Tuesday, 11 October 2016

PISHTARËT E SHKOLLËS SHQIPE NË KABASH


Murat Murati 1930-1996, udhehoqi kursin e gjuhes
me te rriturit e fshatit ne vitin 1946
Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kabash u hap më 8 mars të vitit 1948 në lokalin e improvizuar, që përpara shfrytëzohej si dyqan. Mësues i parë i kësaj shkolle ishte Sabit Rexhepi (1925-1990). Këtë lokal e liroi arsimdashësi Shefki Kamberi - Kabashi (1900-1974). Në klasën e parë u regjistruan 37 nxënës. Nxënësit nuk ishin të një moshe. Në klasë u përfshin edhe nxënësit mbi moshën 7-vjeçare. Nga shkolla në Kabash, doli një armatë e tërë kuadrosh të profileve të ndryshme deri në doktor shkencash.  Këto kuadro e mbrojtën, e mbajtën gjallë shkollën shqipe, duke krijuar sistemin e vet paralel të shkollimit në vitet 1990-1999 edhe përkundër kërcënimeve, burgosjeve, marrjeve në biseda informative, torturave,  dhunës të ushtruara ndaj tyre, nxënësve dhe popullatës shqiptare nga  okupatori serb. Nga kjo shkollë dolën edhe ushtarë të lirisë, që kur u desh të luftohet (1999), luftuan trimërisht me armë në dorë  kundër okupatorit. 
Sylejman Agush Rexhepi 1931-2004, udhehoqi kursin e
 e gjuhes me te rriturit ne vitin 1947 
Arsimi shqip i ka rrënjët shumë herët, por për shkak pushtimeve të ndryshme nga të huajt, ajo me shekuj nuk qe e lirë dhe legale. Mësuesit qenë të ndjekur e të persekutuar, prandaj ata ishin të detyruar të punonin ilegalisht.  Njëri prej këtyre mësuesve ishte  edhe Arif Cena Kabashi, i cili në gjysmën e  shekullit XIX-të  bëri hapat e parë në mësimin e gjuhës shqipe në Kabash. Mulla Arif Kabashi ishte i shkolluar në Stamboll, (me gjasë edhe në Kairo – Z. Rexhepi, “Kabashi i Moravës...” faqe 258)  para vitit 1860. Pas kthimit të tij në fshat ai ushtroi profesionin e klerikut. Petku i klerikut i dha mundësi që të merrej edhe me përhapjen a arsimit kombëtar. Kjo veprimtari ishte rreptësisht e ndaluar nga pushteti osman. Mulla Arifi zgjodhi këtë rrugë, ashtu siç vepruan edhe individë dhe grupe patriotësh e arsimdashësish të asaj kohe, me anën e mësimeve fetare të përhapë arsimin kombëtar. Në orët e mësim – besimit zhvillonte orë morale në gjuhën shqipe. Në këtë frymë i edukoi edhe djemtë e vet, kolosët e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare, Adem e Mustafë Kabashin, që mbi të gjitha ta duan Atdheun. Mulla Arifi gjer në fund të jetës nuk pushoi së predikuari dashurinë për kombin dhe ndjenjën për të jetuar i lirë. Këto mesazhe i nguliti përgjithmonë në zemrat e kabashëve. Thuhet se ai në vitin 1877 kishte propaganduar që mos të shkojnë shqiptarët në luftën ruso-turke të Plevenit në Bullgari.. “Nuk kemi pse të vritemi ne për të tjerët”, u paska pas thënë, mulla Arifi kabashëve. (Sipas Jahi Selmanit 1896-1968)
Qerim Qerimi 1930-1993
Një personalitet tjetër i ditur dhe i respektuar ishte edhe Mulla Azizi, hoxhë në fshat, i cili e vazhdoi veprimtarinë e paraardhësit të tij Mulla Arifit. Mulla Azizi u pushkatua në vitin 1913 te Zabeli i Sahit Agës në Kllokot.) Rrugën e këtyre dy imamëve e vazhduan më vonë Mulla Hysni Muça ( i shpërngulur së pari në Shkup pastaj në Turqi pas vitit 1913), mulla Selim Zenuni (1905-1978) dhe mulla Sherif Azizi (1909-1982), mulla Baki Zeqiri 1930-2003 
Orvatjet e këtyre flamurtarëve të arsimit kombëtar ishin të mëdha, por ende nuk mund të flitet (edhe pse u hapën mejtepe) për një shkollë të mirëfilltë në gjuhën amtare. Përkundër asaj që okupatori serb, si dikur ai Osman, e kishin ndaluar arsimin shqip, tentimet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe nuk pushuan kurrë. Që atëherë kabashët e dinin se gjuha është veçoria kryesore që e dallon një komb nga kombet e tjera. E dinin se me zhdukjen e gjuhës vdes kombi. Ruhan Abdyli 1996-1983 (i ati i autori të këtij shkrimi) thoshte se në vitet 1930-1932 kishim një ABETARE në fshat, të cilën e ruanim se ishte rrezik i madh,  po ta zinin xhandarët serb në shtëpi. Abetarja shkonte dorë më dorë që të mësonin të gjithë. Me një rast gati na zunë xhandarët kur unë, Jakë Sedaj (1903-1950) dhe Mejdi Halili (1908-1995) ishim duke mësuar alfabetin në abetare, po për fat ne aty pranë kishim për kamuflim një bukvar në gjuhën serbe. Abetaren e futëm nën tjegullat e çatisë (me gjasë çatisë së xhamisë së vjetër), aty afër, dhe u bëmë sikur mësonim alfabetin cirilik. Xhandarët e kontrolluan Bukvarin dhe na përgëzuan për këtë iniciativë tonën. Abetaren e përmendur si duket e ka sjell nga Shqipëria në Kabash Hamdi Nezir Kabashi ose Rexhep Agush Kabashi rreth viteve 1930-1932. Në vitet e përmendura familjet e Hamdi, Hasan e Rexhep Kabashit u shpërngulën /lëvizën/ së pari në Turqi (1929) pastaj u kthyen në Shqipëri e Kosovë.  Deri në vitin 1940 dinin shkrim-lexim personat e përmendur dhe ndonjë tjetër si Shaip Aziz Trakalaçi (1907-1079) etj.
Ejup Osmani 1927-2008  njeri nder mesuesit
 e pare te sh. shqipe
Mësimi i organizuar legalisht në gjuhën shqipe filloi në shtator të vitit 1946. Këto ishin kurse për të rritur që u mbajtën në xhaminë e fshatit. Ndjekja e këtyre kurseve ishte masive. Këtë kurs e udhëhoqi Murat Hashim Murati (1930-1996) deri në maj të vitit 1947, kurse vitin tjetër shkollor kursi u mbajt nën drejtimin e Sylejman Rexhep Agushit (1931-1004). Gjatë kësaj kohe, transformimit të fshatit i dhanë impulse të reja edhe Qerim Berat Qerimi (1930-1993), Isa Ruhan Abdyli (1930-1984), Ejup Ismajl  Osamni (1927) etj. 
Shkolla e parë
Shkolla e mirëfilltë në gjuhën shqipe u hap më 8 mars të vitit 1948 në lokalin e improvizuar, që përpara shfrytëzohej si dyqan. Mësues i parë i kësaj shkolle ishte Sabit Rexhepi (1925-1990). Këtë lokal e liroi arsimdashësi Shefki Kamber Kabashi (1900-1974). Në klasën e parë u regjistruan 37 nxënës. Nxënësit nuk ishin të një moshe. Në klasë u përfshin edhe nxënësit mbi moshën 7 - vjeçare. Në vitin shkollor 1948/1949 u regjistruan këta nxënës:
1.Beqir Isuf Mustafa
2.Beqir Tush Qerimi
3.Bedri Bajram Bajrami
4.Ejup Ruhan Abdyli
5.Ferat Ruhan Abdyli
6.Fetije Fetah Haliti
7.Faik Sadik Sadiku
8.Gjylinaze Isamjl Osamni
9.Hajrush Rexhep Zeqiri
10.Hanife Jahi Selamni
11.Ilaz Jakup Jakupi
12.Isuf Haki Osamni
13.Kolë Llukiqi
14.Lurde Jakë Sedaj
15.Mihane Mehmet Zeqiri
16.Mehmet Sylë Jashari
17.Ramadan Hashim Murati
18.Raqip Rasim Ramadani 
19.Raif Zenun Zenuni
20.Rashit Hasan Hasani
21.Refik Demë Jakupi
22.Remzije Fetah haliti
23.Rizah hajnin Murati
24.Rrahman Shukri Misini
25.Rrahman Shefki Kamberi
26.Sefedin Haxhë Azemi
27.Sanije Lah Haliti
28.Sami Ramadan Aliu
29.Sevdije Rrahim Deliu
30.Sarë Shani
31.Shefk Gegaj
32.Viktor Gapi
33.Gjevë Shaban Zeqiri
34.Zenun Selim Rexhepi
35.Zenun Haxhë Azemi
36.Zekir Bektesh Zeka 
37.Zymryte Haki Osmani
Pesëmbëdhjetë nxënës të gjeneratës së parë të kësaj shkolle: Beqir Mustafa, Hajrush Zeqiri,  Gjylinaze Osmani, Ejup Abdyli, Ferat Abdyli, Ilaz Jakupi,  Isuf Osmani, Ramadan Murati, Refik Mehmeti,  Rizah Murati,  Rrahman Kamberi,  Sefedin Azemi, Zenun Rexhepi, Zenun Kamberi dhe Zymryte Osmani, duke filluar që nga viti 1953-1960 morën ditarin në dorë. Me angazhim të pashoq dhe sakrifica  hapën horizonte të reja, modernizuan shkollën dhe e bënë dritare prej nga shihej e kaluara dhe e ardhmja e popullit tonë. Nga puna e këtyre pishtarëve doli një armatë e tërë shkollarësh, të profileve të ndryshme, të cilët u bënë kuadro të institucioneve shkencore e kulturore, politike e ekonomike në komunë (Viti) e në qendra të tjera. 
Gjylinze Osmani 1938 - ,  ne  vitin 1953  nisi punen ne arsim 
Zymryte Osamni 1938-2002 ne vitin 1953 filloi punen me ditar ne dore
Po këto kuadro e mbrojtën, e mbajtën gjallë shkollën shqipe, duke krijuar sistemin e vet paralel të shkollimit në vitet 1990-1999 edhe përkundër kërcënimeve, burgosjeve, marrjeve në biseda informative, torturave,  dhunës të ushtruara ndaj tyre, nxënësve dhe popullatës shqiptare nga  okupatori serb. Sa i egër ishte regjimi serb në pengimin e arsimit shqip tregon edhe fakti se më  24 maj 1990 dora e zezë e shërbimeve sekrete shtetërore serbe helmoi  27 nxënës brenda lokalit të shkollës fillore në fshat, më 27 qershor 1992, policia serbe ndërhyri me forcë në lokalët e shkollës së fshatit,  maltertoi arsimtarët, nxënësit, demoloi vandalisht sallën e arsimtarëve, zyret e sekretarit, drejtorit dhe konfiskoi proceset e mbajtjes së provimeve të diplomave për gjimnazistët maturantë, ndërkaq më 17 maj 1994, brenda shkollës, në praninë e nxënësve  dy policë dhe inspektori i sigurimit shtetëror Kërstiq nga Kllokoti e arrestojnë përgjegjësin e paraleleve të gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” Sabit Abdylin dhe gjatë gjithë asaj dite e torturojnë në lokalet e  Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Viti.
Duhet thënë se në vitin 1999 ish nxënës të shkollës së përmendur iu bashkëngjitën luftëtarëve të lirisë dhe trimërisht luftuan me armë në dorë: A. Sallahu, Xh. Sadiku, A. Maliqi, A. Sahiti, A.Selamni,  I. Kamberi, F. Deliu, Sabit e Zenel Zeka  dhe vëllezërit (kushërinjtë)  Haxhiu.
Sabit Abdyli
Objekti i shkolles ne Kabash, u prorua ne vitin 1982

No comments:

Post a Comment

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...