Monday, 15 October 2018

DY POEZI TE EJUP ABDYLIT

Dy poezi të Ejup Abdylit të shkruara në vitet e 50-ta, botuar në gazetën “Pionieri”, që ju gjetën këto ditë.
Ejup Abdyli u lind në Kabash (1937). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën Normale në Gjilan. Punën me ditar në dorë e filloi në vitin 1961 së pari në fshatin Beguncë, pastaj në fshatin Lubishtë, ku me iniciativën e tij hapi klasën e pestë. Pa shkëputje nga puna kreu Fakultetin filozofik; Gjuhë letërsi shqiptare në Prishtinë. Në vitin 1981 kalon  në Gjimnazin e Vitisë.  Vdiq me 26 qershor 1992 nga një sulm kardiak. Ejupi ka pasur edhe një  studim për të folmen e fshatrave në Moravën e epërme. Gjatë luftës (1999) nga biblioteka e pasur e tij, librat dhe i gjithë dokumentacioni  u nxorën, u shqyen e u hodhën gjithandej rrugeve e oborrit të shtëpisë nga vandalistët serbë.

Prof. Ejup Abdyli 1937-1992

Sunday, 14 October 2018

PUNA NË ARSIM 1990-1999


Puna nën okupim (1990-1999) më zbardhi flokun, dërrmoi e lodhi. Kush e di sa e sa herë kam parë veten tek me shkonte tym nga maja e kresë. Në objektin e shkollës fillore në Kabash punonim dy shkolla fillore dhe 4 paralele të shkollës së mesme në tri ndërrime. Krijohej tollovi, zhurmë e shtyrje në hyrje të shkollës, korridor e klasa. Nxënës shumë, hapësirë pak. Për thyerjet e zënkat që bëheshin fajësoheshin gjimnazistët (herë herë edhe pa të drejt) dhe përgjegjësi Sabit Abdyli. Klasat me mungesë bankash e karrigesh, shkumësash etj. Ndodhte të mos vinin në punë arsimtarët dhe kjo e rëndonte edhe më shumë mirëvajtjen e mësimit. Ata arsyetoheshin sikur nuk kanë guxuar nga policia ose s'kanë pasur me se të vijnë etj. Në oborrin e shkollës mblidheshin lloj-lloj hamadreqi, bile kishte edhe të çekuilibruar nga mendja. Më duhej të kërkoja nga nxënësit dëshmi se prindërit e tyre kanë paguar 3%. Kishte prind të papërgjegjshëm, që nuk paguanin dhe mua më duhej t'i largoja nga klasa nxënësit e prindërve në fjalë. Në mesin e tyre nxënës të mirë, të sjellshëm që nuk kisha zemër t'i nxjerr nga klasa. Kjo më torturonte pamëshirshëm. Më erdhi një prind që interesohej për djalin. E pyes në cilën klasë, drejtim... E gjej ditarin dhe lexoj emrat, po nuk e shoh emrin e tij. Më vjen keq po në ketë klasë jap mësim edhe unë po nuk më ka ra ta kem parë djalin tënd, i thash. Qysh, ndërhyri prindi, unë paguaj rregullisht për arsim, përditë e nisi në shkollë djalin dhe ju s'keni evidencë. Haram i keni edhe këto pak para që po ju japim. Mora ditarin dhe eja, i them gjithë nerv prindit, shkojmë në klasë dhe pyesim nxënësit. Si është puna e N.? Ngrihet njëri nga shokët e tij e na tha: N. N. vjen me neve deri te shkolla, po kurrë në klasë nuk hyn. Qy pisi, foli ai sa për ta arsyetuar arrogancën e tij, sa të shkoj në shtëpi ka me pa ai." Shko në dreq të mallkuem, ndërhyra unë, gjithë ketë idhnim ma nxore për fajin e djalit tand" Ditarët e punës i mbanim fshehur, dokumentacionin në shtëpi. Në shkollë shkonim e dilnim prej saj të vetëdijshëm se mund të arrestoheshim nga policia e shtetit që kish ndaluar shkollën shqipe. Më nervozonin sa nuk bëhej kërkesat e tipave (donin të shfrytëzonin situatën) për lëshimin e vërtetimeve e dëftesave për fëmijët pa ardhur në shkollë fare me arsyetimin "larg shkolla, nuk kam mujt me çue, a po e sheh çfarë kohe, po tutna po ma arrestojnë milicija, shkruja qatu hajt se, nuk bahet nami." I mllefosur me këta tipa më ka ndodh të kem reaguar me fjalët: "shkruaje vetë, qaty hajt, mbasi s'po u bëka nami!" Në këto 10 vjet pune (lufte) e vetmja gjë që më mbante të qëndroj ishte ndjenja se po bëja diçka të vlefshme, po mbroja shkollën shqipe, ruaja frymën kombëtare të saj dhe po kryej detyrën për të cilin isha shkolluar e thënë vetës kur e mora për herë të parë ditarin në dorë (shtator, 1968) se do të angazhohem e bëj më të mirën për brezat. Hallall të gjitha!  Me ketë rast do bëj abstraksion duke përmendur se ne vëllezërit Abdyli: Ejupi, Ferati, Sabiti e Abdyli,  bashkë me gruan e vëllait, mësuesen Fetije i kemi mbi 170 vjet punë drejtpërdrejt me ditar në dorë. Tridhjetë prej viteve të përmendura të punës ishin nën okupim me (pa) rroga e me skamje.

Saturday, 8 September 2018

PORTRET ME FJALË I HEROIT



Në tokën e  Arbit  me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi  kapedanët e  përçarë. Një çerek shekulli  bedenave   të Arbënisë  nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje.  Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "hë,  e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt jetën në luftë, por  vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi  edhe i vdekur  vazhdoi luftërat po tash pushtuese  me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra:  historianësh, poetësh, diplomatësh,  artistësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit vazhdon të  jetojë  me nam emri i tij.   
Janar, 2018

Wednesday, 5 September 2018

TE ZJARRMI


Kur shkonin nuse çikat e kabashëve bëhej me dije fshati një javë përpara, mos më shumë, se të dielën, (rrallë herë edhe të enjteve) N.N e përcjell çikën. Në pritje, Te Zjarrmi, në oborrin e xhamisë së fshatit)* dilnin të gjithë meshkujt e moshës madhore. Atëherë dasmorët vinin hipur në kuaj. Me të hyrë në fshat, kuajt i tërhiqnin për freri se kaluar nuk lejoheshin, kurse kerrin e kuq me gra brenda dhe medoemos një djalë deri 5 vjeç (djalë kerri i thuhej) e merrnin në dorëzim familjarët e nuses. Fëmijët vraponim për t’i zënë (ruajt) kuajt e dasmorëve. Në ketë rast paraqitej një rivalitet, konkurrencë e madhe. Për punën që bënin fëmija, shpërbleheshin me para, kryesisht monedha të vogla metali. Kafeja përgatitej në hajatin e xhamisë në një stufë ose shporet të improvizuar jashtë. Sa uleshin dasmorët në shtroja të improvizuara me cerga, hastra për ata në krye edhe qilima e postiqeje, hyzmeqarët shpërndanin cigare, ju ofronin ujë të ftohët, shkrepësen për ta dhes cigaren (gjithmonë me dorën në zemër) dhe ndonjë shërbim tjetër që kishte nevojë, duke filluar nga kryekrushku e flamurtari. Dasmorët, ata në krye të vendit, hyzmeqarëve u jepnin cigare dhe ja tregonin emrin. Hyzmeqari shpërndante cigaret, duke përsëritur gjithnjë emrin e dasmorit. Kur kishte këngëtarë ata dilnin në ballë të vendit dhe këndonin, po pati daulle e surle, atëherë hidhej vallja. Bëhej një rreth shikuesish dhe valltarët, qoftë dasmorët, qoftë kabashët i jepnin me të gjitha forcat për të treguar at që dinin.  Me të lajmëruar nga shtëpia prej ku dilte nusja, krushqit ngriheshin dhe në radhë për një parakalonin para vendasve të rreshtuar, duke përshëndetur dhe ndonjëherë edhe me romuze, dikush nga të rinjtë mbante një takëm në dorë ku krushqit lenin para të vogla. Sa jam në dijeni, kabashët janë të parët që ketë punën e takëmit për të mbledhur para nga dasmorët e kanë hequr të parët.  Kur bëhej teslim nusja (gjaki jonë, robi juaj), i zoti dasmës i lëshonte një shumë parash në grusht mikut të ri,  shtihej me revole dhe dasmorët ishin të lirë t’ju hipnin kuajve. 
*Thuhet “Te zjarrmi” se krushqit janë pritur kryesisht në vend të haptë në natyrë. Aty u dhes zjarri për të zier kafen. Kabashi para 1912 krushqit i kanë pritur te Livadhi i Ademit. Aty ku sot kanë ndërtuar shtëpitë, Basri Ibishi me të vëllain.  
Sabit Abdyli
                                     Kabash, 2000. Ne foto kabashe ne pritjen e kurushkeve.

Tuesday, 28 August 2018

MIKAJ IME E MIRË


Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.

PS:
Miki Tahiri (Mikja ime e mire) u lind  në familjen, e cila  i dha tokës së Kosovës dëshmorin Avdullah Tahirin në Malishevë të Gjilanit. Jeton në Gjermani.



                                           Në gusht të vitit 2013 Miki më vizitoi në Kabash.

 Gjilan në foto me Mikin pas daljes nga botimi të dy librave të mi në shtypshkronjën Pika 5, Gjilan.
                                                                    Kabash, gusht 2013

Saturday, 25 August 2018

Skicë e shkruar në variantin normativ dhe dialektor:


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallaze deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtunë sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk nalnin kangën. Zapullimë sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopshtin tem nga të nxehtit u kalamenden. Verë e nxehtë këtu, ftoft e dimën Atje. Fluturojmë me limuzinë asfaltit valë. Kolona e limuzinave  vraponte drejt dushkajave çufrake, plazhit me ranë e ujët e oqeanit. Zumë ven nën hije t’lisave  gjetheshum. Pak manej, deti pafund. Pa prit nji therrje  me dhembje m’shkoi si vetima tejepërtej kambës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi mbas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën e mblueme me bari jeshil, si kope delesh të trembuna erdhën re të shumta tuj marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi me  fishkllue bregut, vala me njomë ranën e përflakun e stërpik bregun, furtuna tuj  çue sa anej sa knej  fletet e dushkut t’thatë dhe krijue  duna rane si tallaze deti. Pas pak nisi nji shi me pika të rralla e t’mdhaja. Kolona e kerreve kish marrë vrapin. Shiu sa vinte e ngadalësonte të ramet në xhamat e limuzinës. Shiun e furtunën  sa çel e mshel sytë e përpinë bjeshkët dhe poshtë fushës na shkeli synin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Auckland, janar 2018

Tuesday, 14 August 2018

KUSH NA ÇARTI


Aty ku ishim më të fortë e qendrëstar, aty ku s'kishte daltë as limë të na hajë, aty ku na lakmonin e xhelozonin miqtë e armiqtë, si: familja e martesat e qëndrueshme, harmonia, respekti, dashuria për vendin, për librat, shkollën, shqiptarizmin, fjalën e dhënë. Jemi në tatëpjetën më të madhe mu në kohën kur duhej të jemi në ngjitje si shtet e komb. Tatëpjeta  vazhdon dhe ka rrezik të thyejmë hundë e buzë e të humbim hapin me kohën. Ç'janë këto ndarje të porositura me fonde të majme nga ata që nuk na duan, nga ata që me shekuj punuan për te na zhbi nga faqja e dheut. Kush na çarti harmonin ndërfetare, kush na çarti harmonin brenda familjes, kush na çarti dashurinë e respektin për gasterbajterin, shqiptarin, historinë, heronjtë, dasmat, veshjen, emrat, këngën e vallen bash shqip,  kush çarti partitë tonat sa të urrejnë për vdekje njëra- tjetrën dhe bëhen me ata që nuk lanë dy gurë bashkë vetëm për ta ngulfatur e nda Kosovën, me ata që nuk kërkuan falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime, me ata që fshehën  e mbuluan me beton të vrarit.
Botuar ne gazeten "Bota sot" 7 gusht 2017

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...