Cikël me poezi “Ç’U BË
ME VITET”
PËR JETËN
Për jetën
Mëso nga ujku që nga
kjo jetë nuk pret gjë
Por as nga ajo tjetra përtej jo se jo
Dhe nuk i beson vdekjes
Vjet për vjet dimrave me acar bënë be
Sa të vjen behari
Shtëpinë nga ato më të mirat ka me ndreq
Auckland,
2023
ZHVESHUR
VLERASH
Politika na tjetërsoi
e rrëmbeu të gjitha
Ku çdo gjë është e tija asgjë e jotja
Jetojmë në thatësinë e mendimit
Zhveshur vlerash
Grykësisë
E shpirtin shitur
djallit
Auckland, 2023
DURO E MBAHU
Shi i ftohët vjeshte ngrinë
Monotoni e trishtim
Dhe era fishkëllen e shkund gjethet
Mos rënko, po duro
e mbahu
-i them vetës
Se dielli sa të zhdavaritë retë do shkëlqej
Dhe fundja
Për çdo kënd në jetë
Ditë me dhembje, shi e vjeshtë do ketë
Auckland, 2023
ME ËNDRRA MOTESH
Të kam thënë të dua
dhe as bëhet më fjalë
dritare që më mbush me dritë shtëpinë
je ti
frymëmarrje me të njëjtin ritëm
nëpër mot me diell, erëra e shi
që kur të njoha
sytë më mbetën në sytë tu
barkë që çanë dallgë
drejt ishullit me ëndrra motesh
gjithçka që në jetë më duhej
e gjeta tek ti
Auckland, 2023
QË KUR U BANA ME DIT
Që kur u bana me dit
Nuk u ndala:
Të hap rrugë diellit
me t’ngroh
Me të shkëlqye nuri si
në Motin e madh
Arbëni
Ndërtue ura t’çelikta
mes brigjeve binjakë
E me të dashtë fort
Arbëni
Qershor, 2023
SIKUR
Sikur t’i kisha mbajtur setrën kohës
e rrah krahët
Të kisha qeshur ku qeshnin erërat
Gëzohem kur gëzoheshin retë
Jetën do e kisha pasur më të lehtë
Vetëm se ajo jetë, qoftë edhe
me kamje
Nuk do të ishte jeta ime
Maj,
2023
VAZHDO ME DASHTË
Në ditët e flokut tënd
të zbardhur mos numëro vjetet
Rrugëve të kopshtit me
trëndafila që ke ngritur vetë, ec
Me njerëz e çiltër të
cilët edhe me huqet e veta tallen,
shoqërohu e rri
Mos harxho kohën me
gazeta e portale që bëjnë be se janë të pavarura
Sa më larg njerëzve me ambicie të sëmura
Mos heq dorë nga ëndrra
Njih vetën dhe dije se
në pleqëri me rëndësi është kënd ke
pranë
Vazhdo me dashtë e
jetuar ditët e fundit në paqe me veten, njerëzit e ndërgjegjen tënde
Vazhdo me dashtë
Maj, 2023
FLAMUR
BEDENASH
Flamur i lindur bedenave kalash
Qindra vjet i vjetër
Me ty festohen lindjet
Me Ty në beteja
Në arka nusesh
ruajtur
Tatuazh në gjoks ademash
Nuk të mposhten shekujt
Jo më qamilet e rrjedhur
Flamur i lindur bedenave kalash
Qindra vjet i
vjetër
Auckland, 2023
SHTETI
YT
Jam ADN e tokës së lashtë
Njerëzve inatçinj që vetëm moti me shira të
akullt i bënë bashkë
Lënë amanet pushkën
Për të ruajtur fytyrën
Nderin e ngushtësinë e vet
Pa dit se SHTETI yt
Është fytyra e nderi
Dinjiteti
Begatia
Kombi
Gjuha
E gjithçka
Shkurt, 2023
Ç’ U BË ME VITET
Përkulur në cep të oxhakut
Flokësh zbardhur përpush të kaluarën
Pranë zjarrit bubulak mërdhinë
Çdo gjë e akullt
Gjaku më s'i vlon
Me bastun i bie dyshemesë
Ç’u bë me vitet
Sa çel e mbyll sytë shkuan
Shkurt, 2021
MALL
Nga malli bëhem me krah
Këput i bie oqeanit
Si re e bardhë
Zbres te shtëpi e vjetër
Me aromë malli dehës
Deng me kujtime
Natë për natë
Auckland, 5 shkurt 2023
.LULET N’XHAM
Në kopsht
bëra një ngrehin rrethuar me xham
Për të
rritur lule
Përditë
ato i shihja të mërzitura shumë
Ashtu të
ngujuara n’xham
Lulet mendova
Duan
shkëlqimin e diellit
Borën kur
e shkrin
Erën tek
shkund lehtë polenin
Bletët mbi
kurore të luleve
Për të
thithur nektar
Orë e çast
t’ju vinë
Shkurt, 2023
SI BORË
PRANVERE
Si borë pranvere faqe malit rrëshqitën vjetët
Shtegun ku ecja mëngjeseve e ka mbuluar bari
Librat gjithnjë e më rrallë i hap
Dioptri e syzeve s’më mjafton
Trupi im sa një grusht ka mbetur
Janar, 2023
SYTË SI DY
LIQENE BINJAKË
Mbrëmë të ëndërrova
Erdhe me flokët duj*
Vetullat terr të
zeza
Sytë si dy liqene binjakë
Në qiell më i ndritshmi
yll
Në mëngjes më zgjove
Zhgjëndërr:
“Eja të pimë kafen bashkë”!
E mira ime
Me sytë si dy liqene binjakë
Janar, 2023
*duaj
ME DRITA
TRËNDAFILASH
Mos pretendo se i di të gjitha
Nuk i di
Të gjitha nuk mund t’i kesh
Lufto për gjërat që do
Fol sa të dëgjohesh thellësive të largëta
Hap shtigje në kopsht me drita trëndafilash
Që të mbushin mushkërinë në ditët e pleqërisë
Ngre në këngë ëndrrën e shpirtit
Dhe lëri pas
Agimet me pëllumba e të djeshmen tënde të bardhë
Dhjetori 2022
TË PAËNDRRA
“Paske shtëpinë me të gjitha, i thanë:
Pamje kah deti
Ballkone
Shtretërit e butë në
dhoma gjumi “
“Vërtet të butë,
por nuk më përmbushin e rehatojnë
Janë TË PAËNDRRA
Ëndrrat, rehatia më
mbeten te shtëpi e vjetër
Pa llambadarë e ballkone”, u tha.
Dhjetor, 2022
ME TY
Në stinën e vonë
me fat jam
Që të kam pranë
E mban mend
Një vjeshtë pa borë e acar
U martuam
Gati gjysmë shekulli u
bënë
Kohet që erdhën pastaj përfshi edhe dimrat
Me ty ishin pranverë
Auckland, nëntor
2022
ME BASTUN MBAJ HAPIN
Më iku koha kur fluturoja si pupël në erë
Dhe mëngjesi më
buzëqeshte
Vjetet si gjethet shpejt
ranë
Me bastun mbaj hapin
Këmbët vetë nuk më
mbajnë
Tani në vjeshtë çdo gjë
u zverdh
Edhe bryma e brishtë mbi
bar
Krahët më mërdhinë
Në vjeshtë çdo gjë u
zverdh
Auckland, 2022
NË SPITAL
Në spital po rri pa
mundur t’ju përgjigjem
Në letrat e familjarëve,
shokëve ...
E marr me mend
Se në postën elektronike
janë mbledhur shumë
Në to pa i hapur
lexoj
se kur do ik, do thonë:
“I deshi njerëzit njerëz
Dhe me shkarravinat e
tija
Mbolli shpresë”!
Auckland Hospital,
13 nëntor 2022
EGOT
PËR PUSHTET
Gjuajnë minj të uritur për lavde
i kashaisin mirë e mirë
ua njomin gushën
i verbojnë për tua rritur vasalitetin
lëmojnë shpinën
ngrehin rrejta merimangash gjithandej
për të zënë miza llapaqene që ju duhen
qoftë edhe me dreqin e zi bashkë
Prill, 2020
HEROI YNË
S-ogjetar gjeografisë arbërore
K-ohët e mbajnë mend mirë
Ë-ndërr dritëjete ardhja Tij
N-dër beteja kalitur e rritur
D-orën tokës atërore i dha
E-rdhi kaluar me një ferman në xhep
R-a trup udhëve të Arbënisë
B-esën kish dhënë ta rikthej Shqipërinë
E-vropa e bota në bronz gjeneralin derdhen
U-shtar lirie i përjetshëm anë e kënd
Auckland,
2018
PS: Dy poezitë fundit si
më lart “Egot për pushtet” dhe “Heroi ynë”
nuk figurojnë në librat e botuara me poezi, prandaj i futa në grupin e
poezive të reja (pabotuara)
FOL TË DËGJOHESH
Në rrugën tënde të
zgjedhur vazhdo
Mos u ndal në lehjet e
qenve
Jeto me bukuritë e
mëngjesit
Fol të dëgjohesh
thellësive të pllajës
Me ngjyrat e qiellit
tënd ngjyros kopshtin
Dhe ëndrrat e shpirtit
Në gurrë rrënjësh fresko
mendjen
Merr me njërën dorë
fitimet tua me djersë
Se dorën tjetër e ke për
të dhënë
E la borxh
Tetor,
2022
ME AROMË MENGJESI
(Ramadan Musliut)
Fjalën fjalë kishe
Me germa ugaresh tona
Cep më cep Arbënisë
Ngrite ura e shtrove rrugë
Në vlugun e punës ike
Kishe edhe shumë për të thënë
Prehu në kaltërsinë e qiellit
E erërave të drita kristal
Se na le vepra me aromë mëngjesi
Që ngrohin në acar dimrash
Dhe freskojnë në vapë vere
Dardaninë
4 tetor 2022
Shifra; “Fjala”
NË
KETË MOT RRESHTIMESH
Koha është t’i lëmë inatet
Ngrohim rrënjët agimeve
Hapim shtegun ditës së bardhë
Mëkëmbin frymën e lulëkuqeve me vepra
Dhe ëndrrën e vjetër nëpër kohë
T’i shembim muret mes nesh
T’i shembim
Në ketë mot rreshtimesh
E plasaritjesh të lëkurës së globit
Anë e mbanë
Auckland, 2022
RRUGËVE
KALLKAN
Në pllajën e lodhur nga ikjet
Stinët u bënë vjeshtë
Përditë fluturojnë zogjtë
Përditë thonë: “Lamtumirë o, vend”!
Qiellit përplasin krahët shtalp
Rrugëve kallkan
Me këngën: ” Si të lash e si të lash!”
Auckland, 11. 07. 2022
NGJYRA YLBERI
Ec bregut Paqësorit
I shoqëruar me stërkala të imta të dallgës
Që në rrezet e bardha të diellit
Bëhen ngjyra ylberi
Poshtë syprinës së detit hija ime e copëzuar
Hija, se trupin e mendjen
E kam rrugicave ku hodha hapat e
parë
Qershor, 2022
COPA
KUJTIMESH
Iku kohë kur takoheshim
mbrëmjeve në korzo
Mëngjeset tek dilnim për gazetën
Dhe para teatrit në Prishtinë
Për të parë tituj librash të rinj
Repertorin e shfaqjeve
Ditëlindjet festonim në shtëpi
Mes nesh nuk kishim mure as parti
Sot copa kujtimesh na mbeti ajo kohë
U rritëm, u ndamë
Sa atdheu u bë i vogël për ëndrrat tona
Dhe bota e
vogël gjithashtu
Prill, 2022
ERDHËN E VIJNË
Lejlekët e livadheve të Dardanisë
Në stinët me acar
Njomën sofrat luleborave
E hapen korridore qiellit e malit me trëndafila
Kuq e zi
Lejlekët e livadheve të Dardanisë
Erdhën e vijnë
me mallin edhe për gurët e sokakut
që nuk shuhet kurrë
Auckland, 8 shkurt 2024