Baba Ruhan 1906-1983 e mbante një gjysmë fletore nga ato që kishin në fund tabelën e shumëzimit dhe një laps gati i harxhuar. Ja sigurova një fletore xhepi dhe një laps dhe e luta, merri! Nuk më duhen të reja, u përgjigj me qetësi, me ba hesap i kam, jo me u lavdue e mburr para dynjas. Diku në vitet e 60-ta e pat ble prej një gastarbajteri me punë në Austri një orë xhepi. Orën e mbante mbështjell në shami pëlhure brenda xhepit dhe nuk e ekspozonte asnjëherë. Ishte fjalëpakë dhe nuk ngutej kurrë. Përmbahej nga vlerësimet me hamendje. Për tipat shpifës, të ulët, pa fije njerëzie, më thoshte jo më shumë, se: “Mos ngul kunja me ta”! Pa ndjekur ndonjë shkollë mësoi të shkruante e lexonte. “Librat asht gjynah mi majt në raft pa i lexue, thoshte. Ato flasin... t’japin forcë, t’japin sy me pa larg, t’japin zemër me qinrue, t’japin dituni, t’msojnë për jetën e gjithçka, kur i merr në dorë, kur i lexon.” Shkollimi i rinisë shqiptare dhe zhvillimi i Shqipërisë e gëzonin pamasë dhe kish bindjen, se: “Me zhvillimin politikë, ekonomik, ushtarak e kulturor të Shypnisë (Shypni e quante Shqipërinë) të fituar do të jemi edhe ne shqiptarët në Kosovë e gjetiu”.
Baba Ruhan në moshën 6 vjeç përjetoi masakrën serbe të vitit 1913 në Kabash ku në mesin e mbi 60 kabashëve të masakruar ishte edhe baba i tij Abdyli 32 vjeç e dy xhaxhallarët, Misini e Murati, shtëpia ju dogj e plaçkit nga ata që i ja shtinë flakën krejt fshatit. Me nënën Ajne, me një strajcë plaçkash e lopën me viç vendoset te dajallarët në fshatin Gjylekar. Pas tri vjetëve kthehet në Kabash dhe mbi themelet e shtëpisë së djegur (rrënuar) me nënën ndërton një si shtëpi. Me këshillat, mbështetjen e nënës Ajne u edukua e burrnua. Ishte 9 vjeç kur u bë zot shtëpie.
|
Ruhan Abdyli 1906-1983 (fotografuar ne vitin 1936 |
|
Portret "Baba": vizatoi Abdyl Abdyli |