QËNDRESA
Historia e Kabashit të Anamoravës dhe e themeluesve të tij është e bujshme,
interesante dhe e dhimbshme. Kabashët u vendosën në jug të fushë-luginës së
lumit Moravë rreth viteve 1780/1785. Kabashët e ardhur nga Kabashi i vendit
(Prizrenit) ishin në marrëdhënie të ngushtë gjaku e gjinie (vëllezër,
kushërinj): Cena, Muqa, Veseli e Bala. Të ardhurit u vendosën te vendi ku sot janë
shtëpitë e Zekir Brahim Sallahut, Ferid Haki Azemit, Rrahman Shefki Kamberit,
Rrustem Faik Veselit etj., erdhën me një gjel plaçka dhe ngrehën së pari shtëpitë-kasolle
të ndërtuara thjesht. Vendit, nën sovranitetin e tyre, i dhanë emërtimin
Kabash, rregullat mënyrën e vet të të jetuarit dhe nuk lejonin që mbi ta të
binte ndonjë hije e keqe. I zgjeruan kullosat, pronat në jug dhe juglindje. Në
saje të disiplinës, punës, ata blenë edhe toka të reja pjellore në fushën e
Vitisë. Ardhësve pas një kohe u bashkëngjitet edhe një apo dy familje (të
kaçarremve) të ardhura nga Kabashi i vendit.
Në vitin 1848 një bijë e kabashëve vendoset në jugperëndim të fshatit
(sipas haxhi Brahim Sallahut, 1913-2001). Nipat (trakalaçët) shpejt i marrin
këmbët dhe bëhen krah i fortë i kabashëve.
Në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë Arif Cena - Kabashi i
shkolluar në Stamboll dhe Kajro të Egjiptit kthehet në Kabash. Cena shërbeu si imam në fshat. Ai bëri
përparim të madh në arsimimin e kabashëve në frymën e programit të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Hoxhë Arifi gjatë gjithë jetës së tij, nuk reshti
së predikuari dashurinë për kombin dhe ndjenjën për të qenë i lirë. Në vitin
1877 ai iu kundërvu rekrutimit të shqiptarëve në luftën ruso-turke në Pleven të
Bullgarisë. “Nuk kemi pse të vritemi ne për të tjerët”, mbahet mend, t’u ketë
thënë kabashëve, mulla Arifi (sipas Jahi Selmanit 1896-1968). Me mësimet e tij,
Kabashi u konsolidua, u fisnikërua, u imponua dhe merrte pjesë në të gjitha
aktivitetet që zhvilloheshin në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe formimin e
shtetit shqiptar më 1912. Odat e kabashëve u bënë të njohura për mikpritje dhe
ardhjet e shpeshta të burrave të fjalës e të besës nga të gjitha trevat
shqiptare. Në këto oda janë zgjidhur, sqaruar konteste ndërmjet familjeve,
fshatrave dhe janë pajtuar shumë gjaqe, janë mbajtur kuvende për çështjen shqiptare,
janë organizuar aktivitete kundër pushtuesit osman dhe depërtimit të pushtuesve
sllavë në trojet shqiptare. Gjatë viteve të para të shekullit XX, për shkak të
një shuplake të vetme, nis një sherr, konflikt i përgjakshëm mes fshatrave
Kabash dhe Lubishtë, me ç’rast mbetën të vrarë 24 burra. Ishin këto humbje, për
hiçgjë, e njerëzve në moshën e tyre më të mirë. Me ndërhyrjen e Rrustë Kabashit
(1835-1910), personalitet i njohur i kohës, u shua zjarri që përpiu 24 burra.
Në vitet që pasuan 1907/1912 në odat e kabashëve u dendësuan hyrjet dhe daljet
e prijësve shqiptarë të kohës, sidomos në odën e Adem e Mustafë Kabashit. Po
bëheshin përgatitjet për luftë.
|
Pamje e Kabashit ne vitin 1960. Fotografoi Isa Ruhan Abdyli - Kabashi |
LUFTA
Nën komandën e Adem e Mustafë Arif Kabashit, në
kryengritjen e 1910-s, te Gryka e Kaçanikut, morën pjesë gati të gjithë
kabashët e moshës madhore, si: Halit Brahim Muçaj, Brahim Cenaj, Maliq
Kaçarremi, Ymer Cenaj, Qerim Mehmetukaj,
Shabi Muçaj, Rexhep Çaushi Veselaj, Zenun Çaushi - Veselaj, Januz Balaj, Halil
Balaj, Misin Cenaj, Abdyl Trakalaçi etj.
Në këtë kryengritje, që ishte një ndër kryengritjet më “të koordinuara prej
krerëve shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës”, (Noel Malcolm, Histori e
shkurtër e Kosovës, Prishtinë, 2001, faqe 251), vëllezërit Adem e Mustafë
Kabashi janë të parët që më 23. IV. 1910 “.... e shtinë në dorë pikën e
rëndësishme strategjike, Grykën e Kaçanikut.” (Dr. Sabit Uka, Shqiptarët e
Sanxhakut të Nishit, 5, Prishtinë, 1995, faqe 231). Kryengritësit shqiptarë u qëndruan sulmeve
të ushtrisë turke, ndonëse Shefqet Turgut Pasha kish urdhëruar që artileria t’i
sulmonte fshatrat e rrethit ku kishte vetëm gra, fëmijë e pleq. Këtë e kishte
bërë për t’i shpërqendruar kryengritësit nga Gryka e Kaçanikut. Pastaj tri
batalione të ushtrisë turke u dalin prapa shpine kryengritësve, duke sulmuar në
shumë drejtime. Batalioni, nën komandën e Osman Pashës, “me ndihmën e
fshatarëve serbë dhe të mësuesve serbë... ” vepra e përmendur “Histori e
shkurtër e Kosovës”, Noel Malcolm) depërtuan dhiareve (rrugicave) të fshehta
malore drejt luginës së Moravës. “Luftimet qenë të përgjakshme në fshatrat:
Kabash, Lubishtë, Binçë ...” (Shukri
Rahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969, faqe 144) Kryengritësit me ngut,
në mesin e tyre edhe kabashët, u detyruan të ktheheshin për t’u vënë në
mbrojtje të fshatit të tyre. Lufta për jetë a vdekje zhvillohej krejt afër
fshatit. Krismat e armëve dëgjoheshin edhe në Kabash. Forcave kryengritëse iu
bashkëngjitën edhe kabashë të tjerë. Kabashët duke njohur çdo pëllëmbë të
terrenit, duke pasur udhëheqës me përvojë të madhe luftarake, si: Adem e
Mustafë Kabashin dhe në bashkëveprim me kryengritësit e fshatrave të tjera, u
shkaktuan humbje të mëdha turqve. Kryengritësit shqiptarë, sado trima që ishin,
për mungesë të municionit të bollshëm, teknikës ushtarake dhe vonesës së
ardhjes së forcave nga rajonet tjera, u detyruan të zmbrapseshin. Pas
depërtimit të forcave të Osman Pashës në fshatrat e Moravës, turqit e zbrazën
tërë mllefin, egërsinë e tyre me seri sulmesh, vrasjesh, bastisjesh, burgosjesh
të urryera kundër civilëve, për humbjet që i kishin pësuar nga kryengritësit
shqiptarë. Shtëpisë, odës, stallës dhe mullarëve të sanës së Adem e Mustafë
Kabashit ia shtinë flakën. Të gjitha këto i bënë shkrumb e hi. U dogj oda më në
zë në Anamoravë. U shkatërrua hapësira, logu që shfrytëzohej për kalërimin e
kuajve të racës, në afërsi të odës, aty ku janë sot shtëpitë e Marjanit,
Serafinit..., përgjatë rrugës që shkon për në Sumullore. Logu ishte i pajisur
me të gjitha mjetet për stërvitje të kalorësisë, tamam si një poligon i vërtetë
ushtarak. Odën e kishin ndërtuar mjeshtrit e njohur të asaj kohe, të ardhur nga
Dibra e Madhe. Haxhi Isuf Mustafa - Kabashi 1900 -1982, nip i mulla Arifit,
tregonte se njëri prej ustallarëve dibranë, gjatë ndërtimit të odës sëmurët dhe
vdes në Kabash. Ai varroset në varrezat e Kabashit me të gjitha ceremonitë
fetare dhe për një muaj rresht gjyshi Arifi e mbajti derën hapur për
ngushëllime. Në këtë odë ishin pritur e përcjellë me bujari krerët e Lëvizjes,
si: Bajram Curri, Rrustë Kabashi, Idriz Seferi etj. Librat dhe dokumentet e
tjera personale të atdhetarit Arif Kabashi u konfiskuan dhe u dogjën. Zjarri
nuk u shua me ditë të tëra. Shumica e kabashëve u arratisën në mal, ose u
fshehën te miqtë. Ata që u zunë, u
burgosën dhe pas pak ditësh u nxorën para gjyqit në Gjilan, Adem e Mustafë Arif
Cenaj - Kabashi dhe Brahim Ahmet Cenaj - Kabashi u vranë me tradhti, kurse
Ibish Jakup Cenaj – Kabashi u plagos në gjysmën e parë të muajit maj 1910, i
rrethuan trimat te vendi i quajtur Shkitza, në pronën e tyre (sot, vendi mbi
shtëpitë e Gashëve, 1 km larg fshatit, nga mund të shihej fshati si në pëllëmbë
të dorës), herët pa zbardhur drita dhe i vranë në gjumë. Trupat pa jetë të kolosëve
të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar i lidhën me shokat e tyre për këmbësh dhe i
tërhoqën zvarrë mespërmes fshatit. Në qendër të Kabashit, në praninë oficerëve
e ushtarëve turq, grave e fëmijëve të fshatit, nëna e Brahimit u afrohet
trimave të shtrirë rrah për toke, përkulet lehtë mbi ta, i përqafon, ua
rregullon mitanët e shkopsitur, këmishët e zhubravitura e të gjakosura, ua
mbulon fytyrat trimave me shërvete, i hallallon dhe sikur të ishin të gjallë,
flet me ta: “Lufta vret, po këta katilë të pabesë ju vranë në besë! He,
medet!!” U ngrit në këmbë dhe me lotët që i ndrinin në sy, i drejtohet zabitit
osman: “I vratë me tradhti bre, u shofshi me farë e me fis, jarebi! Ptu, po
milet i fëlliqët ishi kanë! ” Ushtarët turq, i trembi nëma e nënës shqiptare, i
la pa mend qëndrimi i saj dhe, me ngut,
sipas urdhrit, të vrarit i ngarkuan në
qerre tërheqëse, por këmbët u mbetën jashtë,
sepse trina ishte e shkurtër për
trupat e tyre muskulorë e të mëdhenj dhe i nisën në drejtim të Gjilanit. Për
qëndrimin atdhetar dhe luftën kundër
pushtuesit, vëllezërit Adem e Mustafë Arif
Cenaj - Kabashi, mbeten emra të
nderuar në Anamoravë dhe më gjerë. Kjo humbje e madhe e tronditi Kabashin.
Kabashët e patën vështirë për ta vazhduar luftën, por megjithatë edhe pa
strategët e shquar qëndresa vazhdoi. Në luftën për çlirimin e Shkupit, gusht –
korrik 1912, kabashët, të udhëhequr nga luftëtari tashmë i rryem, Halit Brahim
Muçaj - Kabashi 1874 - 1949 ishin ndër kryengritësit e parë që depërtuan nga
rajoni i Moravës së Epërme në Shkup. Gjatë
ekspeditës ndëshkuese maj-qershor të vitit 1910 për kapjen, likuidimin e
kryengritësve të fshatit Kabash, turqit nuk arritën ta shtinin në dorë
kryengritësin Januz Balën – Kabashin 1865- ?, i cili diti t’u shmangej asqerëve
turq. Turqit në shenjë hakmarrjeje, familjen e Januzit me të gjithë anëtarët e saj e internojnë.
SA U THYE NJË OKUPATOR ERDHI TJETRI
Me shpërbërjen e
perandorisë turke në vitin 1912, trupat serbe e pushtuan Kosovën. Me të arritur
në Kosovë: “Oficerët serbë (shkruan New York Times, 31 dhjetor 1912), urdhëruan
mënyrën më efikase për t’i paqësuar
shqiptarët, pra zhdukjen e tyre totale. Në shumë fshatra i digjnin shtëpitë.
Kur banorët e pafat përpiqeshin t’i shpëtonin flakës, vriteshin si minjtë.
Burrat vriteshin para grave dhe fëmijëve. Pastaj, ata i detyronin gratë që t’i
shikonin fëmijët e tyre, kur ata brutalisht i thernin me bajoneta.” (Joran
Vaseniusi “Sëmundja mistike”, Prishtinë, 2009, faqe 12, përktheu nga suedishtja
Hamit Gurguri). Planeve serbe për
zhdukjen sistematike të shqiptarëve nuk i shpëtuan as kabashët. Në pjesën e
dytë të muajit tetor të vitit 1913, një grup kaçakësh të udhëhequr nga Rrustem
Januz Kabashi (1891-1914) zbresin nga
mali në katund, hetohen nga rojat serbe
dhe thirrjeve të tyre për t’u dorëzuar, për të treguar se kush janë, kaçakët u
kundërpërgjigjen me armë, duke vrarë dy serbë. Ngjarja ndodh në mbrëmje vonë,
në anën perëndimore të xhamisë së fshatit, në largësi prej 20 metrash. Dikush
prej kabashëve e alarmon fshatin për rrezikun pas vrasjeve të serbëve duke
bërtitur rrugëve të fshatit: “Hiqni o katund, nji sahat e ma parë, se veç sa
nuk na kanë ra shkijet!” (Lëshoni shtëpitë, dilni prej tyre një orë e më parë
(sa më shpejt) se veç sa nuk na kanë
sulmuar serbët.) Sipas Ruhan Abdylit 1906-1983. Nga frika se do të shpalleshin
fajtorë edhe ata kabashë, që dëgjuan për rrezikun, nuk dolën nga shtëpitë.
Pushtuesi serb me kohë e priste një rast të këtillë për t’i shfryrë epshet
shoviniste mbi kabashët’ për t’ia ndërruar pamjen etnike fshatit. Atë natë u rrethua i tërë fshati nga forca të
shumëfishta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe civilëve serbë. Sipas dëshmive të
atyre që mbetën gjallë, që e përjetuan llahtarinë, në mëngjes të asaj vjeshte u
arrestuan të gjithë meshkujt mbi moshën 15-vjeçare. Së pari të arrestuarit i
ngujuan në xhaminë e fshatit, me pretekst se janë duke bërë hetime. Po atë ditë
të arrestuarit i dërgojnë (i ngujojnë) te Kulla e Mbretit në Viti. Kulla ishte
te udhëkryqi ku ndahet rruga, që vjen prej mëhallës së debelldasve, për te
tregu i sotëm i pemë-perimeve. Këtë kullë para 1912-tës e shfrytëzonte
xhandarmëria turke, kurse më vonë xhandarmëria serbe si postëkomandë. Atë që
nuk arriti ta bënte ushtria serbe më 1912, siç veproi në fshatrat fqinje, kur u
dogjën, u masakruan, u pushkatuan edhe fëmijët: në Smirë, në Goshicë, në
Lugishtë (Lubishtë), në Mogillë, në Mollëkuq (Trestenik) etj., ky rast u desh
të shfrytëzohej që t’i zhdukte nga faqja e dheut banorët e fshatit kryeneç, të
cilët në vitin 1912 kishin shpëtuar vetëm me një të vrarë (Vesel Hasanin 43
vjeç) dhe të “realizohej plani i Serbisë për kolonizimin, më mirë të thuhet për
serbizimin e vendeve ku popullata ishte më tepër shqiptare” * Dr. Millovan
Obradoviq, Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941, Prishtinë, faqe
5. Fshati ende nuk kishte arritur t’i shëronte
plagët që ia kishte shkaktuar Shefqet Turgut Pasha (1910), kur u dogj gati
gjysma e fshatit dhe u vranë me tradhti, vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi,
frymëzues, organizatorë dhe pjesëmarrës të luftës në Grykën e Kaçanikut dhe në
Luginën e Moravës kundër Turgut Pashës, dhe ja tani erdhi okupatori tjetër edhe
më i egër e më mizor. “Atëherë, Kabashi kishte 424 banorë ... “(Z. Rexhepi
“Kabashi i Anamoravës së Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 12). Në Kullën e
Mbretit të arrestuarit u mbajtën dy ditë. Ditën e tretë, në mbrëmje, në këmbë,
të lidhur me shoka të të arrestuarve, dorë për dore, dy nga dy dhe me forca të
mëdha sigurie, i nisin për në Gjilan. Kështu i gënjenin të burgosurit, sikur në
Gjilan do t’i nxirrnin para gjyqit të “drejtësisë”. Kurse në anën tjetër ata e
kishin përgatitur humnerën ku do t’i masakronin. Fshatit ia vunë zjarrin. U
dogjën të gjitha shtëpitë, plevicat, gardhiqet, me përjashtim të dy shtëpive,
të cilat i përballuan zjarrit ose u lanë me qëllim (shtëpia e Rexhep Çaushit
dhe ajo e Hetem Hasanit). Në plevica, ku ishin fshehur, u dogjën Qazim Shabani,
20-vjeçar, Rrustem e Shaban Sallahu, njëri 19 e tjetri 17-vjeçar në praninë e
nënës së tyre, e cila u kacafyt me xhandarët për t’i shpëtuar djemtë, Ibish
Jakupi, 48-vjeçar u vra në fshat, Agush Ahmeti, 30 vjeçar po ashtu u vra në
dalje të fshatit. Murat Salih Abdylin, 50-vjeçar, të sëmurë, veshur në këmishë
e done (brekë), e vret shërbëtori i dikurshëm i tij, pasi e lirojnë si të
sëmurë. I vrari u varros në vendin e ngjarjes, 300-350 metra larg Kullës, skaj
rrugës në hyrje të fshatit Kabash, 30 m. afër mullirit të Miftijajve, bash te
bërryli ku është ndërtuar tash pompa e benzenit. Fshati u plaçkit. Të gjitha
gjërat e vlefshme u grabitën: pajën e nuseve e të vajzave, bulmetin, fasulen,
dimërishtat e rezervuara, misrin, grurin... Dyert e oborreve, hambarët, qerret
deri vonë janë vërejtur në shtëpitë e plaçkitësve në Viti, në Binçë, në
Vërbovcë e në Kllokot. Jahi Selmani
(1896-1968), person i cili i shpëtoi pushkatimit, pas shumë vitesh, në
rrojtoren e Misin Kabashit, në Gjilan, Gata Veleshanit nga Velekinca, xhelat në
plojën e madhe të kabashëve, ia ka parë
në dorë kutinë e argjendtë për duhan dhe qelibarin e Aziz Abdylit (hoxhë i
fshatit, i pushkatuar). Çfarë mjerimi, të vrarët janë plaçkitur! Plaçkitësit i morën me vete të gjitha, duke
lënë pas vetëm vajin e nënave për djemtë, vajin e nuseve për burrat, vajin e
fëmijëve për prindërit dhe mallkimin e grave drejtuar vrasësve, barbarëve.
Fshatit i vinte era shkrumb me javë të tëra.
Gjëma e të vrarëve u dëgjua me ditë të tëra. U vranë, u therën me thika dhe u
groposën aty 54 veta, (ndoshta edhe më shumë) disa për së gjalli, në një
humnerë të përgatitur më parë te Zabeli i Sahit Agës, në afërsi të Kllokotit
(tash pronë e Banjës së Kllokotit). Sipas Jahi Selmanit, i cili e pa me sy
ngjarjen, aty ku u masakruan bashkëvendësit e tij thoshte se pas thirrjes së
Rexhep Çaushit (1850-1913), i cili megjithëse që ishte i sëmurë (“...serbët e
kishin marrë thuaja nga shtrati...” (Z. Rexhepi “Kabashi i Anamoravës së
Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 57)
gjeti forcë, me atë zërin e tij pushkë, tërë nerv e shpërthyes si dikur
në luftën e vitit 1910 kundër ushtrisë turke në Kaçanik dhe fshatrat e Moravës
së Epërme për t’u dhënë zemër kabashëve: “Qëndroni vllazën, mos u dorëzoni ...
kundër anmikut duhet me luftue edhe me duer lidhun!”. Pas thirrjes së tij për
qëndresë, shpërtheu një revoltë e rrufeshme, u krijua një rrëmujë e pështjellim
i përzier me krisma pushkësh e britma shurdhuese. Shkijet të tmerruar nga revolta
e të arrestuarve e humbin kontrollin dhe filluan të shtinin pa ndërpre mbi të
lidhurit. Gjatë rrëmujës thuhet se ka pasur të vrarë edhe xhandarë. Në saje të këtij kundërshtimi
të paparë, arritën të shpëtonin gjallë, përveç Jahi Selamnit edhe, Feriz
Osmani, Ramë Kaçarremi, Deli Muçaj dhe Qerim Mehmetuka. Në mesin e të vrarëve
pati edhe mysafirë që u gjetën atë natë të kobshme në odën e Sylë Jasharit. Ata
ishin tre veta, njëri prej tyre dhëndër i xha Sylës nga Ballanca, fshat në
komunën e Vitisë. Në këtë plojë u vra edhe një mysafir tjetër nga Mogilla,
Misin Luzha. Fshati mbeti në duar të grave dhe fëmijëve. Shumica e nënave i
rritën fëmijët në gjini, për t’u kthyer pas tre vjetësh, e për të rifilluar
jetën në fshatin e djegur. Me mund të madh arritën t’i shëronin plagët sadopak
dhe t’u dilnin zot trojeve që ua lanë amanet të parët. Ata nuk i harruan
fjalët, mesazhin e Bajram Currit, Isa Boletinit, Mustafë Kabashit, në vitin
1909 para se të çlirohej Shkupi, ku qëndruan dy net në Kabash për ta mobilizuar
popullin në luftë kundër turqve. Që atëherë u kishin thënë të tubuarve në
oborrin e xhamisë së fshatit: “Ky truall është i yni. Ta ruajmë e ta mbrojmë si
sytë e ballit” (Sipas Saqip Misin Salihut 1882-1961). Peripecitë nuk kanë të
sosur. Duhej të ndërtoheshin shtëpitë dhe gjithçka tjetër që u nevojitej për
jetë. Disa familje u shuan, disa të tjera u shpërngulën në Turqi. Pastaj filloi kolonizimi i fshatit me serbë të
ardhur nga Vllasina. Toka u merret, po dëshira për të jetuar në trojet e të
parëve vazhdon me ngulm.
KOLONIZIMI
Kolonizimi i
fshatit Kabash filloi që në vitin 1914, menjëherë pas Dekretligjit të qeverisë
së Serbisë për popullimin e territoreve të “çliruara” nga Turqia me popullsi
sllave. “Dekretligji u nxor më 20 shkurt 1914 dhe u plotësua me 9 maj 1914”
(Dr. Millovan Obradoviq, Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1918-1941,
Prishtinë, 1981, faqe 24). Ideja për kolonizim ishte e vjetër. Që në vitin 1912
fillon politika asimiluese me qëllim që të shtrëngoheshin shqiptarët për ta
braktisur Kosovën. Organet lokale serbe kishin urdhra nga më të ndryshmet:
rritja e tatimeve, marrja e tokave, e shtëpive, mit marrja, dënimet e rënda pa
përfillur as ligjet, që i kishin në fuqi kur bëhej fjalë për popullsinë
shqiptare. “Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve, më mirë të mos
përmenden; që atëherë urdhri i ditës ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë
– jo vetëm që lejohet, por kërkohet dhe urdhërohet.” (Noel Malcolm “Kosova një
histori e shkurtër”, Faqe 265) “Mbërritja e malësorëve (kolonistëve) malazias
në Kosovë sipas traditave të tyre ushtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe,
herë-herë, me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata e zaptonin.”
(Bato Tomasheviç, “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, Onufri, 2009, Tiranë, faqe 20).
Me praktika nga më të egra naziste u bënë pushkatime të popullsisë vendëse pa
kursyer as fëmijët, gratë dhe pleqtë. U dogjën fshatra të tëra, ashtu siç u
dogj edhe fshati Kabash. Kjo bëhej me të vetmin qëllim që me pastrime etnike të
krijohej hapësirë sa më e madhe për kolonët nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnje Hrcegovina.
Pushtetmbajtësit bënin gara se kush do të shpërngulte më tepër shqiptarë, se
kush do t’i kontribuonte më shumë ndërrimit të strukturës demografike të
Kosovës, se kush do ta bënte më tepër që të dukej Kosova “tokë e shenjtërisë
serbe”. Presionet ishin të egra dhe të
përhershme. Në këto rrethana dhune e
represioni kabashët filluan të shpërnguleshin në dy drejtime: Turqi dhe
Shqipëri. Kabashët, lanë shtëpitë, tokat gjithçka që ishte e tyre dhe me nga
një bohshçe në shpinë, u nisën nga sytë këmbët. Disa familje arritën të shkonin
në Anadoll (Turqi), kurse shumica e familjeve mbetën me vite të tëra në Shkup,
duke pritur viskat (vizat) për në Turqi.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, rruga për Turqi u mbyll.
Kabashët, në vitin 1917 kthehen prapë në Kabash. Ata kthehen në shtëpitë e
tyre, pasi uzurpuesit e shtëpive, e
tokave nuk kishin dhënë asnjë dinar, me përjashtim të disave që kishin dhënë
vetëm kaparin. Intensiteti i ardhjes së kolonëve serbë vazhdoi me ritëm edhe më të shpejtuar pas
ripushtimit të dytë serb në vitit 1918. Kolonët ishin nga Vllasina, që të
gjithë serbë. “Në Kabash u vendosën 34 familje kolone.” (Dr. Millovan Obradoviq
“Reforma agrare ... “, faqe 343). Kështu ata ua morën kabashëve utrinat, malet,
livadhet dhe tokën e punueshme që e kishin paguar me florinj. Kolonët të
ndihmuar me vegla për punimin e tokës, të liruar nga tatimet dhe të stimuluar
nga shteti, arritën të mëkëmbeshin shumë shpejt. Kabashët u bënë argatë në
tokat e tyre. Në verën e vitit 1914 ushtria bullgare pushtoi pjesën juglindore
dhe jugore të Kosovës. Në zonat e pushtuara, ku ndodhej edhe Kabashi, bullgarët
vazhduan me represione dhe krime mbi popullsinë shqiptare. Gjatë okupimit
bullgar ose siç thonë kabashët: “në kohën e bugarit t’parë”, familjet e
kabashëve, që nuk kishin mundur t’i siguronin viskat për në Turqi u kthyen nga
Shkupi. Në vitin 1918 ikën okupatori bullgar, erdh “serpi i dytë”. Pushtuesi
serbë duke përdor mekanizmat shtetërore: policinë, ushtrinë, çetat vullnetare
të specializuara për vrasje e terror dhe në bashkëveprim të përhershëm me
krerët e kishës ortodokse, Akademinë Serbe të Shkencave dhe popullatën e saj vazhdoi me politikën shoviniste e kriminale kundër shqiptarëve. Me
ndihmën e qarqeve shoviniste ortodokse ruse e greke, serbët krimet mizore,
gjenocidin i fshihnin nga opinioni evropian dhe ai botëror. Për 22 vjet të
ekzistencës së saj monarkia serbe pamëshirshëm
terrorizoi popullsinë shqiptare. Nga represioni serb, në vitin 1927, emigrojnë
në Turqi edhe familjet Ymeraj (Cenaj), ndërkaq dy vjet më vonë shpërngulën
familjet e Hasan Brahim Kabashit, Rexhep e Ahmet Agush Kabashit dhe Hamdi Nezir
Kabashit (Cenaj). Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave në rajonin e Vitisë
krijohet një gjendje anarkie rreth
caktimit të kufirit mes Italisë dhe Bullgarisë. Kaçaku Tafë (Mustafë) Kabashi
(19111943) zbret nga mali dhe me forcë e pushton ndërtesën e xhandarmerisë
serbe në Viti, formon një formacion policësh vullnetarë, dhe vetë vihet në krye
të vullnetarëve. Ky formacion policësh mbajti rregull me aq sa mundi deri në
ardhjen e forcave të okupatorit. Maj
1941, Vitia me rrethinë prapë bie nën okupimin bullgar. “Në kohën e bugarit
t’dytë” 1941-1944, familjet bullgare të
ardhura në Kabash që në vitin 1914/15 nga rrethina e Surdulicës në krye
me Janë Bugarin, në bashkëveprim me pushtuesin, tri vjet me radhë, keqtrajtuan
e plaçkitën popullsinë vendase. Nga dhuna e presioni familje të tëra të
kabashëve ishin arratisur matan kufirit në fshatrat fqinje; Smirë Komogllavë,
Merasal, Perlepnicë, Bresalc, Gjilan etj. Në zonën e lirë, që quhej Shqipëria e
madhe. “Tanët (Kabashët), sa ishim matan kufinit (në zonën e lirë), tregonte
Xhemajl Azizi 19091987, u patën ba gati
me vra Janë Bugarin se bajke (bënte) shumë zullum në katund (Kabash), po baci
Hamdi (Hamdi Nezir Kabashi 1895-1945) nuk i ka psa lanë. Nuk ban, ju thotë: “Se
bugarët e kallin krejt katundin me çka ka. Se sa për Janë Bugarin, që i tutna,
tash shkoj, në thes e shti dhe të gjallë e bie këtu para jush.” Më 5 shtator 1944 theu qafën pushtuesi bullgar. Vargjet me të cilat
Engjëll Zefi nga Stublla e përshkroi ikjen e bullgarëve edhe sot mbahen
mend: Thotë Bugari tuka tuka (këtu, këtu) N’ket Shipni, ma
s’haet buka. S’haet buka, s’pihet rakia. Begaj, begaj (ik, ik) kah Sofija. Pushtetin në Viti e morën shqiptarët. Kryetar
komune emërohet Hasan Brahim Kabashi. Serbët, të vetëdijshëm për krimet që
kishin bërë në fshatrat e komunës së Vitisë, sidomos në vitet 1912-1913 (kishin
masakruar mbi 350 shqiptarë), u tmerruan nga ardhja në pushtet e shqiptarëve,
por kryetari Hasan Kabashi, i njohur për dinjitet e sedër të madhe shqiptarie,
gjatë gjithë kohës sa ishte kryetar, vuri rend e disiplinë dhe nuk lejoi
hakmarrje, plaçkitje e shkatërrime. Me ardhjen e partizanëve (nëntor 1944)
shumë kabashë të prirë nga Hasan Brahim Kabashi dalin në mal për të vazhduar
rezistencën kundër pushtuesit të vjetër, por tash me emër të ri (partizan) dhe
formojnë njësi të reja luftarake, të cilat për një kohë të shkurtër u rritën në
batalione. Hasan Kabashi me Jahi Selmanin e kabashë të tjerë, në dhjetor të
vitit 1944, zbret nga malet dhe natën për dritë të hënës hyjnë në Viti, i
afrohen ndërtesës ku ishte selia e Komandës, e çarmatosin rojën, ngjiten
shkallëve në katin e dytë, me shqelma e
hapin derën dhe me armët ngrehur futen rrufeshëm në zyrën e Komandës
serbe. Aksioni ishte menduar për t’i
kërcënuar, paralajmëruar çetniko-prtizanët të hiqnin dorë nga dhuna që
ushtrohej mbi popullsinë shqiptare. Ja
si e përshkruan ngjarjen Jahi Selmani (1896-1968), pjesëmarrës i aksionit: ”Kur
hymë brenda, komandanti partizan dhe bashkëpunëtorët e tij, të zanun në befasi,
vikaten (bërtitën): “Lele majko! (Kuku nanë...)! I çuen duert nalt dhe i ranë
te kamt Hasanit: “Aman Hasan aga, në dorën tande e të Zotit!” – “Nalni kukamat!
– u vikati Hasani - Nuk kam ardh me ju
vra, po kam ardh me ju thanë: Boll keni vra shqiptarë, prej sodit, po bani vaki me vra veç nji
shqiptar, kemi me ju kall me krejt çka kini”.
“Po të betohem Hasan aga, në kryq e fëmijë, në krejt çka kam se, nuk ka
me pas ma vrasje, krejt kemi me kanë të barabartë, si shqiptari, si serbi.”-
foli komandanti serb tue u dridh prej tutës. Hasani nuk e zgjati muhabetin ma
shumë. Në dalje, poshtë shkallëve, e zgidhëm (liruam) rojën serbe dhe u kthyem
në pozicionet tona në mal”. Në vitin në vijim, janar 1945, partizano-çetnikët
nuk e mbajtën fjalën që ia kishin dhënë Hasan Kabashit, mizorisht e ekzekutojnë
Shaban Zeqirin në dalje të fshatit, pasi që më parë me dhunë e nxjerrin nga
shtëpia. Po atë ditë, serbët torturojnë Saqip Misinin, Ruhan Abdylin ... hyjnë me dhunë në shtëpi të Ramë Januzit, të mllefosur pse nuk e gjejnë Ramën
e rrahin të birin e tij, Rrustemin 14 vjeç.
Në shkurt-mars 1945 “pushteti
popullor” nën akuzën se kishin luftuar kundër njësive partizane në malet e Karadakut
burgosi këta kabashë: Ahmet Zenunin, Shefki Kamberin, Nazmi Deliun, Isuf
Mustafën, Jahi Selamnin, Hashim Muratin, Haxhë e Haki Azemin, Ahmet Zenunin,
Xhemajl Azizin, dhe Ismajl Caushin Me nderhyrjen e Hasan dhe Rexhep Kabashit te
komandanti i Komandës lokale, Millun Popoviqit (me kombësi malazias) në
Buzovik, të cilin e kërcënojnë: “... po vazhduat me arrestime, dhunë e vrasje
të shqiptarëve, mbahuni mirë... nuk kemi me ju lanë me dal as n’ara, as
n’mal... armë kemi edhe na!” Të
nesërmen, me intervenimin e Komandantit malazias, i cili e mbajti fjalën, të
burgosurit lirohen. Më 18 prill 1945 në malet e Kopilaçës në përleshjen me
brigadat partizane vritet Hamdi Kabashi me djalin Bajramin. Forcat balliste, në
kushtet e një rrethimi pothuaj pa rrugëdalje, në fund të vitit 1945 vendosin të
arratisen në tokën greke. Duke kaluar kufirin në Kranj të Maqedonisë, me 28
nëntor 1945, plagoset për vdekje komandant Hasani, kurse në Follorinë të
Greqisë, në pjesën e dytë të dhjetorit, vdes Rexhep Kabashi. Me gjithë
premtimet e “pushtetit popullor” se edhe shqiptarët kanë për t’i gëzuar të
drejtat kombëtare, kjo nuk ndodhi. Të drejtat e tyre u nëpërkëmbën edhe më tej.
Vërtet. Skamje e fukarallëk. Kam pasur rast të dëgjoj me dhjetëra herë se në
emër të grumbullimit të ”tepricave” për viset e tjera “të varfra”, edhe miellin
në magje ua ka marrë “pushteti popullor”
familjeve shqiptare në Kabash. Strukturat serbo-jugosllave edhe në rrethana të “pushtetit
popullor” .... vazhduan rrënimin e qenies etnike dhe shoqërore të shqiptarëve
“në përputhje me frymën e memorandumeve të akademikëve serbë” (Jusuf Buxhovi,
“Kthesa historike 3”, Prishtinë, 2009, faqe 362) dhe asnjëherë nuk u ndalën me barbaritë e tyre
gjenocidale, duke hapur dosje e duke organizuar gjykime kundër shqiptarëve me
pretekst dyshimi dhe veprimtari kundër shtetit. Kështu edhe në Kabash, në maj
të vitit 1952, arrestohen: Gjemajl Aziz Azizi 1909-1987, Jahi Elez Selmani
1895-1968, Smajl Elez Selmani 1904-1984, Sylejman Rexhep Agushi 1931-2004 dhe
Gjemajl Osmani 1905-1970, të akuzuar se kishin strehuar: Rexhep e Ahmet Agush
Kabashin, Shaqir Xhemë Kabashin, Beqir Bajgorën kuadro diversantë
anglo-amerikanë që kishin hyrë në Shqipëri për ta përmbysur regjimin komunist
të Enverë Hoxhës. Gjemajl Azizi dënohet me 10 vjet burg, Sylejman Rexhep Agushi
me 8 vjet burg, kurse vëllezërit Jahi e Isamjl Elez Selamani me nga 6 vjet
burg. Gjemajl Osmani lirohet. Regjimi komunist
në janar-shkurt të vitit 1956 gjatë Aksioni famëkeq për grumbullimin e
armëve, udbashët Novica Gjokiq, Vesko Veselinoviq etj. rrahën e torturuan deri
në alivanosje: Fetah Halitin, Ramë Januzin, Nazmi Deliun, Smajl Selmanin, Hasan
Hasanin, Baki Zeqirin, Ilmi Trakalaçin etj. Fetah Haliti dhe Ramë Januzi nga
pasojat e dhunës çnjerëzore që
ushtruan policët e “pushtetit
popullor” mbi ta, vdiqën. Vitet 1945-1960 ishin të vështira për popullsinë
shqiptare. Terrori dhe shtypja policore vazhduan gati me të njëjtin intensitet
si në Jugosllavinë mbretërore, por tash, në Jugosllavinë e re socialiste, kjo
bëhej në mënyrë më perfide, dinake sepse mbulohej me propagandën e zhurmshme
komuniste. Parullat për bashkim-vëllazërim rehabilitonin krimet gjatë luftës së
porsapërfunduar, mbulonin krimet e
nisura, ndërsa për krimet e vjetra ishte e ndaluar të flitej. “Kosova ishte e
vetmja pjesë e vendit (Jugosllavisë Socialiste), ku kishte më shumë burgje e
kazerma sesa shkolla! Vetëm gjatë viteve 1946-1966 u detyruan 100.000 shqiptarë
të emigronin në Turqi.” (Joran Vaseniusi,”Sëmundja mistike”, Prishtine, 2009,
faqe 13). Për dy dekada rresht aparati i partisë dhe sigurimit shtetëror në
Kosovë ishte i rezervuar vetëm për serbë e malazez. “Fushata kundër
intelektualëve shqiptarë dhe kulturës shqiptare fillon menjëherë pas luftës,
por përmasat e ashpra do t’i fitojë nga viti 1949 e deri në vitet e
gjashtëdhjeta, me të cilat fillojnë të rrënohen edhe ato pak rezultate që
kishte sjellë emancipimi arsimor me hapjen e shkollave fillore në gjuhën
shqipe...” (Jusuf Buxhovi, “Kthesa historike 3’, Prishtinë, 2009, faqe 365). Rreth viteve ‘60 të shekullit XX, sidomos pas
rënies së Aleksandër Rankoviqit 1966, kolonët serbë dhe ato pak familje
bullgare pasuritë e patundshme që ua kishin marrë vendësve filluan t’ua shisnin
për para të majme ardhësve nga vendbanimet malore të Karadakut dhe vendësve
kabashë. Kabashët u detyruan për herë të dytë ta paguanin tokën që dikur ishte
e tyre. Në prag të viteve ‘70 në Kosovë
u bënë ndryshime të ndjeshme pozitive: u hap Universiteti, u arrit fitorja e
përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, u ndal paksa persekutimi e
ndjekja e theksuar e shqiptarëve,
shkolla shqipe nisi një ecje ca më të mbarë, një rritje ca më të
shpejtë. Në shkollën fillore të qytezës së Vitisë u shtua numri i nxënësve, i
arsimtarëve, i klasave, u hapën
paralelet e para të gjimnazit, paralele këto në kuadër të gjimnazit “Zenel
Hajdini” në Gjilan, diplomohet gjenerata
e parë e nxënësve shqiptarë të shkollës së mesme bujqësore me mësim në gjuhën
shqipe. Pati një ngjallje të furishme të
aktiviteteve kulturore e sportive. U organizuan koncerte, turne në futboll të
vogël, u vunë në skenë dramat e autorëve shqiptarë (Xhemil Dodës, Toni Shoshit,
Adem Mikollovcit, Azem Shkrelit, Isuf Kelmendit) të përgatitura prej
entuziastëve të rinj, u forma Shoqëria kulturore artistike Shqiptare “Besa”.
Kjo kohë e të marrjes frymë paksa më
lirisht u shfrytëzua deri në maksimum. Vetëm nga fshati Kabash dolën me
dhjetëra kuadro me kualifikime superiore e të larta.
HEQJA E AUTONOMISË SË KOSOVËS
Përparim i hovshëm i shqiptarëve e pengonte shovinizmin serb, prandaj shërbimet sekrete të ushtrisë e
policisë serbe me qendër në Beograd, të mbështetura fuqishëm nga Akademia Serbe
e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, mediat elektronike e të shkruara, Shoqata e
shkrimtarëve, pozita e opozita serbe, por edhe nga plëngprishësit shqiptarë, i
nxorën nga dollapët planet për Serbinë e Madhe. Për dhjetë vjet Serbia krejt
potencialin e saj ushtarak – policor e propagandistik e orientoi kundër
Kosovës, banorëve të saj, duke bërë inskenime nga më të ndryshmet, më banale që
vetëm ata dinë t’i bëjnë, vetëkënaqësitë e një maniaku, me mbiemrin Martinoviq
nga Gjilani, i cili me dorën e vet shqeu bythën me shishe birre, regjimi i
Beogradit pederastin e shpalli “viktimë të dhunuesve shqiptarë.” Regjimi i
përmendur shkoi aq larg sa përdori edhe helm luftarak kundër fëmijëve shqiptarë
nëpër shkollat e të gjitha niveleve në Kosovë, sajoi procesin e Paraqinit,
ushtroi dhunë ndaj oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë që rezultojë me mbi 100
ushtarë të masakruar brenda periudhës kohore 1981-1991. Këto vrasje, Shërbimi
Sekret Ushtarak (KOS) me cinizëm të paparë i klasifikoi si “vetëvrasje” ose
“vdekje aksidentale”. Në Kabash, më 24
maj 1990 u helmuan 24 nxënës brenda lokalit të shkollës, ashtu siç ishin
helmuar me mijëra të tjerë, anekënd
Kosovës. Nxënësit e helmuar ndihmën mjekësore e morën në kishën katolike
shqiptare të Binçës. Që në rastet e para të helmimeve, mars 1990, mjekët serb,
mediat në Beograd “konstatuan” ende pa u bërë as një analizë, se helmimet janë:
“provokim i nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, “aktrim, të vlershëm
për festival të filmave në Kanë”, “komplot politik”, “histeri masive”,
“simulim” e çka jo tjetër. Mjekët serbë shkelën rëndë kodeksin dhe betimin e
Hipokratit, duke refuzuar mjekimin e nxënësve të helmuar shqiptarë. Te vendi i quajtur Baricat, mbi fshatin
Kabash, zjarrin që e kish ndezur me vetëdashje për t’i djegur shkurrnajat e
ferrat e arës të grumbulluara në një vend, pronari, Shabi Sallah Sallahu,
mediat serbe të Beogradit, me shkronja të mëdha, të nesërmen “informojnë”
opinionin, se “Irredentistët shqiptarë djegin pronat serbe”. Poetja albanofobe,
Mira Aleçkoviq, gusht-shtator 1981, në gazetën “Borba” të Beogradit, për ta
mbajtur eshkën e nacionalizmit serb ndezur, gënjeu në vazhdime për
“shpërnguljet me presion” të kolonistëve serbë nga Kabashi. Me ketë arsenal
spekulimesh, trillimesh të shëmtuara e krimesh shumëdimensionale, regjimi i
Beogradit, vazhdoi derisa i mori ingerencat që i gëzonte Kosova me kushtetutën
e 1974 tës.
RIPUSHTIMI I KOSOVËS
Gjatë periudhës prill-maj 1989, u vranë shumë
shqiptarë, në mesin e tyre gra e fëmijë, u burgosën mijëra të tjerë, ndërsa
brenda një nate u izoluan 254 intelektualë dhe kuadro të njohura shqiptare. Të
izoluarit dhe të burgosurit u torturuan në mënyrë barbare dhe mbetën me pasoja
të rënda. Në vitin 1989 Serbia e ripushtoi Kosovën “Me një program legjislativ
zyrtar bazuar në dallime etnike në Kosovë.” (Marc Weller “Shtetësia e
kontestuar”, Prishtinë, faqe 77). Shqiptarët u përzunë nga puna, shkollat,
institucionet, spitalet, administrata... torturoheshin dhe diskriminoheshin sistematikisht.
Policët serbë u bënë prokurorë e gjyqtarë. Ata ishin të lirë t’i torturonin,
t'i dënonin, t’i plaçkitnin shqiptarë kudo: në rrugë, në autobus, tren, në
vendkalimet kufitare, në zyra, në pronat e tyre, dyqane, në dasma e gazmende të
tjera familjare, në fusha sportive etj. Ja çka i deklaron një dëshmitar në
lidhje me plaçkitjet serbe Tim Judës, autorit të librit “Kosova luftë dhe
hakmarrje”, Prishtinë, 2002, faqe 180:
“Ata (fjala është për policët serbë, shënim i S. Abdylit) të ndalojnë
dhe të grabisin, duke të kërkuar para për çfarëdo që t’u shkojë mendja. Të
vijnë në dyqan, marrin gjëra dhe thonë se do t’i paguajnë nesër. Sigurisht që
nuk paguajnë asnjëherë.” Kryeinspektorët, inspektorët, policët,
taksambledhësit, administratorët, ofiqarët, doganierët, oficerët, mjekët,
inkasantët, postierët, prokurorët, gjyqtarët, rojtarët, dilerët, gjeodetët
... duart i mbanin në xhepat e
shqiptarëve. Aparthejd i ndytë. Prapa këtij Aparthejdi të egër qëndronte shteti
serb. Për ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë në vitin 1999, Mirko Kovaç,
shkrimtar i njohur, i lindur më 1938 në Bileqe (Bosnje), i intervistuar nga
Smajl Smaka, Prishtinë, thotë: “Në këtë moment ende nuk e dimë epilogun e
dramës shqiptare në Kosovë, janë të ditura vetëm vuajtjet dhe pësimet, si dhe
triumfi i shkollës së re të egërsisë së nazizmit serb. Ky triumf dhe sheqerosje
në vuajtjet e tjetrit përsëritet që nga kohërat e luftërave ballkanike, kur
serbët "i rregulluan arnautët", por atëherë së paku kishte më shumë
ngushëllime me shqiptarët, kur socialdemokratët serbë ashpër i binin regjimit.
Sot nuk ka zëra disonantë, të gjithë "serbët e botës" janë për
dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe për çlirimin e tokës së shenjtë nga
fantazma. Disa hulumtime dëshmojnë së 90 për qind e serbëve janë për dëbimin e
shqiptarëve. Tanimë ata çuditen pse NATO pengon që definitivisht të zgjidhet
çështja shqiptare. Sikur të mos ishte komploti i rregullit të ri botëror,
gjenocidi do të zhvillohej me gëzim, me
bakanaleje e me vallëzim "mbi varrezat e të huajve” (e shqiptarëve –
shënoi S.A).” (marrë nga faqja në internet:
http://www.standardal.com/tekst.php?idt=2 0763.) Në historinë e gjitha luftërave kundër
pushtuesve të huaj, kabashët rrugën e
shpëtimit e gjenin drejt malit, por në luftën e fundit, mars-qershor 1999,
soldateska serbe kish marrë masa me kohë duke zënë të gjitha shtigjet drejt
malit. Serbia, gjatë bombardimeve të NATO-s, intensifikoi luftën me zjarr e me
hekur me qëllim që ta përfundojë zhdukjen rrënjësisht të popullsisë shqiptare.
Kështu ndodhi edhe me banorët e fshatit Kabash. Brenda një kohe shumë të
shkurtër, serbët me operacione të koordinuara nga persona të armatosur serbë,
në bashkëpunim me serbët lokalë hynë nëpër shtëpitë e kabashasve dhe me armët
ngrehur i urdhëruan t’i lënë shtëpitë, të nisen drejt Vitisë dhe pastaj në
Maqedoni ose në Shqipëri. Autorin e këtij shkrimi, banda prej 6 militarëve
serbë, njësi speciale për zhvendosjen e popullsisë, në orët e vonshme të
mbrëmjes, më 6 prill 1999, me tërsëllëm e nxjerrin jashtë shtëpisë bashkë me të
vëllanë, e torturojnë fizikisht, e kërcënojnë me armë dhe e urdhërojnë: “Që
sonte duhet t’i lëshoni shtëpitë! (Idite) Shkoni... mund të zgjidhni në
Shqipëri ose në Maqedoni.” Edhe në këto
rrethana të rrethimit të hekurt, në luftën e 1999-s, të mësuar nga kodi
shqiptar i mbijetesës: Arben Mustafë Sallahu, Xhemil Shaban Sadiku, Astrit Daut
Selmani, Isa Azem Kamberi, vëllezërit Sabit e Zenel Sylejman Zeqiri (me banim
në Ferizaj) Sahit Qazim Sahiti (me banim në Shkup), Arafat Sahit Sahiti (me
banim në Zvicër), Azem Abdullah Maliqi,
vëllezërit (kushërinjtë) Haxhiu, njëri prej të cilëve, Baftiu ra
dëshmor, më 26 maj 1999 në Gorozhup të Hasit, braktisën: kush punën, kush
studimet, kush shkollën për t’iu bashkuar forcave të luftëtarëve të lirisë në
Koshare, Jezerc ... dhe me armë në dorë
u vunë në mbrojtje të Kosovës, kombit e flamurit, duke i treguar armikut se ka
zot kjo tokë, se në këto troje gjithmonë ka rrezuar dielli shqiptar. Në luftën për çlirimin
e Kosovës lindore 2000-2001 ishte Feriz Gani Deliu. Ferizi në radhët e
luftëtarëve të UÇPMB njihej me emrin Komandant Kabashi. Gjatë luftës serbët si gjithandej Kosovës
zhvendosën me dhunë popullsinë civile të fshatit Kabash, rrahën e keqtrajtuan,
vranë, shkatërruan e dogjën edhe libra, albume me fotografi, dokumente
personale etj. Vodhën e plaçkitën pasuritë e kabashasve të trashëguara e të
fituara me mund, kurse bagëtinë e mbetur në fashat e ngarkuan në kamion dhe e dërguan në Serbi.
Dëmet, që bënë serbët gjatë luftës në Kabash sipas Komisionit për vlerësimin e
dëmeve të Pranverë , 1999. publikuara, më 21 gusht 1999, kanë qenë: 6.402.134
DM ose 3.201067 euro. Në këtë luftë nga prita u vra Daut Selim Zenuni 57
vjeçar, ndërkaq më 5 maj 1999, afër shtëpisë së Sami Shaip Sylës, një zhgan,
një askush, rezervist, i quajtur Dragan Stoilkoviq, prapa shpine e vret ing. Shefqet Mustafën nga Pozharani, i cili
kish ardhur në Kabash për t’i vizituar disa prej familjeve të rikthyera në
Kabash. Me gjithë presionin, masakrimet, aparthejdin, praktikat naziste njëqind
vjeçare (nga viti 1912) për t’i zhvendosur, gjunjëzuar, zhbi themeluesit e
fshatit Kabash, nuk patën sukses. Sot,
në Kabash gëlon gëzueshëm jeta dhe dita-ditës fshati po zhvillohet, po përparon
në të gjitha fushat e jetës. Kolonët serbë, këta të fundit, që nuk ishin më
shumë se 15 familje, për shkak të veprave të nxira: krimeve, plaçkitjeve,
vjedhjeve, shkatërrimeve, presioneve, përndjekjeve, vrasjeve që bënë gjatë
luftës së fundit (mars-qershor 1999), ngarkuan gjësendet e plaçkitura në
traktorë, kamionë e vetura që ua kishin marrë shqiptarëve përdhunisht dhe
shkuan nga kishin ardhur, duke lënë prapa vetes stalla, shtëpi, faltore të
djegura e të demoluara, fusha, rrugë, rrugica, oborre shtëpish e shkollash të
minuara.
PAS ÇLIRIMIT
Kabashi tash (mars 2016) ka diku 350 shtëpi me mbi 3000 banorë. Në Kabash bashkëjetojnë në harmoni të plotë dy konfeksionet: ai mysliman e katolik përfshirë këtu edhe ardhësit e pas luftës së fundit (1999).
Infrastruktura e fshatit gjithnjë në rritje. Rrugët janë asfaltuar, jo vetëm ajo kryesorja që lidhë fshatin me Vitinë e Binçën, por edhe ato dytësore, ka ujësjellësin me ujë të shëndosh e të bollshëm për pije e nevoja tjera,
shkollën
me oborr të përshtatshëm për fusha sportive,
xhaminë,
kishën
ku besimtarët kryejnë ritet fetare, lumthin, i cili tash paksa më mirë po mirëmbahet, kanalizimin për bartjen e ujërave të zeza dhe kazanët për grumbullimin e
plehrave. Terreni mbi fshat me korije,
livadhe, ara të mbjella me grurë ose misër sipas radhës, mësipërmes saj rruga e
shtruar me zhavorr dhe me restorantin "Arena" në krye (aty ku nisin
malet) e bëjnë edhe më atraktive vendin për ecje në këmbë, me marrë hava, siç thuhet.
Sabit Abdyli
Bibliografia:
Abdyli, Sabit - “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997
Abdyli, Sabit “Ankthi i Pranverës’99”, Prishtinë, 2004
Abdyli, Sabit "Na kabashi jem t'ndam nji zjarrmi", Gjilan, 2013
Abdyli, Sabit "Tybe këta veç kabash janë", Prishtine, 2016
Buxhovi, Jusuf - “Kongresi i Berlinit”, 1878, Prishtinë, 2008
Buxhovi, Jusuf -”Kthesa historike 3 – Lufta e Përendimit për Kosovën”, Prishtinë, 2009
Buxhovi, Jusuf – “Kosova”, Prishtinë, 2012
Ngjarje të jetuara, kreu XXVI. Kaloshi, Adil - “Bytyçi – monografi”, KRISTALINA-KH, Tiranë, 2004
Malcolm, Noel -“Histori e shkurtër e Kosovës”, Prishtinë – Tiranë, 2001
Marc, Weller -“Shtetësia e kontestuar”, Prishtinë, 2009
Meçi, Xhamal – Kabashi, Tiranë, 2008
Nerguti Halil - “Jeta ime për Shqipërinë dhe mbretërinë e saj”, Tiranë 2003
Obradoviq, Millovan - “Agrarna reforma i kolonizacia na Kosovu 1918-1941, Prishtinë, 1981
Osmani, Jusuf - “Konolizimi Serb i Kosovës” – ueb faqe në internet
Rahimi, Shukri - “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969
Rexhepi, Zenun -“Kabashi i Moravës së Epërme, Prishtinë, 2003
Rexhepi, Zenun -“Shkolla Fillore e Kabashit të Moravës 1948-1968, Prishtinë, 2008
Rushiti, Liman - “Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003
Tomasheviç, Bato - “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, Onufri, 2009, Tiranë.
Uka, Sabit - Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, 5, Prishtinë, 1995
Vaseniusi, Joran - “Sëmundja mistike”, Prishtinë, 2009, nga suedishtja Hamit Gurguri
Sabit Abdyli