Thursday, 13 December 2018

NË VEND TË PËRKUJTIMIT PËR VËLLAIN, ISË R. ABDYLI 1930-1984

NË VEND TË PËRKUJTIMIT PËR VËLLAIN, ISË R. ABDYLI 1930-1984

Ise R. Abdyli. fotografuar ne vitin 1948
Shkup, fotografuar ne vitet 1960-ta
Më 14 dhjetor 2018 mbushën 34 vjet që u nda nga jeta ende pa i mbush 54 vjet vëllai im i madhi, baca Isë. Bacë e thërrisnim ne vëllezërit dhe jo vetëm ne. Që në rini ishte pro qytetërimit evropian në të menduarit, në sjellje e veshje. Vishej “allafrënga” siç thoshin kundërshtarët e civilizimit për veshjen me kravatë, kryeshtruat (pa kapuç), rroba të hekurosura, këpucë etj. I drejtë në gjykime dhe adhurues i librit, shkollimit, lirisë së të menduarit, fjalës dhe flakjes së koncepteve të vjetruara. Që në moshën 16 vjeçare kishte marrë pjesë në aksionet vullnetare të rinisë të asaj kohe; në Kroaci, Slloveni, Vojvodinë etj. Lexonte dhe kish një dollap me libra të shkrimtarëve, si: Daniel Defoe, Xhek London, Johan Goethe, Stefan Cvajg, Alberto Moravia etj.  Mbrëmjeve ne vëllezërit dëgjonim tek na fliste për librat e lexuara. Mua si fëmijë më  pat mrekulluar ngjarja në romanin e Danile Defos ”Robinson Crusoe”.Këtu me gjasë zë fill edhe interesimi im për të lexuar e dashtë librin.  Nuk   besoj të ketë lexuar dikush më shumë se ai nga brezi i tij. Është i pari që kish pru fanella, brekë e këpucë futbollistësh dhe një kaçkët për mbrojtësin e portës. Portieri aso kohe mbante kaçkët me strehë në kokë për t’u mbrojtur nga dielli. Është i pari në fshat që kishte aparat fotografik, hekur për hekurosjen e rrobave. Hekuri mbushej me copa prushi për ta nxeh. Ishte iniciues e pjesëmarrës në vënien në skenë të dramës së parë në gjuhën shqipe (viti 1956/57) të autorit Xhemil Doda “Halit Gashi” në Viti, që për atë kohë ishte ngjarje e madhe kulturore. Drama u shfaq disa herë në shtëpinë e kulturës. Për aktivitetet e tija u akuzua nga njerëz fanatikë dhe me koncepte prapanike, se: “Isa, e ka hjek kapuçin, ka kthye floktë përpjetë, po na prish rininë, po na keshin katundet tjera ...” I zhgënjyer nga mentaliteti provincial dhe me dallimet si hana me diell e asaj që thuhej e veprohej nga regjimi partizan u tërhoq nga aktivitet kulturore e sportive dhe në vitin 1957 emigroi në Shkup. Atje në fillim punoi me një dyqan si këpucar dhe më vonë në NGB “Rilidnja”, në shpërndarjen e gazetës “Rilindja” për qytetin e Shkupit. Të jesh vetvetja, i drejtë dhe të jetosh pa u përkulur e bë temena askujt  ishte me pasoja (është edhe sot) krejt jetën e bëri në vështirësi ekonomike. Vdiq, më 14 dhjetor të vitit 1984 në Shkup dhe u varros me nderime nga familjarët, shokët e miqtë e shumtë të ardhur nga gjithë rajoni i Moravës së Epërme Prishtina, Ferizaj, Shkupi e qytete tjera në varrezat e fshatit Kabash.
Kabash foto e viteve te 70-ta. Ne foto: se bashku me shoket e gjenerates: Ilmi Syla, Isak Kamberi. Qerim Qerimi, Ise Abdyli e Murat Murati


 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...