Saturday, 30 December 2017

Potrete mërgimtarësh – SEBASTIAN A. NUIQI, GJERMANI





Sebastjani për sukseset e angazhimit e tija  mori, u shpërblye me 29 çmime, mirënjohje nga organizatat humanitare, kulturore e politike në botë e Kosovë

Nga Sabit Abdyli, Zelanda e Re

Sebastjan A. Nuiqi 
Sebastjani ka lind në vitin 1942 në  familjen atdhetare me origjinë nga Stublla ardhur në Kabash në vitin 1927 nga babai Antoni (Tovi) dhe e ëma Diella. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin klasik dhe tetë semestra të Fakultetit teologjik në Kroaci. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës. Gjashtë vjet punoi në gjimnazin e Vitisë prof. i  lëndës së historisë. Ndërkohë kaloi me punë si administrator në Komunë; së pari në Bashkësinë e arsimit, më vonë ishte bashkëpunëtor profesional në Organizatën Sindikale të KK në Viti.  Si gjithë punëtoria shqiptare  në Kosovë edhe Sebastjani u largua nga puna me vendimin e organeve të instaluara dhunshëm serbe  në Kuvendin Komunal të Vitisë. Ndërkohë inkuadrohet në Shoqatën “Nëna Tereze” në Prishtinë, njëherit  ishte edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës e cila bëri aq shumë për popullsinë shqiptare të përjashtuar nga jeta, puna, institucionet, shkollat, shërbimet mjekësore etj.  Për aktivitet e tij u keqtrajtua në shtëpinë e tij (Kabash) në mbrëmje dt. 6 shtator të vitit 1990 nga katër policë njëri prej tyre quhej Boro (Bor milici, me banim në Viti) serbë në prani të fëmijëve e gruas, kurse  në zyrat e Shoqatës “Nëna Tereze’ në Prishtinë policë veshur me pancirë e helmeta në kokë, me armët ngrehur futën rrëmbyeshëm brenda ku punonte e torturojnë dhe kërcënojnë: “po të gjetëm edhe një herë këtu mbahu mirë”. Në mesin e fëmijëve të helmuar rënd, me 24 maj 1990, nga një dorë e zezë e shërbimeve sekrete serbe në shkollën fillore “Ndre Mjeda” në Kabash ishte edhe vajza e tij, Odesa. Për t’i shpëtuar arrestimeve e presioneve që priteshin, siç thotë Seba:  “M’u deshtë t’i lë të gjitha e lëshoj vendin që e doja më shumë se gjithçka tjetër, pa i treguar askujt, gozhdova dritaret e shtëpisë me dërrasa, i vura drynin dhe në terrin e natës u nisa për në Frankfurt të Gjermanisë ku kisha vëllezërit me punë”. Në mjedisin e ri (Frankfurt) Sebastjani  mbledh gjitha forcat, përvjel mëngët dhe nis gjithçka nga e para. “Pasi nuk isha trim, më shkroi Sebastjani këto ditë, për të qëndruar në Kosovë i dhashë detyrë vetës se duhet patjetër të bëj diçka për  njerëzit e gjakut e gjuhës time, për Kosovën dhe lirinë e saj. U kyça në aktivitetet që bëheshin në mesin e mërgimtarëve për ta ndihmuar Kosovën  gjithandej shteteve të perëndimit.”  Gjatë gjithë viteve të 90-ta Sebastjani priti e përcolli, u bëri konak, ndihmoi materialisht veprimtarët e çështjes shqiptare, njerëzit e politikës, kulturës e artit. Gjatë luftës (1999) ishte i angazhuar në sistemimin e refugjatëve, sensibilizimin e opinionit gjerman etj. për gjenocidin serb, që po bëhej në Kosovë, organizimin e protestave, mbledhjes së ndihmave. As sot nuk rresht së punuari e dhënies së ndihmesave në organizimin e promovimeve të veprave të njerëzve të dijes të të gjitha fushave e të të gjitha tokave shqiptare dhe në diasporë. Për punën dhe aftësitë e tija organizative në vitin 1997 Sebastjani u zgjodh kryetar i Lidhjes shqiptare në botë, dega në Gjermani, njëherit Sebastjanin ishte (është)  edhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shqiptarëve të Botës (LSHB).  Sebastjani për sukseset e angazhimit e tija  mori, u shpërblye me 29 çmime, mirënjohje nga organizatat humanitare, kulturore e politike në botë e Kosovë.  Seba i Tovit (kështu e thërrasim e njohim Sebastjanin në Kabash) vazhdon pazhurmë të jetë aktiv me vepra dhe ta mbaj kuletën hapur  për  çështjen shqiptare.
Botuar ne gazeten "Dielli" USA, 30 dhjetor 2017

Saturday, 5 August 2017

AS TURR, AS JAZ



Opinionisti Sabit Avdyli ka komentuar gjendjen aktuale politike në Kosovë.
Ai thotë se partitë politike janë në situatën që ai e quan as turr as jaz dhe se ato janë të mbushura me inate, ambicie të sërmura, përcjell Bota sot.

Lexojeni shkrimin e tij:

Në kohën e rinisë time para se të fillonte gara e sillnim në ajër një monedhë  metalike se kush do të jetë i pari dhe ndodhej monedha të binte në teh as - as (as turr, as jaz, as mar, as prapë) . Në ketë pozitë as-as  janë partitë e dala  nga zgjedhjet e fundit, plus inatet, plus ambiciet e sëmura, plus lista serbe,  plus  mediet argatë të politikës, plus nepotizmi, plus  mentaliteti rajonal, plus interesat  po  mbyllin të gjitha rrugët për formimin e  institucioneve të R. së Kosovës.  Shtyrja me bërryla, gjetja vrima në Kushtetutë,  Rregulloren e punës së Kuvendit,  vendimi i Gjykatës kushtetuese 2014,  gjetja e kimes në vo, siç thuhet,   po vazhdon.   Pozicionet e ngurta të partive trashin të këqijat dhe po pëson shteti e populli në të cilin thirren rrejshëm  të pozicionuarit. He sikur kjo këmbëngulësi, qëndresë e luftë për të mbetur në pushtet, marr pushtetin të bëhej në  çuarjen përpara të  ekonomisë, kulturës, shkollës, shëndetësisë, drejtësisë, njohjeve, gjetjen e të vrarëve, dialogut me Serbinë, mirëqenien,  mbrojtjen  e ruajtjen  e ambienti të shtetit do të ishte më shumë se bukur.

Gazeta "Bota sot" MË: 5 GUSHT 2017 NË ORA: 08:43

Sabit Abdyli

OPINIONE

E hënë, 07 gusht 2017
NGA: SABIT ABDYLI MË: 7 GUSHT 2017
Kush na çarti
Aty ku ishim më të fortë e qendrëstar, aty ku s'kishte daltë as limë të na hajë, aty ku na lakmonin e xhelozonin miqtë e armiqtë, si: familja e martesat e qëndrueshme, harmonia, respekti, dashuria për vendin, për librat, shkollën, shqiptarizmin. Jemi në tatëpjetën më të madhe mu në kohën kur duhej të jemi në ngjitje si shtet e komb.
Tatëpjeta  vazhdon dhe ka rrezik të thyejmë hundë e buzë e të humbim hapin me kohën.
Ç'janë këto ndarje të porositura me fonde të majme nga ata që nuk na duan, nga ata që me shekuj punuan për te na zhbi nga faqja e dheut.
Kush na çarti harmonin ndërfetare, kush na çarti harmonin brenda familjes, kush na çarti dashurinë e respektin për gasterbajterin, shqiptarin, historinë, heronjtë, dasmat, veshjen, emrat, këngën e vallen bash shqip,  kush çarti partitë tonat sa të urrejnë për vdekje njëra- tjetrën dhe bëhen me ata që nuk lanë dy gurë bashkë vetëm për ta  ngulfatur e nda Kosovën, me ata që nuk kërkuan falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime, me ata që fshehën  e mbuluan me beton të vrarait.
Bota sot



Friday, 4 August 2017

BAGËTIA E IMËT NË ZELANDËN E RE OSE "DELET NE SHTEPINE E TYRE"


Shkrimi i botuar ne gazeten periodike "Drini", gusht, 2017
Me të arritur pas 24 orë fluturimi me avion mbi ishullin e quajtur Zelandë e Re u fascinova  nga  ato që shihja poshtë avionit; kodra  mbuluar me bar, drunj gjigantë,  ujët e Paqësorit futur në thellësi të tokës me pamje si  lëkurë e shtrirë  e  leopardi. Në avion mes udhëtarëve tjerë ishim 42 refugjatë shqiptarë që po vinim në Zelandën e Re (29 tetor 1999).  Sa më shumë ulej avioni vëreja dele gjithandej kullosave pafund dhe një si fiksim me mbeti  në mendje për të mësuar më shumë në lidhje me bagëtinë  e imët në Zelandën e Re. Me rastin e udhëtimeve kur has  dele , edhe sot, për kënaqësinë time ndalem  t'i shoh tek kullosin qetësisht ashtu trupmadhe e  të shëndosha, një dele këtu është sa dy dele tonat në Shqipëri (Shqipëri i them edhe Kosovën) .
Delet e para në Ishullin e largët kanë ardhur diku mes viteve 1773 dhe 1777 dhe përdoreshin si ushqim për peshkatarë në Mana (ishull pranë Wellingtonit). Koloni Johnny Jones në vitin 1840 importoi një numër të konsiderueshme delesh me anije nga Sidnej (Australi). Ai hasi në shumë vështirësi gjatë importimit. Fermeri  i përmendur mori toka me qira nga vendësit dhe nga ky vit numri i kopeve të deleve ishin në rritje dhe disa vite më vonë, pikërisht në vitin 1882 nis  eksportimi i mishit të ngrirë së pari në Angli.  Racat ishin ajo MERINO dhe ROMNEY. Në Ishullin e verior raca Romney ishte e favorizuar. Zelanda me kullosat e bollshme gjatë gjithë vitit ka kushte  ideale për rritjen e deleve.   Duke parë përfitimet e mëdha ekonomike intensifikohet puna në ngritjen e fermave në gjithë vendin. Gjatë shekullit XIX malli kryesor eksporti ishte leshi i dhenve për të arritur kulmin në vitin 1960 që  përbënte mbi një të tretën e të gjitha të të ardhurave nga eksporti.  Në vitin  2007, Zelanda e Re kishte përafërsisht 39 milionë dele, rreth 10 dele për çdo banor  të saj.   Këto vitet e fundit ka ra ndjeshëm numri  deleve. Zelandezët ecin me kohën dhe gjithçka llogarisin me laps, tani kanë ngritur edhe ferma buallicash, dhish, drerësh, shpezësh, bletësh etje. të kërkuara  nga tregu i jashtëm. 
Sabit Abdyli, Auckland

Sunday, 30 July 2017

NUK DO TË DUHEJ


Historia e afërt dhe e largët e jona nuk do të duhej të pengojë shqiptarin të jetë mysliman, katolik, ortodoks etj. sipas bindjeve e dëshirës së tij. Shqiptari nuk ka nevojë të ndërroj asgjë nga e kaluara për të qenë fetar i cilësdo fe. Stadet e zhvillimit të shoqërive janë ashtu siç ishin dhe po t'i ndryshojmë nuk na bëjnë fetar më të devotshëm e më të mirë. Përkundrazi tendenca për të ndryshuar historinë tënde janë mesazh për asimilim e faqja zezë, janë propagandë e të fortëve, e të pasurve për interesat e tyre afatgjata thirrur në lirinë e fjalës, përparimit, të së drejtës historike të sajuar, miteve, forcës ekonomike, fesë etj. Ne shqiptarët jemi kështu siç jemi me shumë fe dhe duhet pranuar realitetin. Nuk do të duhej shpikur teori e të paqena për të treguar se cili jemi më të mirë. Të mirat e të këqijat tregohen me punë, vepra, përkushtim ndaj Zotit, njeriut, kombit e gjuhës së nënës dhe jo me llafe e ndërkëmbëza për njëri-tjetrin. Thirrjet në stilin; ne ishim mysliman para ardhjes së turqve ose ishim të krishterë që herët, duke kërkuar favore nuk qëndrojnë. Si do të tingëllonte sikur ateistët të thirrën në periudhën para ardhjes së fesë dhe të thonë; ne ishim të parët. Stërkeqjet, teoritë, tendencat, që prekin gjuhën, kulturën, historinë e gjeografinë tonë shqiptare të lashtë qëkur mbiu lisi, një sahat e më parë duhet të ndalohen me të gjitha mekanizmat që i ka shteti. 
Sabit Abdyli
Botuar ne gazeten "Bota sot", 30.07.2017

Tuesday, 25 July 2017

CIKEL POEZISH TE SHKRUARA 2016 -2017-

                                                                                   
PIKON
Pikon kulm i shtëpisë
Pikon
Hafije e ustallarë nga gjitha anët vijnë
Thirr e pa thirr
Kush ndreq kush prish
Tanët mjaftohen të jenë në krye të vendit
Të mos lagën
Gushë për gushë  me qoftëlargun
 E lëshojnë udhë
                           Korrik, 2017

ZË KOHE
(Haxhi Muhaxherit)
Jehonë kohësh të mira
Emrash rrënjësh e qëndrese
Furtunash e motesh lavdie
Nuk resht së vrari të keqën
Nuk resht së qëndisur fjalëmirët
E fjalës shqipe
Auckland, korrik 2017

PAK  MË PARË
Eca bregut detit
Mes  kohës në ikje dhe kohës në ardhje
Valës së shkumëzuar dhe stërkalave
Që era e hapërdanë mbi gurët ndanë
Fillimvjeshtë  në Ishull fillimpranvere Atje
Me fletët që bien me borën që shkrinë
Me dimrin në ardhje me verën në prag
Loz me stinët kujtimet  mallin
Buzëqeshur  buzëvaj
                     Mars 2017
MUR MBI URË
Në bisht ndër shalë
Ikën
U kthyen dhe mbyllën urën me drurë e gurë
Me lutjet e Evropës hoqën barrikadat
Çajnë dërrasa
Biçim vazo betoni ngrehen mbi urë
Hedhin  pluhur syve bëjnë petulla në ujë
Me urë e pa urë
Mur mbi urë
Skërmiten qençe e bëjnë zhurmë
Sa me lindje sa me perëndim
Sorrë në dy hunj
Janar, 2017
IN MEMORIAM PËR SHKRIMTARIN R. KELMENDI
"Letrat prej Ulqini" me Ty takim im i parë
Aty mësova sa fort fishkëllen fjala shqip
Dhembjen ta zbulova te "Rrëfimi i njeriut me samar"
Me mësimet tua te Verrat e Llukës u morën ngryk
Gjithë ai nam
Te opusi yt letrar shijova të bukuren humorin me karar
Saktë e dije kur kositen livadhet dhe kur do të duhej
Të kërcasin e heshtin arm't
Auckland, 12 janar 2017

KROI I FSHATIT
Rrënjësh gërshetuara drurëve mali,
murmurit i kristaltë uji akullt.
Në mes vapës në ballë të pikë.
Barishtet valltare tunden gëzuar,
parfumojnë rogën e harlisur gjithandej.
Këngë e trishtilave  n' degë,
deh e prek në shpirt!
Dhjetor 2016


NËNA RABË
Për dritë të gazishtës
Thurte çorapë
Ngrohte mëngjeset e ftohta
Dhembjen e njomte si lulet
Jetën
Fjalën
E qëndiste me ar
Gusht 2016

MËSUAR
Rrëzojnë diktaturën.
Derdhin në bronz  një të njëjtë me bujë
dhe vazhdojnë jetën si më parë
në diktaturë!
Gusht 2016

BIOGRAFI II
Në krye të herës, fjala e prangosur.
Pranë oxhakut mbrëmjeve,
për toke shtrinim baloza e krajl!
Freski mëngjesi mërdhinte këmbët zbathur.
Me gishta të vegjël,
xhamave të avullt ushtronim bukurshkrim.
Kur vinte korriku
Zinim xixëllonja, i venim në ballë.
Grunajave dielli i buzëqeshur,
cicërima jete, për bukën e bardhë!
Qershor, 2016

BREGUT
Zhurmon vala
Tek përplaset shkëmbit
Shkumëzon shkumën thinjoshe
Bregut ec unë
Pulëbardhat tutje tehu fluturojnë
Njëra ndahet e më ndjek pas
Eja sikur më thotë plot gaz
Ta shuajmë mallin bashkë
Dhe era luan me flokun tim zbardhur
Rërë e nxehtë nën këmbë
Më djeg e nuk më ngroh
Korrik, 2016

NJËHERË E MIRË
 Yjet zënë me shtëllunga të zeza  resh
Shtigjesh bjeshkësh më në fund erdh Dielli
Rrëmujë e ngazëllime mëngjesi
Qentë  qençe lehin Diellin
 Azdisen në kohë lirie
Poeti vazhdon  rrëfimin për ujkun
Dhe byryten  mëzetërit që  kullosin livadhet
 E zëna me tre plisa dheu mbi mezhde
Ende  në kërkim të  ilaçit për të vrarë
Mizat bezdisëse njëherë e mirë
                       Korrik, 2016

ATË DITË KUR PO NISESHA USHTAR
           (25 gusht 1970)
Nëna nga bunari nxori një kove ujë.
Piva një gërrqe se kështu ishte adet.
Shtrëngim duarsh, përqafime,
doja të mbahem burrë, loti më tradhton.
T’i shpëtosh të keqes, më thanë, sa më pak fjalë!
Me të ligun mos ngul kunja,
dosjet janë të hapura për shqiptarë!
Ne vetëm numra jemi,
mos beso kur të rrahin krahëve!
Në listat: “Të rrezikshëm për shtetin”
emrat tanë deri më një të sistemuar i kanë!
                  Nëntor, 2014

PRURJE KOHE
Shpirtshiturit, çirren podiumeve
Mohojnë vetën
Kanë korruptuar zyrtaret
Dhe shesin dhjam për mish
Korrik, 2016

KU MBETI
Ku mbet moti kristal
Oxhakut tymi i shkonte drejt
Qëndisej me ar fjala e jeta plot harmoni
Ku mbeti fjala e thënë në sy
Kohë gjithçka prapa krahëve erdhi
Veshur me pendla të bardha mjellme
Brenda sterrë i zi
Ku mbeti autoritet i prindit
Shtetit
Shkollës
Familjes
Çiltëri e djalit vajzës
Fjala fjalë
Emrat shqip
Ku
Dhjetor, 2015

ITAKA
Josh gjithçkaje e saj
Shtegtarët me ditë e natë krahëve u japin
Hijeshi e sirenave e tmerr katallanësh nuk i ndal
Rendje mes shkretëtirave e resh
Aromë e vatrës ndjellë e thërret
Në zhgjëndërr e ëndërr shfaqet
Si këngë bilbili në rremb
Qershor, 2016

FJALË E FJALË
Në takime mërgimtarësh.
Secili ka një mendim.
Dy.
Tre.
Shumë.
Grijmë ujë në havan.
Komentojmë libra e tituj gazetash pa i lexuar,
Gjykojmë problemet madhore të shtetit, pa qenë atje!
Botën ujdisim,
Më mirë se perënditë ...
Shajmë diku të irrituar .
" Po të ishim ne, do të bëhej më mirë " !
Flasim si ekspertë,
Të shkolluar kushedi nga cila galaktikë.
Flasim me radhë  pa e dëgjuar sho-shoqin.
Secili shtyhet  të shkrep, qoftë  edhe një fjalë.
                                   Maj, 2016

NDRYSHIM I MADH
Kam mall,
dhe  kujtoj motet,
kur brehej hekuri me dhëmb
dhe vdisje për Flamur.
Për të lexuar Fishtën, Konicën, Kadare,
Ernestin, Markezin ..
krijohej radhë.
       Maj, 2016

EULEX
Me një të shkelur të syrit
Tanëve në pushtet
Flamurin na dizajnuan
si deshën vetë
Himnin pa tekst
Na presin rrobat
Herë shkurt herë  gjate
Tamam asnjëherë
               Maj, 2016

MENDËSI
Bajraktarizmi  mendësi e jonë
Ajka në shpinë të popullit
Loz lojën kaloras
Mbrapshtitë në rritje
E mbara e mira
Ende larg
Mars, 2016

EMIGRANT
Emigrant shkak luftë ngjyrash
Të tillë dikur pati edhe në fshatin tim
Të përndjekur  nga e kuqja
Shtigjeve pafund në rrugëtim
Përtej oqeaneve mbërrin
I gjeta të plakur buzën shkrumb
Unë emigranti muhaxhir.
Në prag shekulli njëzetenjë
Dëgjuar keni nga gjyshërit
Për plagën e vjetër emigrant politik
Karvan në ecje lodhur
Me kujtimet plumb mbi kurriz
                                 Mars, 2016
TESHTITJE KOHE
Gjithçkaje i doli boja
Karriget u përlloçën si është më keq
 Filiza të së resë në ketë palcë acari të vijnë
Të ngjallin shpresat e humbura nga lakmitë
Të kapërcejmë inatet vetën
Dhe jugë e bardhë të fryjë
                     Mars, 2016

 VENDÇE
Ecje mbi ferra  e shkurre nëpër mote
Për jetën
Për diell më shumë
Dhe dalin nëngurët
Vjelin  frutat e pemëve
Kafshojnë diellin  pamëshirë
                    Mars, 2016


KËNGË E PARË
Këngë  zemre
Buqetë
Ëmbëlsi
Panel në dorë të piktorit
Gëzim
Mall
Gur në qafë
Djep ëndrrash
ATDHEU germa e parë
           Auckland, mars 2016

SHTERPËRI  E GJELAVE
Gjelat kryengritës të mëngjeseve
I dehu fitorja
Nga pangopësia vetëlavdërimet
U ngjirën  
Për të qëndruar majë mullari
U qullën e qullën si është më zi
Shkurt, 2016

MBASE
Donzhuanët  kolonizuan shën Valentinin
Për të treguar besnikëri
Përmes dhuratave e luleve
Blerë dashuri
Mashtruar e fshehur kurvëritë
Shkurt, 2016

GJUHA SHQIPE
Në Gadishullin Ilirik
Në krye të motit
Farë e fjalë e parë
Këngë zogjsh
Rreze
Dritë e ylbertë
Rrënjë
Shqip e bërë ugar
Nga trung i saj në shekuj
Lindën e u rritën edhe tjera gjuhë
Shkurt, 2016

“ANKTHI I PRANVERËS ’99”




Shkruan: Isak A H M E T I
Pak vite pas Luftës së Kosovës(1999), përkatësisht me 2004, Sabit Abdyli nga Kabashi i Vitisë (i Anamoravës), aktualisht rezident në qytetin e Aucklandit (Zelandë të Re), ka botuar veprën e tij publicistike të radhës me titull: ANKTHI I PRANVERËS ’99. Është kjo një vepër e zhanrit publicistik e shkruar, me dije dhe përkushtim, në formë të ditarit. Siç e kemi thënë edhe në një rast tjetër, Sabit Abdyli, ndonëse tash profesor në pension, nuk ka të ndalur së vepruari dhe shkruari në fushën e letrave shqipe, ai vazhdon të shkruajë dhe botojë herë pas here libra, poezi, prozë, letra, anekdota, etj., që janë të vlere dhe rëndësie të veçantë. Vlen të theksohet se ai, që nga vendosja në Ishullin e largët (29 tetor 1999), përveç me shkrime dhe botime në fushën e letrave shqipe:
– Kabashi i Anamoravës, (monografi)
– Ankthi i pranverës ’99 (libër -dokumentar)
– Kohë e lumtur, poezi,
– Bijtë e shqipës në tokën e reve të bardha, prozë, poezi dhe artikuj për Mergatën në Zekandën e Re
– Na Kabashi jem t’ndam nji zjarrmi,etj.), është shumë aktiv edhe në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditës kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.
“ANKTHI I PRANVERËS’99”
Libri”ANKTHI I PRANVERËS’99” – libër publicistik, ditar lufte, i shkruar me dije dhe përkushtim shumë të veçantë, është strukturuar në gjashtë kapituj, si vijon:
KAPITULLI I
– Zezona
– Lufta
– Pranvera e ankthit
– Dëshmi
– “Evropa e rrëzueme,e pusueme”
KAPITULLI II
– Në mes të dy kufinjëve të dhunshëm
– Në Shkup
KAPITULLI III
– Dëshmi të tjera
– Fshati Skifteraj
– Fshati Lugishtë
– Fshati Smirë
– Fshati Sadovinë e Jerlive
– Fshati Mollëkuq
– Fshati Urban
– Qyteza e Vitisë
KAPITULLI IV
– Vdekja e terrorit dhe ardhja e NATO-s
– Kthimi i madh
– Fundi i zezonës
KAPITULLI V
– Kronologji e ngjarjeve: 1999
KAPITULLI VI
– Faqe jete, jetë e bukur(Në vend të biografisë).
Ky libër i autorit në fjalë, siç e ka vënë në dukje edhe recensenti, Fehmi Ajvazi, është dëshmi për kohën dhe brezat(fq.68). Ky autor, tashmë me një përvojë të gjatë jetësore dhe letrare, është jo vetëm një përjetues por edhe një mëtues që është përpjekur personalisht të zbardhë pjesë të procesit tonë kombëtar, siç janë”muajt e Kosovës” ose “bombardimet 78 ditëshe të NATO-s. Si një personazh i gjallë i kohës, autori në fjalë, më këtë libër (me vlera të padiskutueshme), i ka dhënë opinionit tonë një dëshmi të rrallë për kohën…
Duke e lexuar librin në fjalë, që shihet edhe në përmbajtjen e paraqitur të tij, në e kuptojmë të kakuarën tonë, jo të largët, ndryshe: dhembshëm gjithsesi, por siç e thotë edhe recensenti, Fehmi Ajvazi, si një testament i cili zbërthehet për ne, si dhe për brezat që vijnë.Libri në fjalë, tepër i pakët për procesin në fjalë, është një kontribut i çmueshëm dokumentar – publicistik për labirinthet e dhembshme, disa herë tragjike por edhe heroike nëpër të cilat kemi kaluar jo vetëm si individ, por si shoqëri dhe popull. Fatkeqësisht, sipas autorit, del se ende nuk kemi nxjerrë mësimet e mjaftueshme që i shpalosin proceset, edhe procesi si ky i pranverës së ethëshme dhe të përgjakshme 1999.
Përndryshe librin në fjalë e karakterizon gjuha e bukur, e rrjedhshme, artistike, rrëfimi i gjallë i ngjarjeve që të lënë pa frymë…


Saturday, 24 June 2017

PISHTAR I SHKOLLËS SHQIPE (Nga revista, “Shkëndija” prill-maj, 2007)



Prof. Ejup Abdyli
Ejup Abdyli u lind më 1937 në Kabash. Pasi kreu dy klasë të Normales në Gjilan, emërohet mësues në fshatin Beguncë më 1960. Pas një viti transferohet në Lubishtë. Gjatë kësaj kohe pa shkëputje nga puna e kryen normalen, shkollën e lartë pedagogjike, dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Shkup. Në vitin 1966 vazhdon punën në shkollën fillore në Viti. Ndërkohë e kreu fakultetin filozofik-dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë. Kalon në shkollën e mesme, siç quhej atëherë “Bora e Ramizi”, sot “Kuvendi i Lezhës” në Viti, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Detyrën e shenjtë të pedagogut e ushtroi 32 vjet. Tridhjetë e dy vjet me ditar në dorë. Përkundër ofertave për të punuar në administratë, vende udhëheqëse, ai, asnjëherë nuk pranoi të ndahet nga puna e drejtpërdrejt me nxënës. Pesë vjet udhëtoi në këmbë për çdo ditë pune, Kabash – Lubishtë pa bërë asnjë mungesë. Me iniciativën e tij u hap për herë të parë kl. V-të në Lubishtë. Punoi në dy ndërrime, me vullnet të madh, pa u kursyer, duke i mbajt të gjitha lëndët e klasës së pestë. Kontribut të veçantë dha në shkollat e mbrëmjes që organizoheshin për të rriturit: në Lubishtë, Debelldeh, Kabash e Viti. Ishte i pasionuar pas punës dhe gjithmonë u shkonte deri në fund gjërave. Ishte njohës i punës të cilën e kryente. Me të njëjtin vullnet e pasion punoi me klasë të ulta, të larta, kurse për të rritur dhe, që nga viti 1981 me gjimnazistë. Ishte i skajshmërisht i përpiktë në mbajtjen e ditarit, librat e amzës, shënimeve dhe evidencën e saktë të nxënësve. “Puna, thoshte sa e sa herë, më ka ndihmuar të jem më pranë nxënësve, njerëzve, shkollës. Shkolla është institucion ku duhet përgatitur kuadro të afta, të zot. Në shkollë duhet përqendruar forcat tona. Edukatorë të devotshëm na duhen, se titullarë e udhëheqës me kurse politike ka me bollëk Kosova. Nga puna e mësuesit varet e ardhmja, varet zhvillimi ekonomik, i kulturës dhe traditave kombëtare. Asgjë nuk arrihet me llafe, por me punë, djersë e angazhim. Te nxënësi duhet zbuluar prirja dhe ngadalë, me maturi e takt t’i hapet rruga, të inkurajohet për të ecur përpara”. Ishte fjalëpakë, i matur dhe me influencë brenda familjes dhe mjedisit ku punoi. Ishte shembull se si duhet ushtruar funksionin e edukatorit në formimin e vetëdijes kombëtare te gjeneratat e reja. Kurrë nuk mburrej për punën qe bënte me aq zell e përkushtim. Ata që e kanë njohur, mbi të gjitha kanë dalluar tek ai edukatorin e mirë, njeriun modest. U mor edhe me shkrime. Punimet e veta i boti në gazetën “Pionieri” dhe “Shkëndija”. La në dorëshkrim një studim në fushën e dialektologjisë shqiptare. Fatkeqësisht, gjatë luftës së viti 1999 serbët ia morën dorëshkrimin dhe ia asgjësuan, bashkë me librat, dokumentacionin personal, që i kishte në bibliotekën e tij shumë të pasur. 
Më 26 qershor 1992, tri ditë pasi kish mbajtur riprovimet, provimet e diplomës me nxënës maturant, nga një sulm në zemër, ai iku, ndonëse ende nuk i kishte mbushur 55 vjet. Me shkuarjen e tij të parakohshme familja, farefisi, miqtë dhe shkolla shqipe humbi shumë.
“Lufta për ruajtjen e identitetit të shkollës shqipe do të jetë e ashpër dhe e gjatë, në ballafaqimin tonë me okupatorin, ne patjetër duhet të fitojmë, se shkolla është si buka, si Dielli, pa te nuk mund të ekzistojmë. Dyert e shkollave na mbylli okupatori, por ne, shtëpitë, xhamitë, kishat do t’i shndërrojmë në shkolla.” – mbahet mend, të ketë thënë nxënësve dhe kolegëve të punës, Ejupi.

----------------------------------------
Në vitin shkollor 1988/89 në gjimnazin e Vitisë “Kuvendi i Lezhës” u pranuan 14 nxënës të ardhur nga Kumanova, që i kishin përjashtuar sllavo - maqedonasit për hiçgjë nga shkollat. Shovinistët serbë dolën në protesta dy ditë rrugëve të Vitisë, para objektit të shkollës, bile u futën dhunshëm edhe brenda në hollin e shkollës, duke bërtitur: “kumanovci napole” e kërkuar përgjegjësi nga drejtoria e shkollës pse janë pranuar “nxënësit nacionalistë” nga Kumanova dhe përjashtimin e tyre të menjëhershëm. Pas protestave, presioneve të shumta nxënësit u larguan nga shkolla. Inspektorë e titullarë të administratës komunale, UDB-es ditë me radhë kontrolluan ditarët e gjitha klasave, sepse një nxënës i Kumanovës mungonte në listën e të larguarve. Nxënësi nuk u gjet. Më vonë u mur vesh se nxënësi ka qenë i regjistruar në paralelen ku ishte kujdestar Ejup Abdyli, i cili rrezikoi largimin nga puna, në mos edhe burgun, për ta shpëtuar nxënësin nga Kumanova, duke regjistruar në ditar sikur kumanovari ishte i lindur në Ferizaj. 

Saturday, 3 June 2017

SHKOLLA SHQIPE NË VITE


Ne foto me nxenesit ne vitin shkollor 1975/1976
Plejada e mësuesve  shqiptarë në vitet e 50-60 - ta të shekullit XX kishin entuziazmin, moralin  e dashurinë për profesionin  që e ushtronin dhe  falë kësaj arrinin ta tejkalojnë papërvojën dhe parapërgatitjet jo të plota në shkollat e kryera ose gjysmë të kryera ose të sapofilluara. Ketë klasë edukatorësh unë i pata mësues. Në dekadat në vazhdim dolën kuadro më të përgatitura  profesionalisht në Normalen e Prishtinës, Gjilanit etj. që  avancuan kualitetin e mësimeve për të gjitha lëndët sidomos në klasat e ulëta. Në mungesë të arsimtarëve, normalistët  ishin zgjidhje e mirë edhe në zhvillimin e procesit mësimor me klasat me mësim lëndor.  Në periudhat që po flas mësuesi gëzonte autoritet dhe përkrahjen e popullatës ku ishte me punë. Në mbarim të viteve të 60-ta e fillim të viteve të 70-ta u rritë numri i  kuadrove më shkolla të larta e fakultete, të cilët pikësynim kishin arsimin e brezave pa shikuar e mërzitur shumë për rrogat. Gjatë  kësaj kohe dolën revista e gazeta profesionale në fushën e arsimit e edukatës për pedagog, si revista "Shkëndija" erdhën libra e mjete konkretizimi nga Shqipëria prej nga merrnim mësime për të qenë të suksesshëm në punën tonë me ditar në dorë.  Mbaj mend që bashkë me disa  kolegë të punës me vetiniciativë mbanim orë shtesë pa ndonjë kompensim me nxënësit e dobët dhe orë shtesë me nxënës që ua kalonin me dije të tjerëve në klasë, duke dal edhe jashtë asaj që kishim me plan-programe mësimore për të zgjeruar dijet e tyre. Nga biblioteka ime u kam dhënë nxënësve libra të lexojnë.  Kjo kohë entuziazmit e arritjeve më të mëdha në fushën e arsimit në gjuhën shqipe  u zbeh pas viteve të 80-ta kur nisi fushata e egër kundër gjithçkaje shqiptare, sidomos institucioneve arsimore  deri sa i mbylli ato në vitin 1990. Falë qëndresës së arsimtarëve, nxënësve e prindërve shkollën e mbajtëm gjallë për 10 vjet rresht edhe në kushte okupimi. Në punën time mbi tre dekada me ditar në dorë vitet 1990-1999 ishin ato që më dërmuan fizikisht e shpirtërisht. Mbaj mend tek shija nxënësit në ato kushte, me klasa pa banka e hapësirë te bollshme me tri ndërrime, tollovite e krijuara gjatë ndërrimit të ndërrimeve tek ecnin rrugës duke shikuar prapa mos po i ndjek policia e vëreja tek më dilte tym nga maja e kresë.   Pas çlirimit u rihapen shkollat, së paku shkonim e ktheheshim në shkollë kryet lart. U bënë investime në ndërtimin e shkollave të rrënuara etj. Brenda pak vitesh kuadro me tituj master e doktorësh rrokën ditarin në dorë. Po diplomat e titujt nuk dhanë rezultate. Sipas Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve PISA  arsimi në R. e Kosovës ishte në fund të rang listës. Kjo është për të ardhur keq. 
Auckland, qershor 2017

Saturday, 13 May 2017

AFORIZMA

-Politika nuk njeh as mik, as armik, veç interes

-Liria ka emrin e , secilit që dje  sot, nesër e përherë i ka rrahur e rreh zemra shqip

-Sheh hajni  hajnin e bahet edhe ma hajn

 -Liria ka emrin e , secilit që dje  sot, nesër e përherë i ka rrahur e rreh zemra shqip

-Sheh hajni  hajnin e bahet edhe ma hajn

 seriozisht tenxheret se vjen koha jav thajn
ë kaqepin

 -Për politikanin mos bëjë as lum, as kuku se nuk i dihet.

-Fytyra është në dorën tënde. 

-Jeta ka kuptimin çfarë i japim. 

-Dija fle në libra,  duke lexuar e zgjon. 

-Për atdhetarin atdheu është më shumë se jeta. 

-Mendësi e jona; gjithçka fillon “me mue”, shteti, kombi, liria, kultura, dija etj. Me ja heq nga fjalori fjalën “unë” shqiptarit të sotëm, mbetet pa gojë.


 -Së pari shih veten, pastaj ...

-Me u ba milioner me punë të ndershme, hamalli ish ba ma milioneri prej krejt milionerëve

-Prej setërmbajtësit e të shiturit   mos prit të jetë vetja, ai  leh e kafshon veç kur i thonë, "kape".

-S’po ja lëshon kush ma budallës udhën si ktyne heresh.

-Qeni i uritur edhe të zotin e tij e leh.

-Tjetrit edhe bënë t’ja falsh gabimin, por vetes asnjëherë.


-Të keqit edhe nëse për çfarëdo  arsye nuk mund t‘i thuash “i keq”, së paku mos i thuaj “i mirë”.

-Bijat, janë album fotografish e libra monografik të saktë për familjen e vendin prej të cilit vijnë.

-Secila e zezë e ka një të bardhë dhe anasjelltas.

-Rrallë ose hiç nuk mund të gjesh diçka krejt, bash krejt zi ose krejt, bash krejt bardh.

-Politikanët e argatët rreth tyre, që punojnë me bark e për bark e bëjnë për vitra popullin e shtetin. 

-Po u mashtrove për herë të dytë, faji është i yti.

-Kur nuk mund ta largosh të keqen, ikë  prej saj!

-Sa me nji hu sa me nji tjetër, njeni do t’i ngulet patjetër.

-Politikanët (shumica) shtetin e shohin me instinkt të lopës si grazhd me hangër e me pi qyl.


-Pa harxh nuk gatuhet laknueri.

-Po të ishin shi premtimet e politikanëve , jo vetëm toka do të përmbytej, po edhe rrugët do të shndërroheshin në lumenj.

-Sa herë jam ulur të shkruaj pa pasur ndonjë thirrje e ngacmimi përbrenda ose së jashtmi, jam ulur kot.

-Shokët e moçëm janë si këpucët e vjetra, të rehatshme e nuk të vrasin. 

-Primitivi edhe një palë nallane nëse ja blen nënës së vet e reklamon për vepër patriotike dhe jo si detyrim që ka ndaj prindit.
-Jetim je kur nuk ke shtet tandin, jo kur të vdes prindi. Halit Kabashi 1878-1949

-Të vërtetën, po nuk e tha poeti mbetët e pathënë!

-Për poetin fjala është gjithçka e gjithçka në fjalë. 

-Dinjitet d.m.th. të mos kesh nevojë të fshehësh e redaktosh biografinë (të kaluarën) tënde, qoftë edhe për një presje. 

-Po ndodhi të prishen ata që duhen fort, prishen fort!

-Njerëz, përmbahuni nga fjalët e mëdha (n’hava) për njerëzit e vegjël, përmbahuni nga njollosjet e paqena për njerëzit e mirë se në të dyja rastet errësoni të vërtetën dhe ulni vetën. 

-Shqiptari kah shkon vendlindjen (saçin për flija) me veti e merr.

-Libërshkrues, lexoni libra para se të shkruani libra!

-Intelektuali ndriçues gjithmonë është vetja, nuk shitet as nuk blihet dhe vdekja nuk e vdes!

-Brenda malit mund të shohësh lisat, por jo edhe malin.

-Të jetosh ndershëm është vështirë, por bukur.

-Pema e lirisë mbëltohet me ninullat në djep, ujitet me djersën e mësuesve idealist dhe lulëzon me gjakun e të rënëve!

-Debatet duan dije, argumente e kulturë.

-Kur do të vlerësojnë politikanët pa lëvdata n'hava bashkë partiakun e liderin dhe pa urrejtje e shpifje kundërshtarin. Kur? 

-Sa shumë kem nevojë të kulturohet politika, dhe jo vetëm politika.

-Jetojmë në kohën e gjithçkaje racionale e të llogaritur me laps, prandaj gjithë ata që duan të ju dëgjohet fjala, intervista, lexohen shkrimet, të mos zgjaten e stërgjatën në paraqitjet e tyre. Pak e cak! 

-Edhe populli thotë: Llafet shumë janë fukarallak. Etiketimet e sajuara s'kanë të ndalur me të vetmen tendencë për të barazuar të gjithë politikanët, partitë, liderët etj. se janë: "merre njanin e mëshoj tjetrit" dmth. të njëjtë. Kjo bëhet me të vetmin qëllim të heshtet populli, me moton: "rrini rehat se mirë jeni me neve se ata tjerët janë ma i zi se na".

-Cilado qofshin rrënjët tua, të tuat janë, po hoqe dorë nga to, je fals dhe nuk mund të jesh ai ndryshe që pretendon të jesh.

-Cilado qofshin rrënjët tua, të tuat janë, po hoqe dorë nga to, je fals dhe nuk mund të jesh ai ndryshe që pretendon të jesh.

-Pranimi i etnisë, gjakut e gjuhës prej nga vjen nuk të bëjnë më pak mysliman, katolik, ortodoks ..., përkundrazi të nderon për respektin dashurinë që ke ndaj vetes e paraardhësve tu.

-Avash se bëhet mirë edhe te ne, vetëm sa ta gjejë fijen e lëmshit politika dhe ... i them mikut. S'është në pyetje e humbja e një fije, me kundërshtoi ai, po humbja e krejt lëmshit. 

-Te e kajtmja në modë Simpatizanti partiak nëse do t'i mbet besnik liderit e partisë së tij duhet ndërruar bindjet më shpesh se këmishën. 

-Gjithnjë e më shumë po më mbushet mendja se politika jonë më shumë se gjithçka tjetër është folkloro, rajonalo, vasalo-rrahogjokso-inato-intereso-klanoro-guporo mashtrim.

-Merrni me mend, çfarë qetësi e madhe do të ishte (mbretëronte), sikur të flisnim vetëm për gjërat që dimë.

-Më shumë se trimëri është me dit hallin tënd.

-Arsimimi është i kushtueshëm, mos arsimimi edhe ma i kushtueshëm.

-Durimi edhe hekurin e lodh.

--Në pleqëri nuk kanë rëndësi vjetët, po kënd ke afër.

-Përpara se ta ndryshosh boten, ndrysh veten.

-Pleqëria është privilegj, qe nuk e gëzojnë te gjithë.

-Sinqeriteti është I kushtueshëm përherë, por ne kohe krizash behet edhe me I kushtueshëm.

-Dikur e mira me të mirë të kthehej, tash vetëm dhembjen ta kthejnë, të mirën e mbajnë për veti.

-Ka ndërruar situata: përpara gratë etj. ziheshin te gardhi tash në fb.

-E mira e shkarravinave të mia është se i shkruaj shkurt, krejt shkurt.

-Njerëz, përmbahuni nga urimet me copy paste me foto e të huazuara se janë më pak urime ose hiç urime!

-Asgjë nuk mund të dëgjoni prej setërmbajtësve e varësve të liderëve përtej asaj që mendon lideri.

-Diplomat e titujt e blerë, fituar me servilizëm e pushtet janë DIPLOMA E TITUJ TURPI e faqja e zezë e kombit.

-Kur shitesh s’je më vetja, je zagar i blerësit.

-Gratë më shumë frikësohen prej grave fqinje (shoqeve) kur ju vijnë për vizitë në shtëpi se restorantet prej inspektorit sanitar.

-Nëse do ta bësh diçka mirë e si do vetë, bëje vetë.

-Njerëz, te ne, nuk është e përçarë vetëm politika, por edhe intelektualët, rinia, studentët, akademikët, gazetarët, klerikët bile edhe ata brenda të të njëjtit religjion etj. Në pyetje janë, si te politika: përfitimet, xhelozia, injoranca e inatet primitive!?

-Dëshira e tepruar për përfitime pa zgjedhur mjete ka marrë rrugë. Rrugë nga ato me katër krosi e shpejtësi të pakufizuar. Me asgjë nuk ngopën, lufta për të siguruar me të gjitha djalin e djalit të djalit, çikën e çikës së çikës duke u ankuar pafund se nuk kanë, se rrogat e vogla, se ... Lypin, ankohen ... E kajtmja (ankesa) është lypje, e lypja vdekje thoshim në kohën kur mbetëm pa rroga në vitet 1990-1999 dhe asnjëherë të vetme nuk u ankuam. Tash, e kajtmja, zhvatja si asnjëherë tjetër në modë.

-Në demokracitë e brishta sukseset arrihen kryesisht përmes zvarritjes e dinakërisë.Rrenat më për hava thuhen gjatë fushatave zgjedhore.

-Më shumë se i madh është ai që e di se nuk di.

-Sjelljet e dhunshme me fëmijë etj. të dhunshëm i bënë edhe ata. Kam punuar mbi tre dekada në arsim dhe vëreja se fëmijët kishin gati 100% sjelljet e familjes prej nga vinin dhe në bazë të sjelljeve e dija të kujt janë.

-Bujari, d.m.th. të mbledhësh dashuri e dritë yjesh dhe t'i ndash me tjerët.

-Kam dëgjuar tek flitej në katund tim se para se me ardh partizanet në pushtet paskan premtue: kur të

vijmë ne në pushtet grunin njëherë keni me mbjellë dhe vjet për vjet e veç keni me korr. Kur erdhën edhe miellin në magje naj morën.

-Vetëm këshillat e njohuritë e dhëna të mësuesit me takt, qetësi e bindshëm, sjellja me kulturë e tij, brenda shkollës dhe jashtë saj, buzëqeshja, mbajtja e premtimeve, respektimi i orarit të punës mbeten e nguliten në memorie si shembull pozitiv tek fëmijët.

-GJENI MBROJTËS
Kokëfortësia për të qenë vetja dhe pa bindja; kohës, rrethanave, okupatorit dhe dëshira e madhe për të jetuar thjesht si zog mali brenda llojit të vetë, krejt lirshëm , pa detyrime dhe nën tutelën e askujt është gjeni që na mbrojti nga zhdukja si etni. Në kohë okupimi të bashkuar, kurse në kohë lirie me inate, lakmia e dëshira për të sunduar me çdo kusht e marrë të gjitha meritat për veten, na vonoi në bërjen e shtetit - shtet ku do të duhej të ishim faktor në Gadishullin Ilirik dhe jo vetëm në Gadishullin Ilirik.

-Urim kohe: Uroj ta kesh MERITUAR diplomën, titullin, çmimin, punën, detyrën etj. suksese!

-Puna 33 vjet me ditar në dorë më ka lënë shprehi, (do të doja ta harroj, por ...) më ndodh shpesh i mësoj edhe të mësuarit.

-Nuk mbet institucion, gazetë, shoqatë, klerik, intelektual, akademikë ... i (e) drejtë që mund t'i besohet. Të gjithë u shitën, u shndërruan në setërmbajtësa të dikujt për të fituar privilegje, tituj, pushtet e lekë.

-Burrëri është të shohësh te tjetri, qoftë ai edhe kundërshtari yt, jo vetëm të këqijat, por edhe të mirat.

-Rri shtrembër e fol drejt. (populli).

-Më i vlefshëm është një qortim i sinqertë i njeriut të mirë se njëmijë lëvdata të hipokritit.


-Në modë si asnjëherë tjetër u bë të shkruarit e biografive të mëdha për njerëz të vegjël.

-Brenda malit mund të shohësh lisat, jo edhe malin.

-Gëzimin, lumturinë, rehatinë, gjumin e ëndrrën mund ta gjesh vetëm brenda shtëpisë tënde , tjetërkund kot e kërkon.

-Fushata elektorale nëpër oda

-Oda shqiptare në mungesë të institucioneve të shtetit e lirisë në të kaluarën ishte më se e nevojshme të lozte funksionin e shkollës, zyrës, kuvendit, vendit të marrëveshjeve për platforma politike, luftës për çlirim etj., sot, të shfrytëzohet oda për fushatë elektorale duke pasur shtetin, institucionet, sallat, stadiumet, bulevardet etj. është keqpërdorim i saj.

-Provinciali thirret në krejt gjeografinë e historinë e bashkëkombësve të tij, por me shpirt e dije është në nivel të mëhallës e provincës prej nga vjen, i ngushtë dhe i kufizuar për gjithçka.

-Sa të trasha i kem maskat tregon proverbi: Me njohtë mirë tjetrin duhesh së pari ta kesh hangër nji thes krypë me te. Ta njohësh mirë shqiptarin s'ka nevojë ta hash një thes kripë me te, jepi pushtet dhe e sheh kush është.

-Krijuesi mediokër kur flet për kolegët e tij krijues, për të mbetur vetë i madh, lavdëron e përmend vetëm ata që janë më poshtë se ai.

-Njerëzit me ambicie të sëmurë për të qenë i madh (i parë) edhe kur mbërrijnë të bëhen të kamur, në shpirt mbetën të varfër, xheloz, arrogant e agresiv sidomos me miqtë që ja kalojnë me dije e autoritet, kurse me njerëz prej të cilëve i varet ekonomia (biznesi) vazhdojnë t'ju vardisen e bëjnë temena.

-Parullat edhe kur thuhen e shkruhen haptas kujdes nga to se prapa tyre fshihen pisllëqet nga më të poshtrat.

-Brenda një cikli me poezi mjafton dy-tri prej tyre të jenë pak më shumë se të mira dhe cikli është i mirë, ashtu siç është e mirë poezia që brenda saj, ka qoftë edhe një fjalë (varg) të qëlluar.

-Historinë po nuk e shkrove vetë, të tjerët ta dredhojnë sipas qejfit e interesit të tyre. Duke shkruar historitë e vogla (familjes, mëhallës, fshatit, qytetit etj.), kuptohet me dëshmi e fakte, shkruajmë (kompletojmë) historinë tonë të madhe.

-PA ARSYE 
Në tel. i them djalit pse nuk je paraqit, u bam merak, ku mbete? I rritur jam, o babë, nuk humbi ...dhe për dy -tri ditë që nuk paraqitem s'keni pse të baheni merak ashtu pa arsye! Hee, kështu jemi ne prindërit, i thash, bahemi merak edhe pa arsye.

-Në pushtet zakonisht vijnë njerëz, që dinë të dredhin e zhdredhin, manipulojnë, shtyhen me bërryla, njerëz teneqe, pojo, jopo.

-As shekujt, as okupatorët nuk patën sukses në zhbërjen e qenies shqiptare, tamam kur mendonin ata se mbaruam, ndodhte ringjallja. Në gjene tona kemi një gjen mbrojtës si asnjë popull tjetër.

-Lidhja më e qëndrueshme mes njerëzve është interesi.

-Prodhim kohe: Kanë tituj, po s'kanë vepra!

-Gjetja shkak e gabime për ta ndëshkuar tjetrin (zgjatur veshin fëmijëve), ne shqiptarët i kemi edhe te lojërat e fëmijëve. Ju kujtohet ajo pyetja provokuese e të rriturve për fëmijët: "Çfarë uji i ke dhanë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë?
-Pa hy shtigjeve të panjohura nuk mund t'i njohësh ato.

-Po shkrove për ndonjë vepër të vogël (vepra të mëdha nuk kanë) të rastësishme të mirë të njerëzve me mentalitet mediokër duhesh ta rritësh e bësh më strateg se Skënderbeun, më të përkushtuar për të drejtat e njeriut se Nelson Mandela, më humane se Gonxhe Bojaxhiun etj, po e le më të vogël se të përmendurit, nuk i pëlqen atij.

-S'ka nder më të madh për mërgimtarin sa ta dëgjosh kur flet për politikën, historinë, bëmat e tij patriotike, sportin, artin, religjionin, mjekësinë, me një fjalë për të gjitha. Të flet me kompetencë, bindjen më të madhe se e ka mirë, se i di të gjitha. Sabri (durimi) jonë për ta dëgjuar është më shumë se terapi e ushqim shpirti e mendjeje për njeriun, i cili s'ka me kënd ta çel gojën në shtëpi ose ka po nuk e dëgjon kush.

-Shumica e njerëzve tanë janë me prirje që për një të rënë krahëve, për një pozitë, qoftë ajo edhe për të duk në podium afër liderit, nënshtrohen, përulën e shiten.

-PËRSOSMËRIA
Një piktor sa herë shkonte në vizitë te miqtë, të cilëve u kish dhuruar apo shitur piktura, brushën dhe ngjyrat i merrte me veti se gjithmonë kish për të shtuar ose hequr diçka në to.

-SHOKU I MIRË
Baba më ka pas thanë, shokun e njeh kur ta ndan mollën. Nëse pjesën e madhe e merr për veti: Hiqu prej tij. Ende po pres me gjet një shok (mik) që pjesën e madhe të mollës ma ndan mue!

-Këto ditë një shoku im i mirë, në kërkesat e tepruara të njerëzve të pafytyrë u përgjigj me thënien e popullit: “Ha bukë e le vend për ujë”!

-Vetë lavdërimet për tu shitur sikur je i madh, hapë sytë e tjerëve të të shohin ashtu siç je: i vogël, i ulët, hiç dhe mendjemadh.

-Në profilin tim kam në miqësi një kategori miqsh që lexojnë (shohin) çdo postim timin, por nuk thonë keq edhe kur ju duket keq, as nuk thonë mirë edhe kur ju duket mirë: keq, ju vjen keq, mirë, s’ju vjen mirë. Kryesorja më lexojnë, jam nën vëzhgimin e tyre, kjo ka rëndësi.

-E keqja është se dobësitë mikut e shokut ia themi pas shpinës, bile edhe të fryra, lavdet (të shumtën e herëve) false në sy. Do të duhej të jetë e kundërta.

-Martesa është zinxhirë në qafë, varet prej të martuarave sa do të jetë i rëndë ose i lehtë. (s.a)

-Kur kish pas vdek i pari Shkodrës, këtyne herësh, shkodranët paskan kënduar:: Mori Shkoder të mori gjoli, mbete n'dorë të Hasan Kokolit.

-Në modë sot janë, si asnjëherë tjetër: çervish antologjitë, mbrëmjet poetike – kanagjegji , akraballëk ndarje çmimesh, përfitimesh e zhvatje fondesh të shtetit, këngë cullako tallava dhe selfie inato -intereso koalicionet.

-Nuk gabojnë asnjëherë ata që nisen nga vetja!

-Rrallë ose fare nuk flas për sukseset e veprat e mia, më tha këto ditë një mik, thjesht nuk dua t’i shoh tek zverddhën, ju zihet fryma e mbetën pagojë xhelozët rreth meje.

-Shteti tamam shtet edhe mediet i ka tamam. Kam dëgjuar se qeveritë në Angli financojnë gazetën e vetë për ta kundërshtuar qeverinë për lëshimet, parregullsitë, gabimet etj., por gjithmonë me realizëm. Te ne mediet janë ose pro ose kundër. Ato pro me kokë në thes thurin vetëm lavde, kurse ato kundër më shumë shajnë e shpifin se tregojnë dobësitë e njëmendta të kundërshtarit.

-Dëgjove, i hëngër fjalët Kryemadhi! E kam dit që i ha dhe i luan, se, gjithmonë më fol për fytyrë e ndershmëri.

-Foto selfie, dashuri selfie, politikë selfie, gazetë selfie, zbulime selfie, krejt selfie .... tatari na raft në fije! Lëmsh e bëmë gjuhën!

-Të ardhurit në pushtet (të cilitdo krah, ngjyrë qofshin ata) me dredhi, shpifje, sharje për kundërshtarin, premtime në hava, pa programe pune të sinqerta, lëmsh e bëjnë shtetin.

-Asnjëherë budallallëku nuk u vlerësua si tash.

-Shqiptari, xhelozinë e smirën i ka vetëm për të vetin.

-TË GJITHË
Jetoj me një shtet konglomerat popujsh, kulturash, racash, veshjesh, fesh e gjuhësh dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë ushqehen, festojnë, luten, jetojnë sipas traditave të tyre, por pa e penguar tjetrin dhe të gjithë janë të detyruar që nga kryetari e kryeministri, i punësuari e i papunësuari, i pasuri dhe i varfëri, nxënësi e studenti, ushtari e polici, fetari e ateisti t’i kryejë detyrimet deri më një ndaj shtetit.

-Shumicës së njerëzve u mungon sensi i masës , janë patetik e fals, sidomos për lëvdata në hava, vetëm ashtu "hajt sa me ta ba qejfin” , qoftë edhe kur krejt ndryshe mendojnë!

-Thonë se kur bëhen bashkë dy e më shumë njerëz edhe mund të xhelozojnë e grinden mes tyre, dy e më shumë kabashë, kur bëhen bashkë, kënaqen me humor e llafe.

-Japonezi, punën që bën tjetri, thotë; pse nuk e bëj edhe unë, punën që nuk e bënë askush, thotë; pse nuk e provoj ta bëj unë. Ne shqiptaret, e bëjmë të kundërtën. Punën që e bënë gjithkush, themi; pse ta bëj edhe unë, punën që nuk e bën askush, themi; s’kam si ta bej unë.

-Në Ballkan dimër përherë është për popujt, pranverë e verë e kanë vetëm mashtruesit, puthadorët dhe analfabetët e veshur me pushtet...

-Me rrush e çika të reja, gjithkush të ban konak!

-Baba jem, thoshte, kur ta bajsh nji punë, bane ashtu mirë, që puna me u dridh prej teje, jo ti prej punës.

-Në bazë të një individi nuk vlerësohet populli, kombi, grupi, rajoni që i përket atij, por në bazë të popullit, kombit, grupit, rajonit të cilit i përket mund të vlerësohet individi.

-Kohë e qullët, asgjë më nuk mbet drejt në këmbë!

-Dy mënyra përmes të cilave hapen rrugët e suksesit; t’i thuash të bardhës e zezë, dhe të zezës e bardhë.

-Ta vlerësosh tjetrin krejt zi, i zi je edhe vetë.

-Në politikë fitojnë njerëzit, që lëpihen.

-Lideri politik (tamam lider) për ta udhëhequr shtetin duhet të jetë i votuar përtej mëhallës, përtej katundit, qytetit, partisë e rajonit të cilit i përket.
-Faqet e internetit, FACBOOK etj. janë privatësi aq sa është edhe kafazi i artë (shtëpitë) në lojën BIG BROTHER. Dhe mirë që është kështu, çdo gjë transparente

-Kur ke shtetin (ama tamam shtetin) ke te gjitha: ke lirinë, punën, kombin, fenë, shkollën, shëndetin, të tashmen, të ardhmen, rregullin e qetësinë.

-Të folurit (shkruarit) qetë e me kulturë, vetëm teveqeli e merr (lexon) si frikë.

-Hapa albumin e fotove dhe po shikoja. Sa mirë më dukej veta në fotot e rinisë dhe për të mos u demoralizuar më këto fotot e fundit i lash t’i shoh mbas disa vjetësh.

-Mos më kërkoni në gjeti, në shkrimet e mia më gjeni, aty jam, krejt qysh jam.

-Kur ishim të varfër ushqimin më të shëndosh e kishim, ndonjëherë edhe i pamjaftueshëm, por kurrë nuk hëngrëm mish, pemë e perime të rritura, pjekura e ruajtura dhunshëm me preparate kimike .

-Kam dëgjuar se Luksemburgu nuk kish universitet, po ekspert, kuadro profesionistë me udhëheq shtetin si është më se miri i ka me bollëk. Kosova në secilën mëhallë ka hap fakultete po kuadro e ekspert pak ose hiç. Veça dynjas jemi dhe pikë.

-I bardhë si bora në maje mali me qenë, i ligu të zi të sheh!


-Mediokreti është ose servil ose arrogant dhe kurrë vetvetja.

- Gjithsecili ka një mall, mërgimtari ka plus edhe vendlindjen.

-Në demokracitë e brishta populli me votën e vetë të lirë zgjedh “shërbëtorët” e tij mbretër.

-Në emër të kulturës, kohës e emancipimit ose vetëm se mundet, ta torturoj e ul poshtë gruaja burrin, burri gruan nuk është kulturë e përparim, por është primitivizëm e mjerim.

-Në tokat shqiptare kush vjen në pushtet me te fillon rilindja, shteti, historia, përparimi, demokracia ... dhe kështu gjithmonë jem në fillim të bërjes shtet.

-Shqiptarët më shumë janë proletarë e internacionalistë se shqiptarë.

-Punë inatesh; elektoratin e partive shqiptare më shumë e gëzon humbja e partisë kundërshtare se fitorja e partisë së tyre.

Ata, që nuk nguten, mund edhe të mos fitojnë, por nuk humbasin kurrë

Kryefjala dhe fjala kyçe e programeve të partive shqiptare janë: premtimet n’hava, sharjet, shpifjet e trillimet për të përlyer e njollosur sa më shumë kundërshtarin e krahut tjetër.

-Keq që njerëzit e kulturës mësuan nga politika hipokrizinë dhe krejt njëjtë udhëheqin kulturën, si politikanët politikën.

-Pothuaj çdo herë i pa njohuri pritet si është i veshur, por përherë përcillet sa është i ditur!

-Analistët (shumica) janë plafa të paguar për të mbajtur nxehtë e mbuluar rrenat politikës!

-Shtëpia dikur ish e Zotit dhe e mysafirit, sot janë shndërruar në muze dhe shfrytëzohen vetëm me fjet në to. Ndejat, dasmat etj. në restorant.

-Po t’u larguan miqtë, reflekto për gabimet tua, qofshin ato edhe pa dashje!

-Gjithsecili po ta mbronte tjetrin nga vetja të gjithë do të ishin të mbrojtur!

-Po vërejtët ndonjë mik timin të jetë larguar nga unë, ju bëj me dije se faji nuk është i imi.

-Nga unë të ruaj unë.

-Politikanët në të kaluarën nxjerrshin (gënjenin, avancoheshin), duke u mbështetur te shoku Enver, shoku Tito , “idealet” e partisë në pushtet, tani kur të përmendurit nuk janë më, mbështetjen e gjejnë në folklor patriotizëm, blerja me para e titujve, korrupsioni, inkuadrimi në Bashkësinë Evropiane, “demokracia “, shpifjet për kundërshtarin, arroganca etj. dhe rrallë ose hiç, te puna, ndershmëria , profesionalizmi e dija .

-Kur të bëhesh për vitra edhe të keqit i dhimbesh!

-Atdheu është si buka; mjerë ata që nuk e kanë, e mjerë ata që e kanë e nuk e duan!

-Ai, që hyn në politikë me u pasunue, nuk është politikan, po matrapaz.!

-Mjerë populli i shtetit ku Kryetari është shteti e shteti Kryetari!

-Sorrën kurrkush nuk e mban n’kafaz!

-Dielli i ngroh edhe të pafytyrët.
-Ja si e ndan prenë i forti: N’dash unë kaprollin e ti lepurin. N’dash ti lepurin e unë kaprollin, zgjidh!

-Ora si ajo prej plastike, metali, ari e diamanti kohen e mat!

-Me t’keqin mos ngul kunja!

-Shqiptari kundër cilësdo fe brenda shqiptare që flet, flet kundër vëllezërve të vet!

-Jo gjithsecili mashkull është burrë, jo gjithsecila femër është grua!

-Servilët si në diktaturë, si në demokraci temena u bëjnë të mëdhenjve!

-Shkrimtari i madh Çehov, ka thënë: çelësi i suksesit është shkurtësia e mendimit. Këtij mendimi i përmbahem kur flas e kur shkruaj, kuptohet për sa di.

-I mjerë është ai që i duhet ta fsheh të djeshmen për shkak të së sotmes.

-Në mungesë të armikut të përbashkët (në kohë paqeje), njerëzit nisin luftën edhe më të ashpër kundër njëri–tjetrit.

-Krejt punët, punë donë.

-Kam pa shumë më shumë qytetarë në katund se qytetarë në qytet.
-Sulltanëve, carëve, t’kuqëve të pabesë u qëndruem në besë dhe ...!


-Mos beso nëse flet vetëm keq politikani për politikanin, në pyetje është karriera, nëse flet vetëm keq poeti për poetin, kleriku për klerikun, mjeku për mjekun, sportisti për sportistin mos beso, në pyetje është smira.

-I ligu është rob i të madhit, tiran i të voglit.

-Vetëm ne shqiptarët, budallës ia lëshojmë udhën!

-Për të fituar shteti e populli duhet të jenë të mirë edhe pozita edhe opozita. Neve shqiptarëve gjithmonë na mungon njëra ose të dyja.

-Njerëzit nuk janë ashtu siç i vlerësojnë miqtë, as ashtu siç i vlerësojnë armiqtë.

-Liderët opozitarë të etur për ta marrë pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish e bëjnë edhe më të etur pozitën për ta mbrojtur me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish pushtetin.

-Shyqyr Zotit me rastin e urimeve për festat u hoqën fjalët: "Festën tjetër e festofshim në shtetin e lirë të Kosovës.".

-Me u ba zengjin me punë të ndershme krahu, hamalli ish ba ma zengjini prej krejt zengjinëve.

-Keq, që njerëzit e ditur, të përgjegjshëm e të mirë nuk kanë gjë në dorë.

-Pa u ba keq, nuk bahet mirë.

-Kujdes, ata, që ta bajnë rrafsh, të dalin kodër!

-Rrezik është me dit shumë.

-Gjithsecili i thotë vetës se është dikush, po dikush thotë ma shumë se sa është dikush, këtu qëndron e keqja.

-Racës sonë kurrë nuk i kanë munguar burrat. Sigurisht që kem me bollëk edhe bura, që u ka ra njëra "r", duke vrapuar pas lavdit e interesit personal.

Nga libri "Letra anegdota e aforizma", Gjilan, 2013, Sabit Abdyli
PS: Plotesuar edhe me te tjera me vone.

Monday, 27 February 2017

“TYBE KËTA VEÇ KABASHË JANË”…

Fjala e  Lire, Shkoder.net...



Nga Isak Ahmeti
Libri më i ri: Tybe këta veç kabashë janë (2016), i autorit Sabit Abdylit, është një libër me vlerë për fushën e letërsisë dhe folkloristikës, është libër i shkruar me përkushtim ku paraqitet trashëgimia gojore e Kabashait të Anamoravës. Trashëgimia e kësaj treve, sipas autorit të këtij libri, por edhe sipas recensentit, Dr. Jakup Sahitit, është burim i pashtershëm frymëzimi, vetëdijeje e vetëmohimi ku gjallërohen, portretizohen e përjetësohen aftësitë krijuese të njeriut krijues të kësaj treve.
Pak biografi
Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në Viti. Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare e kreu në Prishtinë. Pas luftës(1999), Sabiti, bashkë me familje, u vendos në Zelandë të Re. Atje vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista, që dalin në gjuhën shqipe. Deri tash ka botuar këto vepra:
1. Kabashi i Anamoravës, 1997 (monografi),
2. Ankthi i pranverës ’99, Prishtinë, 2004 (libër-dokumentar),
3. Kohë e lumtur, Prishtinë, 2005 (libër me poezi),
4. Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, prozë, poezi, dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re, Auckland, 2010,
5. Letra, anekdota, aforizna, Gjilan, 2013,
6. Na Kabashi jemi t’ndamë nji zjarmi, Gjilan, 2013,
7. Dallgë malli (poezi, prozë), etj.
Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se Sabiti, që nga vendosja e tij në ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.
Librit: Tybe këta veç kabashë janë, i paraprin një Parathënie e autorit (fq.5-7), ku autori ka shtruar çështjen e kësaj trashëgimie gojore dhe problematikën e studimit, poashtu edhe metodat dhe rrugët e këtij projekti shkencor. Duhet theksuar se kjo është një trashëgimi e mirëfilltë gojore e mbledhur në Kabashin e Anamoravës, me ç’rast, personazhet e skalitur mirë e bindshëm, na dalin si heronj të poemave kreshnike (Dr. Jakup Sahiti, fq.108).
Këta nuk janë heronjtë e kreshnikët e Jutbinës e të Klladushës, por janë heronjtë dhe kreshnikët e Kabashit të Anamoravës, që kur vjen puna për atdhe, për komb e për fe, nuk kursejnë as jetën. Nga trashëgimia e mbledhur me aq përkushtim e pedantëri, mësojmë për karakterin, mentalitetin, qëndresën, dëshirat dhe virytet e këtyre heronjve dhe kreshnikëve që, pas leximit të këtij libri, të ngelin thellë në kujtesë Dallohen sidomos thëniet e tyre të qarta dhe interesante, mahitë, dialogët tërheqës, urtitë e rrëfimtarëve siç janë: Ruhan Abdyli, Saqip Misini, Jahi Selmani, Miftar Osmani, Haxhi Isuf Mustafa, Hamëz Rexhepi, Haxhë Azemi, Rexhep Zeka, Rexhep Sadiku, Jakup Osmani, Ilmi Sallahu, Idriz Sallahu, etj.
Është me rëndësi të theksohet se autori në fjalë, Sabit Abdyli, si një ndër kuadrot e dalluara të Kosovës në fushën e arsimit, të shkencës e të kulturës, me mjaft përkushtim e kujdes ka shfrytëzuar praktikat e ligjeve folklorike. Ai ka qëmtuar me shumë kujdes fakte, shembuj dhe fjalë të urta popullire, ka trajtuar në mënyrë të veçantë doket dhe zakonet e popullit tonë, shprehjet dhe begatitë proverbiale që kanë gjallëri dhe dinamizëm, pastaj thëniet e goditura fuqishëm, që kanë një forcë shprehëse të papërsëritshme, do thoshim, e që përbëjnë mësime e mendime të përgjithësuara të nxjerra nga jeta dhe goja e popullit.
Kjo, prandaj, siç është vënë re edhe nga recensenti, Dr. Jakup Sahiti (fq.109), është një pasuri më vete, një gurrë e pashtershme e atdhedashurisë, e traditës, e dokeve dhe zakoneve, e përmasave popullore e kombëtare, e urtësisë, e mençurisë, e filozofisë shpirtërore e morale të popullit tonë dhe e mendimit të psikologjisë së tij.
Krejt në fund le të theksojmë në mënyrë të veçantë se autori i këtij dhe shumë librave të tjerë të botuar(por edhe në dsh), me përkushtim vazhdon punën e tij të vlershme në fushën e letrave shqipe dhe, me shumë mall, dashuri e nostalgji, këtë libër ua kushton: “Kabashëve të mi të mirë e bujarë, trima e të fisëm“.

Thursday, 26 January 2017

Në mes të dy kufijve të dhunshëm


(Të lodhur e të rraskapitur nga peripecitë, shtrëngatat, streset, mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë.)

Zona neutrale. Zone e kufirit të dhunshëm:  një vend i sheshet, me një peizazh të mrekullueshëm, me natyrë të lulëzuar, përreth kodra gjelbëroshe, që dukeshin si të pikturuara nga një dorë mjeshtërore, ndërsa pak më tej, në të dy anët e kufirit, lartësoheshin malet, në maje ende të mbuluara me borë, që vëzhgonin dhunën aq të egër, etnocidin, i cili bëhej kundër shqiptarëve, në prag të mileniumit të tretë. Në këtë vend kaq piktoresk, shiheshin gjurmët e eksodit të dhunshëm, shiheshin gjurmët e pritjeve të stërzgjatura të të përndjekurve, copa najlonash, kavanoza, konserva,   shishe të zbrazura, miell i derdhur,  patate, batanije,  rroba fëmijësh e të rriturish lidhur me çarçafë,  pastaj të hapura me forcë, të shpërndara gjithandej, çizme llastiku, këpucë, çorapë, triko... tualeti i improvizuar, një traktor me njërën  gomë të rrotës së madhe të shfryer, me një qerre të kapur prapa, brenda kanatave podiumi i shtruar me kashtë,  një batanije e shqyer e mbetur në bisht të qerres dhe gjësende të tjera të braktisura, që i kanë përdor të përndjekurit ditëve me të reshura.  Moti ishte me diell, një diell i passhiut sa të zihej fryma. Një tufë zogjsh ogurmirë fluturonin sa andej sa këndej  kufirit të dhunshëm.  Te bashkudhëtarët vëreja një buzagaz të pikëllimet, një krenari të plagosur, një frymëmarrje më të shpejtë, më të thellë. Aty takojmë të përndjekur tjerë (kryesisht gra e fëmijë ulur mbi valixhet e tyre) që ta ndrydhnin shpirtin dhe mendjen, kur i shihje duke i hëngër buzët, duke shfaqur dhembje  për  ah-et dhe uh-et, pale kur i shihje me fytyra të zymta, të humbura, kur i shihje me kapakët e syve të rënduar nga pagjumësia... në mesin e tyre edhe  kabashë, që prisnin për ta kaluar kufirin. Na bëjnë me dije se edhe ata, si ne, e kishin bë të njëjtën rrugë me autobus dhe kishin paguar nga 30 DM. për person. Të lodhur e të rraskapitur nga mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë. Sjelljet e policisë maqedonase ishin tejet fyese, por ishin të kujdesshëm  që të mos bien në sy të medieve të huaja e punëtorëve të UNHCR-it.  Pas katër orësh pritjeje në rresht, e braktisëm një pjesë të tokës sonë. Në mënyrë të organizuar  me autobus  të UNHCR-it na dërguan në Tetovë, në një objekt turistik, i quajtur “Teleferiku”. Objekti ishte improvizuar për pritjen e refugjatëve. Brenda ishin shtruar dyshek sfungjeri për fjetje, kurse jashtë ishte një ambient i shkëlqyeshëm për pushim. Aty shqiptarët vendas na ofruan ujë, bukë dhe ndihmë mjekësore. Deri në mbrëmje gati u zbraz vendi, ku ishim vendosur. Familjet tetovare vullnetarisht i merrnin kosovarët në shtëpitë e tyre. Në Tetovë vumë kontakt me telefon, pas 36 ditëve me vëllain në gjermani, djalin në Belgjikë ...  Një çudi e vërtetë, një gëzim i pa përshkruar, kur dëgjojnë se jam  gjallë.
Me të dëgjuar përmes medieve private në gjuhën shqipe: TV “Hana”, TV “Toska”, TV “Era” se kemi ardhur, sakaq, kosovarët nga Shkupi, Gostivari, Haraçina e katundet tjera të Tetovës erdhën  për të shikuar se në mesin e të të përndjekurve do t’i gjejnë të afërmit e tyre: kush djalin, kush prindërit, kush gruan, burrin, mikun, hallën, nipin, mbesën, shokun...erdhën për të mësuar për gjendjen në territorin prej nga vinim, për të mësuar më  drejtpërsëdrejti për të vrarët, për bombardimet, për shkatërrimet, masakrimet, për qëndresën, për të kidnapuarit, për të humburit, për...
Në hyrje, jashtë e brenda hotelit, rrëmujë, pështjellim, zhurmë, përshëndetje, shtrëngim duarsh, përqafime, lot, rrudhje krahësh, ngulfatje, shikime drejt në sy, oqean pyetjesh, përshkrime të detajuara për maltretimet, torturat, vrasjet, plaçkitjet, zhvendosjet me dhunë, ndarjet...  Diku kah mesnata,  për herë të parë mbas 43 ditëve e vura kryet në jastëk. Gjumë nuk bëra, mendjen e kisha atje. Atje, përtej kufirit, më bëhej se i dëgjoja lehjet dhe ulërimat e qenve. Medet! Natë është! 
Natë... 
Nga libri ditar "Ankthi i Pranveres", Prishtine, 2004, S. Abdyli

Tuesday, 24 January 2017

“Evropa e rrëzueme e pusueme…”

                                 
(Fragment nga libri ditar "Ankthi i Pranveres '99, Prishtine, 2004, S. Abdyli)
30 prill ’99
Me autobus urban nga Pozharani, në orën 9,00 u nisëm... Nisje e ankthshme, e trishtueshme. Psherëtima, lot, mallkime... Brenda në autobus, mbi 70 veta, kryesisht,  gra e fëmijë. Rrugës nuk  lëvizte asnjë automjet, vetëm diku në afërsi të Ferizajt në anën e kundërt tonën  shkonin dy kamion të mëdhenj me rimorkio, me regjistrim të Vrajës, të ngarkuar me bagëti. I mllefosur dhe me një  mbingarkesë në mendje, për t’i regjistruar të gjitha mizoritë, për një hop, sikur dola nga  autobusi, jashtë tij e t’i  shihja idiotizmat, shtazëritë, shëmtitë, barbaritë e barbarëve. Ashtu i përhumbur vazhdoja soditjet, pa vënë re ankthin, trishtimin e bashkudhëtarëve në autobus.  
Posa e kaluam udhëkryqin, te Gërlica (Gureza), djali, (Pajtimi) me gjysmë zëri më thotë: “Babë, e paskan rrëzue “Evropën”! Fjalën e kishte për Motelin e bukur, i ndërtuar që moti me emrin “Evropa”, në të shkuar të Ferizajt, në drejtim të Shkupit. Një nënë, së cilës i kishin mbetur gjallë vetëm sytë dhe shpirti, me dy fëmijë /të voglin e mbante në gji, kurse tjetri, paksa më i madh, i rrinte i kapur për supin e djathtë/, aty përballë meje, me të dëgjuar fjalët e Pajtimit, “u rrëzue Evropa”, tha:: “Evropa e rrëzume e pusume, masi në zemër të saj po lejon këta  me vra e me pre”. 
Rrugës lamë katunde të boshatisura, me shtëpi të rrënuara, të djegura, me mure të nxira nga tymi e flaka, të plaçkitura, bagëti të vrara, vetura, traktorë të lënë rrugës, hendeqe mbrojtëse,  paramilitarë, rezervistë, civilë  (dukeshin sikur sot kanë dalë prej shpellave), të ngarkuar me gjësende të vjedhura, qenë e kuaj të vrarë në hyrje të shtëpive,)*12 grafite të shkruara me alfabet kryesisht cirilik, kundër shqiptarëve dhe NATO-s, topa kundërajror prej llamarine (kartoni) në vende të sheshta për t’i mashtruar avionët e Aleancës. Asfalti, vende-vende  i dëmtuar nga zinxhirët e tankave të ushtrisë serbe. Diku në afërsi të Glloboçicës (Qafëshkabës) shohim një lopë të ngordhur, në të vërtetë të masakruar skaj rrugës. Sipër saj lëshoheshin dhe ngriheshin me krrokama trishtuese tufa korbash. Ata që e panë, u shtangën dhe si në kor lëshuan zëra të paartikuluar dhembjeje e trishtimi. Në largësi 50-60 m. nga ajo pamje e llahtarshme vërejmë sadistët serbë, të fshehur në llogore të nëndheshme, që vëzhgonin me tejqyre, ndërsa sipër birucës së tyre një zhgan tjetër, paturpësisht parfumohej në avullin e shurrës së tij. Afër vendstrehimit, në një lis të zgavërt  përbrenda, e priste terrin një kukuvajkë. Autobusi i stërngarkuar mezi ngjitej malit përpjetë, duke gjarpëruar rrugës zigzage të fshehur mes drurësh shkoze të lartë  e gjetheshumë. Brenda në autobus mbretëronte një makth, një qetësi bezdisëse, një mërzitje, një huti, një... dhe të gjithë e kishin hallin se kah do të na përplas furtuna e luftës, si do ta kalojmë kufirin. Dy anëve të rrugës plot makina të mbetura. Mundohem t’i numëroj, por nuk mundem dot, ato janë shumë. Në atë det makinash të plaçkitura, në anën e majtë të rrugës, me dyer të hapura, e demoluar, e njoha veturën me targa: PR.143-633. Djersë të akullta ma mbulojnë ballin. Po, i zoti i veturës! Familja e tij!? Kushtrimi, Rrezarta, Albulena..!!  Çka u bë me ta?  Ku janë? 
Heu, them me vete, edhe ky katund i djegur, i braktisur. Lopë , kuaj, gomarë të lënë, të dobësuar, të lodhur, të bërë asht e lëkurë, pa ushqime dhe kujdesin e njeriut, ishin mbledhur rreth një shkurre, që sa kish nis të dushkojë, zgjateshin qafën me përtesë për t;’i kapur filizat e sapodalur. 
Dolëm nga autobusi. Të përcjellur nga një kordon i gjatë policësh, dy-tri  hapa larg nesh, grupe-grupe sipas familjeve, në rresht për dy, kufirin e kaluam pa vështirësi. Përballë barakës së doganierëve, dy veta, mbanin evidencë për numrin e të përndjekurve  dhe gëzoheshin për realizimin e skenarit, pikë për pikë të akademikëve serbë për depërtimin e shqiptarëve nga Kosova. Sjelljet “me kulturë” na habitën, por si duket: doganierët, policët si dhe ushtarët serbë ishin ngopë me plaçkitje, grabitje, arrestime e dhunë ose kjo ishte një marketing për ta stimuluar ikjen, zbrazjen e Kosovës.  Në dalje, një polic,  dhëmbënxjerrë, me kokë të rruar,  muskuloz, fytyrëvrarë, sytë plot urrejtje, turfulloi: “Kurrë më s’keni për ta parë Kosovën”. Fjalët e llomështit, kolona e të ndjekurve i përcolli  me një vështrim shpërfillës e indiferent.


Friday, 20 January 2017

Në Shkup

Marr nga libri "Ankthi i Pranveres '99", Prishtine, 2004. Sabit Abdyli
(Ditar mbajtur gjate luftes mars-maj, 1999)

1, maj
Në orën 11.00, nga Tetova  “fluturojmë” me dy makina ( Ekremit dhe Ibrahimit) drejt Shkupit, unë me bashkëshorten dhe Ferati me familje, kurse Dritoni, Zejnia, Flutura, Alma,  Pajtimi, Bardhi një natë përpara kishin shkuar në Shkup.   Dhe, është një udhëtim i këndshëm, përkundër lodhjes, trishtimit e molisjes së madhe. Flasim për lokalitetet, vendbanimet në të dy anët e autorrugës Tetovë -Shkup me popullsi autoktone  shqiptare, për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura, për  Universitetin e Tetovës, “demokracinë” në Maqedoni, për fushën e punuar, për mbijetesën, mbishkrimet me alfabetin cirilik, vështërsitë... për Shkupin, qytetin-port, qytetin-korridor prej nga shqiptarët u shpërndan në katër anët e botës.
Sa kisha filluar t’i zë kujtimet e dikurshme të jetës studentore në Shkup,  në vitet 1966-1968, makina  u ndal në Rrugën: “Pere Toshev”. Mezi  gjejmë vend për t’u parkuar. Në trotuar e në rrugë luajnë shkujdesur shumë fëmijë. Shikoj me kureshtje lagjen dhe vërej: po ato shtëpi përdhese, të ulta, brenda të mobiluara shumë thjeshtë, por me shije, të pastra, mikpritëse, të vogla, të shtuara, të stisura afër njëra tjetrës, të mbuluara me copa teneqesh të ndryshkura,  po ato dyqane, po ato garazhe, po ato kantonjere të mbushura me hedhurina, po ata njerëz, po ato trotuare të ngushta, po ato rrugë të zhurmshme, që i kam njohur, i kam shkelur edhe më parë kush e di sa e sa herë, i kam dashur. Në anën veriore ( 100 metra larg ) të lagjes ngrihen apartamente të bukura shumë katshe, përgjatë Rr. “Xhon Kenedi”,  në juglindje (1-2. km.)  është Bit Pazari dhe rruga kryesore që shkon në drejtim të Hanit të Elezit,  në verilindje “Çairi”, lagje e banuar me popullsi shqiptare, kurse në lindje, aty fare afër, është Shkolla fillore “Dame Gruev”.
Nisem me nguti rrugicës sokakut të ngushtë, drejt shtëpisë dy katshe nr.34A. Si gjithmonë dera është e hapur. Brenda në shtëpi nuk më bëjnë  përshtypje  refugjatët e shumtë (32), me fytyra të përhumbura e kureshtarë.  Është diçka tjetër që më shqetëson dhe nuk gjej forcë për ta kapërcye shqetësimin. Motrën time, të madhën, e kërkoj anë e kënd shtëpisë. Ndjej një trazim, një ngulfatje, një zbrastirë... Ka shtatë muaj që ajo nuk  është  në mesin e të gjallëve. Trupi saj prehet në varrezat afër Bllacës. “Në Bllacë, më thoshte, dua të varrosem sepse, atje e kam më afër Kosovën.”
Pas dy ditë qëndrimi te Ekremi, bashkë me Faketën u vendosëm te nëna e Feimit “Mëhalla e Karadakut”, Ferati te Ajet Muharremi “Gazi Babë”, Dritoni te Selajdini, kurse Teuta në “Çair” te Gazi. Nëna e Feimit na priti me bujari. Bujar e zemërbardhë u tregua  Beçoja me familje, Ajeti  me të shoqen, Ekremi Gazi, Selajdini...
Qyteti i Shkupit që më parë ishte përgatit për pritjen e refugjatëve. Punët rreth  sistemimit, ndarjes së ndihmave (në Shoqatat humanitare) e bënin shqiptarët vendas. Stafet dhe punëtorët në shoqatat, si “El Hilal”, “Kalliri i mirësisë”,  “ Kryqi i kuq”, “Oxfom” etj.  me përkushtim, me zemër, me dashamirësi e disiplinë ua zgjatën dorën e ndihmës bashkëkombëseve të tyre, të përndjekur nga Kosova. Kishte  raste kur para depove për ndarjen e ndihmave krijoheshin tollovi, zënka, shtyrje, duele verbale...  por gjërat tejkaloheshin  me kujdes.
6 maj,
Erdhi Sahiti. Nga ai marrë informatë se  Arafati e Astriti janë në radhët e UÇK-ës.  Edhe Sahiti dëshironte me çdo kusht të hynte në Kosovë, por e ndala duke bindur se hyrja në vendlindje /Viti Kabash/ për momentin ishte e panevojshme, dhe shumë e rrezikshme, Sahiti, dikur hoqi dorë. Qëndrimi i tij në Shkup ishte me plotë shqetësime për nënën, vëllain me familje e djalin në Kosovë, djalin tjetër, ushtar i lirisë, i sistemuar diku në malet e Pashtrikut.. E ngushëlloja vazhdimisht duke thënë se liria, gjithmonë kushton shtrenjtë.  
7, maj
Në lokalet e policisë (në Shkup) shkova për t’u paraqitur si i dëbuar, si refugjat apo, kudi si çka... Padyshim ishte një tollovi e madhe, një pritje e mundimshme. Në sportel, një polic i përjargur, arrogant e shovinist, për hiç gjë, më nxjerr nga rreshti, pikërisht në çastin kur pas dy orë pritje, më erdhi radha edhe mua për t’i dorëzuar formularët për paraqitje. Mirësjellje nga polici maqedonas nuk prisja, por ajo që më lëndoi ishin fjalët e një  mjerani – shqipfolës që ishte një bullafiq, thjesht një kolaboracionist. Ai mbante gojën vesh më vesh duke lëmuar mustaqet e holla si bishtmiu. Me një vështrim përulës, por edhe për t’ia bërë qejfin kolegut të tij maqedonas, më tha: “Ene /edhe/, ju kosovarët jini shumë dosadno /të mërzitshëm, të padurueshëm/”.. Medet! Lozë e keqe, poltron... Eh, kur do të pushojë kjo “racë” e shqiptarëve për të qenë poltron dhe shërbëtor të të tjerëve, dhe në këtë mënyrë, armike e vetë shqiptarëve? Dal nga stacioni i policisë pa kryer punë.
Nëpër rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë takoj shumë bashkëvendës: Sinanin e Rexhepit, Muharremin e Xhemajlit, Rexhepin e Hamzës, Salihun e Dostanit /me vendbanim në Shkup/, xha  Sylën, Osmanin, Beçirin, Muhametin, Ademin.../me vendbanim në lagjen e  Sarajit/ dhe të cilët shtëpitë i kishin deng, me refugjat. Takoj gjithashtu, Sebë Gashin zejtar i pavarur, kishte një punëtori /sharrë elektrike/ në Shkup për përpunimin e drurit, i cili me të gjitha forcat e tij ishte vënë në shërbim të të përndjekurve. Kënaqësi e veçantë për mua ishte takimi, me  ish profesorin tim, Hamza Rekën /pas 32 vjetëve/,  me Tahir Hodën, shok i studimeve, i cili sa mori vesh se jam në Shkup erdhi nga Struga. Takoj gjithashtu edhe  shumë kurbetçinj (kabashas) të ardhur prej shteteve perëndimore për ta ndihmuar familjen: (Fadili i Halimit, Xhelali i Kadrisë,  Elezi i Smajlit, Hyrmeti i Zeqës, Bekimi i Ramushit, Agimi i Mejdisë, Naimi i Nuhisë, baba i Zefit, vëllau i Tadejes etj). Të gjithë flasin, tregojnë peripecitë e tyre, pyesin të shqetësuar për anëtarët e familjes që i kanë në Kosovë, për qëndresën, për kabashasit ushtarë të lirisë, në UÇK: Arbenin e Mustafës, Astritin e Dautit, Arafatin e Sahitit dhe Xhemilin e Shabanit,)*19 për të ardhmen, për klasën politike shqiptare, për vrasjet, për ikjet e dhimbshme në Evropë, Amerikë e Australi, zhvendosjen dhe janë shumë të brengosur që nuk kanë bë më shumë për Kosovën, por i mban një fije shprese se fundi do të jetë i gëzuar.
9, maj
Derisa po i dëgjoja lajmet e fundit të ditës për tmerret, lemeritë, marrëzitë, vdekjet, bombardimet, qëndresën në Kosovë, zonja e shtëpisë B. më bënë me dije se po të kërkon dikush në telefon: “Kosovar është, - më thotë ajo me një zë, disi të shqetësuar. Ç’është kjo thirrje në këto orë të vonshme të natës, mendova.  I afrohem telefonit me droje. E dëgjoj  zërin, matanë.
-“Alo”
-“Sa u ktheva prej maternitetit, spitalit të Tetovës…,” thotë ai.
- “Djalë.. a”?  - e ndërpres.
- “Po”, - më thotë duke shtuar: “Kthim”,  e pagëzova...
------------------------------------------------------------------------------------------------------------


)*1 Ditarin e kam mbajt gjatë luftës, në copa letrash e gazetash të kamufluara, sa isha në Kosovë. Në Shkup e vazhdova vetëm për dhjetë ditë.
  )*2 Kjo u vërtetua pas kthimit të punëtorëve shqiptarë në punë. Në postë u gjet kabina e veçantë e përgjimeve dhe numrat e telefonave që janë përgjuar.
  )*3 Shumë dele, lop, kuaj ngordhën në shtallat e mbyllura. Ushtarët serb, të stacionuar në Debellde (Delmir), krejt këtë mjerim e kanë shikuar prej së afërmi. Kafshët pësuan vetëm se ishin të shqiptarëve. Sipas dëshmive të debelldasve.
  )*4 Ali Haliti, Idriz Selmani, Xhemajl Zenuni, Aziz e Rafiz Azizi, Sylejman Ibrahimi, Ibrahim Halili, Riza Januzi, Ibish e Ali Ibishi dhe Nuhi Selmani.
   )*5 Banditët më parë ishin të informuar detajisht nga serbët lokalë (kolonistat). Bile ata,  para se të ndërhynin në familjet tona, u konsultuan, morën informata se kush jemi, sa veta jemi në familje,  me se merremi etj. me Vukashinoviq Gjurën, vëllaun e Vukashinoviq Radisavit / Pusha i Angjellkit/, shovinist e arrogant, i cili që nga viti 1990 kishe harxhuar me  dhjetëra kilogram municion,  duke shti me armë zjarri,  gati për çdo natë, deri në janar të vitit 1999 . Gjatë luftës ishte me uniformë dhe i armatosur me snajperkë.
)*6 Daut, mbrëmë... i tregova detajisht ajo që më kishte ndodhur mua e Feratit /natën e 6 prillit ’99/,  edhe... matan lumit kemi mbet vetëm unë,  Ferati, Dritoni  me familje dhe Ramadani me të shoqen.  Sonte ushtarët kanë me t’ardh ty në shtëpi.  Këtë po ta them se mbrëmë banditët,  që më torturuan, më provokonin se e kujt është kjo shtëpi kaq e madhe, dhe për shtëpinë tënde e kishin fjalën. Si dhe: Ku është i zoti i saj?. Ai më tha se këto janë provokime, sepse sipas tij, të njëjtit kanë provokuar edhe te Xhemajli, i vëllai. Te Dauti kisha shkuar edhe herave tjera, me veti gjithmonë e merrja një kënatë plastike,  sikur po shkoja për të mbushur ujë.  Një ditë përpara,  ishte te unë, i mori një parë gërshërë . U foli,  u dha zemër fëmijëve dhe gruas time : “Mos u frikoni. S’kanë çka na bajnë shkijet.”
  )*7 Në  Tërpezë ishin të vendosur këta kabashas: 1.Brahim  Haliti me familje 2. Ramush Misini me familje 3. Rafiz Misini me nënën dhe babën 4. Emrush Misini me të  bijën 5.Xhevat Ymeri me nënën dhe dy motrat,  të shoqen dhe vajzat i kishte vendos në Pozharan 6.Skender Ymeri me familje 7.Januz Rrahimi 8. Shaqir Rrahimi me familje 9.Halit Azemi me të shoqen 10.Sefedin Azemi 11.Azem Azemi 12.Limon Kamberi me të shoqen 13.Jahi Azizi me familje 14. Sylejman Rexhepi me familje 15.Muharrem Misini me familje 16. Qahil Misini me familje 17.Rifat Kamberi me djalin (Naimin) 18.Rrahman Kamberi me familje 19.Ibish Rrahimi me familje 20.Ali Rrahimi me familje 21.Xhemajl Zenuni me familje 22.Avdulla Zenuni me familje 23.Savdulla Zenuni me familje 24.Driton Abdyli me familje 25. Sabit Abdyli me familje  26.Alush Agushi me familje dhe vëllaun Enverin 27.Ahmet Agushi me familje 28.Abaz Jakupi me familje etj. Të gjithë kabashasit më, 29 prill 1999 e lëshuan Terpezën, me përjashtim të familjes shumë anëtarshe të Brahim Halitit.
Në Pozharan ishin të vendosur: 1.Rafiz Azizi me familje 2.Ferat Abdyli me familje 3.Vesel Veseli me familje 4.Rrahman Misini me të shoqën 5. Rifat Selmani me të shoqën 6.Ramadan Murati me të shoqën 7. Hajdin Haziri me familje 8. Zenun Kamberi me të shoqën 9. Shaban Zeqiri me të shoqën 10. Sali Zeqiri me të bijën (këta dy të fundit sëpari u vendosën në Remnik, gjegjësisht në Budrikë, pastaj në Zhiti (Grunor), Pozharan (Rrafshmir) dhe prap në Zhiti (Grunor)). Kabashas pati edhe në katundet tjera, në Sllatinë (Gjelbinë), Sadovinë, Gjylekar (Skifter), Remnik, Drobesh (Mirak), Stubëll, Beguncë (Gunbardh) etj.
  )*8  Lajmin për vrasjen e Dautit e konfirmuan serbët. Askush prej shqiptarëve, as familja e tij, ende s’kanë mund ta mësojnë të vërtetën për Dautin. \Më 22 prill 2000, në Auckland, përmes Kosova Press-it bëhem me dije se është gjetë kufoma e Daut Zenunit me një gropë 2 km. mbi katund\.
   )*9 Fjala është për kishën shqiptare, që në vitin 1990, kur u bë helmimi i nxënësve shqiptarë (8 mijë). Ambulanta e kishës u doli në ndihmë të helmuarëve nga të gjitha viset e Kosovës. Policia dhe serbët lokalë bënë presione nga më të ndryshmet kundër kishës, motrave të nderit për ta penguar punën e tyre fisnike. Ua konfiskojnë barërat, i fyejnë duke shkruar grafite me atë banalitetin që vetëm ata djinë, në dyert e kishës, i kërcënojnë pacientët dhe përcjellësit e tyre duke ua shpuar gomat e veturave etj. Më 20 janar 1996, pa asnjë shkak plagoset rëndë me armë zjarri  Luigj Ahmeti nga fqinji i tij serb Zoran Markoviq-Zuji /polic rezervist/.
  )*10 Në Shkup, në pjesën e dytë të muajit maj, marrë informatë /nga Sefa i Gërmovës/ se i kanë zhvendos gërmovasit. Një kolonist malazez me armë ngrehur, ish banor i Gërmovës, fqiut të dikurshëm shqiptar ia jep shkrepsën dhe e urdhëron t’ ia fus flakën shtëpisë së vet dhe të farefisit të tij.
  )*11 Kompetentet për informim të komunës së Vitisë gjatë gjithë kohës sa zgjati lufta heshtën.
  )*12 Serbët si duket kanë patur informata se do të  bombardohet nga  avionët e  Aleancës, rajoni rreth Ferizajt, prandaj me dhunë i shtynë të përndjekurit në drejtim të Ferizajt.  
)*13   Më vonë u muar vesh se avionët e Aleancës kanë qëlluar për vdekje tanksat serbe në rrugën Gërlicë (Gurezë) – Viti në afërsi të Komogllavës (Gurbardhit).
)*14 Bozhidar Trajkoviq nga Tërpeza, kryeshef i SPB-së për tri komunat e Anamoravës /Viti, Gjilan, Dardanë,  (Kamenicë)/. Gjatë luftës mbante emër konspirativ “Jastreb”, kurse Goran Vasiq, komandat i stacionit të policisë në Viti, ishte nip i Bozhidarit.
  )*15  Kafshët e vrara i groposnin në oborre të shtëpive ose i fusnin në dhoma, kuzhina banjo të shtëpiave. Kështu vepruan me demin (mëzatin) e Ahmet Agushit, lopën e Rifat Selmanit, i gruposin në oborr, kurse qenin e Agron Misinit dhe Izer Misinit  ashtu të vrarë i fusin në dhomën e ndejës, përkatësisht në kuzhinë dhe i mbulojnë me batanie.
  )*16  Pati policë edhe nga komuna e Vitisë, njëri prej tyre quhej Vesko.
 )*17  Më, 26 mars ’99 serbët i ndërprenë lidhjet telefonike për familjet shqiptare. Në postën e Vitisë nuk lejoheshin shqiptarët të flasin, telefonojnë në gjuhën shqipe.
)*18 Përveç të tjerëve erdhën edhe Feriz Vërbani, Musa Murati, Isuf Nebiu, prej tyre marrim vesh për kabashas të vendosur /para 30 prillit 1999/ në Maqedoni: Ramadan e Xhevat Muratin, Hysen Zeqirin, Ismajl e Gazmend Qerimin, Fitim e Burbuqe Selmanin, Rafiz Misinin, Muhamet, Hetem e Mustafë Hasanin, Izeir e Jashar Jasharin, Ekrem Sallahun, Naim Qerimin, Zijadin Qerimin, Nebi e Xhelal  Nebiun, Flamur e Adrian Zeqirin, Skënder Zeqirin, Adifete e Adem Zeqirin, Kujtim Zeqirin, Lulzim e Nexhat Misinin, Artan Misinin, Emrush e Hajrush Sadikun, Isak Sadikun, Xhemajl e Xhelal Sallahun,  Ramadan e Sadri Deliun, Januz Deliun, Adem Halilin, Bozhë Gashin, Albert Zejnullahun, Alush Sinanin, Afrim Zenunin, Mentor Rexhepin, Alush Halitin, Naim e Musa Kamberin, Reshat e Faton Kamberin, Isa e Arsim Azemin, Farush Azemin, Uran Azemin, Haki Tërziqin  e të tjerë/
  )*19 Në kohën kur e shkrova ditarin nuk i kisha emrat e ushtarëve tjerë.


 rajonipress  VITIASI SABIT ABDYLI KRIJON EDHE NGA MËRGATA Sabit Abdyli, është një krijues i dashur për lexuesit, njeri i lindur në rajonin ...