Wednesday, 7 September 2016






XHAMAT E AVULLT

(poezi)





















TË NJOH MIRË
Fsheh të vërtetën
lajka pafund
të më bësh të hesht
mirë të njoh
rrugët që thyen në ikje e ardhje
ndërrim regjimesh
dhuratat
përulësinë
qëllim përfitimesh padjersë
Të njoh mirë e nuk mund të hesht
Janar, 2019

PAQ
U flijua në shtegun e dritës së lirisë
Theror i pastër kristal
Nuk priti sprovat e agimit në ardhje
Përbaltjen nga lakmitë
Janar, 2019

NJË DITË
Amanet i lulëkuqeve  nën dry
O mot katran i sojit të pangishëm
Patjetër do ikësh një ditë
Me vragë lie fytyrës kujtim
                     Janar, 2019

DËSHIRË
Mburojë dhembjesh  shpëtimi
Buzëqeshje e çiltër e lotin në qerpik
Qiell i paq e strehë dashurie
Sall zemër e sall dritë
                         Janar, 2019

PRAPË NGRYK
Në piskun e dimrit u bëmë bashkë e bëmë be
Këputëm zinxhirë
Në behar na u çart beja
Lakmitë na  i dredhuan rrugët?
T’i lulojmë livadhet me qilimat kuq e zi
Si te Verrat e Lluk's e të merremi prapë ngryk
Dhjetor, 2018

LETËR
Me shkronja dore me shkruante baba
Në fletë fletoresh me vija të gjëra
Pjerrtas germat mes vijave rendiste
Fliste për motin, ugaret, të mbjellat
Fjalë tërthorazi
Katallanët  roje  hapnin  zarfet  n’ushtri
Auckaland, 2018

UJKU BARI
Zbret  nga mali në mjegullnajë
Tebdil si bari
Të padëgjueshmëve
Ua zë bishtin me derë
Servilëve u jep nga një gisht mjaltë
Vihet në krye të kopesë
Në vathë mbyllur dhentë paq i qethë
Çdo katër vjet ju bënë be
Edhe tamel vremqi* në sofër do keni
Kësaj pranvere lirisht do kullotni livadheve
E nuk  ju  zhvatë më
Prill, 2018
*qumësht harabeli


ZOG I KOPSHTIT TIM
Ditë e përditë,
Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...
Në çaste terri e drite.
Pikturon me zë:
Kreshtën e Shpatit kodrës*, kaçubat e Rogës gatë*
Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë
Kthimin e madh, orën e bardhë,
Ikjen e territ, qershor '99!
Janar 2018
*( Shpati i kodres, Roga e gate, vende mbi fshatin Kabash






BORXH JAM
Borxh deri në fyt jam
Prindërve
Më rritën
Barit e dushkut
oksigjeni e shëndeti im
Borxh jam deri në fyt
Ëndrrave që nuk i bëra zhgjëndërr
Bregut lumit
Arave me grurë
Borxh jam gruas
Fëmijëve
Profesionit e punës
Që nuk bëra shumë më shumë
Sa do të doja unë
Borxh jam Shqiponjës
Që nuk fluturon e lirë
Mbi gjitha malet e fushat ku flitet shqip
Fund janari, 2018

KËSHILLË E PARË
Dil nga orbitë  i ngushtë mëhallësh
Mos u lako e mos  ik nga vetja
Lajkatar e flamur ndërrues  mos u bë
Bëhu gonxhe malesh e fushash tua
I gatshëm për të çelur  në çdo stinë
Bëhu luleborë e ushtar motesh të mëdha
Janar 2018

ELOZH  PËR GJERGJIN
Gradat, lavdet e sarajet  e shtruara  në ar
Nuk e lëkunden
Arbënia   ishte dhembja  tij  e parë
Janar, 2018

SHËTITJE MBI FSHAT
Rrugicat mbyllur
Me shkurre, barishte,  thera ...
Banorët  ikën jashtë ose ranë në qytet.
Manaferrat mezhdave kalavesh të paprekura
Gjurmë  bagëtish e njerëzish askund
Përroska mbuluar me kërpnaja e shelgje.
Gardh  i gjallë që s'kalohej këtej e matanë.
Hutat e ketrit kishin zbrit  nga mali.
S'më kishte ndodh ndonjë herë më parë.
Të dilja mbi fshat.
Dhe të mos shihja fushës bujq. barinj, bagëti
E kosëtarë tek ju jepnin krahëve  në radhë.
Gra shamibardha tek çonin bukën në arë.
Kabash, korrik 2013



TEK FLISTE
Lidhte kujtimet në torbë nyjë
Me gjithçka nga pak; arra, mollë, kuleç
Çdo të pesëmbëdhjetën ditë
Me kokën në trastë nisej 
Në vizitë djalit në Sremska Mitrovicë
Zgjidhte nyjë
Në heshtje i tregonte për situatën
Shokët e idealit, hafijet ...
Merrte djalit kujtimet e shkruara n'qeli
Gardiani roje 
I pafuqishëm të mbante kontrollin
Nëna tek fliste me sy
Shtator, 2017


PIKON
Pikon kulm i shtëpisë 
Pikon 
Hafije e ustallarë nga gjitha anët vijnë
Thirr e pa thirr
Kush ndreq kush prish
Tanët mjaftohen të jenë në krye të vendit
Të mos lagën
Gushë për gushë me qoftëlargun
E lëshojnë udhë

Korrik, 2017

Mbesa ime vogël
Fytyra saj diell mëngjesi,
magji nga qielli zbritur.
Fjalë ëmbëloshe, gurgullimë kroi n'mal!
Përditë mëson diçka të re.
Në semafor kur sheh të kuqen:
stop, stop babi, e urdhëron!

Gushti, 2017

NËNA RABË

Për dritë të gazishtës

Thurte çorapë

Ngrohte mëngjeset e ftohta

Dhembjen e njomte si lulet

Jetën

Fjalën

E qëndiste me ar
                                                                 Gusht 2016















MËSUAR



Rrëzojnë diktaturën.

Ngrehin një të njëjtë me bujë

dhe vazhdojnë jetën si më parë

në diktaturë!


                                                                                               Gusht 2016











BIOGRAFI II



Në krye të herës, fjala e prangosur.

Pranë oxhakut mbrëmjeve,

për toke shtrinim baloza e krajl!

Freski mëngjesi mërdhinte këmbët zbathur.

Me gishta të vegjël,

xhamave të avullt ushtronim bukurshkrim.

Zinim xixëllonja, i venim në ballë.

Grunajave dielli i buzëqeshur,

cicërima jete, për bukën e bardhë!


                                                                                             Qershor, 2016
















BREGUT



Zhurmon vala

Tek përplaset shkëmbit

Shkumëzon shkumën thinjoshe

Bregut ec unë

Pulëbardhat tutje tehu fluturojnë

Njëra ndahet e më ndjek pas

Eja sikur më thotë plot gaz

Ta shuajmë mallin bashkë

Dhe era luan me flokun tim zbardhur

Rërën e nxehtë nën këmbë

E ndijë por s'më ngroh dot


                                                                                       Korrik, 2016













NJËHERË E MIRË



Yjet zënë me shtëllunga të zeza resh

Shtigjesh bjeshkësh më në fund erdh Dielli

Rrëmujë e ngazëllime mëngjesi

Qentë qençe lehin Diellin

Azdisen në kohë lirie

Poeti vazhdon rrëfimin për ujkun

Dhe byryten mëzetërit që kullosin livadhet

E zëna me tre plisa dheu mbi mezhde

Ende në kërkim të artilerisë për të vrarë

Mizat bezdisëse njëherë e mirë


                                                                                                Korrik, 2016












ATË DITË KUR PO NISESHA USHTAR



(25 gusht 1970)

Nëna nga bunari nxori një kove ujë.

Piva një gërrqe se kështu ishte adet.

Shtrëngim duarsh, përqafime,

doja të mbahem burrë, loti më tradhton.

T’i shpëtosh të keqes, më thanë, sa më pak fjalë!

Me të ligun mos ngul kunja,

dosjet janë të hapura për shqiptarë!

Ne vetëm numra jemi,

mos beso kur të rrahin krahëve!

Në listat: “Të rrezikshëm për shtetin”

emrat tanë deri më një të sistemuar i kanë!


                                                                                                  Nëntor, 2014
















PRURJE KOHE



Shpirtshiturit, çirren podiumeve.

Mohojnë vetën ngjyrat kuq e zi.

Kanë korruptuar zyrtaret

Dhe shesin dhjam për mish!


                                                                            Korrik, 2016
















KU MBETI



Ku mbet moti kristal

Oxhakut tymi i shkonte drejt

Qëndisej me arë fjala e jeta plot harmoni

Ku mbeti fjala e thënë në sy

Kohë gjithçka prapa krahëve erdhi

Veshur me pendla të bardha mjellme

Brenda sterrë i zi

Ku mbeti autoritet i prindit

Shtetit

Shkollës

Familjes

Çiltëri e djalit vajzës

Fjala fjalë

Emrat shqip

Ku


                                                                           Dhjetor, 2015

















ITAKA



Josh gjithçkaje e saj

Shtegtarët me ditë e natë krahëve u japin

Hijeshi e sirenave e tmerr katallanësh nuk i ndal

Rendje mes shkretëtirave e resh

Aromë e vatrës ndjellë e thërret

Në zhgjëndërr e ëndërr shfaqet

Si këngë bilbili në rremb


                                                                                           Qershor, 2016

















FJALË E FJALË



Në takime mërgimtarësh.

Secili ka një mendim.

Dy.

Tre.

Shumë.

Grijmë ujë në havan.

Komentojmë libra e tituj gazetash pa i lexuar,

Gjykojmë problemet madhore të shtetit, pa qenë atje!

Botën ujdisim,

Më mirë se perënditë ...

Shajmë diku të irrituar .

" Po të ishim ne, do të bëhej më mirë " !

Flasim si ekspertë,

Të shkolluar kushedi nga cila galaktikë.

Flasim me radhë pa e dëgjuar sho-shoqin.

Secili shtyhet të shkrep, qoftë edhe një fjalë.


                                                                                          Maj, 2016

















NDRYSHIM I MADH



Kam mall,

dhe kujtoj motet,

kur brehej hekuri me dhëmb

dhe vdisje për Flamur.

Për të lexuar Fishtën, Konicën, Kadare,

Ernestin, Markezin ..

krijohej radhë.


                                                                         Maj, 2016

















EULEX



Me një të shkelur të syrit

Tanëve në pushtet

Flamurin na dizajnuan

si deshën vetë

Himnin pa tekst

Na presin rrobat

Herë shkurt herë gjate

Tamam asnjëherë


                                                                         Maj, 2016















MENDËSI



Bajraktarizmi mendësi e jonë

Ajka në shpinë të popullit

Loz lojën kaloras

Mbrapshtitë në rritje

E mbara e mira

Ende larg


                                                                       Mars, 2016


















EMIGRANT



Emigrant shkak luftë ngjyrash

Të tillë dikur pati edhe në fshatin tim

Të përndjekur nga e kuqja

Shtigjeve pafund në rrugëtim

Përtej oqeaneve mbërrin

I gjeta të plakur buzën shkrumb

Unë emigranti muhaxhir.

Në prag shekulli njëzetenjë

Dëgjuar keni nga gjyshërit

Për plagën e vjetër emigrant politik

Karvan në ecje lodhur

Me kujtimet plumb mbi kurriz


                                                                                        Mars, 2016

















TESHTITJE KOHE



Gjithçkaje i doli boja

Karriget u përlloçën si është më keq

Filiza të së resë në ketë palcë acari të vijnë

Të ngjallin shpresat e humbura nga lakmitë

Të kapërcejmë inatet vetën

Dhe jugë e bardhë të fryjë


                                                                      Mars, 2016















VENDÇE



Ecje mbi ferra e shkurre nëpër mote

Për jetën e bardhë

Për diell më shumë

Dhe dalin nëngurët

Vjelin frutat e pemëve

Kafshojnë diellin pamëshirë

                                                                                 Mars, 2016

















KËNGË E PARË



Këngë zemre

Buqetë

Ëmbëlsi

Panel në dorë të piktorit

Gëzim

Mall

Gur në qafë

Djep ëndrrash

ATDHE germë e parë e alfabetit


                                                                          Auckland, mars 2016














SHTERPËRI E GJELAVE



Gjelat kryengritës të mëngjeseve

I dehu fitorja

Nga pangopësia vetëlavdërimet

U ngjirën

Për të qëndruar majë mullari

U qullën si është më zi


                                                                                     Shkurt, 2016













MBASE



Donzhuanët kolonizuan shën Valentinin

Për të treguar besnikëri

Përmes dhuratave e luleve

Blerë dashuri

Mashtruar e fshehur kurvëritë


                                                                                     Shkurt, 2016














GJUHA SHQIPE



Në Gadishullin Ilirik

Në krye të motit

Farë e fjalë e parë

Këngë zogjsh

Rreze

Dritë e ylbertë

Rrënjë

Shqip e bërë ugar

Nga trung i saj në shekuj

Lindën e u rritën edhe tjera gjuhë


                                                                                        Shkurt, 2016

                                                          

No comments:

Post a Comment

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...