Saturday, 8 September 2018

PORTRET ME FJALË I HEROIT



Në tokën e  Arbit  me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi  kapedanët e  përçarë. Një çerek shekulli  bedenave   të Arbënisë  nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje.  Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "hë,  e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt jetën në luftë, por  vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi  edhe i vdekur  vazhdoi luftërat po tash pushtuese  me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra:  historianësh, poetësh, diplomatësh,  artistësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit vazhdon të  jetojë  me nam emri i tij.   
Janar, 2018

Wednesday, 5 September 2018

TE ZJARRMI


Kur shkonin nuse çikat e kabashëve bëhej me dije fshati një javë përpara, mos më shumë, se të dielën, (rrallë herë edhe të enjteve) N.N e përcjell çikën. Në pritje, Te Zjarrmi, në oborrin e xhamisë së fshatit)* dilnin të gjithë meshkujt e moshës madhore. Atëherë dasmorët vinin hipur në kuaj. Me të hyrë në fshat, kuajt i tërhiqnin për freri se kaluar nuk lejoheshin, kurse kerrin e kuq me gra brenda dhe medoemos një djalë deri 5 vjeç (djalë kerri i thuhej) e merrnin në dorëzim familjarët e nuses. Fëmijët vraponim për t’i zënë (ruajt) kuajt e dasmorëve. Në ketë rast paraqitej një rivalitet, konkurrencë e madhe. Për punën që bënin fëmija, shpërbleheshin me para, kryesisht monedha të vogla metali. Kafeja përgatitej në hajatin e xhamisë në një stufë ose shporet të improvizuar jashtë. Sa uleshin dasmorët në shtroja të improvizuara me cerga, hastra për ata në krye edhe qilima e postiqeje, hyzmeqarët shpërndanin cigare, ju ofronin ujë të ftohët, shkrepësen për ta dhes cigaren (gjithmonë me dorën në zemër) dhe ndonjë shërbim tjetër që kishte nevojë, duke filluar nga kryekrushku e flamurtari. Dasmorët, ata në krye të vendit, hyzmeqarëve u jepnin cigare dhe ja tregonin emrin. Hyzmeqari shpërndante cigaret, duke përsëritur gjithnjë emrin e dasmorit. Kur kishte këngëtarë ata dilnin në ballë të vendit dhe këndonin, po pati daulle e surle, atëherë hidhej vallja. Bëhej një rreth shikuesish dhe valltarët, qoftë dasmorët, qoftë kabashët i jepnin me të gjitha forcat për të treguar at që dinin.  Me të lajmëruar nga shtëpia prej ku dilte nusja, krushqit ngriheshin dhe në radhë për një parakalonin para vendasve të rreshtuar, duke përshëndetur dhe ndonjëherë edhe me romuze, dikush nga të rinjtë mbante një takëm në dorë ku krushqit lenin para të vogla. Sa jam në dijeni, kabashët janë të parët që ketë punën e takëmit për të mbledhur para nga dasmorët e kanë hequr të parët.  Kur bëhej teslim nusja (gjaki jonë, robi juaj), i zoti dasmës i lëshonte një shumë parash në grusht mikut të ri,  shtihej me revole dhe dasmorët ishin të lirë t’ju hipnin kuajve. 
*Thuhet “Te zjarrmi” se krushqit janë pritur kryesisht në vend të haptë në natyrë. Aty u dhes zjarri për të zier kafen. Kabashi para 1912 krushqit i kanë pritur te Livadhi i Ademit. Aty ku sot kanë ndërtuar shtëpitë, Basri Ibishi me të vëllain.  
Sabit Abdyli
                                     Kabash, 2000. Ne foto kabashe ne pritjen e kurushkeve.

Tuesday, 28 August 2018

MIKAJ IME E MIRË


Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.

PS:
Miki Tahiri (Mikja ime e mire) u lind  në familjen, e cila  i dha tokës së Kosovës dëshmorin Avdullah Tahirin në Malishevë të Gjilanit. Jeton në Gjermani.



                                           Në gusht të vitit 2013 Miki më vizitoi në Kabash.

 Gjilan në foto me Mikin pas daljes nga botimi të dy librave të mi në shtypshkronjën Pika 5, Gjilan.
                                                                    Kabash, gusht 2013

Saturday, 25 August 2018

Skicë e shkruar në variantin normativ dhe dialektor:


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallaze deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtunë sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk nalnin kangën. Zapullimë sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopshtin tem nga të nxehtit u kalamenden. Verë e nxehtë këtu, ftoft e dimën Atje. Fluturojmë me limuzinë asfaltit valë. Kolona e limuzinave  vraponte drejt dushkajave çufrake, plazhit me ranë e ujët e oqeanit. Zumë ven nën hije t’lisave  gjetheshum. Pak manej, deti pafund. Pa prit nji therrje  me dhembje m’shkoi si vetima tejepërtej kambës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi mbas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën e mblueme me bari jeshil, si kope delesh të trembuna erdhën re të shumta tuj marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi me  fishkllue bregut, vala me njomë ranën e përflakun e stërpik bregun, furtuna tuj  çue sa anej sa knej  fletet e dushkut t’thatë dhe krijue  duna rane si tallaze deti. Pas pak nisi nji shi me pika të rralla e t’mdhaja. Kolona e kerreve kish marrë vrapin. Shiu sa vinte e ngadalësonte të ramet në xhamat e limuzinës. Shiun e furtunën  sa çel e mshel sytë e përpinë bjeshkët dhe poshtë fushës na shkeli synin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Auckland, janar 2018

Tuesday, 14 August 2018

KUSH NA ÇARTI


Aty ku ishim më të fortë e qendrëstar, aty ku s'kishte daltë as limë të na hajë, aty ku na lakmonin e xhelozonin miqtë e armiqtë, si: familja e martesat e qëndrueshme, harmonia, respekti, dashuria për vendin, për librat, shkollën, shqiptarizmin, fjalën e dhënë. Jemi në tatëpjetën më të madhe mu në kohën kur duhej të jemi në ngjitje si shtet e komb. Tatëpjeta  vazhdon dhe ka rrezik të thyejmë hundë e buzë e të humbim hapin me kohën. Ç'janë këto ndarje të porositura me fonde të majme nga ata që nuk na duan, nga ata që me shekuj punuan për te na zhbi nga faqja e dheut. Kush na çarti harmonin ndërfetare, kush na çarti harmonin brenda familjes, kush na çarti dashurinë e respektin për gasterbajterin, shqiptarin, historinë, heronjtë, dasmat, veshjen, emrat, këngën e vallen bash shqip,  kush çarti partitë tonat sa të urrejnë për vdekje njëra- tjetrën dhe bëhen me ata që nuk lanë dy gurë bashkë vetëm për ta ngulfatur e nda Kosovën, me ata që nuk kërkuan falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime, me ata që fshehën  e mbuluan me beton të vrarit.
Botuar ne gazeten "Bota sot" 7 gusht 2017

Tuesday, 17 July 2018

KABASHËT E PARË ME PUNË JASHTË KOSOVËS



Në vitet e 60-ta të shekullit XX kabashët për shkak kushteve të vështira ekonomike dhe në pamundësi për të gjetur punë në Kosovë u detyruan të kërkojnë punë në rajonet më të zhvilluara të Jugosllavisë. Daljet e para si punëtorë krahu ishin në fushat e Banatit (Vojvodinë).  Ata me fitimet e tyre siguronin ekzistencën për familjet në Kabash. Gati të gjithë kabashët të moshës për punë në vlugun e punëve bujqësore në Vojvodinë me një torbë në dorë  dilnin në këmbë në Ferizaj dhe merrnin trenin për në Beograd. kurse prej Beogradit vazhdonin me autobus deri në fushat e Banatit. Atje banonin në sallashe (shtëpi në prona bujqësore me hambarë e vende për mjetet e punës), larg vendbanimeve. Aty flinin dhe improvizonin kuzhinën ku përgatitnin drekat e darkat (kryesisht fasule e patate) vetë me radhë.   Mbas disa vitesh kabashët të ndihmuar nga njëri tjetri dolën për të punuar në Austri, Gjermani e Zvicër se fitimet ishin më të mira. Më punën e tyre arritën të përmirësojnë jetën e familjeve në Kosovë. Fituan përvoja të reja, investuan në shkollimin e fëmijëve, ndërtuan shtëpi të reja, prunë veturat e para e mjete tjera të punës: blen traktorë e vegla tjera bujqësore, orendi, shport elektrik, frigorifere, lavatriqe etj. Po përmend këtu ata që hapën rrugën e daljes jashtë: Nevzad Nebi Zeqiri 1933-,1972, Muharrem Shukri Misini, Sylejman Mehmet Zeqiri 1930-2005, Zekir Bekë Zeqiri, Elez Ismajl Selmani, Mejdi Shukri Misini 1930-1968, Hamdi Xhelili, Megjit Mehmet Zeqiri, Habib Ahmet Agushi 1936-2016, Aziz Gjemajl Azizi 1942-2013, Emin Brahim Sallahu, Beqir Sallahu, Rrahman Shukri Misini 1938-2017, Osman Jahi Selmani 1934-2001,  Rrustem Ramë Januzi,  Ibish Rrahim Ibishi, Ali Rrahim Ibishi, Mejdi Izet Qerimi 1943-1979, Ejup  Shaip Jashari, Sejdi Ramadn Aliu, Nuhi Jahi Selmani, Ramiz Sallahu, Sami Ramadan Aliu 1937-1998, Agush Ahmet Agushi, Rafiz Shaip Azizi, Milaim Nazmi Deliu, Zahir Mehmeti, Etem Sadiku, Nuhi Hysni Shabiu, Ismajl Jetish Jetishi, Daut Baki Nebiu, Rexhep Jetish Jetishi, Qazim Ilazi, Fadil Halim Haliti, Shyqeri Nebi Sallahu,  Hebib Elmazi ....
Vojvodine, 1960//64. Ne foto Muharrem Misini, Nevzad Nebi Zeqiri, Mejdi Misini e Hajrush Zeqiri. (Hajrush kish shkuar per vizite)
Vojvodine, ne vitet 1960-ta. Ne foto; Aziz Azizi, Rrustem Januzi, Rrahman Misin, ulur Muharrem Misini, nje shok i Budrikes dhe Elez Selmani
Vojvodine, ne vitet e 60-ta. Ne foto; Emin Brahim Sallahu,, Aziz Gjemajl Azizi, Megjit Mehmeti , Isak Shema, ulur; Muharrem Shukri Misini, Hajrush Rexhep  Zeqiri, Mejdi Shukri Misini, Habib Ahmet Agushi dhe Nevzad Nebi Zeqiri.  (Hajrushi e Isak Shema ishin ne vizite)
Austri, mbarim i viteve te 60-ta. Ne foto: Ibish Rrahim Ibishi, Nevzad Nebi Zeqiri , nje shok i Sllatines dhe Milaim Nazmi Deliu
Sylejman Mehmet Zeqiri






Mejdi Izet Qerimi



Sami Ramadan Aliu


















Ismajl Jetishi- Kabashi 1941-1996













Auckland, 2018

PS; Vërejtjet (plotësimet)  i mirëpres.



Sunday, 8 July 2018

MADHËSHTIA E NOLIT


Këto ditë dëgjova një video incizim me zërin e Fan Nolit live të postuar në FB  dhe më fascinoi për atë që thoshte eruditi.  Heu, mendova sa i madh ishte ai karshi intelektualëve tanë të sotëm xheloz, inatçi e shpirtvegjël, që zi e terr flasin e shpifin për njëri - tjetrin. U kënaqa për gjithë kohën sa fliste për vetën, Shoqatën “Vatra” në Amerikë, çështjen shqiptare e mendjendriturin  Faik Konica me aq saktësi, realizëm, ëmbël e humor. Me Faik Konicën pati mospajtime rreth punëve të Shqipërisë dhe i përmendi “kusuret” e tij që i kishte pa i veshur edhe të tjera dhe vazhdoi me simpati për kontributin e  madh të Konicës në fushën e publicistikës, letërsisë e kulturës shqiptare.  Një intervistë me një poet tonin të njohur para sa vitesh  në pyetjen e gazetares se cili nga shkrimtarët shqiptarë meriton të kandidohet (propozohet) për çmimin NOBEL më ka ra ta shoh tek ngulfatej e i merrej goja atij nga shpirtvogëlsia pamundur  të përmend një emër nga shkrimtarët shqiptarë, duke sjellë  rrotull e rrotull përgjigjen deshi të thoshte sikur vetëm ai e meritonte këtë se  të tjerë ne shqiptarët nuk kemi. 
Auckland, korrik 2018

 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...