ORË BUKURSHKRIMI
Mbi librin me poezi të Sabit Abdylit
Ndërsa ky libër me ra në dorë në verё të vitit të shkuar, munda ta shfletoj e lexoj së fundmi, në prag të datëlindjes së autorit!
Drita Lushi |
Libri ndahet në gjashtë cikle, 1- Daullet e lagura, 2 –Në kopshtin kuq e zi, 3-Ku bren miza hekur, 4- Cicmic me vetveten, 5- Në krye të vendit, 6- Fundi i përrallës!
Shtrirja kohore e poezive të përfshira në ketë libër është e gjerë, ato janë shkruar përgjatë viteve, që nga 1989, e deri në 2019, dhe tematikat po ashtu janë të ndryshme dhe të ndërthurura me gjendjen emocionale të autorit.
Poezia e Abdylit është jo rimuese, por në varg të lirë dhe shprehshmëria është më e gjerë në këtë formë. Përmes poetit, shohim njeriun dhe jetën e tij, madje mё shumё se një poet, lexojmë një njeri, sepse poezia e tij është e vërtetë, reale, nuk filozofohet as ëndërrohet, ajo është fakti dhe ngjarja hedhur në vargje.
Poeti i këndon vendlindjes, motrës, nënës, flamurit, Kosovës, Shqipërisë, tё parëve, fshatit të lindjes, kujtimeve të rinisë, pastaj vetë titulli i librit ka një titull sinjikativ “Orё bukurshkrimi”, ndoshta se kujtohen kohërat më të bukura e tё pafajshme të fёmijёrisё e rinisë, sepse ato kohëra janё një poezi e pashkruar.
Poeti shkruan, kritikon , dënon po asnjëherë nuk është aq i ashpër, ai di tё thotë me varg atë që shqetëson shumё njerëz, dhe prek vese shqetësuese, të shoqërisë.
Kur i këndon Kabashit vendlindjes se tij, ai sikur bëhet tjetër njeri,
“jete e çiltër fshatçe,
burrat fjalë pakë
nënat rrisin fëmijët
mbështjellë me bajrak”
Poeti jo vetëm që dënon veset, por është dhe i drejtë në gjykim, dhe thotë: “të njoh e nuk mund të hesht” në poezinë “Të njoh”, duke mos bërë kompromis me veset e ndryshme, ndonëse mund t’i njoh personat;
“Kënga ishte vetë nëna” shkruana autori në poezinë dedikuar nënës, duke shprehur atë adhurim të pamatë, për qenien më të dashur në botë!
Ai ka dhe poezi përkushtim qё u kushtohen personave të veçantë me emër e mbiemër si : R.Ymerit, B. Zymberit Kadri Luzhёs, Haxhi Muhaxherit etj. Ku shpreh, mirënjohje dhe respekt pёr veprat e tyre!
Gjithnjë autorin e shqetëson qenia larg vendit:
“…as dimri dimër
as vera verë
larg teje Kosovë
stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë”
Tek poezia “Kosovë” autori ka një tempo të fuqishëm të ritmit, fjalës dhe duket haptazi dashuria e tij e munguar, Atdheu!
Tokë e lulëkuqeve- e cilëson poeti Kosovën, vullkan, lavë e valë!
sepse “malli çan shpirtin si heshtë”-shkruan ai.
Nё poezinë “Portret njerëzish të munguar” shkruan…Nuk shitet/nuk shtiret/nuk blihet/ nuk di ç’është kleçka..”madje duket sikur e merr malli për të takuar njerëz tё tillё, që gjithnjё e mё shumë janё të rrallë!
Ndërsa mbesa diçka speciale për tё, merr krahasimet ma të bukura në vargje:
”fytyra e saj si diell mёngjesi,
magji nga qielli zbritur,
ëmbёlsirё, gurgullimё kroi në mal,
më e bukura fjalё”
Largimi nga vendi yt gjithnjё ështё një mundёsi ekonomike më shumё, por ka një kosto tё madhe sepse të mungon gjuha jote, njerzit qё flasin të njejtin alfabet si ty, vendet;
Thonë kur je larg, ke mall dhe pёr ferrat, dhe po kështu autori nuk bën perjashtim dhe e beson plotësisht këte, kur Sabiti shkruan” Atdheu dhimbja e parë”
Ka plot poezi që mund tё veçosh nga ky libër si: Atё ditë. Kur po nisesha ushtar, Letёr, Gratë (hyjnesha qё nuk braktisin jetën, rilindin e me duart e tyre rrisin), Lule Maji, Nёnëmadhjae për tu mbyllur me “Melodi jete” ku shohim njё tablo sa vetë jeta, tё dashur si rinia, të çmuar si dashuria dhe tё shtrenjtë si dhembshuria;
Është njё vëllim i plotё dhe i saktё poetik, ku ke çfare të gjesh, tё nёnvizosh, të ruash,tё rilexosh dhe të mësosh!
Gëzuar DatLindjen Poet e suksese!
Drita Lushi
Tiranë, 13 maj 2020