Ne foto me nxenesit ne vitin shkollor 1975/1976 |
Plejada e mësuesve shqiptarë në vitet e 50-60 - ta të shekullit XX kishin entuziazmin, moralin e dashurinë për profesionin që e ushtronin dhe falë kësaj arrinin ta tejkalojnë papërvojën dhe parapërgatitjet jo të plota në shkollat e kryera ose gjysmë të kryera ose të sapofilluara. Ketë klasë edukatorësh unë i pata mësues. Në dekadat në vazhdim dolën kuadro më të përgatitura profesionalisht në Normalen e Prishtinës, Gjilanit etj. që avancuan kualitetin e mësimeve për të gjitha lëndët sidomos në klasat e ulëta. Në mungesë të arsimtarëve, normalistët ishin zgjidhje e mirë edhe në zhvillimin e procesit mësimor me klasat me mësim lëndor. Në periudhat që po flas mësuesi gëzonte autoritet dhe përkrahjen e popullatës ku ishte me punë. Në mbarim të viteve të 60-ta e fillim të viteve të 70-ta u rritë numri i kuadrove më shkolla të larta e fakultete, të cilët pikësynim kishin arsimin e brezave pa shikuar e mërzitur shumë për rrogat. Gjatë kësaj kohe dolën revista e gazeta profesionale në fushën e arsimit e edukatës për pedagog, si revista "Shkëndija" erdhën libra e mjete konkretizimi nga Shqipëria prej nga merrnim mësime për të qenë të suksesshëm në punën tonë me ditar në dorë. Mbaj mend që bashkë me disa kolegë të punës me vetiniciativë mbanim orë shtesë pa ndonjë kompensim me nxënësit e dobët dhe orë shtesë me nxënës që ua kalonin me dije të tjerëve në klasë, duke dal edhe jashtë asaj që kishim me plan-programe mësimore për të zgjeruar dijet e tyre. Nga biblioteka ime u kam dhënë nxënësve libra të lexojnë. Kjo kohë entuziazmit e arritjeve më të mëdha në fushën e arsimit në gjuhën shqipe u zbeh pas viteve të 80-ta kur nisi fushata e egër kundër gjithçkaje shqiptare, sidomos institucioneve arsimore deri sa i mbylli ato në vitin 1990. Falë qëndresës së arsimtarëve, nxënësve e prindërve shkollën e mbajtëm gjallë për 10 vjet rresht edhe në kushte okupimi. Në punën time mbi tre dekada me ditar në dorë vitet 1990-1999 ishin ato që më dërmuan fizikisht e shpirtërisht. Mbaj mend tek shija nxënësit në ato kushte, me klasa pa banka e hapësirë te bollshme me tri ndërrime, tollovite e krijuara gjatë ndërrimit të ndërrimeve tek ecnin rrugës duke shikuar prapa mos po i ndjek policia e vëreja tek më dilte tym nga maja e kresë. Pas çlirimit u rihapen shkollat, së paku shkonim e ktheheshim në shkollë kryet lart. U bënë investime në ndërtimin e shkollave të rrënuara etj. Brenda pak vitesh kuadro me tituj master e doktorësh rrokën ditarin në dorë. Po diplomat e titujt nuk dhanë rezultate. Sipas Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve PISA arsimi në R. e Kosovës ishte në fund të rang listës. Kjo është për të ardhur keq.
Auckland, qershor 2017
No comments:
Post a Comment