|
Eastern Beach (Auckland) |
ANI DADA SHAHE
Vajzave, sipas traditës, kur shkonin nuse, tri ditë përpara i ngjitej boja në prani të rrethit të ngushtë familjar, bijave dhe grave të fqinjëve. Ketë punë e bënte halla ose dikush prej mbesave. Mirëpo vajzat kundërshtonin sikur nuk duan me shkue nuse. Tixhja e Sadikut në momentin e këtij riti kundërshton me forcë hallën dhe del jashtë shtëpisë. Halla ndjek ,e ajo ik. Dikur halla lodhet e ndalet. Shko, the qafën, i thotë, ma nuk të ndjeki. Me zor nuk të bajmë nuse. Tixhja e frikësuar se halla hidhërohet e kjo mbetet pa shkuar nuse, i thotë hallës. Ani, dada Shahe, hajde, se vallai nuk iki ma!
BILE EDHE VEGETË JU KAM QITË
Mbledhësi i njohur i anekdotave Salih Zogiani në vitin 2015 më kërkoi disa prej anekdotave të mia për librin e tij që po përgatiste për botim. Përzgjodha disa dhe e bëra me dije se po t’i nis me postë elektronike shkrimet. Dërgomi, më tha, sa t’i kem në dorë do i kavardisi edhe pak e bëj gati për botim. I kam kaverdisë vetë, bile edhe vegetë ju kam qitë, janë krijime të mia dhe dua të mbetën ashtu siç i kam shkruar. Dhe “kaverdisja” na prishi punë, nuk u morëm vesh për përfshirjen e anekdotave të mia në librin që po botonte, por vazhdojmë të jemi miq.
ANI BRE BIR EDHE JUVE
Në vitet 1944/45 vijnë brigada partizane nga Shqipëria në Kosovë. Me të mbërritur njëri nga partizanët të brigadës takon një nënëloke në fshatrat e Kosovës dhe e përshëndesin alla partizane. VDEKJE FASHIZMIT NËNËLOKE! Nënëlokes nuk i kish ra ta ketë dëgjuar ketë përshëndetje dhe ju përgjigjet: ANI BRE BIR EDHE JUVE!
KEM MI SHKRI
Me 18 qershor 1999 e takova Mustafë Sallahun (tashmë i ndjerë) rrugës në Kabash, i cili gjatë gjithë luftës ishte peng në vendin e tij të punës në mullirin elektrik në Kabash nga serbet. Sa më pa: shpëtuem, më tha. E thyen qafën, shkuen prej nga paten ardh! E ke pas zor, i them. Ma zor s'ka ku shkon dhe vazhdoi, veç m'bajshin me kesh ata (serbet) që vishin me blu', kur m'thojshin: Kojshi edhe pak kanë me na ardh armë nga Rusia dhe aeroplanët e NATO-s kem mi shkri n'hava.
Shënoi: Sabit Abdyli
KAH DO M'I RA
Kabashët në vitet para 1950 çonin fasule, drithëra, bulmet etj. për të shitur në Shkup. Haki Azemi vëren se në shtëpi i kishin bërë gati thasët me fasule e miell për ditën e pazarit në Shkup. Në mbrëmje, i thotë të vëllait të madh (për t'ja kujtuar se ai e ka radhën): baci Haxhë, nesër kësmet në sa sahati po nisesh për Shkup dhe kah do m'i ra?! Kah të dush bjeri, i përgjigjet vëllai i madh.
PAK HABDALL
Njerin prej katundit tonë, tregonte Rama, gjatë luftës e patën zanë rob gjermanet dhe pas disa vjetëve e lëshuan. U çuem na te katundit me shkue me pa dhe pritshmi qe burgu dhe qëndrimi në Gjermani e kanë mbush mend se pak habdall (hardall- i trash nga mendja) ka qene. Kur shkuem çka me pa, nuk kish ndryshue hiç. Dhe erdhëm në përfundim kur dolëm prej tij se habdalli, habdall mbetet!
ANI ANI
Mblidhen katundi të caktojnë një rojtar për ruajtjen e fushës. Hapin debatin për kandidatët e mundshëm. Sa pajtoheshin për dike, Xhelil Kryemadhi kundërshtonte. Në tubimin tjetër prapë Kryemadhi nuk pajtohet, por kësaj herë nuk e pyesin katundi dhe e caktojnë rojtarin. Ani, ani u thotë Xhela, për juve e kisha se unë për veti s'kam as arë as livadh.
NUK MË KE LODHUR
Një shok i imi në kafene më mbajti me orë të tëra me llafe, pa më dhënë rast të flas asnjë fjalë. E dëgjova se fliste me sinqeritet. Në fund, kur po ndaheshim, më tha: Valla të kam lodhur sot, fola shumë. Jo, jo, nuk më ke lodhur, përkundrazi .... Mbas disa ditësh në të njëjtën kafene e tavolinë, por tash ishim më shumë shokë. Prapë ai e mori fjalën dhe tregoi rastin kështu e kështu me Sabitin. Po, vazhdova unë, lere se e dëgjova aq shumë, po u deshtë edhe të rrej, duke i thënë: "Jo, jo, nuk më ke lodhur, përkundrazi, më ke kënaq."
QYSH RASHË
Rrëzohet Nasradini prej gomarit, por për fatin e tij të mirë në tokë bie në këmbë. Ndalet në pozitë siç kish ra. Hej, i thonë, çka je shtangur ashtu, shyqyr nuk u rrëzove keq, pse nuk po ec!? Jo, jo, përgjigjet Nasradini, le të më shohin mire gojëkëqijtë qysh rashë se ...
VALLA QYSH JAM
Mush, si arrite kaq lart në politikë? Thjesht, përgjigjet Mushi, akraballëku, gatishmëria ime me ua lag fytin, me ua mbajt setrat, ra shpinës të mëdhenjve, me qesh kur qeshin ata, me duartrokit e hesht kur flasin, kur ju vijnë mikeshat, kur dalin me to .. se valla qysh jam me fakultet të kryer kurrë nuk kisha mund ndryshe me gjet punë.
MARRE PËR TY
Nasradini e nxjerr për ta shitur gomarin e tij në pazar. Sa iu afroheshin njerëzit gomarit nga koka, ai turrej për t’i kafshuar me dhëmbë, kur i dilnin mbrapa, ai me shqelma i priste. Nasradin, i thonë, marre për ty që e ke nxjerr në pazar ketë gomar, ani hoxhë ... ?! Jo, përgjigjet Nasradini, nuk e kam prue gomarin me shit, po e pruna me i kallëzue miletit qysh e sa jam në zor prej tij.
QYSH MOS ME QA
Kush të rrahu, pse po qanë?! - e pyet Mushin e ëma. Po qaj se krejt po më thërrasin Mush Llapushi këtu te dajallarët, atje te shtëpia Mush curri, këtu Mush Llapushi, atje Mush Curri, qysh mos me qa? Hajt biri nanes, mos u ban merak se ata tut atje janë llapusha përtej llapushave dhe ti u dukesh “curr”, këtu janë curra e përtej currave dhe ju dukesh “llapush”.
HEJ POPULL
Omar Kahjami 1048-1131, filozof, astrolog e poet, thërret bashkëvendësit e tij për rregullimin e qytetit. Thirrjes së tij askush prej qytetarëve nuk i përgjigjet. Një ditë vishet siç është më keq, merr me vete një shkop dhe rrugëve të qytetit me vrap kalon, duke bërtitur si i çmendur. Njerëzit kureshtarë, rrufeshëm lajmërojnë njëri tjetrin se qenka çmendur poeti. Turma e madhe e qytetarëve flugën pas filozofit. Ai ik, turma pas tij. Diku jashtë qytetit ndalet Khajami dhe i drejtohet turmës: Hej popull, kur ju thirra si njeri me mend në kokë, askush prej jush nuk iu përgjigj thirrjes time, tash kështu mendje krisur dhe i marrë si ju, po më ndiqni mbas.
I DITURI
Derisa po e shëtiste me barkën e vet një njeri të ditur larg bregut të liqenit, i dituri e pyet pronarin e barkës:
-Di shkrim lexim, i nderuar?
-Jo, përgjigjet ai.
-Po nuk dite shkrim-lexim, je i verbër. E qorton, i dituri.
-Zotëri, dini ju të notoni?
- Jo! – përgjigjet filozofi.
- Në ketë thellësi të liqenit po na u përmbys barka, ju zotëri, me keqardhje po ju them, do ta paguani me jetë ketë mos dijen tuaj. Unë për veti edhe kështu i “verbër” me not, krejt lehtë dal në breg.
NË KULET
Mush, çka është kjo puna e dr. Sokolit, dje isha për kontroll dhe dëgjuesen i ma vuri në kulet. Pse, qysh, në kuletë? Në kuletë, më tha, më së mirë e dëgjoj si të punon zemra dhe a vlen me u marrë me ty e sëmundjen tande!
JO ZOTNI
Mushi kureshtar e cinik, e sheh një grua duke u kthyer nga arat me gomarin ngarkuar me thasë, dhe i thotë: Oj fisnike, e paske ngarkue magarin shumë, a i thoni magar apo ndryshe? Jo zotni, nuk i themi magar po i themi shërbëtori i shtëpisë, po njerëzve si ti, që përzihen në punë të hallkut, ju themi magar.
JO MORE
Dëgjove, më thotë Iliri, për librin që e nxora këto ditë nga shtypi N.N më tha: “Libër më të mirë në jetën time nuk kam lexuar.” Sigurisht, i them, libri yt është i pari libër që ka lexuar, nëse e ka lexuar N.N, prandaj... Jo more, mos asnjë libër tjetër, Abetaren ishalla e ka lexue, u përgjigj Iliri, duke qeshur.
A BAHET BRE
Çka të ka ndodh kështu Mush, ti sikur shkove me u kënaq në vendlindje?! Mos pyet Kryemadh, tuj ec trotuarit u rujta prej gropave dhe i rashë shtyllës. A bahet bre, midis trotuarit shtylla, kerre të parkuam, gropa, patjetër diçka me të gjet, ja me ra në gropa, ja me i ra shtyllave e kerreve me krye. Unë, qe qysh po më sheh, e theva kryet n’shtyllë.
PO TA LA TY
Njëri prej dhëndurëve e tepronte me ardhjet, bashkë me gruan dhe fëmijët te baci Haxhë. Një ditë sa e sheh te dera se po vinte dhëndri, baci Haxhë e merr një bohshqe e qet në shpinë dhe niset me dal. Ku baballak, ku po shkon!? Po shkoj baballaku me gjet nji shpi tjetër se ketë po ta la ty.
E DI, E DI
Mush, e pyesin, si i ke punët me ramazan? Valla drejt me ju kallëzue nuk po agjëroj, borxh e kam, i shëndosh jam dhe më duhet me mbajt, po kur po shoh që po agjëron dhe veç me tespi në dorë po rrinë Lami, Keqa e Rama, që toka kah e shkelin e djegin, s’kanë lanë gja pa ba edhe në xhenet mem thirr ata nuk shkoj me ta. Secili për veti, o Mush! E di, e di, po me ta .....
PA FIJE KULTURE
Derisa po ecte rrugës i shoqëruar nga studentët e tij, Sokrati përshëndet një person. Personi nga mendjemadhësia ose ndonjë arsye tjetër nuk ja kthen përshëndetjen. Nxënësve u vejnë keq për ketë mospërfillje dhe reagojnë. S’keni pse të reagoni, ndërhyn Sokrati, përkundrazi, ju duhet të jeni krenar e të gëzuar që profesori juaj është i sjellshëm dhe nuk është si ai tjetri mendjemadh dhe pa fije kulture.
ÇKA U BA
Mush, sot një javë e martoj djalin dhe prej tashti je i thirrur në darsëm. Përhajr Kryemadh, po parvjet kur e martove Ramizin, gati krejt katundin e pate thirr veç mue me ndave. Çka u ba tash, të parin më thirre?! He Mush, atëherë nuk ke pas veturë.
S’KA MA BURRA
Mush, a të thirri në dasmë Rama se isha aty kur e banë listën me emnat e dasmorëve dhe ti ke qenë në mesin e të parëve. Jo valla Kryemadh, nuk më kanë thirr! Emnin ta kam lexue po ta paskan heq. Shiko Kryemadh, mos mem pas shti në listë kurgja nuk u kan edhe mos mem thirr, a me ma shkrue emnin e mem fshi nejse ... Veç mos e zafsha se pa ja kajt nanën nuk e la. O bre Mush edhe Rama si disa në FB, ta çojnë ftesën dhe kur e shohin që nuk ju ban lajka të fshin. S’ka ma burra, Mushooo!
NA KËNAQEN
Në vitet e 70-ta shkolla ku punoja pat shpallur konkurs për një vend pune. Dy koleg të punës interesoheshin për ketë vend, njëri për gruan, kurse tjetra për burrin. Për çdo mëngjes dhe pushimeve mes orësh kolegu i interesuar për gruan e tij na rrinte me paqetën e cigareve në dorë nga më të shtrenjtat, ndërkaq kolegia na sillte ëmbëlsira të gatuara në shtëpi përditë. Isha kryetar i Pleqësisë dhe kur desha ta thërras mbledhjen për pranimin e punëtorit të kërkuar. Jo, më tha sekretari i shkollës, duke qeshur, mbledhjen po e shtyjmë. Pse, qysh!? – i them. Po e shtyjmë se na kënaqen me torte e cigare B. e Ç.
QY
Zbrit prej kamionit, e urdhëron polici shoferin, ta shohim mos ke pi alkool. O vëlla të paça, mos më zbrit se nuk muj me hyp ma, sa per alkool, qy alkool, hëk!
MOJ
Moj, vazhdoi deputetja Zyme, gjithçka ndryshoi, dikur kur dilja në foltore të gjithë më duartrokisnin gjatë edhe pse nuk dija të flas, por kisha gjoksin e bukur, tash që u plaka, di të flas bukur, por me gjoksin e shterur kush nuk më duartrokit, as dëgjon.
AUUU
Duke i ruaj delet e zë gjumi Mushin. Shkojnë barinjtë tjerë dhe ja mbështjellin rreth trupit zorrët e një deleje të prerë dhe e thërrasin. Mush, zgjohu, çka u ba me ty, të paskan dal zorrët jashtë, qysh nuk po i sheh!?. Auuu bre! - trembet Mushi. A po të dhamin? – e pyesin. Po më dhamin boll, po unë i fort dhe po qëndroj se me qenë ju moti kishit mbarue.
NUK MA NIN HIÇ
Hë Lam, si kalove mbrëmë te Mushi? Mirë deri diku, na qiti me hangër tana t’mirat për darkë, po pa çehre... Qy, mue le t’më qet me hangër se për çehre nuk ma nin hiç edhe me kallash te kryet mem nejt nuk e kam dert, veç sofra të jetë plotë! – përgjigjet Kryemadhi. Po, po Kryemadh, marrja tu ka ba fytyrë dhe nuk e ke dert për kurgja ti.
E KAM DIT KRYEMADH
Mbas luftës (1999) kthehet Lami e gjen shtëpinë e zbrazët dhe të demoluar. Del te fqinji, Keqë Kryemadhi dhe e pyet. Keqë, ti gjatë luftës këtu ke qenë, çka ta merr mendja, kush m’i ka marrë mobilet dhe teknikën e bardhë se për tjerat ... Valla kojshi, luftë ka qenë dhe nuk e kam pas gajlen e seneve tua unë. Pas disa ditësh Lami shkon i futet brenda Keqës dhe i sheh dollapët, kanapetë, frigoriferin, TV etj. të tijat. Kryemadh, zoti t’marroftë krejt senet e mia ti i paske marrë, pse nuk me ke kallëzue!? Po, valla Lam, i thotë Kryemadhi, i zënë ngushtë, me qëllim nuk të tregova se kam deshtë me të befasue. E kam dit Kryemadh se do mem befasue dhe prita 1 muaj ditë, se e dija që ti m’i ke marre me i rujt. Po, de, po Lam, kam deshtë me t’i rujt!
KREJT SI KALINA
Në ekskursion me nxënësit e shkollës po vizitonim kopshtin zoologjik, atyre më shumë u interesonte buallica e gomari se kafshët tjera. Këqyrni more luanin, tigrin, kalin e detit, majmunët etj. se buallicën e gomarin keni në fshat, u thash. Interesant valla, u përgjigjen, ma shumë po na duken këto që i njohim. Qe, qe, i thoshin njëri tjetrit, krejt si Kalina (emër buallice) e Tafës, gomari krejt si i Talit dhe qeshnin me zë. Edhe unë ndala me ta për të mos ua prishur qejfin. Fundja për ta kisha shkuar në ekskursion.
JEPNI KRAHVE
I mbledh zogjtë laraska për t’i mësuar si të ruhen nga të papriturat. Po u lëshuat në arën e bujkut për ushqim, kujdes po e vërejtët bujkun tek ulet për të kapur gurin, ju jepni krahëve. Njëri prej zogjve ndërhyn; po nëse e ka gurin në dorë bujku, atëherë?! Ti, i thotë laraska, nuk paske nevojë për mësimet e mia, qenke e mësuar vetë.
MA MIRË HIÇ
Mixha Met, njeri i fjalës, punëtor e fjalëpakë. Një ditë derisa po punonte, Zeka, bashkëvendës i tij, e lavdëron për punën që e bënte me marifet, jetën e qetë në familje dhe rregullin në shtëpi. Krejt mirë valla Zekë, i thotë, por sikur ta kisha pas një djalë... Qy, ndërhyn Zeka, shuj se boll mirë je, a po do ta jap Lulin tim, bile edhe shkollën, ushtrinë e ka të kryme, se kurgja nuk po më vyen, veç telashe po me qet. Valla Zekë, më flladite me këto fjalë, ma mirë hiç se fëlliqtë, përgjigjet mixha Met.
MISH HALLALL
Shkon kasapi kinez për të parë pse kasapi irakian ka aq shumë shitje. Bëhet tebdil dhe futet në mishtore e irakianit. Në mishtore sheh se mishi i tij mbante një etiket ku shkruante. Mish HALLALL. Vëren se ka mish viçi, lope, pule, dele etj., po nuk ka ... Dhe turr e vrap në mishtoren e tij. Merr lapsin dhe me shkronja të mëdha në vitrinat e dyqanit të tij tejpërtej shkruan: “SHESIM MISH DERRI HALLALL”.
QITI DAJËS NË KRYE
Për të pame (ngushëllime) derisa zgjaste e pamja (në vitet e 70-80 - ta zgjaste me muaj), përditë kthehej bukë për burrat që prisnin dhe mysafirët e rastit. Vazhdimisht dikush duhej të bënte hyzmet. Në të pamën për babën tim (prill-mars 1983) më erdhi nipi prej Shkupit. Në kohën e drekës mori legenin, peshqirin dhe po u qet t’i lajnë duart të pranishmëve. Nipi (Celi) i pamësuar si bëhet hyzmet, e mbante legenin lart dhe burrat duhesh të çoheshin gati në këmbë për ta mbërri legenin. Kur i erdhi radha bacit Haxhë, (Haxhë Azemi) ai e hoqi kapuçin dhe e përkuli qafën, qiti dajës në krye, i tha nipit dhe vazhdoi: Ulu pak ma poshtë, durt po i lajmë, jo kryet. Qeshi nipi dhe të gjithë tjerët aty.
KRYEPLAKU
Një kryeplak fshati, duke ditur se nuk kishte pushtet përveçse t’i denoncojë te pushteti, për t’ua treguar bashkëqytetarëve ketë, mëngjes për mëngjes, u thoshte: Hej, runu mos gaboni se krejtve muj me ju çue në burg, po me nxjerr nga burgu, nuk mundem asnji!
JU KENI ME HANGËR
Shef, çka asht kjo mizë në gjellë, turp... restorant me 5 yje, miza në pjatë...! - ankohet konsumatori, shefit të restorantit. Nuk asht mizë, po qep e fërgueme dhe e kap mizën rrëmbimthi shefi e fut në gojë e ha. Qetësohet konsumatori. Turravrap shefi futët në kuzhinë, mbledh personelin i kuzhinës dhe ju thotë: Për shkak pakujdesisë tuaj, ruejtjes së emnit tim dhe të restorantit, sot e hangra një mizë, po ndodhi prapë, dijeni, ju keni me hangër mizat, jo unë!
ÇKA PO DO TJETËR
Si asht, e ke pa ma frik, e pyeta N.N për nji shok timin të shkollës, kur isha për pushime në Kosovë. Au, ka marue i shkreti! Pse qysh, ndërhyna unë. Pse? Pse e ka lanë duhanin dhe ka nis me ngue gruen. Çka po do tjetër ma keq!?
U GJETËT QATY
Me një ndej mes tjerash u fol edhe për periudhën nën okupim 1990/1999, sakrificat, qëndresën etj. Gati të gjithë rrahën gjoks se kanë bë shumë. Unë lavdërova punën e punëtorëve të arsimit që e mbajtën gjallë shkollën shqipe në ato kushte okupimi edhe pa rroga. Njëri aty që ju duk se i ranë poshtë gjithë ato të bëmat e tija “patriotike”, m’u kundërvu, po ju të arsimit nuk kishit alternativa (zgjedhje) tjera, qat profesion kishit, u gjetët qaty dhe ... Kem pasur alternativa, i them, si nuk kem pasur, kem mund me ndërrue deviza, me u marrë me tregti me bashkëpunue me matrapazët si ti, por ...
VEÇ PO VRAJSHE
Njëri që e mbante vetën si aktivist në odën deng me burra (fjala është për vitet e 90-ta nën okupim) informoi për situatën duke përmend edhe emra e folur për njerëz kuturu. Jo ky s’ban, jo ai tjetri s’ka guxim, jo ka qenë komunist, jo nuk është orator i mirë, jo spiun etj. Dikur njëri prej burrave kërkoi leje prej zotit të odës dhe ju drejtua aktivistit. Ti bre djalë i mirë s’po e vnojshe llovaqken hiç në sy. Veç po vrajshe.
A FLUTURON KROKODILI
Stalini për t'i verifikuar bashkëpunëtoret se cilin bën e cili nuk bën i thërriste në zyre një nga një dhe i pyeste. A fluturon krokodili? Ata që përgjigjeshin me; “jo shoku Stalin” nuk fitonin besimin e tij. Vetëm ata që përgjigjeshin me plotë gojën; “po shoku Stalin, kur thotë partia edhe krokodili fluturon”, i ndalte në kabinetin e tij. Për të menduar e vendosur , partia është, lexo kryetari saj . Edhe sot ashtu është, po nuk ja mbajte setrën, po nuk je në lidhje farefisnore me liderin, nuk ja bën çak punës.
NGJITET NË DY KRAH
More vesh, cilin e emëruan kryetar të grupit për tenderin e tokave të kooperativës? Sulë Kryemadhin! Cilin? At Sulën de, që në kohën e bashkim vëllaznimit ushtronte detyra me përgjegjësi partiake e shtetërore pasi kish fituar besimin e partisë, duke denoncuar e lëçitur xhaxhin e tij, i akuzuar për kontrarevolucion e separatizëm. Sulën, po ai as fytyrë as kurriz nuk ka!? - u habit Mushi. Sula, vazhdoi Luta, prapë në emër të xhaxhait, shokët, si nip i familjes, që ka bë shumë për çlirimin e Kosovës e emëruan kryetar. Ngjitet në dy e ma shumë krah Kryemadhi, Mushoo!
PO VALLA IK
Shkova te mbesa në Ferizaj. Të nesërmen kur zgjova dola në oborr te çezma lava sytë. Mbesa ma ofroj peshqirin dhe hajde dajë, më tha. Qy, nga brenda thirri burri saj, Sula, çka hajde, autobusi nuk prit, fuuuuuuuuuu ban dhe i ikë dajës, leje le të shkon se kohë pune tash në katund. Po valla, më ik autobusi, i thash mbesës dhe nuk due me ja pa surratin ma Sulës. Dy orë e prita autobusin në stacion, tregonte M. M.
VEÇ PËRZIEN
Me u çudit valla, Sulë Kryemadhi kish botue edhe nji libër, qysh po mundet... ai nuk di me shkrue, bile edhe kur flet veç përzien blla, blla e kurgja nuk thotë. Në kohën e bashkim vllaznimit ja shkrujshin të tjerët referatet, po tash nuk ka ndonjë funksion dhe ...? Qy, ndërhyn Mushi, tash nuk ka pushtet, po ka lekë, me lekë i blen krejt ...
PËR SYTË E ZEZË
Çka je kështu i mërzitur Kryemadh? Nesër ka promovimin e librit të katër me poezi Sara dhe në lidhje me librin do ta kem fjalën kryesore unë. Mirë de, ti edhe përpara ke folur në promovimet e saja dhe nuk je ankuar. Po, po Mush , e vërtetë, po atëherë Sarës vetëm njëri ja shkruante poezitë... dhe e kisha lehtë. Tash poezitë po ja shkruajnë shumë veta, kush për sytë e zezë të saj, kush për lekë dhe e kam zor të flas... shumë stile, shumë gjuhë ...
THJESHT E LASH
Në kohën kur na ndërprenë rrogat (1990-1999) neve në arsim, takohem me një koleg timin të punës dhe sa u përshëndetem i ofrova cigare nga të miat. Jo, më tha, e kam lënë. Mirë paske bë, i dëmshëm dhe ..., i them unë. Se është i dëmshëm nuk e lash, thjesht e lash që mos t’ju them njerëzve më jep një duhan, u përgjigj ai.
ASNJË ARSYE
Një shitës i pezhgëvës (lloj vaji i trash), që përdorej dikur për lyerjen e osit të rrotës, te qerret e drurit, me vone edhe te hekurit, në fshatrat e malësisë së Karadakut, duke shitur pezhgëve, njëri prej blerësve, i ankohet: Atij fqinjit tim i dhe më shume pezhgëve, bile edhe më të mire, mue për inati, ja shihe sa pak! Jo bre dashamir, po të duket se, unë nuk të njoh, fqinj, të farefisit, në mezhde, rival në profesion nuk të kam. Nuk kam asnjë arsye me të pas inati?! – i thotë shitësi.
NJI, DY –NJI, DY
Në vitet 1944, 1945 shqiptarët për t’i shpëtuar arrestimeve, vrasjeve nga partizanët deri dje çetnik u bashkëngjiteshin brigadave partizane. Në territorin e Kosovës na mbanin disa ditë pa armë dhe me rroba civile. Komanda bëhej në gjuhën shqipe. Bënim ushtrime dhe derisa tetari na thërriste: Nji, dy, nji, dy, njër i paksa në moshë, i tha: O shoku tetar, kështu zbathun, pa ushqim, ne nuk po mund ta bajmë nji hap, kurse ti po kërkon dy. E nxorën nga rreshti dhe ... Në ecje (marshim) duhej të thërrisnim: Duem luftë, duem luftë, shumica prej neve thërrisnin: Duem lugë, duem lugë se ishim untë (të uritur). Tregonte mixha Nuh, për kohën kur ka qenë partizan.
MOS QAJ
Mush, të vetmin djalë ty të ka baba e nana, çka kanë heq deri sa të rritën, tash presin shumë nga ti, lej ma prapështit, mos dil vakt e pa vakt edhe katundi po ankohen, dëgjoj prindit se ata të duen ... Mushi para kryeplakut që e kishin thirr prindërit për t’i fol fillon të qaj me zë. Mos qaj, i thotë kryeplaku, kryesorja po pranon gabimet dhe nuk asht vonë t’i kthehesh jetës e normalitetit. Jo, jo përgjigjet Mushi, sa ta pashë mjekrën ma përkujtove cjapin që e kisha dikur, kështu krejt si mjekrën tande e ka pas, më dhimbet që ma preu ujku në mal se për tjetër nuk po qaj.
I PLASI GAZI
Fqinji i pasur për ta ndihmuar fqinjën e vet të varfër me shumë fëmijë, i thotë, përhape fjalën se mund të ndihmosh njerëzit me probleme shëndetësore. Nuk shkoi shumë kohë, fqinja me fëmijë jetim u bë e njohur dhe i doli nami se shëron njerëzit e sëmurë. Me parat e fituara bleu shtëpi me një qytet tjetër dhe vazhdonte ta ushtronte zanatin e saj. Ndërkohë fqinjit ta saj të dikurshëm duke hëngër i mbetet një kockë në fyt. Kërkojnë ndihmë nga mjeket por kot, kocka ju kishte ngulitur dhe nuk dilte. Dikush prej miqve, për ta ndihmuar mikun, shkon e sjell fqinjën e dikurshme të tij pa ditur historinë e saj. I çojnë të sëmurit fjalë se po vjen një nga mjeket popullore më në zë të qytetit të madh. Sa futet brenda “mjekja” i sëmuri mbasi e pa se kush ishte mjekja me nam, i plas gazi dhe nga e qeshura i del edhe kocka.
MBRETI YNË
Një i ditur në dhënien jetë të projektit te tij i duhej leja dhe ndihma e mbretit. Merr vesh për ketë mbreti dhe për ta ulur poshtë të diturin që nuk i bindej, i çon fjalë. Nëse me bie te këmbët do ta kesh lejen dhe gjithçka tjetër ... I dituri refuzon dhe vazhdon të kërkojë rrugëzgjidhje tjera par ta realizuar projektin, por nuk gjen, duhej leja dhe shumë para. Pas një kohe nga dëshira e madhe për ta përfunduar projektin, që ishte në dobi të njerëzve, vendos ... Shkon dhe i bie në gjunjë mbretit. Me të kuptuar ketë populli, që i adhuruari i tyre u desh tí puth këmbën mbretit, mblidhet para pallatit mbretëror i tërë qyteti për të protestuar. Me të dal nga pallati i dituri i drejtohet masës së madhe, dhe u thotë: Qytetarë të nderuar, mos t’ju vjen keq për ketë veprim timin. Mbreti ynë kokën e ka te këmbët, prandaj u desh te veproj kështu, siç veprova.
NUK E KAM GAJLE
Në kohën nën okupim 1990-1999, kur punonim pa rroga një koleg i im merrej me bujqësi dhe të enjteve (dita e tregut në Viti) shiste prodhimet e veta bujqësore. Mbasi u përshëndeta me te, zgjodha një bostan që i kishte në shitje dhe nxora bankënotën e fundit për ta paguar shalqirin. Merri, i them, dhe po dua të nisem me bostanin në dorë. Ndal, më tha pasi e mori bankënotën, ta masim. se ju duk bostani i madh dhe parat pak. Çka ta masim, a je në vete ti, pak po të dukën që t’i dhashë!? - i them unë, duke qeshur. Për ta shfajësuar vetën, vazhdoi: Jo, jo po tutna mos të mora shumë para, e po të hy në hak ty se për veti nuk e kam gajle. Hallall prej meje të qoftë!
A E DI KUSH JEMI
Valla, katundet tjera kanë mbërri shumë, më thotë Farushi i Haxhës, na njime jemi kan përpara po tash kurrkund hiç. Pse, qysh? - ndërhyra unë. Qe mbramë për shembull, na kallëzoj baci N. se ish tuj e shkrue nji libër për katundin e tij. N. i them, nuk di as me shkrue as me lexue, qysh po shkruaka libër. Qysh, qashtu, ky fol me gojë ata të shkollimit shkruejnë. Po edhe për Kabashin janë shkrue - i them, jo një libër po tre. I zënë ngushtë që nuk e dinte ketë, vazhdoi, po, po kam ndëgjue, tri libra pak bacooo, tjerat katunde nji libër me shkrue na duhet pesë, se na a e di kush jemi!
KA LIDHJE TJERA
A dëgjove Mush, kish hap ekspozitë Demushi, lidhje more nuk ka ai me pikturë. Qy, nuk ka lidhje me vizatue, kjo dihet, po ka lidhje tjera dhe ...
MOS PYET
I kisha dhënë librin tim “Kabashi i Anamoravës” të botuar në vitin 1997 një ish nxënësit tim. Pas disa ditësh e takova dhe po e pyes: Hë, a të pëlqeu libri? Hmm, u mundua për një çast dhe vazhdoi, të drejtën me ta thanë, jo. Qysh, pse?! - e pyeta. Për dreq kishe paraqit një listë emrash në libër të kabashëve me fakultet të kryem. Si e ka pa baba desh me ka myt. Qe ti, nuk e kreve fakultetin, tu nga (vrapuar) mbas topit. M’u kanë i hajrit edhe emni yt kish figurue këtu. Dhe shyqyr e ka marrë me lexue mixha dhe ndoshta e harron se mos pyet!
UJK ËSHTË
Takova një shok timin tash kur isha për pushime dhe ma përkujtojë një ngjarje: Të kujtohet , më tha, kur të thash për N. N. se është ujk, të hapë rrugë , ndihmon njerëzit etj. dhe ti më the; ujk është për byth .. e vet, dhe vërtetë kur u vesh me pushtet ujk për by.. e vet më doli. E po, i them, nuk bënë të ngutemi me vlerësime as për keq, as për mirë.
QESHËM TË GJITHË
Gjatë viteve në studime (1967) kisha një shok që merrte edhe bursë edhe kredi. Unë as bursë as kredi. Duhet pranuar se në vitin e dytë edhe mua më ndau bursë komuna se disa prej bursistëve nuk kishin arritur ta regjistrojnë vitin e dytë. Mes ligjëratash po bisedonim për gjendjen materiale në të cilën ishim, shumica ishim keq. Mirë e ke punën, ti N. N., i thotë njëri prej nesh , ke edhe bursë edhe kredi . Hee, na thotë ai paksa i krekosur, e dini ju, që qengji i mirë i thith dy nëna. Po, po ndërhyra unë, mos po e thith edhe gazdaricen (znj. e shtëpisë), e cila ishte mbi 70 vjet dhe shumë e dhjamosur). Qeshëm të gjithë.
KU ME LËSHUE
Në skenë deri sa po lozte vallen e Rugovës dhe valltari po e sillte (mbante) këmbën gjatë pa e lëshuar në tokë, dikush nga publiku, i thotë me nervoz. Hej ti, lëshoje më këmbën se na lodhe! Po e lëshoj, por nuk po kam ku: mut këtu, mut aty, mut qatje ku me lëshue?! – pyet valltari.
PASKE ARDH
Auu profesor, kur paske ardh, sa mirë që të pashë. Ka një muaj e më shumë që jam këtu. Qy, qysh nuk të paskam pa!! - rrejti hipokriti. U habita si shtirej, shtinjaku. Kish harruar që në fb më kish përshëndetur. Sigurisht edhe aty rrejshëm. Rrugës së paku dy herë ish bë sikur nuk më shihte.
PENSIONET E NANAVE
Po pija kafe me R., në kafenë “Lindi”, kur për një herë u mbush kafeneja me njerëz. Hë R, e pyes, çka u ba, mos ka ndonjë protestë a diçka tjetër? Jo, jo, u përgjigj ai. Kanë marrë sot pensionet e nanave dhe kthehen për një pije, nja dy ditë kështu është.
TUJ SHKRUE VJERSHA
E gjeta lopën, tregonte i gëzuar Dani. Te guri keq qaty në anën e poshtme kish pas hy me nji kërsh. Sa ma dëgjoi zanin duel. U gëzue ... Gjithë natën sigurisht u tut e mërzit. Poshtë syve ju pashin lotët që i kishin shkue rrëke. Kur e pa rrugën me vrap u nis drejtë shtëpisë tuj ba mu, mu, mu. Dan, i tha vëllai, mëzatin tem e kam mësue me shkrue dhe ka përparue shumë, dje e gjeta te trina e madhe tuj shkrue vjersha dashunie. Qy, ndërhyri Dani, rrenë është kjo. Në qoftë përnjimend kjo puna me Bardhanën (lopën) tande përnjëmend është edhe puna e mezatit tem.
PO E LAMË KREJT
Hej, më thërret një shok, hajde po dalim me ec. Në ç’kohë, i them. Kur të duash ti, nuk ta prishi ty. – përgjigjet në telefon. Ani pra, me qëllim i them, po dalim mbas dite kah ora 16, tamam në kohën kur ai hante drekën dhe flinte. A di çka, po e lëmë krjet sot, s’po dalim hiç, ma kthehu.
PO TË SHKRUEJ TY
Shkon Mushi me shkrue te fallxhesha. “Mu kanë tranue robt e shpisë. Nuk po dëgjojnë, s’hanë llaf, në zor jam, thash t’ju shkruej, se helbete ... Mirë Mush, e pyet fallxhesha, cilit me i shkrue?. Qysh cilit, krejtve, të 20 anëtarëve të familjes se në zor jam prej tyne, ndërhyn Mushi. Jo valla bre Mush, po të shkruej ty se nuk mundet 20 veta me u trenue e ti i shnosh, i thotë fallxhesha.
Te botuara ne librin “Anekdota .... “ këto me poshtë
PO AXHËS
Në TV po shikonim një emision që bënte fjalë për shkuarjen dhe ardhjet e anieve kozmike nga gjithësia. E shihnim me kureshtje... Njëri shprehi dyshim se krejt kjo është mashtrim dhe ju drejtua më plakut në odë: Axha Bim, si mbas mendjes time kjo nuk asht e mundshme ... Po axhës, i tha plaku, ata janë të shkolluem e të mbërrimë, shkojnë e vijnë me mendjen e vetë edhe në hanë se sa me mendjen tande nuk kishin mund me shkue as deri në Mogillë.
PËR CILIN ME TË THANË
Me një kompani të një gjermani punonin edhe shqiptarë. Një ditë njëri prej punëtorëve shqiptar, Behari, i ngazëllyer me sukseset, me punën sjelljet e Bosit të tij gjerman, i thotë: Hans, sa i mirë je, do të doja të ishe edhe ti shqiptar si unë e këta shokët e mi. Mirë, i përgjigjet Hansi, po bëhem shqiptar, por hajt më thuaj si cili të bëhem: si Goni, si Tairi, si Miri ... ?! Behari mbasi kujtohet një copë here, përgjigjet: jo valla Hans, boll mirë je, dhe rri qysh je, se nuk po di për të cilin me të thanë.
NUK PO LOZ VETËM ME NJËRIN
Në vitet e 80-ta ishin për pushime në Bullgari: Sefa, Hajrushi, Rrahmani, Ramadani, Ferati, Ilazi, Ejupi etj. të gjithë kabashë, shokë të një gjenerate . Një gjerman i pasionuar mbas lojës së shahut vinte dhe me orë të tëra lozte sa me njërin sa më tjetrin shah. Duhej pranuar se me te mund të shtyhej deri diku vetëm mësuesi Ilaz. Gjermani gjatë lojës nuk lejonte të flitej apo ndonjë gjest tjetër se dyshonte që po ndihmonin (tregonin) për anësh atij që lozte me te. Për të mos ra në sy kjo, kabashët ( njëri prej tyre) sa vërente ndonjë rrezik ngrihej dhe nga larg fillonte të këndonte duke treguar se ku është rreziku dhe cilën figurë duhet ta lëvizte shoku i tij. Gjermani habitej si ishte e mundur që në ditët e para lehtë fitonte, kurse në ditën e më vonshme nuk i ecte fare. Mbas disa ditësh i hetoi gjermani dhe na tha: unë nuk po loz vetëm me njërin, po me të gjithë juve, prandaj ...
UNË E NJOH
Po shkojmë te Sela sonte se i kish ardhur një shok, më tha Alushi. Rrimë te unë, nxehtë e mirë e kemi edhe këtu dhe të drejtën me të thanë nuk e di kush është ai shoku që paska ardhur. Jo, jo, më kapi për krahësh Alushi, unë e njoh, i mirë është me ba hajgare me ta dhe me kalue natën se për kurrgjë tjetër nuk vyen.
PO, BRE VËLLA
Mush, i thotë vëllai i madh, ta kishim babën gjallë tash që i nreqëm renet, ish kënaq edhe ai. Po, bre vëlla, nëse do me gëzue babën, merre nanën në shtëpi tande maje e këqyre qysh duhet, kjo nuk e ka gjatë, kur të shkon te baba i kallëzon që jemi ba mirë dhe gëzohet baba.
BILE MA SHUMË SE TI
Shkon te një mik Z.Kabashi. S’kam veç edhe për nji javë miell, erdha me mi gjet 100 okë kallamoq, në desh ta paguej me pare, në desh ta kthej kallamoq. Qysh bre mik, me prue vetën në ketë gjendje, babë e babagjysh i ke pas në za, besa edhe vetë je me emën. Gjithë at tokë që i ke nën vadë. Gjithë ata kosha e hambarë. U deshtë ti me pas edhe bereqetin e parvjetmit. Çohet Z.Kabshi dhe ... Pritë mik, pritë se tash u them djemve me ta ba gati kallamoqin. Jo, mik jo, i thotë Kabashi në dalje, falë me ma dhanë nuk e due. Nuk të kërkova mend, se boll kam, bile ma shumë se ti, po drithë.
ME PAS MEND SA TI
I kish pas thanë një ditur babës tim (tashmë i ndjerë), leje duhanin se i damshëm! Valla bre dashamirë mirë po thue, por kam dëgjue se me lanë duhanin po të humbshin gjysma e mendve. Ndoshta me pas mend sa ti edhe e kisha lanë. – i përgjigjet baba.
Tregoi: Izet Krivanjeva
TU BRE
Me një dasme nga pa kujdesia a akçiut një djalë hasreti i lazdruar i afrohet kazanit ku zihej grosha dhe përvëlohet. Marrin vesh dasmoret për aksidentit dhe të gjithë merakosen. Dikur vjen lajmi se djali i ka shpëtuar më të keqes. Dasmorët të gëzuar për këtë lajm të mirë,i thonë njëri – tjetrit: Tu bre, të na kish shptue edhe pasuli (grosha)!
QYSH MOS ME KAJT
Kthehet Mushi prej një udhëtimi zyrtar natën vonë dhe e gjen gruan e dy vajzat të mbytura në lot. Hë, u thotë i merakosur ai, çka ka ndodh, ç’është kjo gjëmë?! Qysh mos me kajt (qajt), e vranë dhandrin e Sylejman Pashës. Kur, kush? Hajt pashë Zotin edhe ti Mush, po te filmi serik “Sulltani” bre!
JAM UNË
Mushi me fitimet që kish bë me punë në Irak e Afganistan kish ndërtuar një shtëpi të bukur. Marrin vesh për ketë gazetarët e TV-së dhe vijnë. Mushi gjithë qejf i shpjegon gazetarit. Portat me kod nga larg hapen, kjo këtu pishina jashtë, kam edhe një tjetër brenda shtëpisë me saunë, çadrat në ballkon hapen e mbyllen vetë ... Ngrohja është me rreze. .. Ndërkohë nga shtëpia del një grua dhe pas saj një burrë i pashëm. Po këta? – pyet gazetari. Kjo është gruaja ime dhe ky burri pas saj jam unë. – përgjigjet Mushi.
UNË PRA
Çfarë po bën ashtu me kurriz në tokë dhe këmbë të kthyera kah qielli?, e pyet rinoqeri trishtilin*. Po thonë se po bie qielli ne tokë dhe kështu dua ta kryej detyrën time në mbrojtjen e vendit nga shkatërrimi, përgjigjet trishtili. Ti, ti në mbrojtje .... !? – ndërhyn rinoqeri i habitur. Unë pra, kur është në pyetje vendi, si i vogli si i madhi ka për detyre te vihet në mbrojtjen e tij.
*zog mali
MA MIRË NUK PO FLAS HIÇ
Një udhëtari të vonë i bëjnë konak në Katund. Mysafiri i veshur jo mirë dhe paksa i ndrojtur e lenë diku kah fundi i odës. Pas shumë llafeve, dikur vonë, të zotit odës i kujtohet mysafiri dhe, i thotë: Fol bre dashamirë? Ju bre burra po këqyrshi më shumë thesin dhe jo çka ka thesi brenda dhe ma mirë nuk po flas hiç, përgjigjet mysafiri.
KËSHTU ISHTE NË FUND TË VITEVE TË 80 - ta
Zyrën e ndaja me një serb. - tregonte një punëtor administrate në Fushë Kosovë. Me ardhjen e Millosheviqit në pushtet ai e mbushi zyrën me foto të Millosheviqit, Shën Savës, Vuk Karaxhiqit, Kral Nikollës, Pashiqit etj. dhe gjithë ditën e lume dëgjonte këngën “Kush thotë, kush gënjen se Serbia është e vogël”. Një ditë derisa ai po dilte nga zyra, e pyeta: Ku po shkon? Pse po pyet, thjesht po dal, u përgjigj. Mirë, mirë, i thash me ironi, po të drejtën ta them vetë në zyre po tutem prej gjithë këtyre fotografive që i ke radhitur tej e përtej murit. Të nesërmen, drejtori i dhunshëm mblodhi Këshillin e punëtorëve dhe me procedurë të shpejtuar më larguan nga puna.
Tregoi: Hysen Zeqiri
HYN AJRI PASTËR
Moris Shevale (nëse nuk gabohem) kthehet vonë i lodhur në shtëpi. Shtrihet për të fjetur, por vapë (zagushi) e madhe dhe ndjente sikur i zihej fryma. Ashtu pa dhes dritat, zgjatë dorën poshtë krevatit, e merr këpucën dhe e thyen xhamin e dritares. I duket se hyn ajri pastër dhe e zë gjumi. Të nesërmen në mëngjes Shevale e sheh se e ka thyer xhamin e dollapit, jo të dritares.
KUKU, PO TI QENKE ...
Mushi zanatçi jorganësh që me natë shkonte e hapte dyqanin dhe me terrin e parë të mbrëmjes kthehej në shtëpi dhe gjithmonë me një sepet (shportë tallash) mbushur plotë e përplot me harxh për nevojat e shtëpisë. Gruaja përherë në oborr e priste, kokulur me sytë në sepet e fjalët “a mun erdhe” dhe ia merrte nga dora sepetin. Një mbrëmje Mush për shkak mos punës në dyqan kthehet me sepetin e zbrazët. Në oborr shoqja ia merr sepetin dhe kur e vëren ashtu bosh e ngreh kokën dhe e sheh për herë të parë se Mushi ishte qorr në njërin sy. Kuku, po ti qenke ...? Hë, - i thotë Mushi, ra sepeti i zbrazët dhe mbas 15 vjet martese më vërejte që jam qorr.
JO VALLA BRE MIQ
Shkon Mushi te miqtë me gjithë gruan. Një natë, dy, tri, ... Mushi s’po çohet. Miqtë, i thonë, Mush, po këcejmë pup (së largu prej vendit), ta shohim kush ma larg po këcen. E hapin derën e odës dhe hajde Mush, këtu prej pragut të odës fillojmë. Hyp Mushi në prag të derës dhe këcen brenda odës. Jo, jo Mush, nga pragu jashtë ... Jo valla bre miq, nuk e ha unë ketë fore, me kërcye jashtë, e ju me ma mbyll derën!
HUMBA SE HUMBA
Në ëmbëltoren e qytezës. Lush, i thotë Mushi, nëse mund t’i hash 30 tollumba unë i paguaj, po ndodhi e kundërta vetë i paguan tollumbat dhe krejt sa jemi ne shokët këtu na paguan plus nga një ëmbëlsirë sipas dëshirës. Lushi pranoi kushtin dhe, sa erdhën tullumbat nisi po hanë tollumbat shijshëm, shpejt e sigurt. Te tullumbi 20, Mushi, ndal, i tha, humba se humba, bile këta 10 të fundit po i ha vetë ...
MOS BAN KUKU
Bija ime, e mëson nusen vjehrra, kur të pashë diçka mos thuj “kuku” qysh e kishe zanat, po “mashalla”! Një mëngjes kthehet nusja nga oda dhe e thirr vjehrrën: Oj nanë, mashalla kish vdek baba!
NA BAHET VARRË SHPINA
Vdes samarxhiu dhe mblidhen gomarët për të festuar vdekjen e tij. U mbajtën fjalime, u kënduan këngë, u hedhën valle, por vetëm njëri nga ta qante. Hej, eja edhe ti, gëzohu, ç’ke që qanë!? Po qaj, përgjigjet gomari, duke dënesur, ky që shkoi e ka dit mirë zanatin, na rregullonte mire samarët. Ky që do të vij pas tij deri sa të mësohet do të na bëhet varrë e gjak shpina.
ME PI UJË ME POCERRKË
Në pangjyrë Mushi kish ble një ibrik dhe një kënatë. E heq shërvetën i lidh dhe si hejbe i vë ibrikun para, kënatën mbrapa. Mbas tri orë e gjysmë rruge në këmbë mbërrin në shtëpi. Sa futet në oborr kollitet dhe bën zhurmë për t’i paralajmëruar gruan se u kthye nga pangjyri, por askush nuk i del para. I hidhëruar për këtë, në prag të derës Mushi, i thyen kënatën dhe ibrikun. He, more Mush, i thotë gruaja, këtij inati tand, i thonë: Edhe ma tej me pi ujë me pocerrkë .
LEJE MUSH SE U KRYE
Shkon një mik te Mushi. Në odë nuk lihej miku të flinte vetë. Bien për fjetur së bashku, dikur miku kërkon prej Mushit ta dhes llambën se donte të shkonte në tualet, zgjohet Mushi paksa më përtesë dhe po vonohej duke kërkuar shkrepësen, kurse mikut i ngutej. Leje, Mush llambën, ibrikun bjerma! Mushi nëpër terr s’po e gjente ibrikun. Leje ibrikun Mush, ma shpejt nallanet! Mushi turr e vrap te nallanet. Hapma derën Mush, lej nallanet! Mushi sa mbërrini te dera. E dëgjon miku teksa po i thoshte: Leje Mush se u krye!
NËPËR BANDERA
Në kohën e regjistrimit të nxënësve më erdhi një prind për ta regjistruar vajzën në vitin e parë. Më pyeti se cilat drejtime i kemi sivjet. Kemi tre drejtime, i them, por vende të lira kemi vetëm në drejtimin e elektronikës, në ato tjerat është plotësuar numri. Jo valla bre profesor, këqyr në qato drejtimet tjera se çikën teme kurrë se la me hyp nëpër bandra (shtylla elektrike).
NA KA RA UJKU NË TORISHTË
Në pranverën e hershme e blen një dele Mushi sa me pas me çka me lag kafshoren e bukës fëmija. Deri në vjeshtën e vonë e mban dhe në mungesë të ushqimit e lut fqinjin që kishte diku 200 krerë dele të veta edhe delen e tij me ja nxjerr deri në pranverë. Bjerma, i thotë fqinji, ku hanë këto të miat ka me hangër edhe jotja. Pas një muaji e thirrin Mushin. Mush, i thonë, valla po na vjen keq me të thanë se na ka ra ujku në torishtë dhe bash delen tande e ka hangër. Mushi fillon të qaj me za pa u ndal hiç. Ngadalë Mush, mos u mërzitë kaq shumë, nji dele ma ... Jo more, nuk po qaj për delen, po për ujkun se i shkreti paska heq shumë deri e ka gjet delen time në mesin 200 deleve tuja.
E KA PAS LANË PUNËN
Ngushëllime Mush, a u mërzite që të vdiq baba? – i thonë shokët. Valla burra, çka me ju thanë, nuk po mërzitem edhe aq se, baba qe nji vjet e ka pas lanë punën e pension nuk ka pas.
PO DUE ME LUJT PAK
Në mungesë të trajneri i të ekipit “Kabashi” në futboll të vogël më lutem të jem unë për disa ditë. Në ndeshjen me ekipin kundërshtar ekipi i “Kabashit” ishte në avantazh dhe çdo gjë shkonte mirë. Në pjesën e dytë të lojës po vërej se në portë ishte dikush tjetër. Hë, i them, Agron, çka u ba, pse dole, kush të tha? Kështu e kemi ne me Hetën, një pjesë mbroj unë një pjesë ai. Dikur më afrohet njëri prej lojtarëve dhe më thotë, tash duhet me hy unë në lojë. Qysh, pse, mos u lëndua kush? Jo, jo po edhe unë po due me lujt pak. Kundërshtari e ktheu lojën dhe rezultatin në favor të vetin. Në minutat e fundit po shoh portierin (Hetën) në sulm. Hej, qysh e le portën dhe ke dal në sulm. Jo, më tha, e shtina Shabanin me mbrojt dhe vetë dola në sulm mos po e barazojmë rezultatin se ...
Ju djem nuk paskeni nevojë për trajner – u thash në fund. Trajneri për ju qenka pengesë dhe unë kurrë nuk dua më t’ju pengoj.
AKTIVIST KASHTA
Me rastin e festës së 1 Majit para viteve të 90-ta rinia organizohej dhe dilnin në vend të sheshta dhisnin zjarre. Mushi aktivist i asaj kohë organizon rininë e fshatit në vigjilje të festës në mbrëmje dhe aty diku mbi fshat provojnë ta dhesin zjarrin, por moti me shi dhe nuk gjenin shkarpa të thata ose diçka tjetër. Mushi i merr disa prej të rinjve dhe zbret në fshat për të marr kashtë. Provon sa me një oborr sa më një tjetër, por nuk ja mban. Dikur për ta treguar vetën se është trim dhe i gjindshëm para të rinjve futet tinëzisht në oborr të shtëpisë dhe e vjedh kashtën e vet. Mbas disa ditësh merret vesh puna e kashtës dhe Mushin të gjithë e thërrisnin Aktivist Kashta.
S’KAM QEF
Lushi, foli e foli për një ngjarje dhe në fund e porositi bashkëfolësin; Të lutem për këtë që të fola mos i trego kujt, vetëm ty të thash në besim se ... Pse fole, ndërhyna unë, Mushi pa fol hiç të ngjet e shton fjalë, jo tash ma kur fole?! Kështu e kam, u përgjigj Sela, kur dua diçka të merr vesh allaminut dynjaja, Mushit i tregoj dhe i them ; s’kam qef me u dëgjue kjo fjalë.
I HUAJ PO MË DUKET
Me një seminar në pushimoret e Deçanit, në fund të viteve të 70-ta, u gjenda edhe unë në mesin e të rejave dhe një profesori të shkollave të mesme të mjekësisë në Mitrovicë, të cilët njiheshin mirë mese tyre. U ulëm së bashku dhe në tavolinën përplot me ushqime e pije tregonin mahi e ndodhi nga jeta e tyre, duke përmend edhe emra konkret shokësh dhe mësimdhënësish dhe shkriheshin së qeshuri. Unë isha i huaj dhe nuk arrija ... Dikur njëra prej vajzave më vërejti se unë nuk po qeshja. Hë, më tha, nuk po të pëlqejnë këto mahitë tona?! Jo, mua vetëm nëse me gudulis ndonjëra prej juve mund të qesh se ky humori juaj shumë lokal dhe i huaj po më duket. Të kisha gudulis unë, ndërhyri ajo, po e kem këtu ketë dreq profesorin dhe ... !
BOLL MIRË ISHIN
Kthehet vajza së pari pas martesës në gjini. Hë, i thonë prindërit, si i kishin renet? Valla boll mirë ishin, nji ka e kishin dhe po dashin me ble edhe tre tjerë me i ba dy pen (parë) qe! – përgjigjet ajo.
HALLALL KAT ME KAT
Vjen një mik me pa Hashim Kabashin se ishte i sëmurë. Miku e zgjatë muhabetin gjithë ditën. Dikur ai vonë kërkon leje me shkue dhe me ja ba hallall. Hallall kat me kat, i thotë Hashim Kabashi, veç po ta la amanet: Te i sëmuri kurrë mos rri shumë!
PASKE KALUAR FAQET
Shkova te Ymeri për kafe, tregonte mësuesi Refik, sa u ulëm ai nxori nga sirtari një krah albumesh me fotografi. Ja këtu në ketë fotografi kur isha ne Ulqin, këtu në ekskursion me shokët e shoqet e klasës, kjo ushtar me kapitenin që më ka pas dashtë tepër. .. Kur shkoi për të sjellë kafet unë shpejte e shpejt u bana sikur i kem shkuar në fund albumit. Jo, tha, kur erdhi, paske kaluar faqet dhe më ktheu aty ku ishim. Provova edhe njëherë kështu, por ai prapë më ktheu. Bo-bo, thashë, çka më gjeti, të shfletoheshin gjithë ato albume duhej orë të tëra. Inskenova sikur kam harruar shporetin elektrik dhezur në banesë dhe ika me vrap.
KUR PO VJEN EDHE BABUQI YT
Pasi kthehet Mushi nga varrimi, e pyet i ati, i cili nga se ish i sëmurë nuk kish mund të shkonte në varrimin e shokut të tij. Mush, si kaluat, a pat shumë njerëz në varrim, a u mërzitën, a foli kush, çka thanë? Po babuq, thanë, kur po vjen edhe babuqi yt .. Po pse bre bir nuk ju the, përgjigjet i ati, babuqi pat me ardh edhe vjen, po s’po ka kënd me lanë mbrapa.
Kodheli HAHAHAHHAHHAAHAHAHAHAH....MIRE I THA O PROFESOR,ME KETE DJALE QE KA DO TI SHUHET OXHAKU.....RIT QENIN TE TE HAJE KOKEN....E DI SI ME THESHTE GJYSHJA SABIT? PRINDERIT LINDIN DHE RITIN 10 FEMIJE PA PROBLEM,KURSE DHJETE FEMIJE NJE PRIND NUK E MBAJNE DOT.
PRIT, PRIT ..
Po vjen koha e zgjedhjeve në Shqipëri dhe debatet kush për cilën parti është janë intensifikuar. Me një ndej njëri këmbënguli ta dinte mendimin tim se me kënd jam. Jam, i them, për partinë dhe liderët që kanë programe të punës, kanë vizion, mendojnë e punojnë për shtetin, konsolidimin e demokracisë , forcimin e shteti ligjor etj. Prit, prit më ndërpreu bashkëfolësi. Më thuaj a je për Salën a për Edin, se për ata që fole nuk kem ne shqiptarët.
SI MEM RREH DIKUSH ME HU GARDHI
Te mjeku ne Gjermani. Zonjë, po pyet mjeku çfarë problemesh shëndetësore ke? - i thotë përkthyesi gruas që nuk dinte gjermanisht. Valla, bre ti djalë, thuej doktorit, krejt trupi po me dham si mem pas rreh dikush me hu gardhi ...
A FLUTURON KROKODILI
I thirr kandidatët e mundshëm për kryeministër Stalini dhe i pyet: A fluturon krokodili? Kush prej frikës, kush prej mosdijes ngurrojnë të përgjigjen. Dikur e thyen heshtjen njëri prej tyre. Nëse thotë Partia jonë e lavdishme në krye me shokun Stalin, fluturon krokodili, sigurisht që fluturon. Ashtu pra, shoku H, ju tjerët dilni jashtë!- urdhëron Stalini.
KUR TË VINI TE DERA
Mbasi kish hy në banesë të re z. Zymryte i merr ne tel. miqtë për t’ua dhënë adresën dhe numrin e ri të telefonit. Kem ble banesë te re, adresa, hyrja, kati, numri... Kur të vini te dera, zilen mund ta shtypni me krye. Qysh me krye? – e pyet njëra prej mikeshave. Me krye moj, se duart i keni të zëna me bakshishe ishalla!
EDHE CJAPI KA MJEKËR
Pas masakrës, vrasjes së 64 burrave në vitin 1913 në katund mbeten shumë gra vejusha. Mixha Ymer, që i kish shpëtuar pushkatimit, djemve te vejushave ju thoshte me humor në ndeja e tubime të ndryshme: nanat e juve paçin nevojë për burra që ku më kanë mue.
Një ditë gratë tue u kthye prej nji të pame udhës e takojnë Ymerin. Njena prej grave, i thotë: Ymer aga, Zoti të marroftë, me gjithë ketë mjekër të lëshume, djemve po u thue çkamos! Qy, qy, ja kthen Ymeri, edhe cjapi ka mjekër, po nji bylyk dhive ju ban hyzmet ...
.
PA ZARAR
Cilin prej djemve e do ma shumë? - e pyesin bacin Lush. Valla kur më malli për rrena ma së shumti e due Mushin se rrenat i ka pa zarar dhe të lezetshme.
KAM PSHTUE
Mushi i mërziste njerëzit duke shkuar sa te njëri sa te tjetri për muhabet. Një natë Mushi mbasi bje për të fjetur ia marrin kapuçin dhe ... Të nesërmen e pyesin, Mush ku e ke kapuçin? Qe bre, sillej Mushi për ta gjetur dhe nuk e gjente? He Mush, i thonë, kapuçin ta gjetëm në dhomë të grave. Eja shihe! Dhe t’i hynë dru shpinës e barkut. Mushin ashtu të rrahur kur e shohin të familjes. Kuku, kush, pse të paskan gjakosur kështu?! Shuni, ju thotë Mushi, kam pshtue se ku ma kanë gjet kapuçin kanë mujt edhe mëm vra.
PAK PA ARDH TI
Shkon Mushi mysafir, por mbërrin vonë te miqtë. Hyn në odë dhe llaf muhabet e darka po vonohej. Dikur Mushi i uritur për t’ia përkujtuar zotit të konakut darkën, i thotë: A thue bre mik, kur të bimë me fjet mbasi të hamë darkë, kah kem me qit kryet? Kah të duesh Mush e qesim se valla darkën e kem hangër pak pa ardh ti.
QE KU JAM
Ekipi i Kabashit në futboll të vogël kish arritur në finale. Loja zhvillohej para simpatizantëve të shumët të njërit dhe të tjetrit ekip. Atmosferë e bukur. Daullet, buritë, duartrokitjet dëgjohesh me kilometra larg. Një lojtar i ekipit kundërshtar kish marr për detyrë nga trajneri i tij të më ruante mua. Ai nuk më shkoqej edhe kur isha pa top. Gjatë lojës u futa në mesin e simpatizantëve dhe po rrija ashtu i fshehur. Ai, më kërkonte gjithandej fushës dhe nuk më gjente. Me vrap iu afrua trajnerit. Më humbi, i thotë. Dola dhe e thirra duke qeshur, qe ku jam, eja! Qeshi ai, publiku e lojtarët.
QYSH MOTI
Mush, i thotë e shoqja, kur e ku paske dal në fotografi me këto çika cullakija? Auuuuuu e dashun, e moçme asht kjo fotografi, kur kam qenë student me nji shok timin kem pas dal me disa turiste të hueja. – përgjigjet Mushi, bindshëm. Qysh moti, ndërhyn e shoqja, këmishën me të cilën paske dal në foto a ta bleva sivjet për ditëlindje, hë fo!?
QE BRE KOJSHI
Mushin me një shportë të madhe hyp në maje të qershisë së fqinjit me mbledh qershia. Mush, Zoti t’marroftë, i thotë fqinji kur e sheh. Mushi, i zanë ngushtë, përgjigjet: Qe bre kojshi, thash sa kalben, po i mbledh qeto qurshia që paskan ra për toke.
JO VALLA MOJ SHOQE
Shkon gruja e bacit Lush me ia çue drekën burrit. Kur ofrohet te fabrika e tullave, e pyet roja, cilin po e kërkon? Burrin tem Lushin, ja kam prue drekën, asht përmbi krejt punëtorët. Jo valla moj shoqe, veç përmbi ty asht Lushi se, këtu në vend të punës asht punëtor si krejt të tjerët.
KAM FSHEHUR NJË BRI BUALLI
Mushi i sëmurë në shtrat, por dy djemtë e tij nuk kujdeseshin sa duhej për te. Një ditë i thërret djemtë veç e veç dhe ju thotë. Kam fshehur një bri bualli me dukat. Sa të shkoj për atë botë mund ta gjeni te rrënja e mollës, por për ketë asnjë fjalë askujt sa jam në jetë. Pas kësaj djemtë kujdeseshin më mirë. Ditën kur vdes Mushi, djemtë turr e vrap te molla. E nxjerrin bririn dhe brenda bririt asnjë dukat, por vetëm një letër në të cilën shkruante; Kush u le djemve (trashëgimtarëve) pasuri, ky bri bualli i hyftë në prapanicë.
PRIT SE PO VIJ
Mërgimtari e takon mërgimtarin në rrugë: Ku po shkon, Zamir? Kurrkund, ku kam me shkue? – përgjigjet ai. Prit se edhe unë po vij! – i thotë Demiri.
CILAT DUESH
Matma një kilogram mollë, i thotë shitësit, Mushi. Cilat i do, e pyet shitësi, këto paksa të kuqe apo këto tjerat të bardha. Cilat duesh, s’ma nin mue çfarë ngjyre kanë, se unë i qëroj kur i ha.
BOLL I KA
Letrën që po ia shkruante familjes nga ushtria Mushi në fund të gjithë shokëve me emër u bënte të fala nga njëmijë herë, vetëm Ifuzit dhjetë herë. Mush, pse e ndave ketë Ifuzin prej të tjerëve, e pyet shoku i tij. Boll e ka dhjetë herë Ifuzi se i poshtër e dilenxhi madh është!- përgjigjet ai.
Krejt lehtë dal në breg
Derisa po e shëtiste me barkën e vet një njeri të ditur (filozof) larg bregut të liqenit, filozofi e pyet pronarin e barkës.
-Di shkrim lexim, i nderuar?
-Jo, përgjigjet ai.
-Po nuk dite shkrim-lexim, je i verbër! - i thotë filozofi.
-Zotëri, dini ju të notoni?
- Jo!
- Në këtë thellësi të liqenit, po na u përmbysë barka ju zotëri do ta paguani me jetë ketë mos dijen tuaj të notit. Unë për veti edhe kështu i “verbër” me not, krejt lehtë dal në breg.
Bjerma një me qepë
Në byrektore Esmeri kishte dy lloj byrekësh; me mish dhe me djathë. Këta me mish ishin me një grimë mish e shumë qep, kurse këta me djathë ishin me dhallë. Isha myshteri i tij. Një ditë kur më pyeti Esmeri se çfarë byreku po due; me mish apo me djathë? Bjerma një me qep, i thash.
S’keni pse qani
Rreth një të dituri në çastet e fundit të jetës së tij familjarët e tij po qanin. I sëmuri mbledh të gjitha forcat, ngreh kokën e u thotë: S’keni pse qani, unë po vdes, jo ju!
Lum ti njeri
Lum ti njeri, i thotë në mbrëmje gruaja Mushit. Kush qe ai i pari që u printe kosëtarëve? Qysh bre grue nuk me njofte, po unë isha. Po ai i dyti, vazhdoi gruja, që thoshte jepi se ti preva kambët? Unë more, po kush tjetër? Jo valla bre Mush ti edhe i pari edhe i dyti nuk ke mund, po nejse ...
Po më ndjek prapa një djalë
Ditëve të fundit gjithnjë po vonohesh në orën e parë, ia tërheq vërejtjen profesori Zafinës. Prof, përgjigjet Zafina, po më ndjek prapa një djalë. Nëse të ndjek, ti do të duhej të ishe më herët në shkollë! Prof, ai po më ndjek ngadalë, prandaj ...! – përgjigjet Zafina.
Ndërrojmë temën
Mushi e Lushi aktivistë të kohës së monizmit po ktheheshin me tren nga një aksion vullnetarë. Të ulur ballë për ballë njëri-tjetrit në tren, mbas dy orë udhëtimi pa folur, Lushi e thyen heshtjen: Mush, mjaft folëm për politikë, hajde ta ndërrojmë temën!
Jo more çfarë puthje
Në vitet e 70-ta dhamë një koncert me këngë për nxënësit. Njëra prej vajzave mezi e kreu këngën dhe duke dënesur e fshi lotët erdh dhe po ankohet. Gjatë gjithë kohës një djalë në ulëset e fundit në sallë më dërgonte puthje dhe më çorientoi. Ne turr e te mbajtësi i rendit . Kështu e kështu ky vagabondi ... dhe e kapëm me nxjerr jashtë. Pse, kundërshtoi ai, kurgja nuk bana. Qysh nuk bane? Çka ishin ato puthje prej së largu? Jo more, çfarë puthje, i thosha këngëtares me mbajt mikrofonin ma afër gojës se sen tjetër nuk kam ba - u arsyetua ai.
Pas një kohe
Mushi kalin e kishte nxjerr disa herë në pazar për ta shitur. Njerëzit e interesuar ia hapnin gojën për t’i parë dhëmbët sa vjeç është. Pas një kohe, kali cilido që i afrohej e hapte gojën vetë.
Mushi me dy këmisha
Hej Mush, i paske vesh dy këmisha, përpara se kishe asnjë, i thotë Lushi. Po, përgjigjet Mushi i sapo martuar, kur kam, i veshi edhe dy, nusja m’i ka pru’!
Mush, krushqit po ta bien nusen, çka ke që nuk po jep çehre, s’po gëzohesh!? Se ha unë me u gëzua para kohe, kur ta shti brenda nusen gëzohem. - përgjigjet Mushi.
Bash te ylli me pesë cepa
Në kohën e komunizmit shkon Mushi te mjeku. Hë shoku Mush, e pyet mjeku, çfarë problemi ke? Shoku mjek, jam ftohur dhe kam dhembje prapa shpine, duke mos dashur të përmend kryqin (kryqet) si komunist që ishte, i thotë, bash te ylli me pesë cepa, ja këtu pak mbi by... po më dhemb.
Po ju kthehen prapë
Hape gojën njëherë, thuaje një fjalë të mirë për mua, lavdëromë, e sheh si po i lavdërojnë e çojnë në qiell grat e veta burrat tjerë, të cilat as për punë, as për bukuri nuk mund të maten me mua, i thotë Lushit gruaja e tij. Po, përgjigjet Lushi, ata po i çojnë në qiell, por ato prapë për inat të tyre po ju kthehen!
Sikur ka kaluar kodra e male
Në mëngjes Mushi i tregon gruas se ka pa në ëndërr sikur ka kaluar kodra e male, fusha e lugina pa u ndalur fare. Lëre, i thotë gruaja, mos dërdëllis kot, nuk po mundesh ta kalosh jastëkun e po kalon kodrat e malet!
Mushi gej
Hej Lush, i thotë Miri, dëgjove që Mushi ish GEJ! Unë e di se ai është elektricist! Kur qenka bë GEJ? – pyet i habitur Lushi.
Mabasi kam dal po lypi edhe pak
Në mbrëmje kthehet në shtëpi Mushi dhe i alarmon njerëzit e shtëpisë se i ka humbur lopa. Dalin për ta kërkuar dhe ndahet më vëllain në dy drejtime. Dikur Lushi e gjen lopën dhe e thërret, vëllain matan bregut: Hajde o Mush, se e gjeta lopën. Jo valla, përgjigjet Mushi,mbasi kam dal po lypi edhe pak.
Veç mos fol Mush
Mblidhen katundi me caktua rojën e fushës. Pas diskutimeve të shumta (poteren më të madhe në lidhje me ketë e banë ata që nuk kishin as ara as livadhe) më shumicë votash e zgjedhin Mushin rojtar fushe dhe caktojnë që për punën e tij të shpërblehet me nga një shinik drithë prej së cilës familje. Hë, Mush, e pyesin, a je i kënaqur? Po, thotë Mushi, vetëm due me dit, me ba vaki me ra breshën ku merrni drithë mem pague. Veç mos fol mbrapsht o Mush, i thonë, se edhe nga dy ti japim!
Brigadier Mushi
Në të gjitha aksionet vullnetare (në kohën e komunizmit) brigadier Mushi, vullnetarëve u drejtohej gjithmonë me të njëjta fjalë: Punoni se gjithë secilin prej juve mund ta çoj në burg, por për ta nxjerrë nuk mundem.
Ndërkohë ndalet rryma
Lushi, Meti e Miri po pinin gjithë qejf në kafene. Në fund ju mbetet një qebap dhe e lusin njëri tjetrin për ta marrë qebapin, por asnjëri nuk pranon, duke u arsyetuar se janë të ngopur dhe nuk duan. Ndërkohë ndalet rryma (ikën dritat). Ashtu në terr, Lushi me pirun turret për ta kapur qebapin në pjatë , por në vend të qebapit ua ngul në dorë pirunin Mirit e Metit, që ....
Plaka di me notue
Nasradini kishte dy gra. Njerëzit kureshtarë me mësue se cilën grue Nasradini e do ma shumë, e pyetshin: Nasradin, cilën e do ma shumë, të renë apo plakën? Njësoj, përgjigjej Nasradini kurdoherë. Njeni nji ditë e pyet ndryshe: Nasradin, i thotë, me të ra në deti grat cilën e nxjerr përpara. Të renë, përgjigjet Nasradini. Të renë!? Po, ndërhyn Nasradini tue u arsytue , të renë se plaka di me notue.
Lopa e urtë…
Ankohet Lushi se nuk e ka pyet kush për lopën që e ka nxjerr në Pazar me shit. Bjerma mue, i thotë Mushi, dhe nis të flas: Njerëz, lopa e mirë, ha çka t’i dhashë, e urtë edhe fëmija munden me mjel, qumështore, vjet për vjet del me viç. Afrohen njerëzit dhe po donë me ble, por i zoti i lopës, mbas fjalëve të matrapazit e ndërron mendjen dhe u thotë atyne që po interesoheshin: jo valla, dorë* ketë lope nuk e shes kurrë!
*( kaq të mirë, e dorës parë.
E pruna Besimin
Grue, ka ardh nji urdhën kush i ka 4 fëmijë merr pension shtesë. Po, ne i kem vetëm tre, ndërhyn gruja. Jo grue e kam edhe nji djalë, kuptohet me nji grue tjeter dhe po shkoj po e marrë. Kthehet burri me djalin për dore, qe i thotë, e pruna Besimin. Ti i prune Besimin, po Bamirin e Zamirin erdh i mori baba i vetë.
Bibliografia:
Abdyli, Sabit - “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997
Abdyli, Sabit "Na kabashi jem t'ndam nji zjarrmi", Gjilan, 2013
Abdyli, Sabit "Tybe këta veç kabashë janë", Prishtinë, 2016