Tuesday, 28 August 2018

MIKAJ IME E MIRË


Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.

PS:
Miki Tahiri (Mikja ime e mire) u lind  në familjen, e cila  i dha tokës së Kosovës dëshmorin Avdullah Tahirin në Malishevë të Gjilanit. Jeton në Gjermani.



                                           Në gusht të vitit 2013 Miki më vizitoi në Kabash.

 Gjilan në foto me Mikin pas daljes nga botimi të dy librave të mi në shtypshkronjën Pika 5, Gjilan.
                                                                    Kabash, gusht 2013

Saturday, 25 August 2018

Skicë e shkruar në variantin normativ dhe dialektor:


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallaze deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtunë sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk nalnin kangën. Zapullimë sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopshtin tem nga të nxehtit u kalamenden. Verë e nxehtë këtu, ftoft e dimën Atje. Fluturojmë me limuzinë asfaltit valë. Kolona e limuzinave  vraponte drejt dushkajave çufrake, plazhit me ranë e ujët e oqeanit. Zumë ven nën hije t’lisave  gjetheshum. Pak manej, deti pafund. Pa prit nji therrje  me dhembje m’shkoi si vetima tejepërtej kambës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi mbas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën e mblueme me bari jeshil, si kope delesh të trembuna erdhën re të shumta tuj marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi me  fishkllue bregut, vala me njomë ranën e përflakun e stërpik bregun, furtuna tuj  çue sa anej sa knej  fletet e dushkut t’thatë dhe krijue  duna rane si tallaze deti. Pas pak nisi nji shi me pika të rralla e t’mdhaja. Kolona e kerreve kish marrë vrapin. Shiu sa vinte e ngadalësonte të ramet në xhamat e limuzinës. Shiun e furtunën  sa çel e mshel sytë e përpinë bjeshkët dhe poshtë fushës na shkeli synin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Auckland, janar 2018

Tuesday, 14 August 2018

KUSH NA ÇARTI


Aty ku ishim më të fortë e qendrëstar, aty ku s'kishte daltë as limë të na hajë, aty ku na lakmonin e xhelozonin miqtë e armiqtë, si: familja e martesat e qëndrueshme, harmonia, respekti, dashuria për vendin, për librat, shkollën, shqiptarizmin, fjalën e dhënë. Jemi në tatëpjetën më të madhe mu në kohën kur duhej të jemi në ngjitje si shtet e komb. Tatëpjeta  vazhdon dhe ka rrezik të thyejmë hundë e buzë e të humbim hapin me kohën. Ç'janë këto ndarje të porositura me fonde të majme nga ata që nuk na duan, nga ata që me shekuj punuan për te na zhbi nga faqja e dheut. Kush na çarti harmonin ndërfetare, kush na çarti harmonin brenda familjes, kush na çarti dashurinë e respektin për gasterbajterin, shqiptarin, historinë, heronjtë, dasmat, veshjen, emrat, këngën e vallen bash shqip,  kush çarti partitë tonat sa të urrejnë për vdekje njëra- tjetrën dhe bëhen me ata që nuk lanë dy gurë bashkë vetëm për ta ngulfatur e nda Kosovën, me ata që nuk kërkuan falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime, me ata që fshehën  e mbuluan me beton të vrarit.
Botuar ne gazeten "Bota sot" 7 gusht 2017

Tuesday, 17 July 2018

KABASHËT E PARË ME PUNË JASHTË KOSOVËS



Në vitet e 60-ta të shekullit XX kabashët për shkak kushteve të vështira ekonomike dhe në pamundësi për të gjetur punë në Kosovë u detyruan të kërkojnë punë në rajonet më të zhvilluara të Jugosllavisë. Daljet e para si punëtorë krahu ishin në fushat e Banatit (Vojvodinë).  Ata me fitimet e tyre siguronin ekzistencën për familjet në Kabash. Gati të gjithë kabashët të moshës për punë në vlugun e punëve bujqësore në Vojvodinë me një torbë në dorë  dilnin në këmbë në Ferizaj dhe merrnin trenin për në Beograd. kurse prej Beogradit vazhdonin me autobus deri në fushat e Banatit. Atje banonin në sallashe (shtëpi në prona bujqësore me hambarë e vende për mjetet e punës), larg vendbanimeve. Aty flinin dhe improvizonin kuzhinën ku përgatitnin drekat e darkat (kryesisht fasule e patate) vetë me radhë.   Mbas disa vitesh kabashët të ndihmuar nga njëri tjetri dolën për të punuar në Austri, Gjermani e Zvicër se fitimet ishin më të mira. Më punën e tyre arritën të përmirësojnë jetën e familjeve në Kosovë. Fituan përvoja të reja, investuan në shkollimin e fëmijëve, ndërtuan shtëpi të reja, prunë veturat e para e mjete tjera të punës: blen traktorë e vegla tjera bujqësore, orendi, shport elektrik, frigorifere, lavatriqe etj. Po përmend këtu ata që hapën rrugën e daljes jashtë: Nevzad Nebi Zeqiri 1933-,1972, Muharrem Shukri Misini, Sylejman Mehmet Zeqiri 1930-2005, Zekir Bekë Zeqiri, Elez Ismajl Selmani, Mejdi Shukri Misini 1930-1968, Hamdi Xhelili, Megjit Mehmet Zeqiri, Habib Ahmet Agushi 1936-2016, Aziz Gjemajl Azizi 1942-2013, Emin Brahim Sallahu, Beqir Sallahu, Rrahman Shukri Misini 1938-2017, Osman Jahi Selmani 1934-2001,  Rrustem Ramë Januzi,  Ibish Rrahim Ibishi, Ali Rrahim Ibishi, Mejdi Izet Qerimi 1943-1979, Ejup  Shaip Jashari, Sejdi Ramadn Aliu, Nuhi Jahi Selmani, Ramiz Sallahu, Sami Ramadan Aliu 1937-1998, Agush Ahmet Agushi, Rafiz Shaip Azizi, Milaim Nazmi Deliu, Zahir Mehmeti, Etem Sadiku, Nuhi Hysni Shabiu, Ismajl Jetish Jetishi, Daut Baki Nebiu, Rexhep Jetish Jetishi, Qazim Ilazi, Fadil Halim Haliti, Shyqeri Nebi Sallahu,  Hebib Elmazi ....
Vojvodine, 1960//64. Ne foto Muharrem Misini, Nevzad Nebi Zeqiri, Mejdi Misini e Hajrush Zeqiri. (Hajrush kish shkuar per vizite)
Vojvodine, ne vitet 1960-ta. Ne foto; Aziz Azizi, Rrustem Januzi, Rrahman Misin, ulur Muharrem Misini, nje shok i Budrikes dhe Elez Selmani
Vojvodine, ne vitet e 60-ta. Ne foto; Emin Brahim Sallahu,, Aziz Gjemajl Azizi, Megjit Mehmeti , Isak Shema, ulur; Muharrem Shukri Misini, Hajrush Rexhep  Zeqiri, Mejdi Shukri Misini, Habib Ahmet Agushi dhe Nevzad Nebi Zeqiri.  (Hajrushi e Isak Shema ishin ne vizite)
Austri, mbarim i viteve te 60-ta. Ne foto: Ibish Rrahim Ibishi, Nevzad Nebi Zeqiri , nje shok i Sllatines dhe Milaim Nazmi Deliu
Sylejman Mehmet Zeqiri






Mejdi Izet Qerimi



Sami Ramadan Aliu


















Ismajl Jetishi- Kabashi 1941-1996













Auckland, 2018

PS; Vërejtjet (plotësimet)  i mirëpres.



Sunday, 8 July 2018

MADHËSHTIA E NOLIT


Këto ditë dëgjova një video incizim me zërin e Fan Nolit live të postuar në FB  dhe më fascinoi për atë që thoshte eruditi.  Heu, mendova sa i madh ishte ai karshi intelektualëve tanë të sotëm xheloz, inatçi e shpirtvegjël, që zi e terr flasin e shpifin për njëri - tjetrin. U kënaqa për gjithë kohën sa fliste për vetën, Shoqatën “Vatra” në Amerikë, çështjen shqiptare e mendjendriturin  Faik Konica me aq saktësi, realizëm, ëmbël e humor. Me Faik Konicën pati mospajtime rreth punëve të Shqipërisë dhe i përmendi “kusuret” e tij që i kishte pa i veshur edhe të tjera dhe vazhdoi me simpati për kontributin e  madh të Konicës në fushën e publicistikës, letërsisë e kulturës shqiptare.  Një intervistë me një poet tonin të njohur para sa vitesh  në pyetjen e gazetares se cili nga shkrimtarët shqiptarë meriton të kandidohet (propozohet) për çmimin NOBEL më ka ra ta shoh tek ngulfatej e i merrej goja atij nga shpirtvogëlsia pamundur  të përmend një emër nga shkrimtarët shqiptarë, duke sjellë  rrotull e rrotull përgjigjen deshi të thoshte sikur vetëm ai e meritonte këtë se  të tjerë ne shqiptarët nuk kemi. 
Auckland, korrik 2018

Tuesday, 19 June 2018

KUJTIME TE ARKIVUARA, SHKUP 1966-1968






Shkup, 1967
Vitin e parë (1966-1967) në SH.L.P në Shkup grupi: gjuhë e letërsi shqipe ishim 36 student nga të gjitha rajonet tona shqiptare: Kosovë, Preshevë, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Kumanovë, Gostivar, Dibër etj. bile në klasë kishim edhe një student (emigrant) nga Shqipëria. Është çudi që nga Shkupi, qytet me aq shumë shqiptarë, nuk kishte asnjë, jo vetëm në grupin tonë, por edhe në grupet tjera. Të rinjtë shqiptarë të qytetit  punonin kryesisht nëpër dyqane zejtarësh dhe shumica mbanin në kokë qeleshe bezi të bardhë.   Deri sa udhëtoja përditë në këmbë nga Çairi deri në Karposh dhe anasjelltas i shihja e mendoja pse këta të rinj shkupjan nuk shkollohen duke pasur shkollën në prag të shtëpisë, pse? Për ne brucoshët puna kryesore ishte ardhja në ligjërata dhe libri. Merrnim shënime dhe gjithë mbrëmja na shkonte duke nxjerr shënimet në fletoren tjetër. Literatura e tekstet universitare na mungonin. Po t’i  binte në dorë dikujt prej shokëve një roman, revistë etj në gjuhën shqipe të ardhur kontrabandë nga Shqipëria ose bota e lexonim në radhë. E pat pru dikush poemën “Kosovë” të Asdrenit dhe shumë nga ne e përshkruam e mësuam përmendsh poemën, e cila  fillonte me vargjet:
“Kosovë, o vend i famshëm i trimnis
Kosovë, o lule e bukur  Shqipnis! “
Sukseset e shqiptarëve me emër në fushën e shkencës, letërsisë, filmit, sportit etj. si puna e Çabej, Kadare, Bekim Fehmiu etj. na gëzonin pamasë.  Ne studentët ishim publiku më besnik i shfaqjeve në gjuhën shqipe në teatrin e qytetit të Shkupit. Në vitin e dytë (1967-1968) mundem të ndjekim ligjëratat vetëm 9 student, kurse 27 të tjerët e humbën vitin ose ndërprenë studimet. Atëherë për të kaluar provimin duhej nxeh mirë e mirë karrigen.  Në vitin e dytë filluam më intensivisht  me aktivitete kulturore e sportive. Ne të grupit- Gjuhë letërsi shqiptare në bashkëpunim me të tjerët përgatitëm recitalin kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë Gjergj Kastriotit. Në një turnir futbolli të organizuar për të gjitha fakultetet e qytetit ne shqiptarët kishim dy ekipe: “Besa” dhe “Skënderbeu”. Falë angazhimit të lojtarëve në fushën e sportit dy ekipet tona arritën në finale në mesin e dhjeta ekipeve maqedonase. Pati tentime të kurdiset rezultati nga se ekipi “Skënderbeu” për shkak emrit kërkonte ta kishte të sigurt fitoren ende pa nisur loja. Pas bisedës ramë dakord që loja të jetë fer dhe kush është më i mirë le të triumfojë. Në pranin e shumë shikuesve që kishin ardhur për të parë finalen fitoi ekipi i “Skënderbeut”. Në jetën dhe aktivitet tona  shquhej fryma kombëtare. Po ketë vit u mor iniciativa nga një grup studentësh shqiptarë të mjekësisë për themelimin e klubit të studentëve shqiptar me emrin e kryetrimit të Krujës. Në vjeshtë të vitit 1968 shumë nga studentët shqiptarë u burgosën për shkak aktiviteteve e përmendura. Unë isha me fat se në shtator të vitit 1968 u diplomova dhe u ktheva në Kosovë. 

Shkup, 1967 grup studentesh te vitit te pare e te dyte me  prof. Hamza Reka, dr. Petro Janura e prof. Remzi Nesimin në mes. 
Shkup, 1967. Në foto , para ndërtesës së SH.L.P në Karposh, nga e majta në këmbë: Fazli Veliu (Kërçovë), Mufail Adili (Strugë), - Konjuzi (Shqipëri), Arif -.(Kumanovë) Ulur: nga e majta: Abedin Selimi (Preshevë) Sabit Abdyli, (Kosovë), X (nuk me kujtohet emri i tij). Kanë kaluar 50 vjet dhe ,,,dd caption



Monday, 11 June 2018

MALL E DHEMBJE


Bukurije Bushati
Këto ditë më ranë në duar poezitë e poetit Sabit Abdyli, që po bënte gati për të dalë para lexuesit edhe me një libër të tretë me poezi, ku  do të  përfshinte edhe poezi nga dy librat e botuar më parë.  I lexova me vëmendje, edhe pse i kisha lexuar herë pas here të postuara në profilin e tij në fb.  Sabiti është emigrant në Zelandën e Re dhe ashtu si çdo emigrant, nëpër poezitë e tij tërheq tegelin në shiritin e kohës malli për vendlindjen, dëshira për të prekur edhe një herë fëmijërinë, rininë , mllefin deri në përmasa revolte dhe gjithçka që e lidh me ëndrrën e tij, prej nga u detyrua, si edhe shumë të tjerë, të largohet fizikisht por jo shpirtërisht.
Lule maji
Në oborr të shtëpisë,
bari i  harlisur.
......
Një ftua, dy mollë.
Rrushi i ramë për tokë.
......
Sabiti, dikur profesor në Kosovë jepte mësime në shkollat që mbanin gjallë gjuhën, traditat, atdhedashurinë, sot pensionist ecën bregut të oqeanit me vështrimin drejtë kryqëzimit të meridianit me paralelen e këtij globi ku gjendet Kosova e tij e mallit.
KËNGË KURBETI
Gurit i bie dallga,
Guri kryeneç,
S’lëkundet dot nga vendi,
I fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir,
Dallga nuk e njeh,
Kurdo e fut në thellësi,
Kurdo e përplas në breg.
Në vëllimin me poezi të tij, ka data e ngjarje të ndryshme. Është një arkiv, ku ai me kujdes ka ruajtur pjesëza të jetës, të cilat e prekin herë pas here, si duke ia shtuar mallin edhe duke e nxitur të shkruajë diçka për to. Është mosha kur vitet ngrenë gradaçielën në trupin tonë dhe e bëjnë shpirtin më të ndjeshëm. Madje ndonjëherë ai (shpirti) ndjehet fëmijë në  çiltërsinë e të shkruarit. Ja si shkruan Sabiti;
NËNËMADHJA
Shtëllungë leshi në furkë,
Të tashmen tjerrë,
Kujtimet në bosht mbledh e dredh,
End në tezgja kuq e zi,
Jep dorën e parë në shtëpi.
Me këngë aromë ftoi e molle,
Përkund nënëmadhja ardhmërinë,
Endet nëpër kënga e legjenda,
Kudo prek Shqipërinë.
Kemi gjëra të përbashkët ne emigrantët. Mallin që na djeg, kujtimet që na ulen në netët e gjata dhe herë - herë edhe ai qortim që i bëjmë vetes për largimin, për mosarritjen e bërjes së diçkaje që e dëshirojmë, por që nuk mundemi. Më ra në sy këtu poezia e tij ku qorton veten e degradimin moral e shpirtëror të njerëzve tanë të cilët nëpërkëmbin interesat e kombit;
KOSOVË
Çfarë lesh burri jam unë, Kosovë!
Mërzitem për ty, kam mall, dhembje.
Dhe forcë të të mbroj s'kam.
Medet, racë e jotja të nëpërkëmb,
Qençe, pamëshirë!
Nga emigrimi ndjente ai dhimbjet e  kosovës nën peshën e Serbit. Ia skuqte syrin çdo pikë gjaku martiri dhe sytë hidhte qiellit të shihte shqiponjën për t'ia ndjerë plagën, por për t'ia parë edhe guximin. Harronte ku ishte dhe vargje shkruante bregut  për dashurinë e tij të madhe e të thellë sa vetë oqeani.
ZOG I KOPSHTIT TIM
Ditë e përditë,
Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...
Në çaste terri e drite.
Pikturon me zë:
......
Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë,
Kthimin e madh, orën e bardhë,
Ikjen e natës, qershor '99!
Fati ynë si edhe fati i popujve të tjerë të merrnim udhët e mërgimit. Plagë kjo që gjen veten në shumë poezi poetësh emigrant. Në këtë vëllim më ra në sy edhe poezia e komunikimit mes të emigruarve dhe atyre që mbeten në vendlindje. Me një gjuhë dhe stil të thjeshtë po aq shpirtëror, që e bën aq prekëse në thirrjet me emrat e bukur shqiptar që mbajnë fëmijët, e përshkruan këtë Sabiti në poezinë:
TELEFONATË
Alo xhaxhi
Vlera jam unë
Këtu në Gjermani.
Babi dje me ngjyra blu,
Vendlindjen pikturoi.
Zgjimi, përballë tij,
Petalet e luleve,
në kopështin e shtëpisë,
I ngjyros kuq e zi.....
Alo xhaxhi
Vlera jam unë.
Sot fillova  të qëndis një Flamur.
      Alo xhaxhi
      Të ngujuara fjalët
     Pse i ke?
      Në Zvicër Halla,
      Në djep të Kosovës,
      Bekimit ninulla shqip i këndon.


Në këto emra është ëndrra e Kosovës, shpirti e guximi i saj. Jam rrënqethur teksa e lexoja këtë poezi, detajin e gjetur bukur në të, që do të tregojë gjithnjë kohën kur ishim shqiptar jo vetëm në gjak, në atdhedashuri, mikpritje... por edhe në emra!
Është e larmishme tematika në këtë vëllim me poezi që tregon copëza jete nga Kosova të përjetuara nga poeti. Ai i kundërvihet tradhtisë, pazarllëqeve që bëhen në kurriz të kosovës, të popullit. Ai din të paraqesë saktë fytyrën e vërtetë të serbit  dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e Kosovës që bëhet edhe dhimbja e tij. Poeti din t'i gëzohet lirisë. Ngre në pejdestal trimat e Kosovës, i radhit yje në qiellin e saj dhe ndjehet krenar.
Me stilin e tij të çiltër e bën lexuesin të përjetojë ato momente që përshkruhen vargjeve, të përjetoj dhimbjen, dashurinë, mallin, krenarinë... gjithçka zë vend në këtë vëllim.
E lexova këtë vëllim poezish dhe njoha diçka më shumë nga kosova, njoha më nga afër shpirtin e poetit dhe ua lej ju lexues të humbisni në to, të bëni një udhëtim vargjesh nëpër Kosovën e bukur, të mallit, të dhimbjes e të dashurisë...
Bukurije Bushati, Frankfurt

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...