Aotearoa
- toka e reve të bardha
Sabit Abdyli
Shqiptarët
e parë, që kanë emigruar në Zelandë të Re, kanë ardhur gjatë viteve 50’ . Njëri prej tyre Petrit
Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin "Goya" kanë mbërritur në Zelandë
të Re më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk
dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut
ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të
gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e
të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.
Aotearoa, siç e quajtën
Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të
mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km . larg bregdetit
të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë
lindore. Me një sipërfaqe 269,000
km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe
Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda
përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve
të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj,
ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me
bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet
jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon
deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km . nga veriu në jug.
Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të
dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X –
të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/,
kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe
për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata
jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.
Lundërtari holandez Abel
Tasman Evropiani i parë në Aotearoa
Evropiani i parë që shkeli në
Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi
për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në
Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason
vizita e kapitenit anglez James Cook me
marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë
vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas
nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës
Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten
Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar
nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të
Azisë... Sot në ketë shtet me mbi 4
milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca
njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të
sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të
dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin
e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të
zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në
Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës
së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.
Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”,
prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu,
Halit Bajrami Kamber Rrustemi (vlonjat,
i vrarë nga UDB-eja në Australi).
Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”
Për emigrimin e
shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga
emigrantët e parë në Zelandë. "Nga Stambolli me vaporin "Goya" kemi
mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më
tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike
tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i
ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit
Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe
Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë
(Shqipëri). Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar,
kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në
Zelandë të Re.
Vdiq në Auckland, me
gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina,
Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora,
Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e
Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i
vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K.
Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe
të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z.
Alliu. "Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme
gjatë arratisjes nga vendlindja".
Auckland, 1954. Shaqir Seferi, Shaban Kryeziu, Fadil
Kaceli e Petrit Alliu
Në vaporin “Goya” përveç
shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na
vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndanë
gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi
dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin
e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku
donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam
kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në
Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e
cila fliste mirë shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Flitej edhe për tri gra shqiptare tjera nga Llogoraja e
Vlorës të vendosura këtu para nesh, pastaj për shqiptarët nga Australia të
cilët kishin ardhur për të kërkuar flori në lumenjtë e këtushëm, por ata nuk
kanë qëndruar gjatë në Zelandë të Re. Sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë
politikë shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët.
Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Kryetari i
Lidhjes Mazhar Krasniqi dhe të gjithë ne të tjerët i përqendruam forcat në
ruajtjen e traditave, gjuhës... mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin
e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me mërgatat simotra shqiptare në Australi,
në Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam
prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do ta thyejë
qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e
njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim
himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën... Sot edhe fëmijët tanë në
këtë vend të bukur me demokraci të vërtetë kanë krijuar familjet e tyre dhe
jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i
lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në
Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez
në vitet 1952-1956. Rreth viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar pati ardhje në
mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e
vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, u rrit paksa
numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e
imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në
pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të
cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e
refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti
shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandezë e të tjerë, në krye me
kryeministreshën e atëhershme të Qeverisë së Zelandës Jenny Shipley me bashkëpunëtorë
si dhe përfaqësues të opozitës për t’u uruar mirëseardhje refugjatëve nga
Kosova.
Refugjatët e rinj të ’99-s
Ardhjet vazhduan gjatë
tërë vitit 1999. Duhet përmendur se në mesin e refugjatëve pati edhe
personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver
Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me
përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje
farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese.
Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të
kaluar pastaj në shtëpi, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosen
në Auckland, paralagjet: Orakei, Mission Bay, Pakuranga, Medolbank, Sten Jons,
Kohimarama, Glendowie, Panmure, Onahunga, St. Heliers, Mt. Welligton, Buckland
Beach, Epsom etj. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar
filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për
profesione të ndryshme. Një numër prej tyre pas një viti me vetëdëshirë u
kthyen në Kosovë. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e
lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët janë
të shpërndarë nëpër shkollat ku i kanë të vendosura familjet, kurse
gjimnazistët i ndjekin mësimet gati që
të gjithë në shkollën e mesme “Selwyn College” /Kohimarama/.
Selwyn College, 2000.
Çikat e Kosovës: Nita, Marigona, Majlinda, Alma, Kaltrina, Blerta, Rina
e Ardita në këmbë.
Që të gjithë vendosen në
qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi,
shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të
mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të
zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951
ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova.
Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe
në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët,
që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet
të jenë diku 400 deri 500 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për
imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të
vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Vendi i preferuar për
shqiptarët është paralagja Mission Bay. Nё Mission Bay zhvillojnë veprimtari
hoteliere me shumë sukses: Muharrem Muharremi - Mema, Xhelal Jashari e Bajram
Jusufi. Restorantet e tyre dallohen për specialitetet ushqimore, shërbimet me
kohë, pastërti e rregull. Nё këtë paralagje të mrekullueshme të qytetit më të
madh nё Zelandë tё Re ёshtё i njohur salloni për rregullimin e flokëve për meshkuj dhe femra që
mban firmën e floktarit nga Prishtina Agim Agollit, “Gimmy’s Hair Desing”.
Pronari i kompanisë për prodhimin e akullores Tair Tairi e ka zgjeruar
veprimtarinë e vet, duke hapur këto ditë në Mission Bay ëmbëltore sipas yrnekut
të ëmbëltoreve në Prishtinë e Shkup. Në grupin e shqiptarëve që kanë gjetur
suksesin përmes restoranteve është edhe
afaristi Abdullah Bashota me restorantin e tij të njohur “Red Elephant” si dhe
të rinjtë Sokol Krasniqi e Astrit Jolla me restorantin “Safran” në një nga
lagjet më luksoze të qytetit në Newmarket. Duhet thënë se pjesa dërmuese e
punëtorëve në restorantet e përmendura janë shqiptarë. Salih Salihu me të bijtë
Albanin, Agronin e Drilonin për një kohë të shkurtër ka arritur të bëhet model tipik i biznesmenit
të suksesshëm. Grupit të biznesmenëve duhet shtuar edhe emrat e Burim Xharrës,
Ismet Selimit, Ideal Huskajt, Burim Prekazit, Agron Hasanit, Drin Muratit,
Sharr Brezartit etj., të cilët kanë bizneset e tyre. Një numër tjetër punojnë
në tregti, administratë, ndërtimtari, mjekësi etj. Me ketë rast nuk duhet
harruar të rinjtë shqiptarë, që i kanë kryer studimet dhe ata që pritet t’i kryejnë
në Universitetet e qytetit të Auckland-it, të cilët brenda pak vitesh do të jenë yjet e punës
intelektuale dhe të biznesit në ketë vend të zhvilluar.
Auckland, 8 mars 1998. Nënat shqiptare në protestë: Stop,
masakrave në Kosovë!
Auckland,
prill 1999. Shqiptaro-zelandezët në përkrahje të NATO-s
Në “Nero Cafe”, Auckland, nëntor 2009. Foto: Hysen
Zeqiri. Kafeneja ndodhet në pjesën
qendrore të Aucklandit nga tarraca e së cilës shihet Ishulli Rangitoto i njohur në botë për formën e tij unike. Në tarracën e kafenes,
shqiptaro-zelandezët takohen dhe bisedojnë: për hallet, mallin për vendlindjen,
ndodhitë në Kosovë, Shqipëri.., rrahin gjoks, këmbejnë
romuze me të qeshur.
Pijet për ta nuk kanë funksion parësor sepse ata
vijnë këtu ekskluzivisht për t’i qarë hallet njëri - tjetrit, ndërruar cigaret,
larguar mërzitjen, kaluar kohën dhe për të debatuar tema të ndryshme.
Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme.
Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë..., pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.
(Botuar në gazetën Illyria 12-15 gusht, 2005 dhe në revistën Zëri 27 maj 2006).
Një variant i Shkrimit “Bijtë e shqipes ...” është botuar edhe në gazetën Balli i Kombit në internet.
(Nga libri “Bijtë e shqipes në token e reve të bardha”, Auckland, 2010, Sabit Abdyli)
Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme.
Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë..., pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.
(Botuar në gazetën Illyria 12-15 gusht, 2005 dhe në revistën Zëri 27 maj 2006).
Një variant i Shkrimit “Bijtë e shqipes ...” është botuar edhe në gazetën Balli i Kombit në internet.
(Nga libri “Bijtë e shqipes në token e reve të bardha”, Auckland, 2010, Sabit Abdyli)