Në vitin 1970, në kohën kur po xhironte filmin në regjinë e Miomir Stamenkoviqit "Kurtha për Gjeneralin" në Sarajevë, Bekim Fehmiu, i cili luante njërin prej roleve kryesor, erdhi për vizitë në kazermën ku isha ushtar. Interesimi për ta parë, dëgjuar për së afërmi aktorin zgjoi kërshërinë e të gjithëve. Atë natë neve ushtarëve edhe kohën e gjumit na shtyn për një orë. Në sallën e madhe plot e përplot me ushtarë e oficerë Bekimi i shoqëruar nga një gjeneral armate ulur pranë tavolinës me buqeta lulesh përpara në podium, për dy orë rresht foli, u përgjigj në pyetje të të pranishmëve. Ushtarët, sidomos ne shqiptarët, dëgjonim gojëhapur. Unë, tha mes tjerash artisti, zëshëm dhe me krenari, jam shqiptar, i lindur rastësisht në Sarajevë, emri im ka domethënie vetëm në gjuhën shqipe ashtu siç kanë edhe emrat e vëllezërve e motrave të mia; Bashkim, Arsim, Fatmir, Shpresë ... Pastaj ai foli edhe për presionet nga producentët e filmave në Itali për t’ja ndryshuar emrin dhe origjinën me të cilat nuk u pajtua, qoftë ai ndryshim edhe për një germë të vetme. Në fund u afruam gjithë qejf rreth kolosit të artit kinematografik, bëmë fotografi dhe morëm autografe nga ai.
Sarajevë, 1970