Thursday, 15 December 2016

BLETARIA NË ZELANDËN E RE


Zelandezët janë të njohur për ruajtjen e arkivimin e gjithçkaje që ka të bëj me historinë e gjeografinë, florën, faunën, kulturën, traditën etj.  të shtetit të tyre.   
Arka bletesh
Ndahen fonde dhe organizohen shoqata me njerëz të fushave të ndryshme  për mbajtjen në jetë të zogjve, bimëve,  drurëve etj autokton duke krijuar rezervate,  parqe e ambiente për ruajtje, shumica nga këto shoqata janë  vullnetare.  Më ka ra të gjitha këto që përmenda t'i shoh në vepër. Sa herë udhëtoj jashtë qytetit kënaqem me natyrën e ruajtur aq bukur në origjinën e saj. Mbresa ta pashlyera më la udhëtimi para disa ditësh me veturë kur shihja  arkat e bletëve përtej  rrugës larg vendbanimeve dhe me t'u kthyer në shtëpi hapa faqe në internet për të parë (lexuar) e marr informacion për bletarinë në Zelandën e Re.    Për ta kompletuar më mirë informacionin shkova edhe në bibliotekën e paralagjës ku banoj.  Mary Bumby, motër  e një misionari besohet të jetë e para që pruri dy arka bletësh nga Anglia në mars të vitit 1839. Atëherë zelandezët  kishin dy lloje (specie)  bletësh të vendit, por nuk ishin të përshtatshme për prodhimin e mjaltit. Bletë sollën  disa vite më vonë edhe Richard Taylor etj. Nëntë vjet pas ardhjes së arkave të para me bletë  u shkrua manuali i parë nga William Pambuk për kultivimin, mbarështimin e  bletëve dhe prodhimin e mjaltit.   Prodhimi komercial i mjaltit ka filluar në vitin 1878. Pas luftës së Parë Botërore bletaria u zhvillua hovshëm dhe u bë shumë popullore falë përfitimeve ekonomike dhe kushteve ideale të klimës dhe vegjetacionit të përhershëm  gjatë gjithë vitit në Zelandën e Re. Në vitin 1950 statistikat flasin se kishte 7.000 bletarë dhe 150.000 koshere, kurse në vitin 1988 numri i koshereve ishte 335.000. Llojet e mjaltit janë të shumta dhe të kualitetit të lartë që eksportohet gjithandej botës. Zelandezi ha mesatarisht 1.5 kilogram mjaltë brenda vitit. Ka rreth 20.000 lloje të bletëve në mbarë botën, dhe ato janë gjetur në të gjitha kontinentet, përveç Polit verior. Në vitin 2015 Zelanda ka prodhuar 12.000 ton mjaltë, gjysma është eksportuar jashtë dhe përfitimet ishin 233 milionë dollarë zelandez. Prodhimi dhe eksporti është në rritje vazhdimisht, kërkesat janë të mëdha në botë, sidomos për llojin e mjaltit "Manuka" me veti shëruese (antibiotik natyral). 
Lule manuka


Lule manuka











Manuka është dru (bimë) autokton, shumë llojesh që rritet gjithandej Zelandës.  Falë kualitetit të mjaltit dhe kërkesave në tregun botëror, bletaria në Zelandën e Re u shndërrua në industri suksesi e fitimesh të mëdha.
Sabit Abdyli
Artikulli i botuar ne revisten "Drini" nr. 7, janar 2017, Lezhe, Shqiperi

No comments:

Post a Comment

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...