Saturday, 25 August 2018

Skicë e shkruar në variantin normativ dhe dialektor:


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallaze deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtunë sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk nalnin kangën. Zapullimë sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopshtin tem nga të nxehtit u kalamenden. Verë e nxehtë këtu, ftoft e dimën Atje. Fluturojmë me limuzinë asfaltit valë. Kolona e limuzinave  vraponte drejt dushkajave çufrake, plazhit me ranë e ujët e oqeanit. Zumë ven nën hije t’lisave  gjetheshum. Pak manej, deti pafund. Pa prit nji therrje  me dhembje m’shkoi si vetima tejepërtej kambës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi mbas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën e mblueme me bari jeshil, si kope delesh të trembuna erdhën re të shumta tuj marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi me  fishkllue bregut, vala me njomë ranën e përflakun e stërpik bregun, furtuna tuj  çue sa anej sa knej  fletet e dushkut t’thatë dhe krijue  duna rane si tallaze deti. Pas pak nisi nji shi me pika të rralla e t’mdhaja. Kolona e kerreve kish marrë vrapin. Shiu sa vinte e ngadalësonte të ramet në xhamat e limuzinës. Shiun e furtunën  sa çel e mshel sytë e përpinë bjeshkët dhe poshtë fushës na shkeli synin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Auckland, janar 2018

No comments:

Post a Comment

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...