Stagovë. Po ju përmbajte kësaj që të thash me sy mshel mbërrin në Stagovë, përfundoi baba. Dokumentet në gji dhe ... Vërtet kur kalova rrafshnalten (Lisin e bardhë) poshtë saj krejt pak pa mbërri pashë trenin që më iku për në Shkup. I mërzitur për vonesën, mbërrina në stacion dhe po shikoj orarin e udhëtimeve. Treni tjetër për Shkup ishte pas orës 20:00. Në stacion asnjë njeri. Orë për ta ditur kohën nuk kisha. Pas disa orësh lëvizjesh fill kalli vetë trapit të lumit aty afër, dëgjova fishkëllimën e trenit, i cili vinte nga Shkupi. Hipa në tren dhe shkova në Ferizaj. Në Ferizaj e kisha më lehtë për ta kaluar kohën. I rashë qendrës së qytetit disa herë. Te furra (furra e Mikelit) bleva një simit. U ktheva në stacion ku kishte udhëtarë tjerë dhe krejt pritjen e bëra me merakun që harxhova më shumë seç kisha planifikuar.
JEPNI DJEMA
Nё vitin 1969 me 15-20 të rinj të organizatës së vëzhguesve po udhëtonim me tren drejt qytet të Manastirt pёr tё vazhduar pastaj me autobus pёr nё njё pushimore pёr fёmijё afёr Ohrit. Fёmijёt pas llafeve e qeshjeve filluan tё kёndojnё. Dy zonja nё tё njejtёn vagon me neve ju thartuan fytyrat. Folën pёsh-pёsh diҫka mes veti dhe njёra u ҫua e doli. Kënga shqipe si pёr inat tё zonjave ushtonte edhe më fort. Njё grua tjetёr aty përball nxёnёsve me një shami të bardhë nё kokë, e hajthme, mbi 40 vjeҫe, gjithë qejf dëgjonte. Zonja, qё doli pas pak u duk nё derё me konduktorin e trenit. Ja, dёgjo si gёrvallen kёta, i tha, konduktorit. Nuk jeni ju vetё kёtu, pushoni!- u kёrcnua ai, qё e shoqёronte zonjёn. Fёmijёt e ndalёn kёngёn dhe po shikonin drejt neve tё rriturve. Ende pa hapur gojёn unё, ndёrhyri zonja me shami tё bardhё. Pse po ju pengon kёnga dhe gёzimi i kёtyre engjujve, le tё kёndojnё, po nuk ju pёlqeu kёnga mund tё ndёrroni vagonin. Jepni djema, kёndoni! Reagimi i kёsaj nёne "maqedane" me la mbresa dhe mendova se edhe nё mesin e atyre, qё nuk na duan, ka njerёz tё mirё (edhe mund tё ketё). Tash pas rrëfimeve tё shqiptarёve ortodoks nga Reka e Epёrme nё Maqedoni, mёsova tё vёrtetёn pёr gruan me shami tё bradhё e zemërbardhe, sigurisht, ajo ishte njëra prej shqiptareve tё kёsaj ane.
Auckland, 2014
KUNDËR TË VETËVE
Ferat Draga 1880-1944 kryetar i organizatës “Xhemijet” që kishte për qëllim bashkimin e Kosovës, Maqedonisë dhe Sanxhakun e gjitha Shqipërisë. Diplomati serb Nikolla Pashiq për të marrë votat nga shqiptarët kish pranuar ketë organizatë dhe kryetarin Ferat Draga si mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve. Po në anën tjetër e mbante nën vëzhgim aktivitetin e organizatës dhe kryetarit Ferat Draga. Më ka ra të dëgjoj nga baba Ruhan se Pashiqi për ta përbaltur Farat Dragën për të cilin e dinin se ishte i rrëmbyer dhe nuk duronte sharjet, një ditë derisa Ferati po udhëtonte me kalë, xhandarët serbë organizojnë fëmijët e fshatit ta gjuajnë me guralec e shajnë. Ferati i nervozuar zbret nga kali dhe e nxjerr revolen. Fëmijët ikin ... Xhandarmeria e arrestojnë dhe qesin në gjyq me akuzën se u bë me mend të fëmijëve, ka rrezikuar jetën e tyre. Ka shtie kundër të vetëve etj. (s.a)
BUKA E NXEHTË
Në vitet e 60-ta shumica e familjeve tona jetonin në skamje. Mbaj mend nëna gatuante dy herë në ditë bukë mbrume: Të parat i shtinte në mbrëmje dhe në mëngjes i shtronte të nxehta në sofër dhe menjëherë shtinte të dytat që ti ketë edhe për darkë të nxehta. Edhe në ketë gjendje, pa u ankuar asnjëherë për asgjë, priste me fjalët më të mira mysafirët, të cilët nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpia pa ju shtruar sofrën, (për ta gjendej gjithmonë diçka më mirë). Shyqyr miell kemi, buka e ngrytë (gruri) e nxehtë hahet edhe me fleta të qepëve, na thoshte nëna.
SI GJITHË SHQIPTARËT
Ishim për pushime në bregdetin e Kroacisë në vitin 1969 me Rifatin, tregonte Bahri Ahmeti. Në qytetin e Zarës u ndalëm për të vizituar arbëreshët e ardhur në sh. XVII nga fshatrat rreth liqenit të Shkodrës. Kishim dëgjuar për mësuesin, poetin e muzikantin Shime Deshpali 1897-1981. I trokitëm në derë dhe me të marrë vesh se kush ishim na futi brenda, me fjalët: “urdhëroni, mirë se erdhët”! Me një shqipe të rrjedhshme foli për komunitetin arbresh, historinë e ardhjeve, qëndresën, personalitet, si: Aleksandër Stipçeviqin Josip Relën, Zef Dukën, Pal Gjergjin, mësuesit e shkollës shqipe të hapur nga arbëreshët në Zarë 1901-1918 etj. Rifati kah fundi i asaj ndeje të këndshme, e pyeti poetin: Përveç gjuhës, me çka tjetër ndjeheni se jeni shqiptar? Poeti Shime Deshpali, u përgjigj: Pas shpine (kokës) mund të me bësh çdo gja, por, po me preke në hundë (përpara) jam dinamit, si gjithë shqiptarët”.
Shënoi: Sabit Abdyli
SHPIRTI I GJYSHËS
Në pushimoren buzë liqenit të Ohrit për pushime ishin shumë të rinj nga shumë qytete të Jugosllavisë së atëhershme. Afër tendave tona ishin fëmijët e qytetit Pula (Kroaci). Një fëmijë 8-9 vjeç nga Pula që në mëngjes vinte te tendat tona dhe nuk ndahej prej nesh gjatë gjithë ditës. Një ditë erdhi edukatorja dhe e mori duke qortuar. Lere, i them edukatores, nuk po na pengon gjë dhe po kënaqet me fëmijët tanë. Frank ditëve tjera prapë vazhdoi të vinte kur kishte mundësi. I afrohem qetë dhe me maturi Frank-ut dhe e pyes për prindërit, familjen... Mami i babit është si ju, flet si ju dhe nuk di kroatisht. Babi quhet Dino, mamaja Biserka kemi një dyqan argjendarie. Po ti, di ndonjë fjalë shqip si gjyshja, vazhdova unë? Po, ishte përgjigjja e tij. “Shpirti i gjishës” ( lexo gjyshës) kështu më thotë pa ja nda gjyshja. Zog shqiptari është ky, mendova, dhe gjaku është në pyetje që Franklini nuk na ndahet. Kisha librin “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit me veti, e nxora dhe ja fala. E mori nxitimthi, e fshehu nën këmishë dhe i gëzuar shkoi te tenda e tij.
Ohër, 1969
Se Shqiptari, xhelozinë e smirën i ka vetëm për të vetin, tregojnë edhe këngët popullore të dasmës. Më ka ra të dëgjoj këngët, si këto:
U kënaqem moj u kënaqem,
hasmit e Faik agës i plasëm!
Hasmit e Faik agës i kena kojshi
vishu mirë oj lulie, e rriju karshi!
...............................................
Jena mire kena boll, si me kan Stamboll,
dy dyqane, dy bunare i kemi n’oborr!
Dy bunore oj luldukati,
na kanë kesh kojshia prej inatit!
(vazhdoj nëse me kujtohen edhe këngë tjera)
NUK E HEQ PLISIN
Terpezë, prill 1999.
Ato ditë fshati Tërpezë, komuna e Vitisë ishte përplot me të përndjekur nga fshatrat fqinje, në mesin e tyre isha edhe unë me familje. Në mëngjes dilja në rrugë përballë vetëshërbimit në mes të fshatit për të marr vesh për situatën. Aty më ra të dëgjoj ketë dialog: Një vendës me moshë mbi 60 vjeç me plis të bardhë në kokë, në pyetjen e një tjetrit se ku po shkon,përgjigjet: Po shkoj ta marrë pensionin në Kllokot se kishin nis ta shpërndajnë. A je me mend!? -ndërhyri ai tjetri. Kështu me plis të bardhë kur të shohin s’të lanë me u kthye gjallë. Krejt shkijet ishin armatos dhe ... Edhe nëse shkon, hiqe plisin se ... Jo, valla përpara e la pensionin nuk e marrë hiç se e heq plisin, u përgjigj njeriu me plis të bardhë dhe u kthye.
ASHTU ISHTE ATËHERË
Mësuesi N. i posa pranuar në marrëdhënie pune (në shkollën ku punoja) pas disa ditësh, më thotë: Arsimtari Sabit, ty të njoh mirë, jo vetëm unë po edhe prindërit e mi dhe bashkëshortja ime. Që kur isha nxënës i shkollës mesme më fejuan. Me kërkesën e prindërve të mi ja ndërpresin shkollimin të fejuarës, që ishte nxënëse e juaj. Ju dy vjet nuk pushuat me fletë paditë në gjyq për shkak të mos ardhjes të fejuarës time në shkollë. Intervenuam përmes njerëzve për ta kaluar në heshtje rastin, por nuk dëgjove. Në at fukarallëkun që ishim dënimet me para duhej t’i paguante babai im. Më kujtohet kjo, i them, Sh. ishte nxënëse ndër më të mirat dhe doja që ajo të shkollohej. Kështu kam vepruar edhe më të tjerat, i them, bile shkoja edhe në gjyq për të parë se a po marrin masa. Mos ndoshta të kam borxh diçka!? Jo, jo, qeshi me zë ai. Keni pasur shumë të drejt. Po qe, ashtu ishte atëherë ...
HERË MINORITAR, HERË SHQIPTAR
Në vitin 1991 isha me S. në plazhin e Golemit afër Kavajës. Plazhi gati i zbrazur, thera dhe bunkerë, me baraka tej e përtej plazhit të shkatërruara, një tualet mes drunjve ndërtuar me qerpiç, kundërmonte dhe ishte e pamundur të hyje brenda tij, lopët silleshin rreth e rrotull duke hëngër lëvozhgët e shalqirit të lëna nga pushuesit e pakët. Kishim një vend afër pishave ku e kalonim vapën e mesditës. Me ne gjithnjë shoqërohej një djalë nga Burreli. Djalë i mirë, i ditur dhe i matur. Derisa po rrinim na erdhi një person që e njihte ketë që shoqërohej me ne. Shqipëria, duke mos dit se ne jem nga Kosova, vazhdoi, lypset të ndjek politikë paqësore ndaj fqinjëve. S’ka pse të armiqësohet Shqipëria me serbin as grekun për shkak Kosovës. Kosova e serbit.. Ç’i duhet politikanëve tanë ai kosovari me shallin, që nuk e heq kurrë nga qafa dhe nxit luftën (fjalën e kishte për Ibrahim Rugovën). Sahiti ashtu nervoz nxori cigaret Marlboro dhe më afroi mua. Ai që fliste sa pa cigaret e prodhimit të huaj, kuptoi se nuk ishim nga Shqipëria, i trembur se mos po reagonim ne më të shpejt u përshëndet dhe iku. Hë, Avni, i them, kush është ky njeri? Xhelë e thërrasin, është kasap, miqtë e mi te ky furnizohen me mish dhe brenda një kohe të shkurtër u bë shumë i pasur, na sqaroi Avniu, i skuqur nga fjalët e kasapit. Avni, pyet më mirë kur të shkosh te miqtë se kush është ky njeri. Mua më duket se ky njeri, Xhelë nuk e ka emrin (lexo nuk është shqiptar) dhe ... Të nesërmen në plazh sa na pa Avniu, na tha: Profesor, ti e dije më mirë se unë, Xhela, VANGJEL e kishte emrin e vërtetë dhe deklarohet, herë minoritar, herë shqiptar.
Golem, gusht 1991
E ÇUDITSHME
E çuditshme, ka dy shekuj e gjysmë që të parët e mi janë larguar nga fshati Kabash, Komuna e Prizrenit dhe janë vendosur në Anamoravë, mua sa herë më bie rruga të kaloj rrugës prej nga shihet Kabashi i vendit edhe pse nuk ka shkel këmba ime asnjëherë ato troje maje mali, ndjehem sikur kam lind aty.
U GËZOVA
Në vitet e 70-ta me vëllain po ktheheshim nga Gjilani me veturë. Te stacioni i autobusëve në Viti zbriti një person i veshur me tirq e xhurdinë. Vëllai sa e pa, më tha, ky sigurisht kabash është. E ndali veturën dhe ... Hajde axhë, hyp se në Kabash ja paske mësye. Po valla axhës, në Kabash te Zeq Kabashi. I themi se edhe ne jemi kabashë dhe jo vetëm te Zeqa, po te të gjithë në katund derën çel e ke. Para se të shkosh aty ku jeni nis, së pari te unë po kthehemi për kafe, i tha Ferati dhe u kthyem. Ndërkohë e thirrëm edhe bacin Zeqë (Zeqir Nebi Kabashi 1921-1981. E kaluam krejt mbas ditën me llafe burrash, që duhej mprehtësi për t’i kuptuar. Zeqë, i tha axha Zekë, këta djemtë që më morën me veturë, unë nuk i kam njohtë as dit që janë kabashë dhe kanë mujt lirisht me vazhdue rrugën, po u nalën... Nuk u gëzova që më prun me kerr, se këtu afër edhe në kambë kisha ardh, po u gëzova që i kabashët nuk janë burra që fshihen mbas trenit.
SOFRA ANTENË SATELITORE
Në fillim të viteve të 90-ta erdhën antenat e para satelitore edhe nëpër fshatra. Aty këtu disa me punë jashtë dhe gjendje të mirë materiale vendosën antenat në shtëpitë e tyre. Një mëngjesi sa dola nga shtëpia më të parin person që takova në rrugë, më afrohet dhe uron: Urime, kishe ble antenë satelitore! Rrudha krahët. Kush të tha? Antena kushton shumë dhe ... Dëgjova mbrëmë. Sabiti, thanë, ka ble antenë. Bile dikush reagoi se televizorin e ke të vjetër dhe tash pa rroga, nuk është e mundur. Po, po ndërhyni S. e pashë me sytë e mi në mbrëmje djalin e tij kur e shtini brenda antenën, bile prej atyne antenave të mëdha. Për ta vërtetuar se S. e ka drejt, foli edhe Q.: Nuk e njehni ju Sabitin, ai kurrë nuk jepet dhe nuk e di njeriu as kur ka, as kur s’ka e ka ble edhe në tavan e mban mos me ja pa fqinjët. Në mbrëmje shkova në shitore dhe prapë po bisedohej puna e antenës time. Jo, u thash, nuk kam ble antenë. Qy ndërhyri S.: mbramë prej dritarës e pashë djalin tand kur e pruni antenën. Nuk ka qenë ajo antenë, i them unë, po sofër. Sofrën e huazonin shpesh fqinjët kur kishin ndonjë gazmend se ishte e madhe dhe e re.
EDHE TASH
Me një manifestim takohem me ish nxënësin tim Gonin, i cili kish kryer studimet dhe kish arritur pozitë të lartë në komunë. Pas përshëndetjes, Goni u ul krejt afër meje dhe duke u kthyer me kokë nga të pranishmit tjerë nisi të flas me zë. “Arsimtarin Sabit, edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite e mbaj mend për diçka që me ka mbetur në kujtesë.” Mua mendja fët e fët më shkoi mos ndoshta i kam bë ndonjë të keqe Gonit se të këqijat mbahen mend më shumë dhe me kureshtje po prisja atë “diçka” të tijën. “Kam qenë hallkeq, vazhdoi ai. Shkojsha në shkollë pa hangër mëngjes se nuk më hahej. Orëve të fundit lodhesha së tepërmi. Arsimtari Sabit e kish vërejt këtë, më ndau prej shokëve mes orëve dhe më tha: Ke librezë të shëndetësisë? Po i them. Duhesh të shkosh te mjeku, jo se je i sëmurë, po qe, thjesht për kontroll dhe kurrë mos eja në shkollë pa hëngër mëngjes. Te mjeku nuk shkova, po pa hangër kafjall kurrë më nuk nisesha në shkollë. Bile edhe tash më ka mbet kjo e mirë.”
SIGURISHT
Hej profesor, që nga larg, hapi krahët, gojën vesh më vesh, më përshëndeti, duart m’i vuri në supe dhe vazhdoi, mirë që të pashë, hiç nuk po plakësh, sa më gëzove, kur paske ardhur!? Ka një muaj e më shumë që jam këtu. Qy, qysh more nuk të paskam pa!! - rrejti hipokriti. Më la pa gojë si shtirej, shtinjaku. Së paku njëherë në anën e kundër të rrugës uli kokën dhe u bë sikur nuk me pa dhe kish harruar që në fb më kish përshëndetur për ardhjen. Sigurisht edhe aty rrejshëm.
I KAM TAMAM
Sa patëm filluar ligjëratat në vitin e parë 1966/67. Ende nuk njiheshim mes nesh. Në mezen e studentëve po prisnim në radhë drekën. T. H erdhi dhe tre vetë prej kolegëve që po prisnin në radhë i pyeti mos kishin një bon dreke. Që të tretë ngurruan, shprehen dyshime: kam po ... hëm... kur ma kthen bonin, i kam tamam për një muaj, arsye pafund. Tahiri i prekur në sedër u nis dhe po dilte. Koleg (nuk ja dija emrin), e thirra, eja, qe unë, kam një bon dreke, merre, vetëm është pa mish (kishte dy lloje drekash; me mish dhe pa mish). Që nga ajo ditë, u bëmë shokë të mirë. Më ka ndodh me dhjetëra herë, ikja nga Tahiri, kur shkonim në drekë, se s’më linte të ha drekën me bonat e mi pa mish.
PO TERRI ...
I merakosur Shëndi priste autobusin. I shihte njerëzit rrugaçë dhe mbante florinjtë shtrëngueshëm. Autobusi po vonohej. Dikur u dëgjua zhurma e tij. Po vjen, thirri turma! Dhe nuk erdhi, ka ndërruar rrugë ngase po kryheshin punë në bërrylin e parë pak përtej dhe udhëtarët duhej të kishin pritur atje matanë. Takoi Shëndi një të njohur dhe hë, shpëtova! - mendoi. Nga zëri të njoha, i thotë, një ish shokut të tij. Jam me fat, që të takova. Gati ra terri dhe ... Gjithë si ti po presin, vjen autobusi dhe ja po vjen, dëgjoje uturimën e tij. Je me fat ti dhe unë, po vjen, i tha, dhe iku. Në ankth dhe i rrethuar nga hajnat vazhdoi të priste Shëndi. Ata i afroheshin, e merrnin me të mirë Shëndin. Ky e dinte se ata synonin florinjtë e tij. Largohej nga ta, vetëm për një hap, jo më shumë, që të mos i armiqësonte. Ata prisnin momentin, prisnin prenë dhe sa të vinte rasti .... Mendoi Shëndi të nisej në këmbë. Po terri ... dhe mund të vërehej nga ata që e kishin nën vëzhgim. Aty bile kishte edhe njerëz tjerë. Autobusi nuk po vinte, Shëndi në ankth, i shqetësuar, i trembur sa i zihej fryma. Tashmë merakosej jo vetëm për florinjtë por edhe për jetën e tij. Ata i dukeshin jo më si njerëz, po si kafshë, si përbindësha ... Ndjente se po i zihej gjaku. Nga larg zhurma dhe dritat shpëtimtare. Dhe tamam, kur Shëndi, vuri këmbën në shkallë të autobusit lëshoi një psherëtimë çliruese dhe i doli gjumi.
VETËM TË HËNAVE
Agimi, çdo të hënën e dytë mungonte në shkollë. Dhe gjithmonë gjente një arsye ... Nuk e qortoja se më dhimbsej. Ishte i varfër, i sjellshëm, i pastër e simpatik. Në mësime mundohej, por në kushtet që jetonte nuk kish si të arrinte më shumë. Për të ardhur në shkollë i duhej një orë e më shumë rrugë në këmbë. Një ditë derisa ai po përthekonte setrën e arnuar nën të cilën kish fut strajcën prej bezi me libra dhe po nisej për në shtëpi, i them: Gimi, ç’janë këto mungesa tua vetëm të hënave? Çdo të dytën javë nana m’i lanë teshat shoku arsimtar dhe gati sa nuk shpërtheu në vaj...
Viti, 1969
JO VALLA
Në vitin 1981 kur bëheshin demonstratat për Kosovën Republikë, të gjithë shqiptarët e dëgjonim Radio Tiranën. Pati një shkrim të Kadaresë për Kosovën. Ç’thoshte Kadare në shkrimin e tij e kisha dëgjuar shumë herë pasi radioja e përsëriti gjithë ditën. Të nesërmen në punë më afrohet një administrator i shkollës, i cili trembej edhe nga hija e vet dhe më pyeti. Sabit, çka dmth fjala taban edhe çakall? A edhe ti po e dëgjon Radio Tiranën, i them. Jo valla, veç m’u tek me të pyet se diku i hasa në gazetë këto fjalë... Në artikullin e tij për Kosovën, Ismail Kadare shkruante, kështu përafërsisht: Rrahman Morina pa taban kombëtar dhe Mahmut Bakallin e quante, çakall.
PUNO E SHUAJ
Gjatë viteve nën okupim po pija kafe me I. Q. Ndërkohë erdhi një shok dhe po llafosnim për situatën. I. s’di si ra fjala dhe përmendi se ka financuar ribotimin e fjalorin shqip-frëngjisht të Vedat Kokonës, pastaj përveç tjerave përmendi edhe ndihmesën e tij në botimin e librit tim “Kabashi i Anamoravës”, ku përshkruhej dhe publikoheshin për herë të parë emrat e kabashëve të masakruar dhe djegia e fshatit në vitin 1913 nga pushteti serb. Ai shoku, duke mos pasur me se të lavdërohet se e njihnim mirë, reagoi: nuk është kjo ndonjë punë e madhe. Libri i Sabitit i mirë, po nuk i mbërrin as 100 faqe dhe fjalori, që e përmende, kujt i hyn në punë tash në këto kushte okupimi? Mirë e ke, i them, vërtet ashtu si po thua ti, libri im është i vogël. Sa iku i ardhuri, Ismajli ndërhyri: Pse bre nuk më përkrahe në ato që thash unë për librat, bile për librin tënd?! Nuk desha ta armiqësoj, i them, se mund të na denoncoj te “ata” dhe vaj halli për neve. Koha është, puno dhe shuaj!
MIKJA IME E MIRE
Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.
NXËNËSJA JOTE JAM
Ulej në bankën e dytë kah dritarja Ramizja. Nxënëse e urtë, e sjellshme paksa e ndrojtur. Një ditë vërej se nuk bëhej rehat. I afrohem pa e hetuar ajo dhe shoh se duart mes gishtave i ka me puçrra të skuqura. Pas orëve e pres në korridor, do të vish me mua i them te mjeku. E shoh se ke probleme me duar. U skuq fytyrës dhe pranoi. Mjeku konstatoi se në pyetje është zgjeba sëmundje që përhapet me prekje. Mos u merakos, i them, kjo sëmundje është e shërueshme dhe secilit mund t’i ndodh kjo. I shkroi mjeku ilaçet. Në barnatore morëm barërat dhe ... I them bashkë me farmacistin si duhet të veprojë e përdor ilaçin. E porosisë se mungesat në shkollë do i ketë me arsye. Ramizja pas një jave e shëruar plotësisht erdhi në klasë. Ajo kreu tetëvjeçaren dhe më nuk kisha dëgjuar për te. Pas disa viteve te ura ku prisnin udhëtarët autobusin për Letnicë më afrohet një grua, duke qeshur me një fëmijë përdore. Mirë dita shoku arsimtar! Nxënësja jote jam, a po të kujtohem. Jam martue. Kam edhe fëmijë. Faleminderit për at, të kujtohet kur më çove te mjeku, borxh t’i kam ilaçet! Po, po Ramize, i thash, duke i përmendur emrin me qëllim, për t’i treguar se nuk e kam harruar. Biseduam një copë here. Në ndarje e urova ish nxënësen time për martesën dhe për djalin si drita, që e mbante për dore.
VETËM TI
Tema më e shpesh për hartim në kohën kur isha nxënës i shkollës fillore (1953-1961), ishte: “Dëshirat e mia”. Shumica e nxënësve shprehnin dëshirë për tu bë mësues ose mjek. Nxënësit mësues përligjeshin dëshirën e tyre se i mësojnë fëmijët, kurse nxënësit mjek arsyetoheshin se i shërojnë të sëmurit. Nuk kishim shumë dëshira, ashtu siç nuk kishte shumë profesione . Unë gjatë pushimeve shkoja te motra në Shkup, atje kisha parë shumëçka dhe për gjitha ato të mirat kisha shfaqur dëshirë t’i kishim edhe ne në Kosovë dhe kisha pyetur pse ne nuk i kemi: rrugët me trotuare, parqet e rregulluara, stadiumin, pishinat, sallat sportive, libraritë me libra shqip, kioske me gazeta e revista shqip etj. Mësuesi në orën tjetër e kishte nda hartimin tim dhe më pyeti: Vetëm ti ke shfaqur dëshira tjera dhe sikur ke protestuar duke pyetur: pse, pse, mos ndoshta të kanë mësuar për ketë dikush tjetër, trego kush është ai, dhe vazhdoi, pse edhe ti nuk ke dëshirë të bëhesh mësues si shumica e shokëve të klasës? U ngrita në këmbë dhe doja t’i thosha: Edhe sikur të bëhem mësues, nuk do të isha si ti çehrengrysur, i vrazhdë e përbuzës dhe, pse po të pengojnë aq shumë dëshirat e psetë e mia, po nuk guxova. Ai ndëshkonte rëndë secilin prej neve me thupër, nëse kundërshtonim fjalën e tij, qoftë edhe kur kishim të drejt.
Antonina Kodheli PRANDAJ SOT JE KAQ I NDERUAR DHE I RESPEKTUAR NGA TE GJITHE PROFESOR SABITI. PRANDAJ KE RRETH TEJE NJE ARMATE KAQ TE MADHE LEXUESISH DHE NDERMJET TYRE NXENESIT E TU QE NDJEKIN SHKRIMET E TUA GERME ME GERME, SEPSE NUK JA U PENGOVE PSENE E DESHIRAVE TE TYRE, SEPSE EDHE TI KESHTU E DESHE KOSOVEN, KESHTU E DESHE FEMIJERINE ME PAK DESHIRA POR KUPTIMPLOTE. SA HERE LEXOJ SHKRIMET E TUA PROFESOR, ME KTHEN NJE GJYSEM shekulli PRAPA, ME DETYRON TE KUJTOJ EDHE UNE DESHIRAT E MIA DHE VE RE KE KEMI PASUR TE NJEJTAT DESHIRA DHE ENDERA, TE NJEJTAT LODRA DHE KUSHTE, KEMI PASUR TE NJEJTEN FEMIJERI PROFESOR, PRANDAJ NGJASIM AQ SHUME SI BREZ. TE FLM PROFESOR. TE PUTH ME RESPEKT FLOKET E BARDHA DHE PENEN E KUJDESSHME. TE UROJ DITE DHE JETE. TE PACA PROFESOR.
VITIN TJETËR SHKOLLOR
Gjatë punës nën okupim (1990/1999) një koleg i punës gati gjithmonë vonohej ose nuk vinte fare në mësim. Si përgjegjës i paraleleve të gjimnazit në Kabash, i them, po vonohesh dhe ke mungesa shumë, po punojmë në kushte pa kushte dhe mosardhja (mbajtja) e orëve të një arsimtari po krijon çrregullime në krejt procesin mësimor. E vërejta se i mbeti hatri për ato që ia thash krejt sinqerisht. Vitin tjetër shkollor i njëjti nuk erdhi në Kabash, shkoi në paralele tjera me mësim, me gjasë në Vërban. Pas një viti u kthye prapë në Kabash. Hë, i them, e vërejte se unë jam më i mirë, e më tolerant se ai përgjegjësi ku mbajte mësim vjet. Po valla, më tha, duke qeshur.
KAFJA E MËNGJESIT
Herët në mëngjes, në gacat e para që formoheshin nga drurët e djegur, baba e fuste xhezven me bisht të gjatë, në mes gati e këputur, me fundin paksa më të zgjeruar se në grykë. Sa merrte valë e tërhiqte xhezven, duke rreh dy-tri herë për guri të oxhakut dhe prapë e fuste në hi për t’i dhënë valë edhe njëherë, (më për ngadalë, siç thoshte), pastaj e zbrazte xhezven në filxhanin e bardhë, pa vegë, poshtë i ngushtë dhe në grykë i gjerë. E rrufiste ngadalë e me pushime. Kafen e mbante me një kuti të rrumbullakët druri të punuar mjeshtërisht me dorë. Për juve fëmijët, na thoshte, kafja asht e damshme. Kur e nxjerrke sheqerin gurë nga dollapi na ndante një guri sheqer në dy e tri pjesë.
NUK ËSHTË KORREKTE
Në një test për të na provuar neve kursistët sa kemi arritur në përvetësimin e gjuhës angleze, njëri prej shokëve kërkonte me ngulëm nga shoku përtej tij, ta ndihmonte. E vërejti ketë mësuesja. U afrua, duke qeshur, hë i tha, ke ndonjë problem? Jo, jo e gënjeu mësuesen Besi dhe ashtu kot i tha sikur deshi të pyeste vetëm për një fjalë dhe, bëhej sikur ishte kureshtar për shpjegimin e fjalës (që e dinte) nga mësuesja. Mësuesja doli me vrap nga klasa dhe u kthye me dy fjalorë të mëdhenj, ja këtu e mund ta gjesh fjalën që po kërkon. Nuk është korrekte të pengosh tjerët, nuk është korrekte të të tregoj as unë, që jam e thirrur që testi të jetë real, i tha ëmbël mësuesja Besit, duke lëshuar fjalorët enciklopedik para tij.
Universiteti Teknologjik Auckalnd (AUT), 2000
ABETARJA E XHA PETRITIT
Xha Petriti nxori nga arka Abetaren dhe me sytë mbushur me lot nisi historinë e librit, që e mbante në dorë. Nëna ma pat dërguar. Biro, fëmijët mësoj të flasin shqip! - më shkruante. Dy letra në vit, jo më shumë i merrja nga ajo. Edhe unë i shkruaja, po jo më shumë se “jam mirë” dhe pa guxuar asnjëherë të përmend emra. Po të shkruaje më shumë, letra nuk do të arrinte kurrë në dorë të nënës. Në krye të letrave të saja lexoja. “Partia na hapi sytë, na rregulloi jetën” dhe përfundonte, “të rroj partia”. I dija këto parulla, zemra më pëlciste nga ato slogane të rreme të shkruara edhe në mure, faqe mali e shkëmbinjsh. Më erdhën në jetë tre fëmijë. Ata mësuan gjuhën e nënës. Unë mundohesha, ua shfletoja Abetaren, por nëna e fëmijëve, mjedisi, shkolla flisnin ndryshe. Shqip mund të flisja me vetveten dhe ketë e bëja shpesh. Kur me kapte malli, mërzia për të komunikuar në gjuhën time me kilometra udhëtoja për takuar bashkëpatriotët e mi të pakët. Me të marrë vesh se po vinte këtej përtej oqeaneve ndonjë nga toka e origjinës, të gjithë shqiptarët, ama të gjithë sa ishim, dilnim në aeroportin internacional të Auckland-it. E vërshonim më pyetje. Hë, ç’kemi andej dhe e shihnim mos ndoshta ka me veti ndonjë gazetë, revistë në gjuhën shqipe. E rëndë, shumë e rëndë, ke atdhe dhe e ke të ndaluar ta vizitosh. Pas pesëdhjetë vitesh malli e pritjeje zbrita në aeroportin e Rinasit. Rash në gjunjë, putha tokën mëmë, në shtëpi nuk e gjeta nënën, më thanë, ka ikur nga kjo botë, me emrin tënd në gojë. Xha Petriti, duke lëshuar Abetaren, si një gjerdan të florinjtë, ngadalë e me kujdes në arkë, përfundoi: Shyqyr, vdiq njëherë e përgjithmonë lubia e kuqe.
Nëntor, 2012
PATA FILLUE SHKOLLEN 5 VJEÇ
Në kafenenë e qytezës po bisedonim për historinë e fshatit të lindjes. Bashkëfolësi nuk pushoi së foluri për historinë fshatit ashtu siç e kisha shkruar unë në librin tim “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997. Po mirë, i them, ku i mësove të gjitha këto. Nga gjyshi e lokja, më thotë. Bile edhe i kam pas shkrue ato ma kryesoret. Sa vjeç ishe kur e dëgjoje ketë histori dhe merrje shënime nga gjyshi, vazhdova unë. U ndal dhe i zënë ngushtë, u përgjigj , aty diku 6-7 vjeç. Bravo, edhe në at moshë paske dit të shkruash. Po, po se, pata fillue shkollën 5 vjeç. Thirri kamerierin për të paguar pijet, u bë sikur kish punë dhe iku.
TE RROTA KUQE
Te një restorant afër Rrotës kuqe takohemi. Nuk e dija as restorantin as rrotën e kuqe. Si, më thotë mikja, matanë celularit!? Të gjithë kosovarët e dinë ketë vend në Durrës. Prej këtu nisen autobusët për Prishtinë dhe këtu zbresin kosovarët kur vijnë. Mirë, përgjigjem, shoku im e di me siguri. Dhe me veturën MINI COPER të Sahitit nga Përroi i Agait (Golem) për disa minuta ishim te restoranti. Hidhemi në krah njëri tjetrit. Për herë të parë po takoheshim, për herë të parë po shiheshim live. Shtrëngim duarsh, përqafime sikur të ishim parë me dhjetëra herë, me qindra herë, me mijëra herë. Mikja nuk m’i lëshon duart, më përqaf, puth ballin ... Marrim nga një pije, vazhdojmë me llafe. Nxjerr librat që kisha përgatitur t’ja dhuroja asaj dhe ... Firmosi profesor! - më thotë korçarja. Hap faqen e parë dhe dua t’i shkruaj dy - tri fjalë. Nuk mundem, nuk di, e lë dhe prapë e hap faqen ku dua ta shkruaj kujtimin. Dikur me një shkrim si me këmbë pule mezi i firmosa fjalët e shkruara. Flm. profesor, do jetë kjo dhuratë ndër më të mirët, më të çmuara për mua, u falënderua recensentja e librit tim: “LETRA, ANEKDOTA, AFORIZMA”, znj. Antonina Kodheli.
Durrës, 27 gusht 2013
Antonina Kodheli TAKIM I PHARUAR PROFESOR, NJE ENDER E BUKUR U REALIZUA. NUK E DI C;NDJEVA KUR DEGJOVA PER HERE TE PARE ZERIN NE CELULAR. E NJHNJA KETE ZE NGA VIDIOT ME POEZITE E TUA, KURSE TY TE NJHNJA QE NJE SHEKULL ME PARE, SEPSE NA BASHKONTE E NJEJTA FEMIJERI DHE E NJEJTA KULTURE DHE HISTORI JETE. NUK E DINJA NGA DO ME DILNJE TEK RROTA E KUQE, DO VINJE SI KEMBESOR, DO ZBRISNJE NGA NDONJE URBAN, APO NGA NDONJE MAKINE? SIDO QE TE ISHTE, UNE DO TE TE DALLOJNE NE MES GJITHE ASAJ TURME NJEREZISH QE VRAPONIN PER PLAZH. NDALOI MAKINA DHE ERDHA ME VRAP. SI TASHTI E MBAJ MEND, NE ATE MOMENT KALONTE URBANI DHE DOHET TE NDALONTE ATY, TEK STACIONI I TIJ. I NGRITA DOREN SHOFERIT TE ME FALTE DHE QENDROI DISA METRA ME LARG DUKE BUZEQESHUR. E KUPTOI. NE ATE CAST KY ISHTE VETEM STACIONI IM. KISHIM KALUAR DETE DHE OQEANE DHE ZOTI NA NDIHMOI TE NJIHESHIM NGA AFER PROFESOR. PROFESOOOORRR, TE THIRA. SI JE NINA? ME PYETE.U TAKUAM, U PERQAFUAM DHE FILLUAM NJE BISEDE SI VETERANE TE VJETER. SA BUKUR ISHTE. ATE MOMENT BASHKONIM KORCEN ME KABASHIN.QESHEM DHE QAME SHQIPETARISHT. KUJTIM QE DO ME MBETET NE KUJTESE PER GJITHE JETEN PROFESOR. NJEREZIT E MIRE SI TY JANE KAQ SHUME PAK. LUM KUSH KA FATIN E MIRE SI UNE TE TE NJOHE DHE TE GJENDET AFER TEJE QOFTE EDHE NJE MOMENT. TE FLM PROFESOR QE ME DHE MUNDESINE TE JEM BASHKEPUNETORE NE LIBRIN TEND. NDER TE MADH ME BERE. TE PERQAFOJ FORT TY DHE GRUAN TENDE TE NDERUAR, REMZIEN. TE PUTH DUART DHE FLOKET E THINJURA, PENEN DHE MENDJEN E NDRITUR. SA SHUME DO TE TE SHKRUANJA PROFESOR PER KETE TAKIM
Kavajë, gusht 2013.
Në Kavajë, po kërkonim tregun e gjelbër. “Ja aty menjëherë në të djathtë kthehuni, afër është tregu”, na thotë një punëtor në pompën e benzenit. Sahiti futet rrugës që na tha i riu dhe vëren se rruga është njëkahshe (njëdrejtimëshe), tenton të kthehet, por ndërhyn policia (dy ishin) që po prisnin gjahun. Lejen ju lutem! E pashë që gabova dhe desha të kthehem, i thotë Sahiti policit, duke ia dhënë lejen. Kjo është shkelje e rëndë Zotëri e rregullave të komunikacionit! Tani duhet të shkojmë në komisariat të policisë dhe ... Jam i vetëdijshëm që gabova, por nëse nuk më falet gabimi jam gati të paguaj dhe nxori kuletën. Dil nga makina një çik, do ja bëjmë disi ... Pas pak kthehet Sahiti brenda veturës. Hë i them, sa lekë t’i morën? Dymijë lekë dhe çka është më keq i morën për veti. Sigurisht, që për veti, i them, i pe sa të dhjamosur që ishin, barku ju kish shkuar te gjunjët.
Shkrimet më poshtë janë te botuar në librin “Letra ...”
AJO
Shtatlarte si një skandinave, elegante, me fytyrë bardhoshe krejt natyrale, flokët kaçurrela, dy sy të shkruar, të mëdhenj, të gjallë e të lëvizshëm. Ndërsa flet të tërheqin vëmendjen buzëqeshja që nuk i ndahet nga fytyra, vetulla e ngritur si krah dallëndysheje, shikimi i saj kureshtar për të mësuar se ç’po ndodh edhe përtej Olimpit e yjve. Gjithmonë e etur për dije. Me bagazh historik e kulturor të shumanshëm të dijes për çështjen shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare. E kohës me kohën. Shqiptare, has shqiptare e ditëve tona.
LOVELY DAY TODAY
Bregut detit po bëja shëtitjen e mbrëmjes. Dy zonja para meje me një buzëqeshje elegante si të kurdisur, më ndalin: Lovely day today! Po, po përgjigjem në anglishten time si në shqip. Më hetojnë që jam i huaj. Vazhdojnë ecjen në hap me mua. Zelanda e Re e bukur!? E bukur. – përgjigjem. Aty afër dy peshkatarë (aziatikë), kishin lëshuar grepat. Ato afrohen me llafe të ëmbla dhe ua hapin kutitë për të parë (kontrolluar) mos kanë zënë peshq më të vegjël se sa është e lejuar. Zonjat në krah të njëra tjetrës vazhdojnë ecjen, duke shikuar djathtas e majtas mos dikush po dhunon natyrën, shkel ligjin, thyen rregullat e mirësjelljes. Ehu ofshana, për natyrën, ligjet ... në Kosovë, që dhunohen e thyhen haptas e fshehur dhe nuk reagon kush.
TAKIMET E DON MIKEL TARABOLLUZIT
Në takimet e Don Mikel Tarablluzit që tashmë janë bë tradicionale në fshatin Stubëll, komuna e Vitisë, at vit (1991 nëse nuk gabohem) erdhën shumë manifestues. Poshtë rrugës që kthehet në të majtë për në Stubëll një patrol e policisë serbe me armë ngrehur torturonte e ndalonte manifestuesit dhe nuk lejonte të vazhdohej rruga me vetura e mjete tjera motorike. Manifestuesit i lenin makinat dhe nga aty vazhdonin në këmbë. Një mot vere, në ditën e dytë të asaj vjeshte (22 shtator). Rruga ishte e lodhshme, sidomos për të moshuarit. I shihja të djersitur tek ngjiteshin rrugës dredharake përpjetë, tek ndaleshin për të pushuar ashtu në këmbë, në mesin e tyre edhe Dr. Mark Krasniqi, Leze Qena, Xhevat Qena 1930-2003, Dr. Engjell Sedaj 1943-2006, Sabri Fejzullahu etj. Poeti Zejnullah Halili 1945-2004 me një vajzë të vogël (mbesa ose vajza e tij) të cilën e mbante për dore, kur lodhej ajo ai e merrte në krah. Djersët i shkonin çurg faqeve, ndalej pushonte dhe prapë vazhdonte. Në katund dyert e shtëpive të hapura për manifestuesit. Në hyrje të kishës së vjetër ku mbahej manifestimi, një tank ushtarake, ushtarë e polic veshur me pancir, një prej tyre me kamerë incizonte ardhjet. Manifestuesit vazhdonin të vinin pa përfillur tanket dhe futeshin brenda oborrit, ku mbahej manifestimi.
QEJFI I DUHANIT
Cigaren kur e mbështjellke ashtu ngadalë baba Ruhan, e pyesja, pse kaq të trash po e bën? Po kursej letrat se ma qesat letrat se duhani janë, përgjigjej. Vetë e grinte, e terte duhanin dhe herë i dukej i sertë, herë javash ... kur e bënte tamam, as gërzhim, as i butë i harxhohej dhe fillonte me tjetrin. E ruante në vend të veçantë se frikësohej mos po i merr duhmë. Duhani pihet për qef... Kur grihet hollë, letrat e mira dhe e dhes me eshkë është më i shijshëm. Këto të maqinës që po i pinë këta të rijt, si me pi dushk janë, thoshte.
UNË JAM SKËNDERBEU
Në vitin shkollor 1968/69 për herë të para mora ditarin në dorë. Me entuziazëm e përkushtim punoja ashtu siç kisha mësuar nga librat se profesioni i mësuesit është i shenjtë. Shpesh edhe dilja jashtë plan programit me ndonjë lekturë shtëpiake. E kisha në qejf prozën e Mitrush Kutelit dhe këtë doja ta bart edhe te nxënësit. Në orën “Ushtrime në të folurit” (nëse nuk gabohem) shpjegova tregimin, që bënte fjalë për kryetrimin e Krujës Skënderbeun dhe tradhtarin Ballaban Pasha. Me fjalët e shkrimtarit përshkrova tërë madhështinë e Skënderbeut dhe të shiturin tjetër për lavde Ballaban Pashën. E shihja se nxënësit i përpinin fjalët e mia. Gëzoheshin për krahun e fortë të Skënderbeut, shpatën e tij të rëndë dhe gjunjëzimin e tradhtarit Ballaban. Ra zili dhe ... Pas 5 minutave vijnë tek salla e arsimtarëve dy nxënëse dhe më kërkojnë. Arsimtari Sabit, eja shpejt se Goni po do me na mbyt, ka marrë nji dru në dorë dhe po thotë unë jam Skënderbeu.
KUJDES JU LUTEM
Me gruan po prisja djalin në parking. Dy të rinj dolën nga Supermarketi, me gjasë aziatikë, të cilët u futën brenda veturës, hapën një diçka, mbështjellësin e bënë shuk dhe e hodhën përtej xhamave të dritares. Excuse me, më thotë nga larg një i moshuar, i cili lëvizte me bastun në dorë, please, thuaj atij çiftit në veturën Toyota të më presin. Unë me anglishten time të varfër u them atyre ta presin se një person ka një fjalë me ta. Sa u afrua ai, ata hapën dritaren dhe po presin, zotëria u përkul, mori ato letrat e zhubrosura në tokë dhe ua kthehu brenda në veturë. Kujdes ju lutem, u tha, plehrat në kazan të plehrave!
ASDRENI JETON
Në fund të ligjëratave nga lënda Histori e letërsisë shqiptare II, maj 1968, e lutem Prof. Petro Janurën (1911-1983) të na fliste për jetën e tij. Po bëj abstraksion, na tha profesori, se parimisht nuk flas për vetën. Foli shkurt dhe u ndal më shumë te takimet e tij me poetin Aleksandër Stavre Drenova (1872 – 1947) në kryeqytetin e Rumanisë në Bukuresht. Poeti, vazhdoi prof. Janura, ushqehej në gjellëtoren e një shqiptari. I zoti i gjellëtores për të mos prekur sedrën e poetit bëhej sikur po bënte pagesën, por realisht i merrte pak para. Asdreni preferonte të shëtiste shtigjeve të parkut dhe në të njëjtën vend ulej gjithmonë. Ndodhte shpesh të kthente në restorantin e bukur, pronë e një shqiptari nga Korça. Ne studentët shqiptarë shkonim në restorant për shkak Asdrenit dhe dy vajzave të bukura të pronarit, të cilat nuk na përfillnin fare. Uleshim me poetin, i cili poezitë i mbante në xhepin e poshtëm të jelekut. I nxirrte dhe na lexonte. Një ditë erdhi pronari, dhe nga pozita e njeriut të fort, i tha Asdrenit: Z. Aleksandër, mund te vish tek unë, ta siguroj një dhomë fjetje dhe do t’i kishe të gjitha falas në restorantin tim. I prekur në sedër, poeti u ngreh në këmbë dhe duke rënë me bastun dyshemesë, kundërshtoi: Mos mendo se je më i kamur se unë, kam sa për të jetuar dhe jetoj si dua vetë ... nuk dua lëmosh nga askush dhe iku... Vërtet ashtu siç tha poeti ishte, pronari i restorantit vdiq, vajzat e tij nuk u martuan kurrë. E bënë rrush e kumbulla pasurinë e të atit dhe u harruan për së gjalli. Asdreni jeton edhe pse nuk la pasuri, pallate e trashëgimtarë - përfundoi profesori.
Shkup, 1968
Miki Tahiri Profesor i nderuar,
Faleminderit per keto postime me shume domethenie...
ketu reflektohet karakteri i nje intelektuali te mirefillt qe nuk e shet unin e vet per asnje qindarke e asgje tjeter.
Karakteri i nje pronari qer ofron ndihme nga zemra e jo per m´u ngrite n´hava me lavd (apo si me qallgia te gabelve)
Karakteri i nje pronari(debil) e te ceket kah rradakja, i cili kujton se nje intelektual e ne kete rast, ASDRENI, blihet me pare..fatkeqesisht, keto tipare patologjike tani mbizoterojne jeten e perditeshme shqiptare, intelektualet e pa cipe qe pa kurrefar turpi malltretojne shkronja per lavd e per me ba ushtar rreth vetit apo rreth atyre me xhep te fort, qojne ne hava poet e poetesha qe lidhje me tru s´kane, qe ne rreshtat e poezive te tyre me shume dominon „folja“ se sa fjale tjera...etj. etj..me nje fjake, vec gerrdite me t´i shti e hajt...
gjithnje me respekt te veçant per ju e shkronjat Tuaja me te arta se vet ari......
Antonina Kodheli NE RADHE TE PARE PROFESOR TE FALENDEROJ PER KETE REFIM QE DO TE ME MBETET NE MENDJE PER TE GJITHE JETEN. NUK ESHTE VETEM NJE REFIM I THJESHTE DHE I SHKRUAR BUKUR DHE ME AQ KUJDES,POR ESHTE NJE DOKUMENT ME SHUME NE DUART E LEXUESIT PER ASDRENIN.NUK DO TE BEJ KOMENTIN E TREGIMIT SEPSE MIKI TAHIRI I KA THENE TE GJITHA, POR ME BERI PERSHTYPJE QE KY SHKRIM I POSTUAR NE NJE SOFER POETIKE,U LEXUA NGA KAQ PAK POETE. KJO TREGON NGRITJEN E CDO POETI DHE VARGETARI NE KETE FAQE,CFARE DINE TE VLERESOJNE,DHE CFARE JU INTERESON. KY TREGIM SOT PER KETE FAQE DUHET TE ISHTE MASKOT. PROFESOR,SA SHUME E HIJESHOVE,SA SHUME E VLERESOVE KETE FAQE, TI SI PROFESOR,SHKRIMTAR,POET,HUMORIST DHE HISTORIAN,ME MIRE SE KUSHDO TJETER E DI CI MUNGON KRIJIMIT DHE MUNDOHESH TA PLOTESOSHT KETE.TE FLM O NIERI I NDERUAR,NE SHENJE RESPEKTI TE PUTH PENEN E RRALLE. TE PACIM SABIT ABDYLI....SA SHUME DESHA TJU NJHNJA PROFESOR, SA SHUME DO MESONJA PREJ TEJE. TE URROJ SHENDET DHE GJITHE TE MIRAT NE JETE
E DIMË NE, KUSH JE TI
Në tetor të vitit 1981 pata një operacion në veshin e majtë dhe për disa ditë e mbajta në kokë për të mbrojtur veshin që e kisha operuar me një kapulaçe të zezë ku në pjesën e fundme kishte tri vija me ngjyrë të kuqe. Ngjyrave nuk i kisha dhënë fare rëndësi dhe nuk më kishte shkuar mendja se në vitet e më vonshme, në kohën e diferencimit të egër, të më akuzojnë e kërcënojnë për kapulaçen: E dimë ne, kush je ti, edhe kapulaçen me ngjyrat kuq e zi e mbaje në kokë.
ME USHTARË E OFICERË E NJOFSHIN
Në fund të viteve të 70-ta po udhëtoja vetë me veturën time nga Prishtina për në Ferizaj (Kabash). Te udhëkryqi që ndahet për Lipjan e mora një burrë diku mbi 60 vjet. Hyri në veturë dhe nuk fliste fare. Pas një copë rruge, i them, axhë fol diçka, të mora mem ba shoqëni se nuk të mora për pare. O valli bash qaty kesh tu mendue. Po burri që qenke, bre! Prej nga je?- vazhdoi ai. Prej Kabashit. Valla me emën jeni ju kabashi. Në ushtri e kem pas nji prej Kabashit, ja kam harrue emnin se krej i thoshim, Kabash. Me ushtarë e oficerë e njofshin se veç ai në krejt batalionin tonë pinte (mbështjellte cigaren) cigare me letër të holla. – vazhdoi axha me lavde pa u ndalë hiç deri sa zbriti në Llugaxhi.
PENDESA
Në TV ma tërhoqi vëmendjen rrëfimi një nëne dhe vajzës saj. Nëna ishte bijë e një gjenerali të Hitlerit e ardhur në Zelandë të Re në vitin 1951. Edhe nëna edhe e bija me lot në sy rrëfyen trishtimin, brengën, që ju rëndonte si gozhdë në zemër për ato mizoritë që babai gjegjësisht gjyshi si gjeneral i ushtrisë së Hitlerit gjatë luftës u shkaktoi popujve, sidomos hebrenjve dhe vetë gjermanëve. Me mijëra herë, thoshte e mbesa e gjeneralit, duke dënesur, kam dashur kur shihja ndonjë hebrenj t’i kërkoj falje për ato që kishin ndodhur kur unë nuk isha ende në jetë. Çfarë ndjenje përgjegjësie e pendese, mendova, edhe për veprat që nuk i kanë bë vetë. Serbët, as si shtet, as si individ ende nuk gjejnë forcë të kërkojnë falje për krimet e bëra mbi popullin tonë!?
SHOKË
Shokë, shteti ynë socialist, në krye me shokun Tito, si asnjë shtet tjetër në botë dita ditës po përparon, por për shkak krizës ekonomike të shteteve kapitaliste, që kanë nevojë për përvojën e punëtorëve tanë, kem pranuar që ju përkohësisht të shkoni në shtetet e përmendura. Po them përkohësisht, se me përparimet e ekonomisë së shtetit tonë socialist shumë shpejt: gjermanët, austriakët, anglezët etj. kanë për të ardhur për të kërkuar punë te ne. Rroftë shoku Tito!
Fjalime të mbajtura në vitet 1966/1968 para punëtorëve që shkonin si punëtorë krahu në shtetet e Evropës .
ROJET E DREQIT
Mars-maj, 1982
Në hyrjen kryesore të Komunës në Viti, kah rruga që shkon te çerdhja e fëmijëve, delegatët e Kuvendit Komunal (bashkë me ta edhe unë), po prisnim fillimin e mbledhjes ashtu së bashku. Ndërkohë Xh. H., që ato ditë kish dalë nga burgu po vinte rrugës. Sa e vërejtën delegatët, ish kolegët e punës dhe të tjerë u larguan me vrap për t’i ikur takimit me “anmikun” e bashkim vëllazërimit të popujve “të barabartë” të RSFJ-së. Unë nuk lëviza dhe po qëndroja aty ku isha. Xh. H. para se të më afrohej shkoi në qoshe të trotuarit (ndoshta për të mos më ngushtuar mua) duke vazhduar rrugën dhe po bëhej sikur nuk me shihte. Xhevat, i afrohem, dhe duke i folur për dore krejt hapur, si me çdo person tjetër, i thash, si je dhe a e kreve kursin politik (lexo burgun)? Po, tha, duke qeshur dhe më bëri me dije, se është nën vëzhgimin e rojeve të dreqit. Dhe vërtet, nga dritaret e zyrave kush haptas kush pas perdeve e shikonin. Franka Kod E KEMI JETUAR KETE KOHE,TEK NE QUHESHIN TE PERSEKUTUAR DHE CILET ISHIN ATA?NJEREZIT ME TE MIRE QE KAM NJOHUR NE JETEN TIME,NUK ISHIN KRIMINELE,POR REVOLUCIONARE,ISHIN ATA QE NGRITEN ZENE KUR NE FLINIM,SE KUR U NGRITEM NE ISHTE SHUME VONE PROFESOR.DICKA BEME PO,NA NDOQEN DHE PER QIME I SHPETUAM PLUMBIT,POR QELLIMIN TONE E PLOTESUAM,QOFTE ME PAK VONESE.PO TE KISHIM MBETUR NE SHQIPERI TE NJEJTIN FAT DO KISHIM ME SHOKET TANE QE U VRANE,3000 BRENDA NJE NATE,NATEN QE REZUAM BUSTET E ENVER HOXHES. KISHIM MES NESH NJEREZ SI XH.H.DHE ISHIM TE KUJDESSHEM SHUME,JO PER VETEN TONE,POR QE MOS RENDONIM SHOKUN APO SHOQEN TONE.ASNJEHERE NUK NDROVA RRUGE,POR KENAQESHA TE BISEDONJA ME TA, NUK ME INTERESONTE ME CFARE SY E SHIHNIN TE TJERET,PER MUA ISHTE SHOQJA IME E FEMIJERISE, MBANTE PJESEN ME TE BUKUR TE FEMIJERISE TIME. JEMI NJELLOJ PROFESOR,JEMI BREZ I BUKUR NE,LINDEM REVOLUCIONARE.SHUME HERE NA I PRENE RRUGEN,POR NE E BEME TONEN,NUK MOREM PARASYSH ASGJE. TE FLM HISTORIAN QE ME DHE EDHE NJEHERE MUNDESINE TE SHPREH ATE QE DESHA TA THESHA DIKU,PAS 23 VJETESH. TE PUTH PENEN DHE DOREN E QETE.PAC SHENDET DH GJITHE TE MIRAT NE JETE...TE FLM!
UNË NUK KAM NEVOJË
Mbas luftës në Kosovë (tetor 1999) katërdhjetë e sa familje shqiptare erdhëm në Zelandë të Re. Në kamp ku ishim të vendosur nisën kontrollet mjekësore për gjendjen fizike e psikike të refugjatëve. Mua si gjithë të tjerët më mori në pyetje psikologu dhe në fund më tha: Ke nevojë ti për psikolog? Po, i thash, pas gjithë atyre mizorive të luftës që i përjetova mund edhe të kem nevojë, pse jo. Një refugjat aty afër meje, jo, tha, unë nuk kam nevojë. Bash ti, paske nevojë, bile për dy, se një është pak, ndërhyri psikologu. Kështu është puna me këta tipa njerëzish “të prekur”, nuk e dinë që kanë nevojë për ndihmë.
NË HAP ME KOHËN
Për të qenë në hap me kohën sot do të duhej të ndërroja gjithçka në jetën time: do të duhej të isha mësue të shtyhem me bërryla, me rrah gjoks e me premtue, me thanë të keqes e mirë, të mirës e keqe, me u ba i dëgjueshëm për të madhin dhe diktator për të voglin, me krye nji shkollë sa me dit me nënshkrue, me fol shumë e mos me thanë kurgja, me i lëmue politikanët, me u ju larit e ba gjithmonë krah i të fortit, kurrë mos me thanë po as jo, do të duhej të isha mësue buallin me ba mizë e mizën buall dhe copën e madhe gjithmonë, ama gjithmonë me marr për veti.
NJERIU I DITËVE TONA
Shtyhet me bërryla. Rrah gjoks për hiç gjë. Premton, premton ... Patriot vetëm me llafe. Të mirës i thotë e keqe, të keqes e mirë. Për të madhin i dëgjueshëm, për të voglin diktator. Shkrim – lexim nuk di mirë. Fol shumë e nuk thotë kurrgjë. Gjithmonë është në krah të të fortit. Nuk dihet kur thotë po e kur jo. Buallin e bën mizë, mizën buall. Copën e madhe gjithmonë e merr për veti. Në ahengje është i pari. Kur duhet djersë e punë humbet si shurra e pulës. Zgjatët e mblidhet si llastik. Kavalier e dorë lirë me para të shtetit. Ngjitet në dy krah, majtas e djathtas. Nuk skuqet kur mashtron e kur rrenë sa a skuqet kosi, njeriu i ditëve tona.
SA PËR NJË NOTË KALUESE
Shkup, maj 1967.
Shkova te shoku im i ngushtë E. H. student në akademinë e arteve shumë i talentuar (sidomos në skulpturë) dhe i them: Në kinemanë “Vardar” po luante një film i mirë, hajde po shkojmë. Qysh bre në film!? Sa fillova me lexue pak se nesër kem provim prej pedagogjisë - u përgjigj ai. Kem mësuar sa kem mësuar, i them, natën e Bajramit nuk mbahet qurani. Prit, ta pimë nga një kafe një herë dhe mori xhezvet... . Derisa ai po bënte kafet unë e mora librin e pedagogjisë (libër i trashë me autor rus) dhe po e shfletoj. E shoh se ato pak faqet e librit, që i ka lexuar i kish nënvizuar me laps. Unë e marr lapsin dhe vazhdova t’ia nënvizoj titujt tjerë gati deri në fund të librit. Dhe derisa po pinim kafet Emini e mori prapë librin në dorë dhe kur e pa se edhe pak faqe i kanë mbetur për t’i dalë në fund, tha: Po shkojmë, se edhe pak faqe më paskan mbetur pa i lexuar, kur të kthehem prej filmit edhe këto i lexoj. Dhe, e di ti, vazhdoi ai, këto dreq lëndë të përgjithshme i mësoj sa për një notë kaluese se nuk më interesojnë hiç.
PO NDJEHMI TË RREZIKUAR
Një koleg i punës, që në fund të viteve të 80-ta të Jogurt Revolucionit serb gjendej gjithë andej qyteteve ku protestohej, duke mbajtur fjalime të zjarrta. Ishte historian dhe me aftësi të jashtëzakonshme oratorie, por nga njëherë edhe i përhumbur sa edhe nxënësit e koleget e punës talleshin me te. Mes orëve të pushimeve, i them me humor, se ndryshe nuk guuxoja: Koleg, tu ka ngjir zëri duke mbajtur fjalime gjatë protestave, pastaj ke humb edhe kilogram. Po, më tha, ne serbo-malazezët po ndjehemi të rrezikuar, ja për shembull nga nataliteti i madh i juve shqiptarëve. Sa fëmijë i ke ti? Dy vajza e dy djem, i përgjigjem. E sheh?! Sa i mjerë je, edhe lindjet po të pengojnë!? - reagova. Ai ishte ende i pamartuar dhe kishte një fëmijë jashtë martesës, të cilin nuk e pranonte për të vetin, por gjyqi konstatoi se ishte i tij dhe ... Ti, vazhdova, nuk je fare i martuar dhe ke një fëmijë, po të ishe i martuar kush e di sa do t’i kishe! Pas ardhjes në pushtet, ata, për të cilët ai aq shumë vrapoi, e lanë me gishta në gojë.
LIBRI DHE INTERNETI
Sipas mendimit tim, libri ishte dikur, është edhe sot, burim kryesor prej nga marrim dituri, informacion për të kaluarën dhe për të tashmen, por njeriu në këtë kohë moderne do të mbetet me mungesa nëse nuk e ka edhe një “shok” tjetër, siç është interneti, për plotësimin e diturive, marrjen e informacioneve sa herë që gjendet në mëdyshje ose kërkon diçka të re, siç thuhet, alla minutë. Edhe literatura edhe interneti kanë anët negative, por vetëm për ata që nuk kontrollojnë veprimet e veta sa duhet dhe nuk janë në gjendje ta dallojnë çka është e mirë dhe çka e keqe. Maniak e Sekte të ndryshme përmes librave, pamfleteve, shtypit të verdhë infektojnë ata që mund t’i infektojnë, e njëjta gjë edhe më bindshëm dhe më lehtë e më fuqishëm bëhet përmes internetit. Njerëz kujdes!
KONCERT I RITA ORES NE AUCKLAND
Këngëtarja e njohur Rita Ora mbajti koncert në sallën e madhe “The Powerstation” të qytetit plotë e përplot me shikues në mesin e të cilëve edhe shumë shqiptarë. Për dy orë më radhë, këngëtarja që nuk harron asnjëherë te deklarohet se ka lind në Prishtinë dhe është shqiptare, u duartroket. Secila këngë e soj u përcoll me thirrjet: Rita, Rita, valëvitjen e flamujve kombëtar shqiptar dhe shtetëror. Për disa çaste Rita e mori flamurin kuq e zi në duar dhe vazhdoi të këndojë edhe ajo e entuziazmuar për praninë aq të madhe të shqiptarëve. Salla oshtinte nga ovacionet dhe ngazëllimi i të pranishmëve. S’ka dyshim se koncerti i Rita Orës ishte ngjarje e madhe për shqiptarët me banim në Zelandën e largët.
UNË JAM PRO
Në mbledhjen e Pleqësisë së shkollës (vitet 1987/88) kishim në rendin e ditës pranimin e një praktikanti. Shkollat atëherë ishin të obliguara të pranonin një praktikant për një vit shkollor. Mbas diskutimit sikur u morëm vesh shumica për njërin prej konkurruesve. Njëri prej profesorëve, i cili rrallë diskutonte dhe donte të ishte mirë me të gjithë, por mbas ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, në kohën e propagandës të intensifikuar kundër shqiptare qiti brirë, u ngjallë dhe herë deklarohej malazez, herë malazezo-serb, herë serbo-malazez, i mërzitur dhe buzëvarur për fatin e serbo-malazezëve, tha: ‘Rendi është kësaj here ta pranojmë një praktikant të nacionalitetit serb dhe kjo do ta ndalte shpërnguljen e serbëve e malazezeve.” Po, i them, ja këtu e kem listën me emrat e të papunëve që e ka lëshuar Enti për Punësim, nëse e gjen një serbë të pa punë, qoftë edhe vetëm me shkollë fillore, unë jam pro propozimin tënd. E mori listën me rrëmbim dhe e lexoi (të papunësuar ishin të gjithë shqiptarë). I zënë ngushtë që nuk gjeti asnjë serb të pa punësuar e zhubrosi listën e Entit pa dit se ç’po bënte.
NUK MË LËNË TA VAZHDOJ SHKOLLIMIN
Vëlla e motër i kisha në klasë. Motra Dita dallohej me mësime shumë më shumë se i vëllai, por gjithmonë i mungonte entuziazmi e dëshira për ta treguar vetën. I vëllai Toni ndihej superior edhe pse ishte më i vogël me vjet se e motra, vetëm pse ishte djalë, por i dobët në mësime. Kur u vinte prindi interesohej vetëm për djalin dhe asnjë fjalë të vetme për të bijën nuk e thoshte. Lam, i them unë, djalin e ke të dobët në mësime, por vajza është ndër nxënëset më të mira në shkollë, mos më e mira. Toni më intereson se çikat janë të derës huej dhe nuk e kam mendjen me ja vazhdue shkollimin veç sa ta kryen ... Pas këtij takimi me Lamin (prindin), kuptova kryeneçësinë e të vëllait dhe mbylljen në vetvete të së motrës. Bile një ditë vetë Dita, më tha: S’më lënë ta vazhdoj shkollimin. Kot i kam radhitur pesat në ditar! Nuk është kot, i jap kurajë unë. Ndërron situata, flas unë me Lamin, ti duhesh ta vazhdosh shkollimin. Në fund të vitit pasi komunikova suksesin e nxënësve e ndala Lamin. Lam, i them, ja dëftesa e djalit dhe e vajzës. Djali ka arritur ketë sukses të mirë falë së motrës, ti po deshe ta shkollosh djalin duhesh edhe vajzën. Vetëm e motra mund ta ndihmojë Tonin në vazhdimin e shkollimit, ashtu siç e ndihmoi edhe këtu. Dita pas kryerjes së fakulteti u punësua në shkollën ku punoja edhe unë.
DHURATËN E KTHVA NË SHTËPI
Ish nxënësja ime kish kryer fakultetin dhe punonte me mua në të njëjtën shkollë. Profesor, gjatë pushimit mes orëve, më thotë, a të kujtohet? Hë, mendova, mund ta kem lënduar më ndonjë fjalë a gjest tjetër Maxhiden se fjala e keqe nuk harrohet kurrë. Fol, i them, të mbaj mend, si nuk të mbaj, e urtë, e sjellshme, nxënëse e shkëlqyeshme... Ishte dita kur komunikoheshin notat, kush çfarë suksesi ka arritur, vazhdoi Maxhidja, më babën erdha për të dëgjuar suksesin dhe marrë librezën e notave. Si dhuratë për ty pa ta blerë një diçka të vogël. Dhuratën e ktheva në shtëpi, nuk ta dhashë se si kujdestar klase prisja t’i më kishe përmirësuar dy katërshe në pesa dhe do të dilja krejt shembullore, por ju... ?! Vërtetë ashtu ishte, Maxhide, kur ishte puna për të humbur vitin edhe intervenoja se humbja e vitit kushton shumë, jo vetën nxënësit, por edhe familjes, shoqërisë dhe gjithmonë tek nxënësi kërkoja me çdo kusht të gjeja diçka te ai sa për t’i dhënë notë kaluese kurse, kur ishte puna te notat e mëdha aty isha i kursyer edhe vetë e lëne të kërkoj prej kolegëve, diçka të tillë. Tash, kur po e ushtroj vetë ketë profesion, përfundoi Maxhidja, kam ndërruar mendjen dhe më duket sikur jam me faj që dhuratën e ktheva në shtëpi.
EMIGRANTË JASHTË
Në fillim të vitit shkollor 1998/90 në gjimnazin e Vitisë u pranuan 14 nxënës nga Kumanova, të cilët në kohën e fushatës së egër, që bëhej kundër çdo gjëje shqiptare në Maqedoni, ishin përjashtuar vetëm se kishin kërkuar të shkolloheshin në gjuhën shqipe. Shovinistët serbë, në Viti, të verbuar nga nacionalizmi dhe urrejtja kundër shqiptarëve organizuan protesta me ketë rast, duke kërkuar largimin e fëmijëve të pranuar nga Kumanova me thirrjet “kumanovci napole” (kumanovasit jashtë), “dole bellokapci” (poshtë kapuç bardhet, “dole shiptarski seperatisiti” (poshtë separatistët shqiptarë), “emigranti napole” (emigrantët jashtë), aludohej në disa familje emigrantesh, të cilët kishin shtetësinë Jugosllave. Demonstruesit pasi defiluan rrugëve me ikonografi çetnike të qytetit, erdhën zhurmshëm në oborrin e shkollës dhe me dhunë hyn brenda objektit, duke kërkuar dorëheqjen e drejtorit dhe zëvendësit të tij. Folësit, kuadro të vjetra e të reja me fjalime të përgatitura në Beograd përshëndeteshin me ovacione kur kërkonin përjashtimin e nxënësve nga Kumanova dhe të arsimtarëve shqiptarë “nacionalistë”. Pas protestave, presioneve të shumta të njëjtit nxënës jashtë çdo rregulli u larguan nga shkolla pa asnjë faj. Inspektorë e titullarë të administratës komunale, UDB-es ditë me radhë kontrolluan krejt dokumentacionin e të regjistruarve, sepse një nxënës i Kumanovës mungonte në listën e të larguarve. Për meritat e njërit prej profesorëve që nxënësit ia ka ndryshuar vendbanimin dhe vendin e lindjes, ai nuk u gjet. Në bisedë me Bajram Jahirin, atëherë referent për regjistrimin e nxënësve, pas luftës më tregoi se unë dhe një rreth i ngushtë shokësh e kem ditur në cilën klasë është nxënësi dhe cilin profesor e ka kujdestar, por përkundër kërcënimeve nga njerëz të veshur me pushtet nuk kem treguar.
Më vonë u mor vesh se nxënësi ka qenë i regjistruar në paralelen ku ishte kujdestar prof. Ejupi (tashmë i ndjerë). Ejupi, për ta shpëtuar nxënësin nga Kumanova që të mos përjashtohet në ditar e kishte regjistruar sikur është me vendbanim nga Ferizaj.
NË TAKIMET E SË ENJTES
Punonim në kushte okupimi (1990-1999). Objekti i shkollës na ishte mbyllur në Viti. Mundësitë për siguruar lokal për të gjithë gjimnazistët në një objekt nuk kishim, prandaj krijuam punkte në fshatrat: Pozharan, Smirë, Kabash, Vërban, Stubëll, Beguncë e Skifteraj. Të enjteve kem pasur një zyre në periferi të Vitisë, në rrugën, që shkon për Drobesh, ku mblidheshin udhëheqësit e punkteve, drejtori etj. për diskutuar problemet, organizuar sa më mirë mësimin në kushtet që na ishin imponuar nga okupatori. Si përgjegjës i punktit në Kabash, me një takim të së enjtes, e mora fjalën dhe një për një u them shokëve për problemet me të cilat ballafaqohesha si përgjegjës e mësimdhënës. Vonesat e arsimtarëve, nxënësve ose mos ardhja e tyre fare me arsyetime edhe banale; “më iki autobusi, nuk guxova prej policisë”, mos disiplina e nxënësve, ardhjet e huliganëve, e njerëzve të çekuilibruar mental në oborrin e shkollës, mungesa e klasave, bankave etj. Pas meje foli përgjegjësi i punktit në Smirë, prof. Fehmi Ramadani, ai krejt ndryshe e paraqiti gjendjen në punktin e tij: Sikur gjithë çka është në rregull, ardhja e përpiktë, mbajtja e orëve, disiplina, pastërtia e rregulli. Sigurisht që mund të ishte më e mirë situata në Smirë, por me siguri jo aq sa thoshte ai. Dhe, ndërhyra me humor: Fehmi, mos po flet për ndonjë shkollë në Japoni apo shtetet Skandinave?! Qeshëm të gjithë ...
KOSOVA REPUBLIKË
Kërkesat legjitime të shqiptarëve (në vitet e 80-ta) për Kosovën Republikë dhe për të qenë të barabartë me kombet tjera në Jugosllavi nga Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe shteti ishin shpallur kundërrevolucionare e armiqësore. Shih për ketë ishin ndërmarr mas në gjitha institucionet duke filluar që nga çerdhet e fëmijëve. Në shkollën ku punoja, si edhe në shkollat tjera, arsimtarët ishin të obligueshëm 15 minuta para se të fillonte mësimi të paraqiteshin në vendin e punës, kurse kujdestarët e ditës dhe shefi i ndërrimit 30 minuta. Gjatë kësaj kohe kontrolloheshin klasat korridoret, tualetet, muret e shkollës, jashtë e brenda. Njerëz të sigurimit e spiunë civil vëzhgonin edhe kush çka kish veshur, me çfarë ngjyrash kanë shallet, vajzat kordelet e flokëve, kush me kënd fliste, shoqërohej etj. Isha kujdestar dite, pas orës së 4-të në muret e tualetit, lart mbi derë, vërejta parullën “armiqësore” KOSOVA REPUBLIKË të shkruar me shkronja të mëdha. Dyshoja mos është në pyetje ndonjë provokim. Kishte raste kur njerëzit e porositur nga Sigurimi ta lenin te dera parullën dhe prisni a po e paraqet rastin. Përkundër asaj që vërejta një nxënës (nuk e dija me emër dhe as njëherë nuk tentova ta di) që pasi filloi ora u kthye në klasë dhe dyshoja se ai është, vendosa të hesht. Me të përfunduar orët, kontrollojmë me shefin e ndërrimit klasat, korridoret, tualetin. Për habi timen dikush e kish fshirë parullën. (Ndoshta vetë nxënësi e ka fshirë nga frika se e kam hetuar, ndoshta!). Nuk thuhet kot, heshtja është ar! Shpëtuam me shefin prej marrjeve në pyetje: kur, si e keni vërejt parullën për herë të parë, kush mendoni se e ka shkruar, në cilin dyshoni, ku ishit ju, pse nuk keni qenë syçelë, para jush po vepron armiku etj.
MIKJA IME E MIRE
Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.
MUNGESAT E AGIMIT
Agimi, çdo të hënën e dytë mungonte në shkollë. Dhe gjithmonë gjente një arsye . Nuk e qortoja se më dhimbsej. Ishte i varfër, i sjellshëm, i pastër e simpatik. Në mësime mundohej, por në kushtet që jetonte nuk kish si të arrinte më shumë. Për të ardhur në shkollë i duhej një orë e më shumë rrugë në këmbë. Një ditë derisa ai po përthekonte setrën e arnuar nën të cilën kish fut strajcën prej bezi dhe po nisej për në shtëpi, i them: Gimi, ç’janë këto mungesa tua vetëm të hënave? Çdo të dytën javë nana m’i lanë teshat shoku arsimtar dhe gati sa nuk shpërtheu në vaj...
One Tree Hill, 2015 |
No comments:
Post a Comment