Së pari kishin granatur fshatin nga larg,
popullsia me fëmijë që nuk kishin arritur as t’i veshin e mbathin, pleq të
pafuqishëm, me plaçka në panik marrin arratinë kush me qerre kuajsh, traktorë,
vetura, në këmbë... Haxhi
u del përpara; “Ku do shkoni, këto granatime duhet të jenë të gabuara. Ju nuk
keni asnjë faj. Ndaluni, ndaluni...! “ Dhe
sakaq Haxhi u gjet mes fqinjëve në ikje dhe
njerëzve me uniforma me armë ngrehur. “Ç’janë këto ndjekje, krisma në gra,
fëmijë e pleq , që asnjë të keqe nuk i kanë bë kujt, fqinj i kam, i njoh si
paranë e kuqe. Turp, turp..!” Largohu, qen bir qeni! – dhe me një rafal
krismash në ajër e paralajmëroi Haxhin, komandanti me dylbi të varura në qafë.
Haxhi e njohu komandantin me dylbi, kryeshefin e sigurimit shtetëror Rajkon,
vartës i të cilit kish qenë deri në fillim të luftës, nuk u
spraps, vazhdoi kundërshtimin. “Marshin tonë drejt fitores nuk e ndal dot as
NATO, as ti, o bir kurve! ”, thirri komandanti dhe e uli tytën në lartësinë e
gjoksit të Haxhit. Njerëzit me uniforma vunë maskat, zhveshën thikat dhe hynë
në fshat, vranë ata që kishin mbetur, u ngarkuan me gjësende të
vlefshme, i vunë zjarrin shtëpive dhe u kthyen në
birucat e kamufluara. Të vrarit nuk kish as kush t’i qante,
as t’i varroste. Dikur në errësirën e natës erdhën katër jevgë me një qerre
tërheqëse kuajsh, i ngarkoi të masakruarit dhe morën urdhrin e komandantit
Rajko, që të groposën në afërsi të tankut të kamufluar
prej llamarine, po jo thellë, se të njëjtit do të zhvarrosen prapë për t’u
varrosur diku tjetër. Galipi sa vërejti trupin e Haxhit pa jetë, të bërë shoshë
me plumba, u trand: Po ky që ishte me shkijet, punoi për ta, rrahu e denoncoi
shqiptarë, shkoi deri në Vojvodinë e Mal të Zi në protestat e Jogurt
Revolucionit. I besoi propagandës së tyre. I dekoruar e lëvduar nga vetë vozhdi
serb. E tash ...! He, mishtë më dridhej,
vazhdoi ta kujtonte Haxhin Galipi, kur kalonte trotuarit me jakne lëkure,
këpucë të zeza me qafë, syza parapa të cilave nuk i shiheshin sytë, kokën
lart... Pse e vranë, mos ndoshta gabimisht,
Haxhimi ishte me ta, pse, pse?! Ndërkohë u dëgjua alarmi që paralajmëronte
rrezikun nga bombardimet e avionëve të NATO-s. Galipi me tre shokët u ngut për
t’u fshehur në istikamet e ushtrisë që me aq zell ishin në shërbim të saj. Jo,
u thanë, nuk kem vend për juve. Po ne me ju jemi, për lavdin e ushtrisë tuaj po
punojmë, ngulën këmbë varrtarët. Shkoni, sa nuk ju kem vra, qartë! Të frikësuar
nga kërcënimi, në ikje, së pari një vezullim ua verboi sytë dhe pastaj u dëgjua
një zhurmë shurdhuese krejt afër tyre. Galipoo, u dëgjua zëri i njërit
prej shokëve, krejt i gjakosur, pasha babën tem, na
qitën shkijet në pritë... edhe neve si Haxhimin... !
Kabash, 1999
No comments:
Post a Comment