Saturday, 3 September 2016

FLAMURI E NËNA


Mësuesja e gjuhës angleze, diku 30 vjeçe, e bardhë si qumështi, flokët krejt kaçurrela të lëshuara prapa shpine, e këndshme dhe punëtore. Pasdreke kishim gjithsecili prej kursistëve të gjuhës angleze të prezantojë diçka nga vendi i origjinës. Sa më erdhi radha mua dola para shokëve të klasës që ishin nga të gjitha anët e botës. Paraprakisht kisha marr me veti flamurin kombëtar dhe një foto të Nënës Terezë. E shpalosa flamurin dhe ju thash. Ky flamur dy ngjyrësh me shqiponjën dykrenore është ndër më të vjetrit në botë. S'pari u valëvitë në bedenat e kështjellës së Krujës në vitin 1444 dhe me te në dorë për një çerek shekulli shqiptarët i bën ballë sulmeve të njëpasnjëshme të Perandorisë Osmane. Pesë shekuj ishte i robëruar, por kurrë i harruar. Pastaj nxora foton e Nënës. Si e panë, e njohën, të gjithë u ngrehën në këmbë, u përkulen në shenjë respekti dhe erdhën për të parë e prek foton që e mbaja në dorë. I emocionuar vazhdova, emri i vërtetë i Nënës është Gonxhe, që në gjuhën shqipe dmth lule. Gonxhja është bijë shqiptare me të cilën krenohemi ne shqiptarët gjithandej ku jemi. "Krenoheni, jo vetëm ju, por e gjithë bota." - më ndërpreu mësuesja Rosemary.
Sabit Abdyli, Zelandë e Re
"NENA", vizatoi Abdyl Abdyli

Friday, 5 August 2016

RRËFIMI I LUFTËTARIT PËR KOMANDANTIN


Hasan Kabashi 1900-1945, i emëruar komandant i
Batalionit  të Parë në Kongresin e  mbajtur
 15-16 gusht 1945 në malet e Kopilaçës
Më 14 nëntor 1945 mësyjmë Greqinë. Udhëtonim kryesisht natën, të prirë nga komandant Hasan Kabashi 1900-1945. Rrugë tmerrësisht e mundimshme, pa ushqim, me veshje e mbathje të dobët. Për gjithë kohën (14 ditë) sa udhëtuam tri herë kem hëngër. Në një manastir ortodoks jemi paraqit si brigadë partizane në fillim ata të kishës nuk deshën të na hapin derën, por kur panë se se do futemi qoftë edhe  me dhunë, na hapën derën.  Aty paksa pushuam dhe drekuam  Pas disa netësh (natën ecnim, ditën e kalonim fshehur) rrugëtimi diku afër Kërçovës derisa po i kthente delet në mbrëmje një bari, dolëm nga shkurret ku ishim fshehur dhe 7 delet i fundit i kapëm pa u hetuar dhe që atë mbrëmje i premë. Të ngopur me mish më shumë i papjekur se i pjekur vazhduam rrugën për në kufi. Tri ditë e tri net e mbajtëm me vete një maqedonas për të na treguar rrugën. Në ndarje e shpërblyem me para maqedonasin. Në Kranj dërgojmë tre veta për të vëzhguar terrenin. Vëzhguesit paralajmërohen nga një kopshtar se në Kranj kanë hy brigadat partizane, dy prej tyre, Hajdin Demiri dhe Zenel Lladova nuk e përfillin rrezikun dhe hyjnë në qytet. Kurrë më nuk u kthyen. Kopshtari i jep një copë bukë Muharrem Toplanës. Atë copë të bukës e ndau baci Hasan në 70 pjesë, aq ishim, duke shikuar secilin prej nesh në fytyrë për të parë se cili është më i lodhur, i uritur. Krejt afër kufirit, pas 14 ditë udhëtimi, pikërisht ditën e festës sonë më të madhe – Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1945, në mbrëmje ramë në pritë. Me këtë rast plagoset me rafal plumbash në dy këmbët  baci Hasan. Si gjithmonë edhe kësaj here  ai ishte në krye të kolonës. Këtu ndodhi edhe një plagosje e rëndë tjetër. Në të kthyer nga vëzhgimi plagoset në gjoks pa dashje nga shokët tanë, Qamil Samakova. Ishin këto momente të vështira, do të them më të vështira në krejt jetën time. Humbëm komandantin Kabashin dhe luftëtarin Qamil Samakova. Që të dy trima e burra të fortë. U krijua një gjendje shumë e tendosur. Shumica e bashkëluftëtarëve, me ta edhe Hysen Tërpeza, vazhduan rrugën drejt Greqisë, me premtim se do të na vijnë në ndihmë nëse kemi nevojë. Me komandantin e plagosur mbetëm ne kabashët: Rexhepi, Ahmeti, Shaqiri, Destani, Mejdiu, Brahimi, unë dhe tre të tjerë, Fejzë Gërlica, Ramiz Begunca e Hamit Shushka. Me gjithë dëshirën tonë të madhe për ta ndihmuar komandantin e Qamilin, nuk patëm si. 
Aty afër, nuk gjenim dot as dru, as thupra për të improvizuar lesë, trinë për bartje. Provuam ta bartim Komandantin me një batanije që e kishim, por batanija e vjetër, e kalbur nga shiu e dielli nuk e mbajti trupin e tij. Derisa donim ta ndihmonim na urdhëroi: Shkoni, edhe pa mua duhet ta vazhdoni luftën! Pushkën ma leni këtu afër. Shkoni! Me aq shumë plagë, me aq shumë dhimbje ai merakosej për fatin tonë!. Me gjithë dëshirën tonë të madhe për ta ndihmuar prijësin, luftëtarin e paepur për lirinë e Kosovës, bashkimin e tokave shqiptare... – këtu rrëfimtari (Nezir Hamdi Kabashi 1918-2008) ndalet, psherëtinë thellë – dhe i mbytur në lot mezi vazhdoi ngjarjen: Haj, haj... nuk kishim qysh! Me gjasë në terrin e asaj nate, të mbetur midis jetës dhe vdekjes, në atë zonë të mallkuar kufitare, baci Hasan e Qamili me nga një plumb në drejtim të njëri tjetrit i japin  fund jetës. Se kështu kishte përfunduar jetën Komandanti dëshmojnë dy krismat pushkësh që dëgjuam gjatë largimit drejt tokës greke, zëvendës komandanti Rexhep Kabashi shpirtvrarë, i lodhur, i tronditur shpirtërisht dhe i përhumbur  për humbjen e komandantit me të dëgjuar krismat ktheu kokën mbrapa dhe na thoshte,  po lufton Komandanti, dëgjoni krismat, asnjëherë atij nuk i shkojnë plumbat huq.
Lum si ju baci Nezir, ndërhyri vëllai Abdyli, që patët komandant njeriun aq njerëzor, aq trim, aq kombëtar e me sedër, kulaçin (kafshatën)  e bukës e ndante me të gjithë juve barabar, në aksionet e ndërmarra e të  rrezikshme ai ju printe.   He, sikur të kishim edhe sot më shumë njerëz si komandant Kabashi!? 
Garmish (Gjermani), 24 prill 2004
Sabit Abdyli
Atë copë të bukës e ndau baci Hasan në 70 pjesë, aq ishim, duke shikuar secilin  prej nesh në fytyrë për të parë se cili është më i lodhur, i uritur-më thotë  ushtari i radhëve të para të Batalionit, Nezir H. Kabashi

Wednesday, 1 June 2016

Shkruan Drita Fejza: Vështrim për librin "DALLGË MALLI" të Sabit Abdylit



Drita Fejza 
Krijuesit që i përkushtohen atdheut janë emblema  më e bukur që mund ta përfaqësojnë vet  atë, njëri ndër ta është edhe poeti Sabit Abdyli,  i cili emigroi në Zelandën  e Re, duke marrë me veti atdheun dhe fjalën e bukur shqipe.  Vargjet të cilat  i hasim në poezinë e tij flasin për këtë. Njeriu e kupton se koha më e bukur të cilën e jeton ai është koha kur fjala e lirë të shoqëron, por poeti Sabit Abdyli, nuk i takon vetëm kohës ku liria e fjalës i ka dyert e hapura dhe mund të krijosh ashtu siç ta ndjen shpirti kur trazohet. Edhe prof. Sabiti pati fatin  e intelektualeve të cilët përjetuan luftën dhe ndan dhimbjen me popullin i cili i nxori nga gjiri i i tij dhe i skaliti nën dritën e zbehtë të robërisë duke i ushqyer me lirinë  e dëshiruar nder mote. Vargjet e Sabitit kanë nivelin e një njeriu të pjekur në rrugën e letërsisë. Motivet të cilat i ka sjellë përmes poezisë janë të njohura, por mënyra se si ka sjellë artistikisht, e bënë  të dallohet si një libër i veçantë që ja vlen të lexohet e rilexohet. Libri është i ndarë në katër cikle, të cilat lidhen fort pas njëra tjetrës si një urë e fortë të cilën nuk mund ta kalojë lexuesi pa u prekur nga dallgët e mallit   me dallgët e poezisë e cila lind nga dallgët e shpirtit të vet poetit.
DYERVE TË BOTËS
Jeta dyerve të botës
e hidhur pelin
kafes dyerve të botës
kot sheqer i hedh
bukë e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin
  fq,12
Fjala e veshur bukur është akt i guximit edhe nëse mbanë  përbrenda përcëllimin e diçkaje që të sëmbon, si për shembull: mallin për atdhe, kujtimet e fëmijërisë, dështimet në jetë, gëzimet e saja,  rinia e mbetur diku përtej harresës etj. Poeti Sabit Abdyli të gjitha këto arrin ti vesh me vargjet e thurura bukur ashtu siç thuren ëndrrat e nënës për fëmijën e saj.  Ai nuk e përdore fare hiperbolën në poezinë  e tij sepse gjërat e përjetuara nuk kanë nevojë për zmadhim, vuajtjet dhe kujtimet janë njerëzore edhe po aq të fuqishme sa çdo gjë do të ishte e tepërt nëse nuk shfaqen me vërtetësinë e shenjët, si për shembull: lufta e fundit në Kosovë (1999). Trilli  në këtë libër i ka dyert e mbyllura sepse poeti, duke njohur jetën e vërtetë të cilën e ka skalitur në vargun e pa vdekshëm artistik, ka arritur të komunikojë  thellësisht  me lexuesin..
E SHKRUAR ME 2 SHTATOR 1991
Me sytë e mi i pashë
Kryezagarët rojë
Në dyert e shkollave shqip
Qentë llapushë veshur në pancir
Zilet e shkollës shqip
I çmontuan atë ditë
Me sytë e mi i pashë
Me mite ndragur deri në fyt
Shkollat mbyllen
Atë ditë
fq, 80
Doja vështrimin për librin "Dallgë malli" si dhuratë t'ja dërgoja poetit bashkë me urimet për ditëlindjen e tij (14 maj), por nuk arrita për shkaqe  të kohës.  Ishte vetë ai që më bëri dhuratën me të bukur me koloritin e vargjeve "Dallgë malli" për të cilën i falënderohem shumë që mu dha rasti ta lexoja edhe unë në qytetin e kulturës në  Berlin. Libri për mua është komunikim më i bukur  dhe  identifikim kulturash. Në fund mund të them se lexuesi  është ai që mbanë në jetë veprën dhe emrin e një autori, kuptohet vetëm nëse i ofrohet një vepër e denjë. Poeti Sabit Abdyli ja ka arritur me librin e tij "Dallgë malli" të ngroh vatrën e çdo shtëpie që posedon në bibliotekë një libër si ky për të cilin po flasim. Poetit i dëshiroj shëndet  dhe suksese të mëtutjeshme në rrugën e artit, ku jeta shpreh fuqishëm ngjyrat e saja.
Drita Fejza
Berlin, 31.05.2016

Saturday, 14 May 2016

Drita Lushi: DALLGË MALLI Libër me poezi nga Sabit Abdyli. -Mendime-


Drita Lushi
Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Libri më i ri i autorit Sabit Abdylit,titullohet “Dallgë malli”dhe  ndahet në katër pjesë : “Mall”, “Imazh”,”Kapriҫoze” dhe “Qiellit të saj”
Poezitë e Sabit Abdylit, kanë një shtrirje kohore të konsiderueshme ҫ’ka tregon, që ndjeshmëria fle me poezinë, në të shkuarën, të tashmen dhe do të rrugëtojë edhe në të ardhmen e poetit.
Ato janë të shkurtra, por përҫojne një peshë emocionale të madhe të autorit ku ndihet malli për Atdheun, që vjen herë si dallgë e herë i qetë por nuk shuhet kurrë.
Ndoshta këto poezi, bëjnë shpirtin e poetit të shuajë brengën e largësisë nga Kosova.
Atje në Aukland,veҫ familjes edhe poezia i qetson dhimbjet e shpirtit e të largesisë dhe ai vazhdon shqip të derdhë zemrën ne vargje
“në secilin varg timin një zog
thur një baladë”, shprehet autori në poezinë “IKE”sepse vetë jeta me të priturat dhe të papriturat është një baladë, një histori, që vetem autori di ta shkruajë dhe lexuesi ta përjetojë përmes vargut, dhe zogjtë jane kënduesit me zërin e poetit.
Ai i zgjedh fjalët dhe vargjet vijnë natyrshëm, lirshëm janë të prekshëm, te ndjeshëm, të butë si malli…Ai përdor gjithë spektrin e figurshmërisë në poezitë e tij të cilat lexohen lehtë dhe të ngelen në kujtesë.
“Shi i ftohët bregut oqeanit,
mot me diell te ju.
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen,
rrugën e kthimit?”
shprehet autori në poezinë, “Jetë bore” ku ҫdo varg flet aq shumë, dhe ҫdo koment, do ia zbehte vleren.
Libri trajton një larmishmëri tematikash, që nga përditshmëria, atdhetarizmi, dashuria për vendlindjen, vargjet për figura historike të vendit të tij, por edhe për njerëz të veҫantë, që kanë lënë gjurmë në jetën e shkrimtarit
Ai është larg, dhe vargjet e tij duket sikur zbresin në lexim me aromë deti, oqeani, qielli, toke me ngjyrat e diellit dhe fshehtësinë e reve dhe ke dëshirë t’i prekësh me lexim e sy, ti kesh pranë ti rilexosh teksa i ndjen varg, pas vargu.
Vargjet shprehen lirshëm dhe vijnë qartë dhe pastër tek ne, nuk kanë rimim apo skemë te caktuar, por janë te sakta dhe estetike.
Libri “Dallgë malli” është një prurje me vlerë, në letersinë e shkruar shqipe, që vlen të lexohet, jo vetëm nga emigrantët,por edhe nga ҫdo shqiptar, që e do poezinë.
Sabit Abdyli eshte një shkrimtar i kompletuar me prurjet në proze dhe poezi. Botimet e tij,tregojnë qarte shpirtin prej artisti te pjekur, qëmtues i vemendshëm i ngjarjeve, ҫasteve dhe ngritjen e tyre mjeshtërisht në artin e fjalës.

Friday, 13 May 2016

BAGAZH DENG KUJTIMESH (mbresa)

Seveme Fetiqi
Mbresa pas leximit të librit „DALLGË MALLI“, Prishtinë, 2016. "Kurrë mos harro kush je dhe nga vjen"! (populli). Jo rastësisht e fillova me ketë thënie popullore, opinionin tim për librin "DALLGË MALLI“ të poetit dhe krijuesit Sabit Abdyli, i cili në periudhën e pasluftës së fundit e kishte fatin si shumë atdhetarë tanë të shpërngulet përtej oqeaneve, në Zelandën e Re. Ai, kaloi oqeanet, duke marrë me veti dhembjet, kujtimet, traditat, shtëpinë, oborrin, lumenjtë dhe përroskat e vendlindjes dhe të gjitha ato që e preokuponin. Ndoshta, friksohej se një ditë, përtej oqeaneve s'do të mund t'i përkujtonte ato. Ai me xhelozi ngarkoi në bagazh, vendlindjen dhe e bartë me veti gjithandej nga shkon. Në mërgim kujtimet shndërrohen në vargje, të cilat „ndezen“ nga malli dhe bota e tij e brendshme sublime, shpërthejnë në ngjyra ylberi e dashurie. Në faqet e librit "Dallgë malli" lexojmë: /Me bagazh malli plumb/ ditë e përditë i kthehem fëminisë/ tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë/ kroi i moçëm/ tokë e Ilirisë/ dihej fjala fjalë/ në ballë të oxhakut njerëz më të mirë./ (poezia DITË E PËRDITË, faqe 11) Libri është i ndarë në katër cikle: MALL, IMAZH, KAPRIÇIOZE dhe QIELLIT TË SAJ. Të katër ciklet shkrihen në titullin e librit. Vargjet e poezive në ciklin MALL si dhe në tërë librin janë të shkurta, të qarta, plot ndjenja sublime. Poeti nuk imponohet me shprehjen e subjektivizmit të tij, por vargut i jep një kolorit spontan të ndjenjave më të thella, mishërohet dhe balsamohet me mallin në çdo drithërimë të shpirtit. Arrin të vë lidhje të fortë me lexuesin duke ia transmetuar atij ndjenjën në formë dallge malli të dhembshëm. Edhe kafja nuk shijon ëmbël në kurbet. Për poetin, në Zelandën e Re, në qytetin, që e spërkasin në të gjitha anët valët e Paqësorit, s'ndodh asgjë përveç kujtimeve për tokën e origjinës: /shtëpia ime kënge/ jashtë e brenda xham, … oborri mbuluar gjelbërim/ pemë frutore mollë kumbulla qershi/ zëra e qeshje fëmijësh…. (poezia KUJTIME E MALL, faqe 15) ose për lulet për të cilat nëna tregon saktësisht kur do të çelin si në poezinë LULE UJISTE, faqe 14: /fliste me to/ saktë e dinte kur çelin e ç'ngjyrë kanë. Në ciklin e dytë IMAZH, sajon imazhe të ndjeshme e të trishta. Edhe pas një kohe të gjate qëndrimi në mërgim, poeti nuk mund t´i harrojë imazhe të jetës së tij në atdhe, kohën e korrjeve, ballin e vrenjtur të nënës, duke i shkruar vargjet në poezinë me të njëjtën titull IMAZH: „Biro, që kur zogjtë morën udhën/ dielli i pranverës Mirë/ akull i ftohte“./ Për poetin fjala e dhënë duhet të mbahet qoftë edhe kur duhet sakrifikuar nga vetja. Fjalën e ngrit në piedestalin më të lartë të njerëzores, nderit dhe besës. Fjala e dhenë, dikur për shqiptaret ka qenë ligj dhe simbol i besnikërisë, e cila dalëngadalë po zbehet. Poeti Abdyli „ecë nëpër zjarr“ dhe fjalën nuk e shkel. Duke qenë në largësi marramendëse, nuk i harron ata që sollën lirinë Kosovës (Adem Jashari), pastaj ata që shkruan me gjakun e zemrës vargje atdheut te tyre (Ali Podrimja), dhe shumë persona të tjerë të merituar, si një zog shtegtar i përkujton në vargje dhe jep kushtrimin e tij. Në poezinë DERI TE MOLLA E KUQE kushtuar poetit, Ali Podrimja: “vargu i tij/ etjen i shuan tokës/ deri te Molla e kuqe/ e përtej saj…latoi gurë shtigjesh e urash Dardanisë/ ligjëroi si hisja të mos na shuhet/ e shkoi mbas Lumit të tij/. Me pak vargje, flet për një jetë të tërë të angazhimeve (porosive) të poetit Podrimja. Ciklin e tretë KAPRIÇIOZE e fillon me poezinë KAPRIÇIOZE, për të vazhduar edhe me poezi tjera plot mllef ndaj njerëzve, që tradhtojnë vendin e tyre, ndaj klaneve, partive dhe ndaj sistemeve të kaluara dhe atyre, që mbretërojnë me plot padrejtësi. Me një fjalë, poeti s´mund të pajtohet me shumë gjëra, të cilat ndryshojnë në atdheun e tij. Mllefin e tij e shndërron ne vargje plot mesazhe siç është poezia ME BISHT NË BISHT: „Furtuna përplasje/ Zi e më zi/Shqiponja me një krah fluturon/ Itakës së ndarë me Gardh të dyfishtë /Prapa gardhit djajtë me drapër e çekan“. Në këtë vëllim poezish, poeti shfaq edhe mesazhe pedagogjike, pasi që një kohë të gjatë punoi si mësimdhënës, edukoi në mënyrë të denjë gjenerata të reja dhe bëri përpjekje t´i drejtojë ata në rrugë të drejtë të moralit dhe drejtësisë. Assesi, ai nuk pajtohet me zënkat , urrejtjen, zilinë dhe xhelozitë e njerëzve të vet në mes vete, e ngrit zërin e vargut, i gjykon veset e këqija të tyre dhe përçon mesazhin e pajtimit dhe tolerancës. Në poezinë NË SY: „Stuhitë s´pushojnë/ arës arbrit/ Rrugë nuk i zëmë kujt/ Vetes ngulim thonjtë/ sy ndër sy pa u skuq“. Edhe në ciklin e fundit QIELLIT TË SAJ, vjen në shprehje malli i zhuritur i poetit dhe mërgimi i rëndë. Mërgimtarët, e nëse janë edhe poet, thonë, më së shumti e duan qiellin. Qielli është lidhja dhe ngushëllimi më i madh i tyre me atdheun. Përmes qiellit, ata i dërgojnë përshëndetjet e tyre atdheut, mallin e zbusin duke „fluturuar“ në krahët e zogjve shtegtarë. Poashtu edhe poezia QIELLIT TË SAJ thotë shumë përmes vargjesh: „zjarr është poeti zjarr“…“lajmëtar ogurbardhë/ i përjetshëm- shqiponjë qiellit të saj. Autori i këtij libri Sabit Abdyli, edhe kur shkruan për mallin, qoftë për revoltën e tij, apo tenton të lejë mesazhe të qarta brezave të rinj, ai çdoherë lenë të kuptohet se qanë për atdheun në mënyrë poetike dhe shpirtërore, për Shqipërinë, për traditat , të cilat dalëngadalë po zbehen dhe na mungojnë ato gjëra të vogla, por që dikur na bënin të lumtur, mungon respekti dhe drejtësia. Në ëndrrat e tij mërgimtare, ai ëndërron kthimin, ëndërron vatrën e tij dhe aty sheh zjarrin e ndezur përsëri, ëndërron fundin e mallit të tij, duke ecur oborrit të shtëpisë, duke u kënaqur me fruta pemësh, të cilat bëhen në pemët e oborrit dhe ëndërron odat ku mbretëronte besa e fjala dhe shndriste si mali me borë, plisi mbi kokat e njerëzve. Ai i përshëndet edhe anijet dhe valët e detit, transmeton përmes tyre dashurinë dhe mallin nga ana tjetër e Botës dhe dëshiron, që një kohë ta ketë ditën ditë dhe natën natë. Aty në Aucklandin e largët gjithmonë është kohë me diell, por mërgimtari nuk e ndjen ngrohtësinë e tij. Kishte dëshiruar që të ngjitej në rreze të tij dhe të ngrohet në vendlindje, ku muzgjet janë më të purpurta se çdo kund tjetër në Botë. Autori i këtij libri, profesori Sabit Abdyli, si e quajnë shumë miq dhe të njohurit e tij, nuk shkruan vetëm poezi. Ai deri tash ka shkruar edhe prozë, anekdota, monografi të ndryshme, artikuj gazetaresk dhe libra dokumentar. Këtë mbresë apo qasje letrare e shkrova, ngase edhe vet jam mërgimtare dhe çdo varg i këtij libri me preku në dhembje, në mall dhe si dallgë të harlisura me sollën një çast edhe mua në atdheun tim. Profesorit të nderuar i dëshiroj shëndet, suksese dhe shumë frymëzime e libra, të cilat do të radhiten në bibliotekat e shumë miqve të tij, në bibliotekat e Kosovës dhe Shqipërisë, si frymë e dallgë malli nga pjesa tjetër e globit. Me këtë rast, profesor Sabit, Urime Ditëlindjen, jete të gjatë e të lumtur. Uroj që të kesh ditë dhe vite të lehta mërgimtare.
Seveme Fetiqi
Frankfurt, 14 maj 2016

Friday, 29 April 2016

PARALELIZËM QË FLET


Rreth librit me poezi të poetit Sabit Abdyli, "Dallgë Malli"
Para disa ditëve më ra në dorë libri me poezi i poetit dhe shkrimtarit Sabit Abdyli. Shfletova me kureshtje faqet e para dhe malli i një të mërguari, që shprehet në vargje, më tërhoqi shpejt të gjeja veten në të. Poeti Sabit Abdyli, jeton prej vitesh në Zelandën e Re, ashtu si unë prej vitesh jetoj në Gjermani, si ti dhe ai tjetri që jemi shpërndarë në të gjitha cepat e botës dhe mallin është ai që na djeg e përvëlon, për vendlindjen, për gjithçka na lidh me atë tokë, ku na nanuritën djepeve me ninullat e bjeshkëve në gjuhën e nënës, hodhëm hapat e para, thurëm aq ëndrra dhe që disa prej tyre na u prenë në mes.
Bukurije Bushati
"STINËT
Pranvera e lodhur 
vjeshta e verdhë 
As dimri dimër 
as vera verë 
Larg teje Kosovë 
Stina e rëndë plumb 
as unë nuk jam unë."
Një paralelizëm, që flet shumë: "As unë nuk jam unë." Gjithçka ka ndryshuar për poetin, që kur ka lënë vendlindjen, ai nuk ndjehet i qetë ai nuk e njeh më veten. Ndjehet i braktisur në dhe të huaj, u mungon dashuria e vendlindjes. Mbas kësaj poezie, shkruan më tej në një tjetër poezi;
"Valë moj hileqare 
Freskomë edhe mua 
Se jam mërgimtar."
Dheu i huaj, është dhe i huaj, herë i zhveshur nga ëndrrat, se ato i ke lënë në vendlindje, i ke humbur atje dhe shpirti të çohet peshë. Ëndrrat nuk të braktisin. Ato të thërrasin, të ndjehesh burrë, të ndjehesh i plotë. Të kujtojnë se guri i rënd është në vendin e vet! Kështu merr rrugëtimin me ëndrrat e tij, drejt vendlindjes;
"Me bagazh malli plumb 
ditë e përditë 
i kthehem fëminisë 
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë."
Sa gjëra ka për t'i thënë vendlindjes poeti, kur si dikur fëmijë, vendosur kokën në prehrin e nënës kërkonte dashurinë e saj, forcën, bekimin për të ardhmen. "Me bagazh malli plumb." Sa rëndon malli shpirtit të poetit! Ai që ka emigruar e djen kur mbyll sytë, pikën e lotit që ia përshkon faqet, edhe për rrugicën, ku kaloi fëmininë, kroin e fshatit. NË një poezi tjetër, poeti tregon, se malli për atdheun, i mërgimtarit, është malli që dhemb më shumë se çdo mall, sepse ai ndehet i vetmuar, ndjehet pa peshë dhe kërkon atdheun që mendon se e ka humbur. Mallojnë akoma më shumë vargjet e poetit;
"Prisni thoshte nëna,
është bukë e valë.
Kështu vazhdon ai në një tjetër poezi;
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen, 
rrugën e kthimit?"
Nuk ka mall vetëm për Kosovën, poeti, por për gjithë Shqipërinë. Në shpirtin e tij Shqipëria është një dhe kështu kërkon të shihet nga të gjithë. Ai shkruan;
"Thërrmijë të një kulaçi jemi,
pjekur në të njëjtin hi."
Ka idenë e vetë, mesazhin e tij, poeti këtu. Jemi shqiptar të një Shqipërie, edhe pse na ndanë shekujt edhe pse u shpërndamë nëpër botë. Ndjehet bukur me këto vargje poeti, sepse sytë edhe kur ishte fëmijë i kishin sytë nga Shqipëria nënë, nga vatra e shpresës së tyre.
Por nuk ka vetëm mall, në poezitë e tij. Ai vëzhgon disa fenomene shoqërore, që ia vrasin shpirtin. Dhe për këto bën fajtor vetë njeriun. Është zhgënjyer nga e ardhmja që priste, ashtu siç jemi të zhgënjyer të gjithë. Ai kërkon të gjejë njeriun që është njeri, vetëm ai mundet ta ndërtojë të sotmen e të ardhmen, sipas amanetit të të rënëve.
"Edhe nëpër zjarr të ferrit 
do të shkel. 
Në kërkim të fjalës fjalë, 
njeriut njeri.
U devijua nga rruga sepse u harrua atdheu dhe u lakmua fotelja. Kjo është fatkeqësia e një kombi.
Qullashët qullashë 
në ditët e agut çdo gjëje i dalin “zot” shtetit, politikës
Sofrës së begat 
hanë me dy lugë se një u duket pak."
Interesi i të pamundurave, korrupsioni, tradhtia e atdheut e vret poetin. Ai ngre protestën e tij kundër këtyre njerëzve që venë interesin e tyre, mbi interesin e kombit. Dhe protesta e poetit shkon më tej, me keqardhjen se të dy krahët e shqipes...;
"Interesa klanesh 
thurur për dritë të hënës, 
yllit pesë cep,
yjve blu e dreq. 
Matanë e këtej Drinit 
avaz i njëjtë.
U ndërrojnë vetëm ngjyrat, thotë më tej ai, duke treguar edhe një herë zhgënjimin. Merr forcë akoma më shumë vargu i poetit;
"Furtuna rrymash përplasen qiellit,
njerëz të barkut tonë kalërojnë mbrapsht, 
ardhmëria në ikje. 
Mot i paqëndrueshëm vazhdon!"
Pastaj psherëtin ai dhe në poezi të tjera, tregon dhimbjen e atdheut nga të huajt, si e plaçkitën si e dogjën, se e robëruan, dhe shqipja nuk u përkul, sepse kishte BURRA.
"Dedë Gjo Luli 
Ismali, Boletini, 
Vëllezërit Topulli, 
Ademi, Agimi ... 
u përkulën kur 
puthën Flamurin.
Tokë e lulëkuqeve e quan poeti vendlindjen! 
Buzë gremine 
Biçim njerëz me përralla mbretërish 
Erdhën Me bisht ndër shalë 
E shkuan."
Jo më kot, poeti na kujton BURRAT e këtij vendi, lëngatat në shekuj të atdheut. Mbas çlirimit, kur fitohet pavarësia, sëmundja tani na shfaqet nga brënda. Nga vetë ata, që e quajnë veten shqiptar dhe rrjepin e plaçkisin, e terrorizojnë popullin. Është një tërheqje vëmëndje kjo, për t'u kujtuar se Kosova nuk është pronë e tyre vetjake. I dhemb kur sheh një shtet që nuk funksionon, apo funksionon kundër Kosovës.
"Stuhitë s’pushojnë, arës arbrit! 
Rrugë nuk i zëmë kujt. 
Vetës ngulim thonjtë, 
sy ndër sy pa u skuq!
... Heu Isa burri, 
raca jote sot! Gladiatorë mes veti ; 
kancelarive të botës, korridoreve të Parlamentit, 
shtrëngojnë dorën armikut pazare bëjnë nën cergë,
lëpihen e lariten të huajve për shkam!"
Vetëm kush nuk don, nuk shihet në pasqyrën e së vërtetës që u ka vënë përpara poeti me këtë poezi. dhe që shkon më tej, me atë thikë që i ka shkuar deri në asht:
"Mjegullnajë e stepave të ngrira dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë. 
O Zot, Na ruaj nga moti keq.."
Dhe kjo na ndodh, sepse e drejta është përdhunuar. Ajo është vegël në duart e klasës që sundon, thotë nëpër vargjet e tij poeti;
"Kalërojnë ligjet 
Emrat pa emër zvarranikë kalërojnë 
ndrydhin liritë shkelin premtimet 
zvarrë zvarrisin fjalën 
me kode që ata dinë."
Dhemb shpirti i poetit, i ndodhur larg në emigrim, në vendin e dimrit të akullt që ia akullon edhe më shumë mëndja tek atdheu. Por sytë e poetit, nuk mbyllen për fatalitet. Ai shpreson se një ditë do të zë vendin që meriton Shqipëria do të ketë pranverë në vendlindjen e tij dhe ai duke përkëdhelur mallin, i premton se;
"Do t’ kthehem patjetër. 
Me flakën e mallit, 
Diellit të vendlindjes. 
Shaluar mbi dallgë!"
Ishin këto disa mendime që më erdhën në moment, duke lexuar librin me poezi të poetit e shkrimtarit Sabit Abdyli. Mbase duhej folur akoma, akoma më tepër, por unë vetëm u përpoqa të shfaq në këtë shkrim, ato ndjesi që më lanë poezitë e tij dhe falënderoj poetin, për këtë libër, për temat që ka trajtuar, mprehtësinë e mendimit në trajtimin e tyre, strukturën e formimit të poezive dhe të shprehurin me gjuhën e thjeshtë të njeriut që mallin dhe dashurinë për vendlindjen, kërkon ta thotë troç dhe bukur.
Urime të mëtejshme penës suaj, poet!
Me respekt Bukurije Bushati.

Monday, 25 April 2016

Portret i ish gazetarit mërgimtar në Zelandë të Re

Osmon Lleshi

Osmon Lleshi  u lind në vitin 1945 në familjen e njohur Lleshi të Gjakovës. Shkollën fillore e mbaroi në qytetin e lindjes, kurse të mesmen në kryeqytetin e R. së Kosovës. Studimet i nisi në Prishtinë dhe i vazhdoi në Beograd në Fakultetin Shkencat Organizative. Pas shkollës mesme punoi në Kombinatin “Emin Duraku”. Një kohë ishte edhe mësimdhënës në Sh. e mesme të tekstilit në Gjakovë. Për disa vite ishte anëtar i Redaksisë së gazetës “Bota re” dhe korrespodent i gazetës së përditshme “Rilindja”. Botoi artikuj të ndryshëm edhe në revistën “Zëri i Rinisë”, ishte edhe bashkëpunëtor i “Radio Prishtinës”. Osmoni në vitet 1966/67 luajti për ekipin e futbollit “Gjakova” me mjaft sukses. Katër vite me radhë ishte kryetar i klubit të studentëve “Bajram Curri” në Gjakovë. Nga viti  1981 deri në fillim të luftës 1999 Osmoni  ishte shef i ndërrimit në Fabrikën “Metaliku” në Gjakovë. Fabrikën “Metaliku” në Gjakovë. 
Edhe unë si gjithë rinia përparimtare e asaj kohe me  krejt potencialin tim intelektual e fizik isha i dhënë pas çështjen kombëtare, më tha Osmoni në shtëpinë e tij deri sa po lexonim (shihnim) artikujt e gazetave te ruajtura që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. I pajisur me idealin kombëtar nga familja, librat e lexuar, dëgjimi i Radio Kukësit, Tiranës ... dhe më vonë edhe TVSH punoi pa u lodhur me gjithë qenien e tij për të mirën e popullit që i përkiste. Shfletoj gazetat e revistat e ruajtura me të cilat ka bashkëpunuar gazetari Osmoni: gazetën "Bota re", "Rilindja", revista "Zani i rinisë" etj. Qysh në vitin 1973 kish përpiluar ai një listë të gjatë me emra shqip dhe e boton në gazetën "Rilindja". Me rastin e marrjes së numrave (kodeve) postale në Jugosllavi ku Kosovës nuk ju nda kodi, Osmoni me një shkrim të gjatë në gazetën e përditshme "Rilindja" flet për rëndësinë e kodit postal për Kosovën dhe reagon me indinjatë, pse Kosovës nuk ju nda kodi postal, pse?. (Mos ndarjen e kodit atëherë po vuan pasojat edhe sot Republika e Kosovës). Në vitin 1971 po në gazetën "Rilindja" Osmoni përmes një interviste me Prof.  Ejup Hamitin bënë thirrje për hapjen e gjimnazit matematikor në Prishtinë. Falë kësaj interviste  pas pak u hap gjimnazi matematikor. Gjatë ndejës hasa edhe në shkrime në të cilat gazetari Lleshi flet hapur kundër përçudnimeve e padrejtësive që bëheshin atëherë. Në faqet e  gazetës së studentëve "Bota re"  hasim edhe humorin e tij  therës për anomalitë e kohës.


Janar 1968, Osmoni shpalos portretin e Skënderbeut në manifestimin e organizuar në stadiumin "Shani Nushi"

Me rastin e shënimit të 500 Vjetorit të vdekjes së kryetrimit të Krujës Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte ideator i manifestimit që u mbajt në stadiumin "Shani Nushi" në Gjakovë. Me ketë rast në manifestim u shpalos portreti i Skënderbeut në kalë. Shpalosja e portretit për herë të parë haptas në Kosovë u duartrokit gjatë nga 15 mijë manifestues të ardhur nga gjithë Kosova. 
Në vitet (1970-1974) sa ishte kryetar i klubit të studentëve "Bajram Curri" në Gjakovë ideoi logon e klubit me simbolet kombëtare shqiptare që për shtetin jugosllavë shiheshin si simbole të huaja e armiqësore.  Shkrimet në gazetat e kohës dhe aktiviteti i tij ku kërkohej më shumë liri për shqiptarët kishin ra në sy të UDB-es dhe pas një vizite që kish bë në Shqipëri e burgosin me akuzën se ka sjellë material propagandues nga Shqipëria.



 
Llogoja e klubit "Bajram Curri" e ideuar nga Osmon Lleshi
                                      
Osmoni, i cili karakterizohet me humor të hollë e të shëndosh, pedant e punëtor i përjetoi gjitha mizoritë e luftës së vitit 1999. (Ai gjatë gjithë luftës ishte në Gjakovë). Në gusht të vitit 1999 bashkë me të shoqen e djemtë: Kushtrimin, Ilirin dhe Fisnikun u vendos në Zelandën e Re ku edhe tash jeton. Gëzon shëndet të mirë dhe  është aktiv në të gjitha veprimtaritë kulturore e sportive të Mërgatës shqiptare në qytetin e Auckland-it (Zeland


Libreza e punës në gazetën
 "Rilindja" në Prishtinë















Sabit Abdyli


 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...