Drita Fejza |
Krijuesit që i përkushtohen atdheut janë emblema më e bukur që mund ta përfaqësojnë vet atë, njëri ndër ta është edhe poeti Sabit Abdyli, i cili emigroi në Zelandën e Re, duke marrë me veti atdheun dhe fjalën e bukur shqipe. Vargjet të cilat i hasim në poezinë e tij flasin për këtë. Njeriu e kupton se koha më e bukur të cilën e jeton ai është koha kur fjala e lirë të shoqëron, por poeti Sabit Abdyli, nuk i takon vetëm kohës ku liria e fjalës i ka dyert e hapura dhe mund të krijosh ashtu siç ta ndjen shpirti kur trazohet. Edhe prof. Sabiti pati fatin e intelektualeve të cilët përjetuan luftën dhe ndan dhimbjen me popullin i cili i nxori nga gjiri i i tij dhe i skaliti nën dritën e zbehtë të robërisë duke i ushqyer me lirinë e dëshiruar nder mote. Vargjet e Sabitit kanë nivelin e një njeriu të pjekur në rrugën e letërsisë. Motivet të cilat i ka sjellë përmes poezisë janë të njohura, por mënyra se si ka sjellë artistikisht, e bënë të dallohet si një libër i veçantë që ja vlen të lexohet e rilexohet. Libri është i ndarë në katër cikle, të cilat lidhen fort pas njëra tjetrës si një urë e fortë të cilën nuk mund ta kalojë lexuesi pa u prekur nga dallgët e mallit me dallgët e poezisë e cila lind nga dallgët e shpirtit të vet poetit.
DYERVE TË BOTËSJeta dyerve të botës
e hidhur pelin
kafes dyerve të botës
kot sheqer i hedh
bukë e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin
fq,12
Fjala e veshur bukur është akt i guximit edhe nëse mbanë përbrenda përcëllimin e diçkaje që të sëmbon, si për shembull: mallin për atdhe, kujtimet e fëmijërisë, dështimet në jetë, gëzimet e saja, rinia e mbetur diku përtej harresës etj. Poeti Sabit Abdyli të gjitha këto arrin ti vesh me vargjet e thurura bukur ashtu siç thuren ëndrrat e nënës për fëmijën e saj. Ai nuk e përdore fare hiperbolën në poezinë e tij sepse gjërat e përjetuara nuk kanë nevojë për zmadhim, vuajtjet dhe kujtimet janë njerëzore edhe po aq të fuqishme sa çdo gjë do të ishte e tepërt nëse nuk shfaqen me vërtetësinë e shenjët, si për shembull: lufta e fundit në Kosovë (1999). Trilli në këtë libër i ka dyert e mbyllura sepse poeti, duke njohur jetën e vërtetë të cilën e ka skalitur në vargun e pa vdekshëm artistik, ka arritur të komunikojë thellësisht me lexuesin..
E SHKRUAR ME 2 SHTATOR 1991Me sytë e mi i pashë
Kryezagarët rojë
Në dyert e shkollave shqip
Qentë llapushë veshur në pancir
Zilet e shkollës shqip
I çmontuan atë ditë
Me sytë e mi i pashë
Me mite ndragur deri në fyt
Shkollat mbyllen
Atë ditë
fq, 80
Doja vështrimin për librin "Dallgë malli" si dhuratë t'ja dërgoja poetit bashkë me urimet për ditëlindjen e tij (14 maj), por nuk arrita për shkaqe të kohës. Ishte vetë ai që më bëri dhuratën me të bukur me koloritin e vargjeve "Dallgë malli" për të cilën i falënderohem shumë që mu dha rasti ta lexoja edhe unë në qytetin e kulturës në Berlin. Libri për mua është komunikim më i bukur dhe identifikim kulturash. Në fund mund të them se lexuesi është ai që mbanë në jetë veprën dhe emrin e një autori, kuptohet vetëm nëse i ofrohet një vepër e denjë. Poeti Sabit Abdyli ja ka arritur me librin e tij "Dallgë malli" të ngroh vatrën e çdo shtëpie që posedon në bibliotekë një libër si ky për të cilin po flasim. Poetit i dëshiroj shëndet dhe suksese të mëtutjeshme në rrugën e artit, ku jeta shpreh fuqishëm ngjyrat e saja.
Drita FejzaBerlin, 31.05.2016