Bukurije Bushati |
Lule maji
Në oborr të shtëpisë,
bari i harlisur.
......
Një ftua, dy mollë.
Rrushi i ramë për tokë.
......
Sabiti, dikur profesor në Kosovë jepte mësime në shkollat që mbanin gjallë gjuhën, traditat, atdhedashurinë, sot pensionist ecën bregut të oqeanit me vështrimin drejtë kryqëzimit të meridianit me paralelen e këtij globi ku gjendet Kosova e tij e mallit.
KËNGË KURBETI
Gurit i bie dallga,
Guri kryeneç,
S’lëkundet dot nga vendi,
I fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir,
Dallga nuk e njeh,
Kurdo e fut në thellësi,
Kurdo e përplas në breg.
Në vëllimin me poezi të tij, ka data e ngjarje të ndryshme. Është një arkiv, ku ai me kujdes ka ruajtur pjesëza të jetës, të cilat e prekin herë pas here, si duke ia shtuar mallin edhe duke e nxitur të shkruajë diçka për to. Është mosha kur vitet ngrenë gradaçielën në trupin tonë dhe e bëjnë shpirtin më të ndjeshëm. Madje ndonjëherë ai (shpirti) ndjehet fëmijë në çiltërsinë e të shkruarit. Ja si shkruan Sabiti;
NËNËMADHJA
Shtëllungë leshi në furkë,
Të tashmen tjerrë,
Kujtimet në bosht mbledh e dredh,
End në tezgja kuq e zi,
Jep dorën e parë në shtëpi.
Me këngë aromë ftoi e molle,
Përkund nënëmadhja ardhmërinë,
Endet nëpër kënga e legjenda,
Kudo prek Shqipërinë.
Kemi gjëra të përbashkët ne emigrantët. Mallin që na djeg, kujtimet që na ulen në netët e gjata dhe herë - herë edhe ai qortim që i bëjmë vetes për largimin, për mosarritjen e bërjes së diçkaje që e dëshirojmë, por që nuk mundemi. Më ra në sy këtu poezia e tij ku qorton veten e degradimin moral e shpirtëror të njerëzve tanë të cilët nëpërkëmbin interesat e kombit;
KOSOVË
Çfarë lesh burri jam unë, Kosovë!
Mërzitem për ty, kam mall, dhembje.
Dhe forcë të të mbroj s'kam.
Medet, racë e jotja të nëpërkëmb,
Qençe, pamëshirë!
Nga emigrimi ndjente ai dhimbjet e kosovës nën peshën e Serbit. Ia skuqte syrin çdo pikë gjaku martiri dhe sytë hidhte qiellit të shihte shqiponjën për t'ia ndjerë plagën, por për t'ia parë edhe guximin. Harronte ku ishte dhe vargje shkruante bregut për dashurinë e tij të madhe e të thellë sa vetë oqeani.
ZOG I KOPSHTIT TIM
Ditë e përditë,
Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...
Në çaste terri e drite.
Pikturon me zë:
......
Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë,
Kthimin e madh, orën e bardhë,
Ikjen e natës, qershor '99!
Fati ynë si edhe fati i popujve të tjerë të merrnim udhët e mërgimit. Plagë kjo që gjen veten në shumë poezi poetësh emigrant. Në këtë vëllim më ra në sy edhe poezia e komunikimit mes të emigruarve dhe atyre që mbeten në vendlindje. Me një gjuhë dhe stil të thjeshtë po aq shpirtëror, që e bën aq prekëse në thirrjet me emrat e bukur shqiptar që mbajnë fëmijët, e përshkruan këtë Sabiti në poezinë:
TELEFONATË
Alo xhaxhi
Vlera jam unë
Këtu në Gjermani.
Babi dje me ngjyra blu,
Vendlindjen pikturoi.
Zgjimi, përballë tij,
Petalet e luleve,
në kopështin e shtëpisë,
I ngjyros kuq e zi.....
Alo xhaxhi
Vlera jam unë.
Sot fillova të qëndis një Flamur.
Alo xhaxhi
Të ngujuara fjalët
Pse i ke?
Në Zvicër Halla,
Në djep të Kosovës,
Bekimit ninulla shqip i këndon.
Në këto emra është ëndrra e Kosovës, shpirti e guximi i saj. Jam rrënqethur teksa e lexoja këtë poezi, detajin e gjetur bukur në të, që do të tregojë gjithnjë kohën kur ishim shqiptar jo vetëm në gjak, në atdhedashuri, mikpritje... por edhe në emra!
Është e larmishme tematika në këtë vëllim me poezi që tregon copëza jete nga Kosova të përjetuara nga poeti. Ai i kundërvihet tradhtisë, pazarllëqeve që bëhen në kurriz të kosovës, të popullit. Ai din të paraqesë saktë fytyrën e vërtetë të serbit dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e Kosovës që bëhet edhe dhimbja e tij. Poeti din t'i gëzohet lirisë. Ngre në pejdestal trimat e Kosovës, i radhit yje në qiellin e saj dhe ndjehet krenar.
Me stilin e tij të çiltër e bën lexuesin të përjetojë ato momente që përshkruhen vargjeve, të përjetoj dhimbjen, dashurinë, mallin, krenarinë... gjithçka zë vend në këtë vëllim.
E lexova këtë vëllim poezish dhe njoha diçka më shumë nga kosova, njoha më nga afër shpirtin e poetit dhe ua lej ju lexues të humbisni në to, të bëni një udhëtim vargjesh nëpër Kosovën e bukur, të mallit, të dhimbjes e të dashurisë...
Bukurije Bushati, Frankfurt
No comments:
Post a Comment