Po afrohet dita kur Dardania shënon 10 vjet të rritës së saj. Dhjetë vjet shtet që i paraprijnë shekuj sakrifica, vuajtjesh, terror, luftë e qëndresë për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën banorë të së cilës ishim që kur mbiu lisi e nisi jeta. Sa shumë e pritëm lirinë e munguar dhe tani kur do të duhej të vazhdojmë me punë, ndërtime e arritje na dehu fitorja dhe nuk jemi në krye të detyrave e punës për të bërë shtetin sipas dëshirave të shqiptarëve e atyre që dhanë jetën, vuajtën nëpër burgje me të poshtra të armikut, u internuan e u nxorën dhunshëm nga shtëpitë denbabaden të tyre, ikën e u shpërndan gjithandej botës. Të bërit shtet është luftë po aq e madhe sa ajo për çlirim, bile do të thosha luftë edhe më delikate, më e përgjegjshme, një si ecje për teh të shpatës. Që në ditët e para të pasluftës na kapi një plogështi e një zotnillëk me bindjen se e çliruam vendin dhe tash mund te flemë zbathur. Plogështia e mosbesimi u përhap te i madh e i vogël edhe për fajin e atyre në krye të shtetit që nuk bënë më shumë. Pritjet ishin më të mëdha e më të shpejta se ato që u arritën. Në këto rrethana mossuksesi demoralizimi është i pashmangshëm. Entuziazmi në qershor të vitit 1999 se e çliruam vendin dhe turravrap, o njerëz drejt Dardanisë pas disa vjetëve nisi të ndodh e kundërta; "Ikim o njerëz se s'ka perspektivë këtu". Ikjet si të porositura nga armiqtë tanë po vazhdojnë. Para se të bëhet shumë vonë, vonë u bë që moti, të kthjellim mendjen e ngremë digë betoni të këqijave për të mirën tonë, për të mirën e brezave dhe çuarjen në vend të beve; "në tokë e në qiell, në gjak e flamur, në Zot e komb", kur ishim nën okupim: "Vetëm sa ta heqim qafet okupatorin se do ta bëjmë shtetin komfor shteteve të përparuara"!
S. A