Rreth librit me poezi të poetit Sabit Abdyli, "Dallgë Malli"
Para disa ditëve më ra në dorë libri me poezi i poetit dhe shkrimtarit Sabit Abdyli. Shfletova me kureshtje faqet e para dhe malli i një të mërguari, që shprehet në vargje, më tërhoqi shpejt të gjeja veten në të. Poeti Sabit Abdyli, jeton prej vitesh në Zelandën e Re, ashtu si unë prej vitesh jetoj në Gjermani, si ti dhe ai tjetri që jemi shpërndarë në të gjitha cepat e botës dhe mallin është ai që na djeg e përvëlon, për vendlindjen, për gjithçka na lidh me atë tokë, ku na nanuritën djepeve me ninullat e bjeshkëve në gjuhën e nënës, hodhëm hapat e para, thurëm aq ëndrra dhe që disa prej tyre na u prenë në mes.
Bukurije Bushati |
"STINËT
Pranvera e lodhur
vjeshta e verdhë
As dimri dimër
as vera verë
Larg teje Kosovë
Stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë."
Një paralelizëm, që flet shumë: "As unë nuk jam unë." Gjithçka ka ndryshuar për poetin, që kur ka lënë vendlindjen, ai nuk ndjehet i qetë ai nuk e njeh më veten. Ndjehet i braktisur në dhe të huaj, u mungon dashuria e vendlindjes. Mbas kësaj poezie, shkruan më tej në një tjetër poezi;
"Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar."
Dheu i huaj, është dhe i huaj, herë i zhveshur nga ëndrrat, se ato i ke lënë në vendlindje, i ke humbur atje dhe shpirti të çohet peshë. Ëndrrat nuk të braktisin. Ato të thërrasin, të ndjehesh burrë, të ndjehesh i plotë. Të kujtojnë se guri i rënd është në vendin e vet! Kështu merr rrugëtimin me ëndrrat e tij, drejt vendlindjes;
"Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem fëminisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë."
Sa gjëra ka për t'i thënë vendlindjes poeti, kur si dikur fëmijë, vendosur kokën në prehrin e nënës kërkonte dashurinë e saj, forcën, bekimin për të ardhmen. "Me bagazh malli plumb." Sa rëndon malli shpirtit të poetit! Ai që ka emigruar e djen kur mbyll sytë, pikën e lotit që ia përshkon faqet, edhe për rrugicën, ku kaloi fëmininë, kroin e fshatit. NË një poezi tjetër, poeti tregon, se malli për atdheun, i mërgimtarit, është malli që dhemb më shumë se çdo mall, sepse ai ndehet i vetmuar, ndjehet pa peshë dhe kërkon atdheun që mendon se e ka humbur. Mallojnë akoma më shumë vargjet e poetit;
"Prisni thoshte nëna,
është bukë e valë.
Kështu vazhdon ai në një tjetër poezi;
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen,
rrugën e kthimit?"
Nuk ka mall vetëm për Kosovën, poeti, por për gjithë Shqipërinë. Në shpirtin e tij Shqipëria është një dhe kështu kërkon të shihet nga të gjithë. Ai shkruan;
"Thërrmijë të një kulaçi jemi,
pjekur në të njëjtin hi."
Ka idenë e vetë, mesazhin e tij, poeti këtu. Jemi shqiptar të një Shqipërie, edhe pse na ndanë shekujt edhe pse u shpërndamë nëpër botë. Ndjehet bukur me këto vargje poeti, sepse sytë edhe kur ishte fëmijë i kishin sytë nga Shqipëria nënë, nga vatra e shpresës së tyre.
Por nuk ka vetëm mall, në poezitë e tij. Ai vëzhgon disa fenomene shoqërore, që ia vrasin shpirtin. Dhe për këto bën fajtor vetë njeriun. Është zhgënjyer nga e ardhmja që priste, ashtu siç jemi të zhgënjyer të gjithë. Ai kërkon të gjejë njeriun që është njeri, vetëm ai mundet ta ndërtojë të sotmen e të ardhmen, sipas amanetit të të rënëve.
"Edhe nëpër zjarr të ferrit
do të shkel.
Në kërkim të fjalës fjalë,
njeriut njeri.
U devijua nga rruga sepse u harrua atdheu dhe u lakmua fotelja. Kjo është fatkeqësia e një kombi.
Qullashët qullashë
në ditët e agut çdo gjëje i dalin “zot” shtetit, politikës
Sofrës së begat
Sofrës së begat
hanë me dy lugë se një u duket pak."
Interesi i të pamundurave, korrupsioni, tradhtia e atdheut e vret poetin. Ai ngre protestën e tij kundër këtyre njerëzve që venë interesin e tyre, mbi interesin e kombit. Dhe protesta e poetit shkon më tej, me keqardhjen se të dy krahët e shqipes...;
"Interesa klanesh
thurur për dritë të hënës,
yllit pesë cep,
yjve blu e dreq.
Matanë e këtej Drinit
avaz i njëjtë.
U ndërrojnë vetëm ngjyrat, thotë më tej ai, duke treguar edhe një herë zhgënjimin. Merr forcë akoma më shumë vargu i poetit;
"Furtuna rrymash përplasen qiellit,
njerëz të barkut tonë kalërojnë mbrapsht,
ardhmëria në ikje.
Mot i paqëndrueshëm vazhdon!"
Pastaj psherëtin ai dhe në poezi të tjera, tregon dhimbjen e atdheut nga të huajt, si e plaçkitën si e dogjën, se e robëruan, dhe shqipja nuk u përkul, sepse kishte BURRA.
"Dedë Gjo Luli
Ismali, Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi, Agimi ...
u përkulën kur
puthën Flamurin.
Tokë e lulëkuqeve e quan poeti vendlindjen!
Buzë gremine
Biçim njerëz me përralla mbretërish
Erdhën Me bisht ndër shalë
E shkuan."
Jo më kot, poeti na kujton BURRAT e këtij vendi, lëngatat në shekuj të atdheut. Mbas çlirimit, kur fitohet pavarësia, sëmundja tani na shfaqet nga brënda. Nga vetë ata, që e quajnë veten shqiptar dhe rrjepin e plaçkisin, e terrorizojnë popullin. Është një tërheqje vëmëndje kjo, për t'u kujtuar se Kosova nuk është pronë e tyre vetjake. I dhemb kur sheh një shtet që nuk funksionon, apo funksionon kundër Kosovës.
"Stuhitë s’pushojnë, arës arbrit!
Rrugë nuk i zëmë kujt.
Vetës ngulim thonjtë,
sy ndër sy pa u skuq!
... Heu Isa burri,
raca jote sot! Gladiatorë mes veti ;
kancelarive të botës, korridoreve të Parlamentit,
shtrëngojnë dorën armikut pazare bëjnë nën cergë,
lëpihen e lariten të huajve për shkam!"
Vetëm kush nuk don, nuk shihet në pasqyrën e së vërtetës që u ka vënë përpara poeti me këtë poezi. dhe që shkon më tej, me atë thikë që i ka shkuar deri në asht:
"Mjegullnajë e stepave të ngrira dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot, Na ruaj nga moti keq.."
Dhe kjo na ndodh, sepse e drejta është përdhunuar. Ajo është vegël në duart e klasës që sundon, thotë nëpër vargjet e tij poeti;
"Kalërojnë ligjet
Emrat pa emër zvarranikë kalërojnë
ndrydhin liritë shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë."
Dhemb shpirti i poetit, i ndodhur larg në emigrim, në vendin e dimrit të akullt që ia akullon edhe më shumë mëndja tek atdheu. Por sytë e poetit, nuk mbyllen për fatalitet. Ai shpreson se një ditë do të zë vendin që meriton Shqipëria do të ketë pranverë në vendlindjen e tij dhe ai duke përkëdhelur mallin, i premton se;
"Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!"
Ishin këto disa mendime që më erdhën në moment, duke lexuar librin me poezi të poetit e shkrimtarit Sabit Abdyli. Mbase duhej folur akoma, akoma më tepër, por unë vetëm u përpoqa të shfaq në këtë shkrim, ato ndjesi që më lanë poezitë e tij dhe falënderoj poetin, për këtë libër, për temat që ka trajtuar, mprehtësinë e mendimit në trajtimin e tyre, strukturën e formimit të poezive dhe të shprehurin me gjuhën e thjeshtë të njeriut që mallin dhe dashurinë për vendlindjen, kërkon ta thotë troç dhe bukur.
Urime të mëtejshme penës suaj, poet!
Me respekt Bukurije Bushati.