Auckland, 29 mars 2004
Sot në orën 14:00, me avion të Kompanisë “Thai” u nisem për në Kosovë. Në aeroportin internacional të
Aucklandit u përshëndetem me Fluturën, Vullnetin, Pajtimin, Agimin dhe Hysen
Kabashin. “Keni me u kënaq... sa kisha
pas dëshirë edhe unë me ardhë me juve...” - tha në ndarje Flutura. Avioni u
shkëput me lehtësi nga pista e aeroportit, mori një kthesë dhe filloi ngjitjen,
duke lënë poshtë shtëpitë me pullaze të pjerrta, me tymtarë të lartë, antena televizori, fushat jeshile, malet e dendura, ujët e
Paqësorit, që pak nga pak e humbnin identitetin dhe më nuk ishin as shtëpi as
pullaze, as fusha as male, as tymtarë të lartë, as antena. Sakaq u shndërruan
në re të bardha si tamli. Së pari avioni katër motorësh ateroi në aeroportin e
Sydney-it, metropolin më të madh në Australi me mbi 4 milionë banorë, me mbi 70
porte detare, aeroportin internacional, parqe të shumta, plazhe, ndërtesa e ura
gjigante. Me të njëjtin avion prapë po
ngjiteshim drejt qiellit të pafund, rrokaqijet e qytetit në largësi holloheshin aq sa dukeshin si ushta
ushtarësh të kohës së Skënderbeut. Pas 12 orë fluturimi, aeroplani
u ul me qetësi në aeroportin e Bangkokut. Në ketë qendër të
njohur kulturore, ekonomike e tregtare, në juglindje të Azisë, pritëm gati dy
orë dhe pastaj vazhduam për në Cyrih.
Cyrih, 30 mars
Sot, herët në mëngjes, pas një udhëtimi 14 orë prej Bangkok-ut, avioni ndali uturimën mbi pistën e betontë të Aerodromit në Cyrih, qytetin
me mbi 50 muze, njëqind e sa galeri
arti, teatro, salla baleti, restorante, bare, banka e qendra tregtare të
mëdha. Në këtë qytet të bukur, si punëtor sezonal, në vitin 1972, ka punuar
edhe vëllai Abdyli. Këtu zë fill edhe interesimi i tij për kulturën dhe gjuhën
gjermane. Që atëherë me parat e fituar kish kryer kurse të gjuhës gjermane. Në
aeroport, në dalje, te dera e avionit,
na priti Etemi, kurse në holl për pritjen dhe përcjelljen e udhëtarëve na
priste edhe Faketja, që ato ditë kish ardhë në Zvicër si mysafire. Me kombin
Renault Spare të Etemit për 25 minuta
ishim në Wasserwiesenstrasse 89. Rreth
banesës lule e pemë, që sa kishin
filluar të bulëzojnë. Krejt afër banesës një
pemë, me gjasë pemë thane, me degë të holla, të larta gati një bojë njeriu, ish rënduar nga lulet ngjyrë
portokalli sa gjethet e vogla vezake të saja nuk vëreheshin fare. Gjithashtu
drurët ndanë rrugëve, nëpër parqe kishin
filluar të merrnin një të gjelbër
të zbehtë me gjethet e para, kurse kodrave aty afër ende zbardhëllonte bora. Ambient i mrekullueshëm.
Brenda e jashtë banesës gjithçka m’u duk e gëzuar.
Cyrih, prill 04
Wintethur, prill 2004
/te Etemi/
Takimet me Faketen, Etemin, Celin, Tinën, Bekimin e Nagjijen, të cilët nuk
e kisha parë me vite të tëra ishin me plot emocione.
Me të marrë vesh se gjendem në Winterthur, Sahiti
erdhi prej Gjenevës poashtu edhe Shaip Zeka pasi permes telefonit mori adresen se ku nodhem erdhen me
djalin dhe baben e tij haxhi Sylejmanin në Cyrih. Në një kafene për dy orë e sa se bashku u çmallëm, folëm, për
të kaluarën dhe të tashmen. Takohem me Muhamerin, Fitimin, Ylberin, Ademin,
Bashkimin. E thërras në telefon Burim Jakupin, dua ta ngushëlloj për vdekjen e
mësuesit Ilaz. “Baci Sabit, më thotë Burimi, nesër unë vij të marrë me
veturë”. Te Burimi përkundër
mërzisë.... u gëzova për rregullin, për
sjelljet, mikpritjen e tij dhe të shoqes së tij.... mirëkuptimit të ndërsjellë
mes bashkëshortëve dhe djalit të tyre si drita. Gjatë qëndrimit në qytetin muze
të Winterthur-it vizitova Meritën dhe Vlorën në Cyrih sa ishte aty edhe Faketja
e Celi.
10, prill
Më 10 prill 2004, herët në mëngjes, u nisëm me veturë për në Belgjikë. Kufirin
Zvicër - Francë e kaluam në Bazel, qendër e njohur për industrinë e zhvilluar
kimike e farmaceutike. Pas udhëtimit të
këndshëm nëpër Francë, shtetin e tretë për nga madhësia në Evropë, ndalemi në shtetin e urave të shumta,
kështjellave të lashta që nga shekulli
XII., në Luksemburg. Rregulli në qytet, pastërtia, sjelljet e njerëzve me
kulturë, arkitektura e vjetër e qytetit e ruajtur aq bukur, na mbajtën gjatë të
mbërthyer. Të mahnitur me gjithë ato
që pamë në shtetin më të vogël (pas San
Marinos) të Unionit Evropian, vazhdojmë rrugën drejt Brukselit, qytetit -
kryeqytet me një histori 2000 vjeçare në zemër të Evropës, qytetin ku është
selia e Unionit Evropian dhe e NATO-s. Nga selia e kësaj të fundit më 24 mars
1999 u dha urdhri për bombardimin e caqeve ushtarake e paraushtarake
serbe. Në Rr:
Ch.de Ninove – 1703 – Schepdal na pritën si është më së miri. Pasi pushuam e hëngrëm darkë, mbërrini Abdyli me
Nadijen, Vlerën, Zgjimin e Lirikën prej Gjermanisë. Për ardhjen e Abdylit
kishin qenë në dijeni Nexhati e Bukurija, por neve nuk na treguan për të na
befasuar. Fëmijët: Luani, Zgjimi, Vlera... /unë ende po ju them fëmijë se ata
ishin rritë/ u kënaqën... bashkë me ta edhe ne. Xhenetën po e shihja live përherë të parë.
Grand place, Bruksel
Të nesërmen shkuam te Bahrija. Bahrija me Feimin, djalin Agonin, vajzat
Nexhmijen, Linditën, Zamirën e Dafinën u gëzuan shumë kur na panë. Dalim në
Heysel Park, një nga pikat më atraktive të Brukselit ku është monumenti
madhështor “Atomium”, i ndërtuar në vitin 1958 dhe stadiumi i ekipit të njohur Anderlecht, ngjyrat e të cilit i ka mbrojt futbollisti shqiptar
Besnik Hasi. Aty krejt afër është edhe lagja Laeken, ku është rezidenca
mbretërore. Pasdreke e këndshme. Bëmë edhe fotografi...
Në mbrëmje e morëm Bahrijen e Feimin dhe prapë kthehemi te Nexhati.
Parku Atomium, prill 2004
Blankenberge, prill’04
Belgjik, 12 prill
12 prill ’04 ndahemi: Etemi shkon në
Blankenberge qytetin tipik bregdetar,
kurse mua me Remzijen, Nexhati me veturë na çon te Fahri Zymberi në Antwerpen, qytet i
rëndësishëm në regjionin e Beneluksit. Me ne ishte edhe Abdyli me familje.
Fahriut i shprehem ngushëllime për vdekjen e nënës. Abdyli po atë pasdreke
nisët për Gjermani, kurse Nexhati me Luanin e Xhenetën kthehen në Bruksel. Te
Fahriu qëndruam tri net. Sa ishim te Fahriu /14 prill/ vjen Nexhati me
Bukurinë, na marrin me veturë dhe tërë pasdreken e kalojmë duke u shëtitur në
qytetin e bukur të Antwerpen-it. Darkën e hëngrëm në një restorant italian në
qendër te qytetit.
Ditën e katër me makinë të Nexhatit shkuam në Blankenberge në qytetin ku
ishte Etemi. Në Blankenberge u mahnitem nga bukuritë e qytetit, brigjet e të
cilit i spërkasnin pa ndërpre valët e
Oqeani Atlantik. Naxhija, Bekimi e Luani u kënaqën për një ore e sa në
një park të fëmijëve buzë detit. Pasdreke kthehemi te Fahriu, përshëndetemi me
Mimozën, Butrintin, Granitin, Minaveren... “Do të shihemi prapë në Kosovë”!- na
tha Fahriu.
Në mbrëmje ishim te Bahrija. Deri pas mesnate u kënaqëm së rikujtuari ditët
në Shkup e Kabash. Të nesërmen, herët në mëngjes, dolën për të na uruar rrugë
të mbarë Feimi, Bahrija me krejt fëmijët. Duhet pranuar se gjatë ndarjes u
mërzitëm. Deri në hyrje të autorrugës për Gjermani me veturën e vet na priu
Nexhati.
Antwerpen,
prill 2004
Gjermani, 16 prill
Derisa po udhëtonim me shpejtësi mbi 135 km. në orë, në mobil të Etemit marrim një mesazh urimi në
gjuhën gjermane: “Jeni në territorin e Gjermanisë. Mirë se erdhët!” Në kufi as
tela, as polic. I them Etemit, për të hy në Maqedoni nga Kosova udhëtarëve ju
duhet të presin, të maltretohen, sidomos shqiptarët, me orë të tëra. Këtë e kam
përjetuar sa herë e kam kaluar kufirin e përmendur edhe vetë. O Zot, pyeta, kur do të njerëzohen
fqinjët tanë!?
Gjatë udhëtimit herë unë, herë Tina zgjatemi për të shikuar se me çfarë
shpejtësie po e nget makinën Etemi. Nagjija e Bekimi kureshtar pyesnin dhe ka
raste na zënë ngushtë sa nuk dimë t’u japim përgjigje. Kur mbaron me pyetje,
Naxhija këndon, kurse Bekimi luan me “tetrit”.
Pasdreke jemi në Schweinfurt, qytet industrial me 50,000 banorë në
Bavarin veriore. Në pritje kanë dalë Abdyli, Nadija, Vlera, Zgjimi e Lirika.
Gëzim i pa përshkruar... Edhe pse ishim të lodhur nga udhëtimi, pritja e
ngrohët, e përzemërt në banesën dydhomëshe, që ndodhej në katin e dytë të
ndërtesës na çlodhi si me magji. Dalim për të shëtitur, Lirika e Naxhija me
biçikleta, unë, Etemi, Abdyli, Zgjimi e Bekimi ecim në këmbë. Lagjja e
rregulluar, me shtigje, rrugë, fusha sportive... drurë, pemë që tanimë
ishin veshur me lule e gjelbërim, që nën
miklimin e diellit të mbrëmjes, puhizës së prillit kundërmonin erë të këndshme.
Një ketër murrashe me bishtin e madh e të bukur ngjitej e lëshohej vrullshëm prej dege në degë. Në Kosovë as në mal
nuk i gjen ketrat. Gjatë ditës dilnim në pikniqe brenda e
jashtë qytetit. Në mbrëmje sa ktheheshim Vlera organizonte show me imitime,
këngë e valle. Pas 3 ditëve Etemi me familje kthehet në Zvicër. Gjatë vikendeve
kur luante Zgjimi shkonim për ta shikuar ndeshjen. Simpatizonim fortë, sidomos unë
dhe Lirika, për Zgjimin dhe ekipin e tij. Ndërkohë vjen Jetoni me Zejnien,
Teutën dhe Artin. Krijohet atmosferë alla kabashçe. Nadija e kishte paksa ma
zor i duhej ta mbante punën dhe të përgatiste
dreka e darka...
Würzburg, prill 2004
Komplet ashtu siç ishim, kabashçe, shkojmë në qytetin e Wilhelm
Roentgen-it, zbulues i X rays /rrezeve rentgen/ në vitin 1895, në qytetin nyje
prej ku tregtohen mallra të ndryshme brenda Gjermanisë dhe jashtë saj, në Würzburg. Pjesën më të madhe të kohës e
kalojmë në fortesën e qytetit, prej ku shihet qyteti si në shuplakë të dorës.
Të mahnitur nga ato pamje të magjishme, brenda kalasë, arkitektura e qytetit,
lumi që shkonte mes përmes tij,
plantacionet e pafundme me vreshta për prodhimin e venës, dyqanet për plotë me
mallra, rrugët, trotuaret me njerëz të shumët dhe skajshmërisht të pastra, në
pasdreken e vonshme të asaj dite, u kthyem në Schweinfurt.
Schweinfurt, prill 2004
Garmish, 24 prill
Me Abdylin, Ramadanin /hoxhën/ shkuam në Garmish te Selmani. Në hyrje të
banesës për të na uruar mirëseardhje kishin dal
baci Nezir dhe Selmani me të shoqen... Pritje e përzemërt. Gjatë ndejës, drekës xha Nezirin e vërshojmë
me pyetje: Abdyli, hoxha /Ramadan Drobeshi/ dhe unë. Kthjelltë, me mbamendje të
shkëlqyeshme përgjigjet, nuk përton. Deri në detale na përshkruan ditët e qëndresës në malet e Moravës së Epërme të
viteve 1944-1945, dhembjet për humbjen e
më të dashurve, si: babën Hamdiun, vëllain Bajramin, kushërinjtë: Hasanin /komandant i batalionit/, Rexhepin /zëvendëskomandant
i batalionit/, bashkëluftëtarin Qamil Samakovën... gjatë luftës, jetën në
emigracion, (Greqi, Maltë, Angli e Gjermani) mallin për Kosovën, shkuarjen
në vendlindje pas 57 vjetëve... Një pjesë të bisedës e incizojmë me
kamerë.
Kur po bëheshim gati për t’u nisur. Ndërhyri xha Neziri: “Për darkë jeni te
unë... ja këtu afër jam me
banesë... shkojmë! ”- na urdhëroi dhe u
nis i pari.
Te xha Neziri rreth tryezës përplot me pije, meze e ëmbëlsira... vazhdojmë
bisedën deri natën vonë. U kthyem në Schwienfurt paksa të lodhur në orët e para
të ditës, që po hynim.
PS: Me këtë rast e shkrova artikullin “Nezir Hamdi Kabashi- luftëtar i
lirisë”. Artikulli u botua në revistën “Ura”, gusht 2004.
Schwienfurt – Winterthur, 2 maj
Shpejt kaluan ditët.. Ndarje... “Shihemi prapë në Kabash”, thotë e mërzitur
Vlera. Me Abdylin për 5 orë mbërrimë në Winterthur.
Muhameri në telefon, propozon që të shkojmë në Cyrih, me një kafene
për të dëgjuar muzikë shqipe. Nuk ia prishim Muhamerit. Shkojmë me
Mercedes-Benzin e tij xixë: unë, Etemi e Abdyli. Kafeneja më përkujtoi kafenetë e viteve ’70 - ’80 të shekullit të
kaluar në Kosovë. Vetëm këngëtaret e kamerieret ishin të gjinisë femërore, kurse
klientët meshkuj.
Kështu ishte edhe në klubet e shqiptarëve që i vizitova në Winterthur, bile do të thosha edhe me
keq, njërën prej kameriereve e dëgjova tek fliste sllavisht. Muzika dëgjohej që në hyrje. Brenda, prej
buçimës së madhe të muzikës nuk mundeshim për t’i thënë as një fjalë njëri
tjetrit. Këngëtarët më shumë çirreshin se këndonin. Tekstin e këngëve e
gjymtonin duke përsëritë me dhjetëra herë emrin e porositësit të këngës. Rrugës
për në Winterthur flisnim me zë të lartë. Muzika na kishte shpartalluar veshët.
3, maj
Në mbrëmje na merr Ylberi me veturën e tij, sa çel e mbyll sytë, na çojë te dyqani i Zjah Haqif
Etemit. Në dyqan erdhën shumë kabashë. Të gjithë i mblodhi
Ylberi, siç thuhet, me një fishkëllim: Mefailin, Xhemilin me të vëllain, Ademin,
Muhamerin, Fitimin, Norën, Njomëzën, Tringën, Pëllumbin, Zjahin me të
vëllain... Në kafenenë e një shqiptari
nga Deçani, aty afër, ulemi dhe porosisim kush sipas dëshirës nga një pije.
Krijohet një atmosferë e këndshme. Më informojnë se ne këtë qytet të zhvilluar
industrial, ku bashkëjetojnë kultura e gjuhë të ndryshme dhe rajonin e Cyrihut,
punojnë, janë të vendosur shumë të rinj
nga Kabashi: Muhameti, Bashkimi, Florimi, Bekimi, Burimi, Skënderi, djemtë e Myrtës,
Fatosi... Për darkë ishim mysafirë të
Ylberit në një piceri italiane.
Shënim në parantezë
Sot, 20 qershor 2009 mora lajmin e hidhur se prapa shpine, në pritë, u vra
Mefail Beqir Sallahu dhe sakaq m’u duk sikur e pashë Mefailin, si atëherë
në Winterthur (3 maj 2004), gazmor e krenar.
4, maj
Në orën 5 të mëngjesit jemi në aeroport. Ashtu siç ishim marr vesh aty na
priti Ylberi. M’u duk se jam në Kosovë. Udhëtarët ishin shqiptarë, personeli
për pritjen përcjelljen e udhëtarëve po ashtu shqiptar, informatat, lajmërimet
i merrnim në gjuhën shqipe. Me Abdylin e Ylberin u përshëndetem në holl, kurse
Etemi erdhi me ne deri te shkallët e aeroplanit. Në aeroplan plot udhëtarë.
Zumë vend në rendin e dytë, ulëset 7 e 8 nga e majta. Sapo duhej të nisemi
brenda në aeroplan u duk Presidenti i Kosovës,
Dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e vetë. Po kthehej nga SHBA në
Kosovë. Pasagjerët kureshtarë çoheshin nga ulëset e tyre për ta parë
presidentin Rugova. Shumica e shikonin me admirim.
Winterthur, maj
204
Prishtinë,
qershor ‘04
Aeroplani fluturonte me shpejtësi qiellit skajshmërisht të kthjellët, por
mua më dukej sikur nuk po ecte fare. Pas dy orësh e sa në dritaret e aeroplanit
u shfaq Prishtina. Gëzim i madh. Në aeroport na presin: Faketja, Rrezarta, Alma
e Faruku. Rrugës për Prishtinë na befasojnë ndërtimet e shumta. Posa mbërrimë në banesë na
thërrasin në tel. nr. 03822XXX: Abdyli e
Etemi nga Zvicra, Vullneti e Flutura nga Zelanda, Kushtrimi e Ibrahimi nga
vendet e punës /Prishtinë/, Ferati... nga Kabashi, pyesin... “Po,
ju them, mirë erdha, në “Kodër të
diellit” jam. Dielli i Kosovës,
aroma e saj m’i hoqi dhembjet reumatike
si me dorë.”
Kabash, 5 maj
Për ta vazhduar ditarin,
provova... nuk shkonte, fjalët më
mungonin... Kisha për të thënë shumë, po nuk i thosha dot.
Kosovë, 4 maj – 21 shtator 2004
Në Kosovë, te
familjarët, te shokët e punës, e shkollës... kudo që shkova më pritën me
përzemërsi. U kënaqa e u çmalla me ta.
Rrugët, mirëmbajtja e tyre, furnizimi me ujë të pijshëm, mirësjelljet e dyqanxhive,
e nëpunësve nëpër zyre, mirëmbajtja e pastërtisë në qytete e fshatra, mirëmbajtja e varrezave…
ruajtja e ambientit ishte paksa në rritje, por për menaxhimin, riciklimin e plehrave,
mbeturinave urbane nuk dëgjova
ndonjë nismë apo strategji që do ta zgjidhte ketë problem shumë, shumë të madh për Kosovën. Brenda një kohe të shkurtër ishin ndërtuar, hapur objekte të reja
sociale-argëtuese, ndërmjet të cilave edhe qendra tregtare, të cilat për nga
luksi dhe shumëllojshmëria e produkteve, nuk kanë asgjë më pak se qendrat
analoge kudo në Evropë. Po ashtu edhe në çmime. Urova
që ndërtimet, mirëmbajtjet të mos marrin fund kurrë. Rrugët, sheshet,
restorantet, birraritë, ëmbëltoret deng
me djem e vajza me sjellje të kulturuar, mirëpritës, të lirë dhe me asgjë më
pak se të rinjtë e shteteve tjera të
Evropës. Vërtet bukur. Bukur! Por, përbrenda edhe djemtë edhe vajzat kishin shumë
halle.
Dyqanet të hapura deri në orët e vona të natës, të improvizuara edhe nëpër
trotuare, me mallra kontrabandë made in China, Turkish... fruta tropikal,
zarzavate, cigare, bizhuteri, kaseta, veshmbathje... Rrugët e pakta për ta
përballuar gjithë atë qarkullim të automjeteve. Makina me një ngjeshje të tmerrshme të parkuara trotuareve, të cilat u
nxjerrin shumë telashe këmbësorëve, duke i detyruar të dalin në rrugë. Mediet e shkruara nuk ishin në nivel të detyrës për
ta plasuar në botë të drejtën e natyrshme tonën për qenë të lirë. I
kontrollonin partitë politike, grupet e interesit, individ të pasur dhe ata që po duan me zor ta bëjnë
Kosovën shumetnike. Në programet e medieve vizuale në gjuhën shqipe dominonin serialet
e prodhimit amerikano-latin, pa asnjë vlerë as artistike, as morale. Shkollat dhe shëndetësia, shtylla këto të
rëndësishme të shoqërisë ende lënë
shumë për të dëshiruar. Gjuha kish
evoluar për keq.
Nuk flitej më për politikë si dikur, njerëzit sikur ishin lodhur prej saj.
Nuk dëgjova as edhe një fjalë a mendim pozitiv për të ardhmen gjatë ndejave me
njerëz moshash të ndryshme, por veç ankesa. Shkalla e mos durimit mes partive
sikur kish rënë një grimë. Kjo vërehej te anëtarësia në bazë, kurse ata lartë
ende me inate të vjetra, ende ishin peng te konflikteve të brendshme ende me akuza e kundër
akuza të ulëta, ende me ndërkëmbëza e shtyrje me bërryla duke penguar njëri tjetrin
sa më shumë që të jetë e mundur. Nëpunësit e veshur me pushtet fajet, gabimet i gjenin te të
tjerët e sidomos te krahu tjetër politik.
Format e shoqërisë
klasike kishin ikur përgjithmonë. Entuziazmi i dikurshëm mes shokëve, bile
edhe mes vëllezërve kish rënë, meqë njerëzit nuk ishin me vepra në nivel të
fjalëve... dukeshin të lodhur, të stresuar, të pamotivuar dhe më shumë ishin të preokupuar se si t’ia
sigurojnë djalit, vajzës.... një vend pune, një vizë... si t’i regjistrojnë
fëmijët në shkollat amerikane.. si të
pasurohen pa punuar... si t’ia hedhin tjetrit... si të
uzurpojnë ... Shumë elemente fisnike dhe pozitive të
traditës sonë ishin avulluar, zëvendësuar me elemente të huazuara... mburrjet në të thatë,
idiotësia për të fituar pa u lodhur kishin marrë rrugë. “Këtu nuk u met kujt me i besue, krejt
ankohen, krejt rrahin gjoks se kanë
luftue për
Kosovën, krejt
punojnë
n’krye n’veti, krjet duen me dal jashtë, krejt janë të ditun, krejt merren me politikë ...
Ne jashtë mërzitemi për Kosovën, këtyne u ka ardh Kosova te hunda. Jemi popull i pa
bam rahat dhe, pikë.” – më tha, një gasterbajter paksa me nervozë, në kafenenë “Lindi” në Viti.
“Hëm, ndërhyra për ta qetësuar bashkëfolësin nervoz, pas gjithë atyre plagëve, traumave e tmerri, Kosova nuk mund ta marrë vetën shpejt. Të mirat vijnë ngadalë dhe,
duhesh ta kesh parasysh se vonesat ne shqiptarët i kemi në gjene! ”
19, shtator
Sot në shtypshkronjën “Shkrola” i mora
tridhjetë ekzemplarët e para të librit “Ankthi i Pranverës ‘99”. Sa
ishin shtypur, ende të nxehta. Dalja e
librit më liroi nga ngarkesa që më kish
mbajtur mbërthyer gjatë gjithë qëndrimit tim në Kosovë. Po kush e kish mendjen tani në
Kosovë te librat!?
Në Gërmi, qershor ‘04
Prishtinë, 21 shtator
Të njëjtit, që na kishin prit në aeroportin e Prishtinës, me 4 maj 2004;
Faketja, Rrezarta, Alma e Faruku, me 21 shtator 2004, në orën 5. 00 të
mëngjesit, dolën prapë në aeroportin e kryeqytetit për të na uruar rrugë të
mbarë, kësaj here plus dy më shumë; Albulena dhe Eni i vogël.
Cyrih, 22 shtator
Në aeroportin e Cyrihut, Etemi, që na kish prit, përcjell, prapë prit, na
përcolli deri te dera e aeroplanit. Me Etemin ishin Nexhati, Bekimi e Nagjija.
Aucklandë, 24 shtator 2004
Sa isha në Kosovë /20 – 25 maj/, u hap panairi i librit shqip në Pallatin e
Rinisë në Prishtinë. Isha dhe bleva libra për fëmijë të moshës parashkollore. Ua solla
fëmijëve shqiptarë këtu ne Zelandë të Re. Fëmijët gëzohen. Të rriturit këtu
kanë marr mbas fitimit, veturave luksoze, s’kanë kohë për libra, gjuhën shqipe, Kosovën...
Sabit Abdyli
Auckalnd, fund shtatori 2004
No comments:
Post a Comment